...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Lufta e gjatë e SHBA-NATO-s kundër Rusisë merr karakter botëror

Fakt është se Uashingtoni po shtyn Rusinë të përdorë armë të përparuara dhe nuk do të ishte e çuditshme të shihnim luftë të drejtpërdrejtë mes superfuqive ose luftë botërore!

Ylli Përmeti

10/05/2022 - 13:19

Përpjekjet për paqe vazhduan pak ditë parpara kremtimit të ditës së fitores ndaj nazizmit në Evropë dhe Rusi. Këtë herë nga Këshilli i Sigurimit në OKB: ai votoi njëzëri nevojën për zgjidhjen paqësore të konfliktit në Ukrainë. “Këshilli i Sigurimit shpreh mbështetje të fuqishme për përpjekjet e sekretarit të përgjithshëm në kërkim për zgjidhje paqësore” ndërsa “shpreh shqetësime të thella lidhur me mbajtjen e paqes dhe sigurisë në Ukrainë” duke kujtuar se “të gjithë anëtarët kanë ndërmarrë, nën Kartën dhe Kombeve të Bashkuara, detyrën të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre ndërkombëtare me mjete paqësore”. Qendrimin e hartuar nga Meksika dhe Norvegjia, e mbështeti dhe Rusia, fakt që tregon gadishmërinë e saj për diplomaci tha përfaqësuesi i Meksikës në OKB.

Por një ditë përpara kremtimit të Ditës së Fitores në Rusi, zonja e parë e Shtëpisë së Bardhë dhe kreu i qeverisë kanadeze shkuan në Kiev ndërsa paralelisht u zhvillua një “takim” virtual mes anëtarëve të G-7 dhe Zelenskit ku të parët u zotuan se do të ulin gradualisht ose ndalojnë importin e karburantit rus dhe do të vazhdojnë luftën hibride ndaj Rusisë. Ky zotim theksoi edhe një herë mbështetjen e tyre ndaj Kievit dhe tregoi unitetin në vendosmërinë e tyre që Putini të mos triumfojë ndërsa kujtuan Ditën e Fitores në Evropë, 8 Majin e vitit 1945.

Në deklaratën e tyre të përbashkët krerët e G-7 i dhanë të njëjtin kuptim luftës që po zhvillon Ukraina e Zelenskit me Rusinë duke i karahasuar ato me “krimet e tmerrshme të regjimit të Hitlerit”. Madje sipas tyre lufta do të vazhdojë “për popullin e Ukrainës, Evropën dhe komunitetin global”. Ky është një qendrim i njëjtë me qendrimin e përsëritur të Zelenskit: se ushtria ukrainase po lufton për gjithë perëndimin. Qëllimi është t`i japin luftës karakter të përgjithshëm dhe të bindin popujt perëndimorë që të mbështesin politikat perëndimore kundër Rusisë dhe të inkurajojnë ushtarët ukrainas në luftë.

Për të minuar karakterin e luftës ruse në Ukrainë G-7 tha se veprimet e Putinit shkaktuan “turp mbi Rusinë dhe sakrificat historike të popullit të tij”. Të njëjtin qendrim pati dhe Zelenski kur i krahasoi veprimet ushtarake ruse me veprimet e nazifashistëve kundër të cilëve luftoi dhe populli ukrainas.

Në fund, G-7 u zotua se nuk do ta lejonte kurrë Rusinë të fitonte luftën në Ukrainë duke u zotuar për mbështetje të mëtejshme ushtarake dhe ekonomike për Kievin. “Ne mbetemi të bashkuar në vendimin tonë se presidenti Putin nuk duhet të fitojë luftën e tij kundër Ukrainës”, përfundon qendrimi i përbashkët i G-7.  

Një ditë më pas, Putini zhgënjeu shumë zyrtarë, diplomatë dhe analistë perëndimorë: sepse të gjithë u munduan të parashikonin se çfarë do të thoshte Putini gjatë kësaj dite në Moskë. Disa thanë se ai do t`i shpallte luftë Ukrainës zyrtarisht apo se do të përshkallëzonte luftën duke deklaruar mobilizim popullor dhe luftë të plotë apo se do të kërcënonte me armë bërthamore apo se do t`i shpallte luftë perëndimit. Madje ministri i mbrojtjes së Bristanisë akuzoi Rusinë se ajo “pasqyron fashzimin” e viteve 1930.

Por të gjithë këta “parashikime” dhe të ngjashëm si këta nuk dolën! Fjalimi i Putinit kishte ngjyra optimiste dhe ishte me karakter patriotik dhe jo ekspansionist siç prisin të dëgjonin perëndimorët; ai kujtoi përpjekjet për një marrëveshje me perëndimin, përpjekjen e Kievit për të zhvilluar armë bërthamore dhe më pas lartësoi luftën e ushtrisë ruse.

Dita 9 maj shënoi 77 vjetorin e Fitores së Luftës së Madhe Patriotike të ushtrisë së kuqe ku lanë jetën rreth 27 milionë njerëz, ushtarë dhe qytetarë. Fjalimi i tij u mbajt përpara 11,000 anëtarëve të shërbimit dhe 131 pajisjeve ushtarake me 33 njësi oficerësh, reshterësh dhe ushtarësh të gjithë degëve të Forcave të Armatosura, personel sigurimi, dhe agjenci të zbatimit të ligjit të mbrojtjes. Kadetë dhe studentë në akademitë ushtarake, anëtarë të Ushtrisë së Re dhe Kozakë. Këta të fundit kanë origjinë turke dhe janë përfshirë në shumë konflikte që nga koha e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Ai përmendi si fillim veteranët dhe më pas gjithë kategoritë e tjera ushtarake, duke filluar nga “poshtë-lartë” dhe duke përgëzuar ditën e fitores së madhe. Më pas ai “hyri” në “temë” dhe kujtoi se “mbrojtja e Atdheut kur fati i tij ishte në rrezik ka qenë gjithnjë e shenjtë”...sot, si në të kaluarën, ju po luftoni për popullin tonë në Donbas, për sigurinë e Atdheut tonë, për Rusinë”.

Më tej ai lartësoi luftën e sovjetëve duke thënë se “ne krenohemi për brezin kurajoz të papushtueshëm të fitimtarëve, ne jemi krenarë të jemi pasuesit e tyre, dhe është detyra jonë të ruajmë kujtesën e atyre që mundën Nazizmin dhe na besuan të jemi syhapët duke bërë gjithshka të pengojmë tmerrin e një lufte tjetër botërore. Rrjedhimisht, pavarësisht gjithë kundërthënieve në marrëdhëniet ndërkombëtare, Rusia ka mbrojtur gjithnjë themelimin e një sistemi sigurie të pandashëm i cili është në mënyrë kritike i nevojshëm për gjithë komunitetin ndërkombëtar”

Më tej ai kujton ngjarjet e muajve që çuan në luftë: “Dhjetorin e kaluar”, tha ai, “ne propozuam nënshkrimin e një traktati mbi garancitë e sigurisë. Rusia nxiti Perëndimin të zhvillonte një dialog të sinqertë në kërkim për zgjidhje kuptimplotë dhe kompromisi, dhe të merrnim në konsideratë interesat e njëri-tjetrit. Gjithçka ishte e kotë. Vendet e Nato-s nuk na vunë veshin, çka do të thoshte se ata kishin plane tërësisht të ndryshme. Ne i pamë ata. Një operacion tjetër ndëshkimor në Donbas, një pushtim në tokat tona historike, duke përfshirë dhe Krimenë, ishte haptazi duke u përgatitur. Kievi deklaroi se ai mund të zotëronte armë bërthamore. Blloku i Nato-s nisi një përqendrim ushtarak aktiv mbi territoret pranë nesh. Kështu një kërcënim absolutisht i papranueshëm për ne ishte duke u krijuar pikërisht në kufijtë tanë. Atje ishte një tregues i qartë se një përplasje me neo-nazistët dhe banderistët [mbështetësit e kryenazistit ukrainas në luftën e dytë botërore] të mbeshtetur nga Shtetet e Bashkuara dhe shërbëtorët e tyre ishte pashmangshme”.

Si pasojë, “Rusia nisi një sulm parandalues ndaj agresionit. Ai ishte i detyruar, në kohën e duhur dhe vendimi i vetëm e drejtë. Një vendim nga një vend sovran, të fuqishëm dhe të pavarur”, tha ai. Më pas ai kujtoi pretendimin e SHBA-së, veçanërisht pas rënies së Bashkimit Sovjetik: jashtëzakonshmërinë (exceptionalism) e saj duke denigruar jo vetëm gjithë botën por gjithashtu dhe satelitët e saj, të cilët duhet të shtiren se nuk shohin ndonjë gjë, dhe të nështruar i bashkohen asaj. Por ne jemi një vend ndryshe. Rusia ka një karakter të ndryshëm. Ne kurrë nuk do ta dorëzojmë dashurinë tonë për Atdheun, besimin tonë dhe vlerat tradicionale, zakonet e pararendësve tanë dhe respektin për gjithë popujt dhe kulturat”.

“Perëndimi po i shkatërron këto vlera”, shtoi ai më pas, “dhe po degradon duke përshkallëzuar rusofobinë, duke lavdëruar tradhëtarët, duke përqeshur kujtesën e viktimave të tyre dhe duke përjashtuar kurajën e atyre që realizuan Fitoren përmes vuajtjeve”.

Për të treguar karakterin armiqësor të perëndimit ndaj fitores së sovjetëve, Putini shtoi se “ne jemi në dijeni se veteranët e SHBA-së që donin të vinin në Moskë u ndaluan, duke i përshëndetur ata se “ne jemi krenarë për veprat tuaja dhe kontributin tuaj në Fitoren tonë të përbashkët. Ne i nderojmë të gjithë ushtarët e ushtrive aleate ―amerikanët, anglezët, francezët, luftëtarët e rezistencës, ushtarët e guximshëm dhe partizanët e Kinës ― të gjithë ata mundën nazizmin dhe militarizimin”.

Putini më tej tha se “ne u përulemi të rënëve” në luftën e dytë botërore, martirëve të rënë në Odesa në maj të vitit 2014, dhe njerëzve të vrarë në Donbas dhe shokëve që u vranë në luftën e drejtë të Rusisë në Ukrainë. Për të njëjtën arsye ai deklaroi mbajtjen e 1 minutë heshtje. Në fund ai kujtoi se humbjet e oficerëve dhe ushtarëve rusë janë të dhimbshme për të gjithë ndërsa diktoi autoritetet të ndihmojnë familjet, për kujdesin e të cilëve njoftoi nënshkrimin e një urdhëri presidencial për t`u zbatuar ndërsa uroi shërim të shpejtë për të plagosurit. Fjala e tij përfundoi duke iu drejtuar ushtrisë dhe popullit me fjalën “shokë” dhe duke spikatur lavdinë e ushtrisë ruse dhe fitoren. Vetë parada u zhvillua nën flamurin e Bashkimit Sovjetik dhe Rusisë por duke spikatur më shumë të parin.

Duhet thënë se ―sipas kolegëve të BBC-së që raportojnë nga Rusia― Putini dhe qeveria e tij ka krijuar një dinamikë shoqërore sipas së cilës kush nuk mbështet operacionet ushtarake ose luftën në Ukrainë mbështet nazistët ndërsa media ruse nuk ndalon së treguari dëshimtë e ushtarëve ukrainas, të kapur rob, të cilët pranojnë se janë përfshirë në luftë për shkak të ideologjisë naziste; por tregojnë edhe ata që janë përfshirë në luftë sepse qeveria ukrainase u ka premtuar rroga të mira; dhe të tjerët sepse ua detyroi ligji. Këto dëshmi media perëndimore i çensuron; madje është e paqartë dhe “strategjia” e tregimit të Putinit si “hitler”. 

Akuzat për karakterin nazist të luftës nuk i shpëtuan as komentatorit të Financial Times. Ai citon se “atje është nje rrezik i qartë në një gjendje ku të dyja palët kanë bindur veten ―deri diku― se ata po luftojnë nazistët. Ajo bën marrëveshjen ose paqen më të vështirë”. Ai zbulon, gjithashtu, pohimin e një zyrtari amerikan sipas të cilit ka zëra “në Uashington, Londër dhe kryeqytete të tjerë, si Varshava, të cilët shohin tani një mundësi për të “shtyrë Rusinë jashtë skakierës botërore”, duke e mbështetur qëllimin amerikan të dobësimit të përhershëm të Rusisë: “Realizimi i dobësimit të përhershëm do të ishte qartësisht një fitore gjeopolitike e madhe për perëndimin. Ajo do të ulte kërcënimet e sigurisë ndaj Evropës, do të mpakte aleaten më të rëndësishme të Kinës dhe do t`i jepte besueshmëri më të madhe theksimit të Bajdenit se “Amerika është kthyer”.

Por ai tërheq vëmendjen se “mbrojtja e hapur e politikës së dobësimit të Rusisë përmban rreziqe të rëndësishme. Ajo rrit rrezikun e përshkallëzimit ― duke përfshirë dhe përshkallëzimin bërthamor. Ajo i jepë vlerë gjithashtu rrëfenjës ruse se lufta nxitet nga armiqësia e Nato-s kundër Rusisë, se sa nga agresioni rus ndaj Ukrainës. Kjo, me radhë, mund të dobësojë mbështetjen ndërkombëtare për përpjekjet e SHBA-së për të izoluar Rusinë. Duke ditur të gjitha këto, Shtëpia e Bardhë po mundohet të mbajë disiplinë kumtesh në aleancën perëndimore. Përshkallëzimi në retorikë nuk rrezikon vetëm përshkallëzimin në fushëbetejë. Ajo e bën gjithashtu një marrëveshje paqësore edhe më të vështirë...përfundimi i zymtë është se fundi e kësaj lufte është një rrugë e gjatë”, përfundon komentatori. 

Kujtoj se i njëjti autor mbështet përdorimin e flamurit të rremë kundër Rusisë; ndaj nuk do të ishte e çuditshme të dëshmojmë në vijim sulme me armë kimike apo biologjike nga ushtria ukrainase dhe të akuzohet Rusia. Kujtoj, gjithashtu, se këta lloj komentatorësh nuk i kanë të qarta avantazhet ushtarake të Rusisë pavarësisht se Putini i përmend herë pas here! Dhe kujtoj, në fund, se ai dhe shumë si ai po vrasin mendjen për “misterin” e luftës së Putinit; sepse në fjalimin e tij ai “nuk i hapi letrat” siç prisnin perëndimorët. Kështu i la të hamendësojnë siç hamendësuan përpara fjalimit të 9 majit. Por fakt është se Uashingtoni po shtyn Rusinë të përdorë armë të përparuara dhe nuk do të ishte e çuditshme të shihnim luftë të drejtpërdrejtë mes superfuqive ose luftë botërore!        

 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA