...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Lufta “Berisha-Basha” dhe e ardhmja e saj & Konventa e Vjenës për ambasadorët

Ambasadorët duhet të respektojnë ligjet dhe rregullat e Shtetit pritës. Ata gjithashtu kanë një detyrë të mos ndërhyjnë në çështjet e brendshme të atij shteti

Ylli Përmeti

23/09/2021 - 18:46

Menjëherë pas përjashtimit nga grupi parlamentar Berisha tha se Basha shkatërroi PD-në me “dorëzimin e partisë demokratike si institucion”. Por kur shtoi se kujt ia ‘dorëzoi’ tha se ia dorëzoi Ramës dhe Sorosit dhe nuk tha se ia dorëzoi amerikanëve: “zoti Basha ka zgjedhur shkatërrimin apo privimin e partisë demokratike nga sovraniteti i saj...[ajo] mund të jetë një parti e vlefshme, solide, vetëm e vetëm si një parti sovrane. Partia demokratike mund të jetë një aleate e vërtetë e shteteve të bashkuara dhe e çdo vendi tjetër të lirë vetëm si parti sovrane dhe në asnjë mënyrë një parti e cila për rrethana që i dinë Lulzim Basha pranon të shkatërrojë sovranitetin e saj”!

Të paktën pranoi faktin se Basha vendoi nën “presion të madh” [të sanksioneve ndaj Bashës dhe partisë nga amerikanët] por “pavarësisht presionieve”, shtoi ai, “ka vendime që njeriu nuk i merr kurrë, nuk pranon t`i marrë kurrë...jepë dhjetë herë dorëheqjen përpara se t`i marrë”. Si pasojë, “sot faktikisht partia demokratike”, theksoi Berisha, “është shndërruar një parti pa sovranitet e cila dorëzohet e tëra...lobimit korruptiv të Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit”!

Por fakti është se partia “demokratike” u krijua si parti ‘josovrane’ që në ditët e para të saj dhe këtë fakt e njohin të gjithë: sepse Berisha u mbështet që në fillim nga amerikanët duke propaganduar përrallat e tyre (çekun e bardhë etj.). Dhe fakt është se Berisha e dorëzoi sovranitetin e vendit tonë dhe rrjedhimisht të partisë së tij që kur braktisi pavarësinë ekonomike dhe orientoi vendin të integrohësh në “rendin” që kishin krijuar amerikanët: në globalizmin neoliberal. Por pavarësisht këtyre ‘dorëzimeve’ Berisha ka synuar një farë sovraniteti në vendime qoftë si kryetar partie qoftë si kryeministër apo president kur ka refuzuar amerikanët dhe veçanërisht ambasadorët në kërkesat e tyre. Por këto përpjekje kanë qenë në sovranitet kombëtar të dorëzuar nga ai dhe mbështësit e tij.

Basha vërtet mund të jepte dorëheqjen, theksoi Berisha, përpara se të vendonte ashtu siç vendoi për Berishën dhe jo të dorëzonte sovranitetin e partisë, por Berisha duhet të shtonte, nëse vërtet kërkonte të tregonte realitetin në të cilin vendoi Basha, humbjen e “sovranitetit” kombëtar për të cilin ai dhe partia “demokratike” kanë luajtur rol vendimtar! Ai ka të drejtë, gjithashtu, kur refuzon krahasimet që i bëjnë gazetarët se edhe ai ka shkelur statutin e partisë në të kaluarën: sepse nuk krahasohet një vendim që merret nën presion nga të huajt me një vendim që merret për arsye partiake (si në rastin kur përjashtoi Ngjelën etj.).

Por le të shqyrtojmë karakterin e Bashës, sepse nga karakteri i tij do të kuptojmë dhe arsyet e tradhëtisë së tij ndaj Berishës: dihet se ai ‘katapultoi’ në një parti që drejtonte Berisha falë njohjes së tij me vajzën e Berishës. Vetë pranimi i katapultimit në parti dhe më tej në qeveri tregon karakter të korruptuar: sepse një njeri me karakter të pakorruptueshëm nuk do të pranonte kurrë të katapultonte në një parti ku të tjerë kishin kontribuar më shumë se ai. Megjithëse me disa ndryshime, ashtu është dhe karakteri i Berishës: sepse po të mos ishte karakter i korruptuar Berisha nuk do të pranonte kurrë të ‘katapultonte’ një njeri duke shkelur mbi meritat e të tjerëve. “Demokratët” e gëlltitën këtë fazë ‘katapultimi’ dhe nuk gjykuan fare mbi të; as e gjykojnë të ashtuquajturit “analistë” në median e oligarkisë (politiko-ekonomike)!

Kështu duke lënë mënjanë këtë fazë, ku përfshihen dy vetë, Berisha dhe Basha, ata merren me aktin përfundimtar të Bashës dhe ngrenë pyetje nga më idiotet kur tradhëtia e meritokracisë në parti ka dy fytyra dhe ka vite që ka ndodhur! Arsyeja kryesore se pse “demokratët” nuk përqendrohen në këtë fazë është se ata nuk e kanë të qartë meritokracinë dhe as luftojnë për të. Ka zëra që përmendin ‘katapultimin’ por nuk përmendin paralelisht meritokracinë që duhet të mbizotëronte në parti! Hamendësisht sepse edhe ata kanë katapultuar pa meritë!

Në fakt, qoftë edhe Berisha, në fazat e para të krijimit të partisë “demokratike”, katapultoi në parti pa meritë dhe u bë drejtues i saj kryesisht me mbështetjen e amerikanëve.

Nga lëvizja studentore e dhjetorit `90 u krijua komiteti nismëtar në bazë të udhëzimeve të Ramiz Alisë; pas krijimit të tij u organizua mbledhja e parë për krijimin e partisë së re: partisë “demokratike”. Në këtë mbledhje u zgjodh kryetar Azem Hajdari jo duke proceduar nga gjykimi i meritave të tij në virtyte (intelektuale dhe etike) por duke gjykuar vetëm nga protagonizmi i tij në protestat studentore. Pas rreth një muaji në detyrë, u bë një mocion në Komitetin Nismëtar për shkarkimin e Azemit, sepsa disa nga anëtarët kishin vërejtje për mënyrën se si e drejtonte partinë ky fundit.Si pasojë, ai u shkarkua me votim nga komiteti (Arben Imami dhe Azem Hajdari ikën nga mbledhja pa dhënë ndonjë sqarim) dhe në vend të tij u votua —me më shumë vota— Berisha.

Por nuk proceduan nga gjykimi i meriatve të tij por u votua në bazë të “njohjeve” shoqërore dhe “protagonizmit” në lëvizjen e dhjetorit. Preç Zogaj, për shembull, kur kujton dhe rrëfen këtë mbledhje dhe premisat mbi të cilat u bazuan anëtarët për zgjedhjen e Berishës si kryetar, pas 30 vjetësh, nuk përmend fare nevojën e gjykimit të meritave në kolektivin e komitetit por përmend vetëm “njohjet” dhe “protagonizmin” si premisa për zgjedhjen e tij, fakt që dëshmon se ai s`e ka të qartë konceptin e meritokracisë. Mjafton ky fakt historik për të kuptuar se partia “demokratike” u lejua dhe u udhëzua nga Ramizi dhe u krijua pa ide të qarta nga disa studentë dhe pedagogë. Duke qenë e tillë që në fillimet e saj, nuk do të ishte e çuditshme që Berisha të katapultonte Bashën pa kurrëfarë merite.

Kështu fakt është se Basha zgjodhi jetën e tij politike dhe të partisë që ai drejton dhe amerikanët dhe tradhëtoi babain e tij politik: por kjo zgjedhje do t`i kushtojë shumë atij dhe partisë së tij jo vetëm sepse Berisha ka mbështetje të madhe në popull por nuk besoj se Berisha do t`ia falë tradhëtinë.

Sidoqoftë, ditët e para pas përjashtimit të tij Berisha zgjodhi të fliste me mbështetësit e tij në biseda të drejtëpërdrejta. Qëllimi i tij: të mblidhte kuvendin kombëtar të partisë dhe të vendoste për “fatin” e tij dhe të Bashës. Gjatë takimeve të tij dhe sidomos duke filluar me takimin në Fier, ai filloi të ngrinte akuza serioze për disa njerëz që mbështesin amerikanët dhe për ambasadorin Donald Lu: akuza e parë e tij ishte ndaj kreut të ILD-së, Artur Metanit, i cili, sipas tij, u kap në përgjimet e prokurorisë në dhjetor të vitit 2019 duke folur me Henri Çilin për nxjerrjen nga burgu të vëllezërve “Aliko” kundrejt 750 mijë eurove kur nuk u përmend me emër por thjesht si “një zyrtar i lartë të sistemit të drejtësisë që të mos cënonte sistemin e kontrolluar nga mazhoranca; akuza e dytë ishte ndaj Ardian Dvoranit, kreu i KED-it dhe kampionit anti-korrupsion të shpallur nga amerikanët, të cilit, sipas tij, i shleu kompania “Albtelekom” një kredi prej 17 mijë euro për shtëpinë dhe ky i fundit ia shpërbleu “me një numër të madh gjyqësore pro “Albtelecom”; akuza e tretë ishte ndaj ish-ambasadorit amerikan Donald Lu, i cili, për të shtyrë daljen e tij në pension nga Departamenti i Shtetit, ryshfetoi (departamentin?) me 10 milionë dollarë për të shkuar në Kirgistan; dhe akuza e zakonshme ndaj Xhorxh Sorosit, i cili, sipas tij, po financon largimin Berishës nga politika për shkak se kundërshtoi publikisht ndarjen e Kosovës.

Megjithëse këto akuza meritojnë hetim dhe shqyrtim, në të njëjtin takim Berisha akuzoi Bashën: se i “futi një thikë pas shpine PD-së”, duke paralajmëruar dhe të ardhmen e tij politike: “Më mirë qiri i fikur se qiri i fëlliqur”. Me këtë pohim Berisha pret dhe “fikjen” e tij ndërsa i kujtoi Bashës se do të mbetet në histori si “qiri i fëlliqur”, por shtoi se “të gjithë ata që gjatë 30 viteve i kapi frika prej forumeve kanë përfunduar keq”, duke nënkuptuar se Berisha do të fitojë me përpjekjen e tij.

Pas pak orësh reagoi Basha duke thënë se “nuk ka për t`u mbledhur ndonjëherë kuvendi kombëtar i PD-së për të shqyrtuar vendimet e Departamentit të Shtetit amerikan”, duke njëjtësuar vendimin e tij me vendimin e DASH-it! Këtij qendrimi Berisha iu përgjigj menjëherë se kuvendi do të mblidhet në përputhje me statutin e PD dhe askush që tmerrohet prej tij nuk mund ta pengojë” dhe se ai nuk do të mblidhet të shqyrtojë vendimet e ndonjë qeverie por vetëm “vendimet e pengut të Edi Ramës”...Bashës.

Se kush mund të “fitojë” nga kjo përballje, mes Bashës dhe amerikanëve dhe Berishës dhe mbështetësve të tij, bëhet e qartë kur gjykojmë ndërvarësinë që kanë krijuar dy protagonistët në fjalë ndër vite: ndërvarësia që ka krijuar Berisha dhe Basha por dhe çdo i ngjashëm me ta, është së pari ndërvarësi pushtetore (d.m.th., kanë pushtetuar shumë militantë me pushtet politik dhe ekonomik kur kanë drejtuar shtetin dhe partinë) dhe së dyti është ndërvarësi emocionale (d.m.th., militantët lidhen me paraqitjen e udhëheqësit dhe qëndrimet e tij pavarësisht se mund të jenë pallavra): kjo lloj ndërvarësie është më e madhe mes Berishës dhe militantëve të PD-së se sa mes Bashës dhe...Ndaj besoj se Berisha do ta shfuqizojë Bashën dhe amerikanët mund të dështojnë në përpjekjen e tyre, përjashto mundësinë e korruptimit masiv të militantëve dhe/ose arrestimin e Berishës gjatë kohës që ai përpiqet të asgjësojë Bashën.

Pyetja që lind nga kjo përplasje është se nëse kishin rrugë tjetër amerikanët lidhur me Berishën: sigurisht që kishin për sa kohë që institucioni i ri i reformës në drejtësi, Spak-u, ishte krijuar në përqindjen e tij më të madhe dhe kur dihet se si institucion “diktohet” në përqindje të madhe nga amerikanët dhe evropianët. Por duhet patur kujdes kur themi se Spak-u “diktohet” nga amerikanët...siç argumentoi së fundmi, mes të tjerësh, Ngjela: sepse si Kraja, drejtori i Spak-ut, ashtu dhe Hajnaj, drejtoresha e BKH-së, janë të detyruar t`i përmbahen ligjit.

Spak-u mund të “diktohet” vetëm në dy mënyra: njëra është duke u takuar krerët përkatës me ambasadorët e huaj ku ambasadorët “diktojnë” se cilët duhet të hetohen të parët, takime të cilët janë bërë rutinë tashmë, dhe tjetra duke “diktuar” vetë DASH-i veprimtarinë e Spak-ut kur njofton “të padëshiruarit”. Mund të diktohet edhe përmes njerëzve të përfshirë në Spak. Për shembull, si Brukseli ashtu dhe Uashingtoni, po kujdesen të emërojnë në role kyç të institucionit përkatës kryesisht individë nga “shoqëria civile”. Këta janë njerëz që u detyrohen perëndimorëve si për studimet e tyre (zakonisht marrin bursa nga fondacionet euro-amerikane për të studiuar jashtë vendit) ashtu dhe kur përfshihen në “shoqërinë civile” ku më shumë parazitojnë se sa studiojnë dhe kundrojnë dhe ku paguhen për të përparuar kryesisht politikat që diktojnë “sponsorët”.         

Ndërhyrja e ambasadorëve perëndimorë dhe veçanërisht e ambasadorëve amerikanë, në politikën e brendshme, përbën vërtet shkelje të hapur të sovraniteti politik të vendit:

Konventa e Vjenës “Mbi marrëdhëniet diplomatike”, e hartuar në 18 prill 1961në Vjenë dhe e ratifikuar nga SHBA-ja në vitin 1972, citon në Artikullin 41, paragrafi 1 për ambasadorët se, “Pa paragjykim ndaj privilegjeve dhe paprekshmërive të tyre, është detyrë e gjithë personave që gëzojnë këto privilegje dhe paprekshmëri të respektojnë ligjet dhe rregullat e Shtetit pritës. Ata gjithashtu kanë një detyrë të mos ndërhyjnë në çështjet e brendshme të atij shteti” ndërsa Artikulli 42 citon se “Një agjent diplomatik nuk duhet të veprojë në Shtetin pritës për fitime personale në çdo zeje ose veprimtari tregtare”. (Theksi u shtua)

Por kjo ndërhyrje është bërë e mundur kryesisht për shkak të orientimit tonë për t`u integruar në globalizmin neoliberal, të cilin e drejton kryesisht SHBA-ja. Por është, gjithashtu, pjesërisht pasojë e karakterit të krerëve të partive kryesore: ata kanë kërkuar vetë të integrohen në “rendin” përkatës, duke u mbështetur në thirrjet e protestave studentore të “dhjetorit” 1990, të cilat e donin “Shqipërinë si gjithë Evropa”, por që s`kishin kuptuar asgjë se në cilën fazë gjeopolitike gjendësh Evropa, megjithëse qarkullonin disa “pëshpëritje” për “globalizmin” si koncept por ai s`ishte qartësuar as nga “intelektualët” e kohës dhe as është qartësuar pas 30 vjetësh nga “intelektualët” e kohës sonë!

Puna që kam kryer unë për këtë lloj “rendi”, për shembull, është çensuruar, pikërisht sepse klasa politike, akademike dhe mediatike kanë krijuar varësi pushtetore dhe ideologjike kundrejt perëndimorëve dhe parapëlqejnë më shumë t`u thurin lavde atyre se sa t`i kritikojnë. Qoftë edhe kur i kritikojnë —siç vepron ndonjëherë Rama ndaj BE-së— kritika është më tepër e padrejtë se sa e drejtë.

Faji, rrjedhimisht, për ndërhyrjet politike në vendin tonë, nuk bie mbi amerikanët apo euro-perëndimorët. Por mbi mbi klasën tonë politike, akademike dhe mediatike duke mos përjashtuar popullin nga kjo fajësi. Perëndimorët thjesht shfrytëzojnë koniukturën aktuale duke përparuar interesat e tyre, të cilat janë kryesisht të karakterit ekonomik. Por pa institucione drejtësie ata nuk mund të veprojnë qoftë edhe ekonomikisht. Qoftë edhe Rama përmendi ditën e parë në kuvend nevojën për mospërfshirjen e ambasadorëve në mosmarrëveshjet politike duke nënkuptuar “ndërhyrjet politike”. Por e thëna me të bërën, është shumë larg, meqënse Rama pa mbështetjen e perëndimorëve nuk do të kishte fituar një mandat të tretë ndërsa ideologjikisht është kryekëput neoliberal.

Përplasjes mes tyre, ambasadorja amerikane i hodhi më shumë “barut” një ditë më pas kur u kthye nga Uashingtoni dhe tha se mbështeste Bashën në përpjekjen e tij kundër Berishës duke shtuar se  “Uashingtoni mbetet i angazhuar të punojë edhe më afër me partinë demokratike”. Me këtë qendrim ajo hoqi një vijë ndarëse mes Bashës dhe Berishës. Vija ndarëse u theksua më shumë një ditë më pas në bisedën e Berishës me vlonjatët ku ishte i shoqëruar me Evi Kokalarin, një shqiptaro-amerikane që Berisha e paraqiti si “eksponente“ të partisë republikane amerikane. Mbështetja e kësaj të fundit ka qenë e pranishme gjatë viteve të fundit por u rrit me ndërhyjren e Kimit në vendimet politike të PD-së. Ajo, madje, pati një takim me Kimin përpara se të shkonte në Vlorë ku e bëri të qartë se partia republikane amerikane mbështet Berishën. Për pasojë, Berisha e zgjeroi spektrin e “luftës”: ajo do të zhvillohet mes konservatorëve dhe globalistëve, ku si ‘konservatorë’ paraqiten partitë e djathta dhe ‘globalistë’ partitë e “majta” të tipit Bajden dhe Rama.  

Me këto premisa ose kushte, nuk është e vështirë të parashikohet e ardhmja politike e vendit tonë.

Nëse fiton Berisha me përpjekjen e tij, PD-ja rithemelohet (me shpresën në parime më të drejtë nëse në gjirin e saj ka ndonjë njeri të drejtë) dhe armiqësohet me administratën aktuale të ambasadës amerikane por jo me Amerikën në tërësi. Gjykuar nga fakti se këto të dyja vështirë të ndahen nga militantët, anti-amerikanizmi do të shtohet pavarësisht se Berisha mund të zbusë sulmet e tij. Fitorja e Berishës do të fuqizonte Metën dhe mund të dëshmojmë dhe shpalljen e ambasadorëve të huaj si të “padëshirueshëm” meqë kanë plotë fakte për t`i shpallur të tillë. Nëse ndodh kjo ngjarje, ata do të shfajësojnë veten nga ndërhyrjet e huaja dhe do të fajësojnë vetëm të huajt. Kjo “luftë” e re do të armiqësonte më shumë popullin me perëndimin dhe do ta çonte drejt lindjes, kryesisht drejt Turqisë. 

Nëse fiton Basha, PD-ja do të jetë një parti kryekëput e diktuar nga amerikanët siç është dhe PS-ja. Kjo dinamikë do të sjellë, siç ka sjellë me qendrimin e Bashës për ndalimin e shqyrtimit të vendimit të DASH-it në parti, një diktaturë më të zgjeruar: se kush shqyrton vendimet amerikane në parti apo hapësira të tjera publike, përjashtohet ose skajohet. Por kjo përpjekje do të zhvillohet nën dinamikën e anti-amerikanizmit i cili do të frymëzohet kryesisht nga Berisha dhe Meta. Kështuqë Basha dhe amerikanët do ta kenë të vështirë të ulin tensionet politike pavarësisht se do të përpiqen të “skajojnë” kritikat ndaj politikave amerikane. Ndryshe do të ndodhte nëse ambasada amerikane do të kishte zgjedhur rrugën e drejtësisë dhe jo të ndërhyrjeve politike: do të ndihmonte hetimet dhe frymën anti-amerikane nuk do ta ndizte pavarësisht se Berisha do ta përdorte anti-amerikanizmin qoftë edhe kur të shkonte në qeli.   

Karikatura që shoqëron këtë analizë është e Bujar Kapexhiut. Kjo analizë është përditësuar në datën 26 shtator.*

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA