...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Lufta e gjatë e SHBA/Nato-s kundër Rusisë përballet me sfidën e ish shteteve sovjete

Gjithë rrëfenja perëndimore tani është përqendruar tek argumenti se Putini nuk realizoi qëllimet e tij ―asgjësimin e ushtrisë ukrainase për një kohë të shkurtër, por pa treguar ndonjë raport apo qendrim zyrtar të Putinit lidhur me “qëllimet e tij”― dhe se Ukraina do të dalë “fitimtare” nga lufta e saj me mbështetjen perëndimore ndërsa Rusia do të dështojë

Ylli Përmeti

17/05/2022 - 13:47

Pas ngjarjeve të fillim-majit mes palëve kundërshtare media perëndimore njoftoi se zbulimi amerikan kishte “zbuluar” se Rusia po përgatitet për një “luftë të gjatë” dhe se ajo nuk do të ndalojë me kontrollin e Donbasit. Në fakt, pohimet e shërbimeve inteligjente amerikane mbështeten kryesisht në qëllimet e elitës amerikane lidhur me Rusinë dhe në përshtypje; për këto të fundit shquhet drejtori i CIA-s.  Nuk do të ishte e çuditshme që pas njoftimit në fjalë pasoi dhe “shqetësimi” i SHBA-së dhe Evropës perëndimore për “luftën e gjatë” në Ukrainë: sepse vetë i krijojnë kushtet për luftë të gjatë vetë “shqetësohen”! Zbulimi amerikan përsëriti qendrimin në fund të qershorit kur tha se vlerësonte se lufta mes Rusisë në Ukrainë “ka të ngjarë të të vazhdojë për një periudhë të gjatë”.   

Por duhet sqaruar se shërbimet e “zbulimit” amerikan kanë pjesërisht të drejtë kur thonë se Putini do t`i përdorte armët bërthamore “vetëm nëse ai mendonte se kërcënohej ekzistenca e shtetit rus”,  sepse nuk bëjnë lidhjen, të paktën në qendrimet publike, mes qëllimit amerikan dhe efektit të tij ndaj palës kundërshtare: se Rusia nuk do të ndalojë në Donbas por do të detyrohet ―ngaqë Kievi do të vazhdojë të mbështetet nga perëndimi dhe do të vazhdojë të kërcënojë sigurinë ruse― të kontrollojë gjithë Ukrainën.

Qoftë edhe propozimi i Makronit ―për të negociuar një zgjidhje që nuk do të nxirrte të poshtëruar as Rusinë dhe as Ukrainën― sipas tij, sepse “do të na duhet të ndërtojmë paqen” pas luftës, jo vetëm që është i pjesshëm, sepse nuk e shoqëron qëllimin e tij me ndonjë mosmbështetje të luftës nga Franca, por nuk përputhet me qëllimin amerikan. Ky i fundit e bënë luftën në Ukrainë vërtet të gjatë dhe e kthen atë në një fushëbetejë të përgjakshme. Lufta e gjatë në Ukrainë, me radhë, do të ketë efekte katastrofikë jo vetëm për Ukrainën dhe Rusinë por kryesisht për Evropën dhe Amerikën dhe në shkallë të ndryshme për gjithë planetin.

Të gjitha këto sepse elita mbikombëtare ose G-7 me në krye SHBA-në, kërkon të nënshtrojë një superfuqi tjetër ―ushtarake― për të ruajtur hegjemoninë e saj në “rendin” botëror të globalizmit neoliberal dhe jo sepse...do të sillte më shumë siguri për Evropën siç argumentojnë komentatorë gjeopolitikë të tipit “Rachman”! Përkundrazi, lufta e gjatë do të shtonte frikën e luftës mes popujve evropianë dhe do të shtonte shpenzimet në armatime; dhe ndërsa frika do të shkaktonte dëme psikologjike dhe do të frenonte investimet, shpenzimet për armatime do të rëndonin edhe më shumë mbi pupujt! Ky do të ishte vetëm efekti afatshkurtër; sepse efekti afatgjatë do të ishte depresioni psikologjik dhe ekonomik mes popujve evropianë dhe përtej ―në shkallë të ndryshme, sipas varësisë kundrejt tregut ndërkombëtar― dhe krijimi i kushteve për trazira dhe rrënime të mëtejshme.

Qëllimi tjetër i Uashingtonit, për ta nxjerrë Ukrainën “fitimtare” në tryezën e negociatave, ose “strategjia” siç e quajti zëdhënësi e DASH-it, Ned Price, pas të cilit “rendi” dhe kreu i Nato-s dhe elitat evropiane, është gjithashtu një qëllim që nuk bazohet në realitetin e pushtetit ushtarak të palëve në konflikt (avantazhe dhe dizavantazhe) por bazohet në synimin e Shtëpisë së Bardhë për të inkurajuar vazhdimin e luftës ndërsa nxit vendet baltike të bëhen pjesë e Nato-s dhe “siguron” disa kryeqytete evropiane, të alarmuara për rezultatin përfundimtar të luftës, se Ukraina nuk do të dalë me humbje nga lufta. Madje ministri i jashtëm lituanez, mbështetësi i rrëzimit të Putinit, sepse sipas tij rrëzimi i tij është e vetmja mënyrë për të mbrojtur sigurinë evropiane dhe perëndimore në afatgjatë...shqetësohet me të drejtë lidhur me faktin se vendet perendimore nuk e kanë përcaktuar se çfarë do të quhet “fitore” për Ukrainën!

Gjendja bëhet më e keqe kur mendon se Rusia ndryshoi qendrim lidhur me dëshirën e Ukrainës për t`u bërë anëtare e BE-së pas luftës: sipas Moskës kjo çështje nuk do të jetë pjesë e ndonjë marrëveshjeje paqësore me Kievin. Më parë ajo nuk kishte ndonjë kundërshti. Por ndryshoi qendrim pasi pa se Brukseli mbështeti tërësisht “linjën” amerikane. “Moska ndihet se BE-ja është reshtuar tërësisht me Nato-n e drejtuar nga SHBA-ja”, tha përfaqësuesi rus në OKB. Ai madje përmendi një qendrim të kreut të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, si katalit ndryshimi duke thënë se: “Në nuk ishin të shqetësuar deri tani rreth BE-së, por gjendja ndryshoi pas qendrimit të Borelit se ‘kjo luftë duhet të fitohet në fushëbetejë’ dhe pas faktit se BE-ja është udhëheqësja e shpërndarjes së armëve [në Ukrainë]”. Madje ai nuk sheh asnjë mundësi për diplomaci për shkak të qendrimeve të Ukrainës dhe qëllimeve të perëndimit.   

Pas tij nuk vonoi njoftimi i qendrimit të Lavrovit lidhur me “anëtarësinë e Ukrainës” në BE: ai tha se “BE-ja është kthyer nga një platformë ekonomike pozitive (konstruktive) siç mendohësh të ishte në një lojtar ushtarak agresiv që ka ambicie që shtrihen përtej kontinentit evropian”. Për ta mbështetur argumentin e tij ai përmendi vizitën e presidentes së komisionit evropian Ursula von der Leyen në Japoni ku lavdëroi Japoninë për mbështetjen e vendeve perëndimore lidhur me lufën hibride kundër Rusisë dhe shprehu dëshirën për BE-në se kërkon të luajë një rol më aktiv në rajonin e Indo-Paqësorit ndërsa përshkroi Rusinë si kërcënimin e drejtpërdrejt të rendit botëror dhe marrëdhënien e saj me Kinën “shqetësuese”.

Këtij qendrimi Lavrovi i përgjigjet se aleanca Ruso-Kineze nuk mbështetet në mbizotërim (dominim) si perëndimi përmes detyrimit në dëm të gjithë të tjerëve por mbron një komunitet shumëpalësh të popujve botëror. Madje ai pretendon se BE-ja ndjek hapat e Nato-s dhe si entitet janë në “proces shkrirjeje” dhe “në të ardhmen BE-ja do të veprojë thjesht se një shtojcë e bllokut ushtarak amerikan”.

Në fakt, BE-ja ka vite që vepron si shtojcë e bllokut ushtarak amerikan për sa kohë që është përfshirë në Lindjen e Mesme dhe përtej jo vetëm ushtarakisht, përmes Nato-s, por si fillim ka mbështetur fushatën e mashtrimit të popujve perëndimorë për “rreziqet” që buronin nga rajoni në fjalë me qëllim që të mbështeteshin ndërhyrjet ushtarake në Irak, Afganistan...dhe “revolucionet portokalli” ose grushtet e shtetit si në Ukrainë dhe Siri dhe tani ka shtuar dozat e luftës hibride ndaj shteteve që sfidojnë “rendin” botëror të globalizmit neoliberal me më kryesoren Rusinë. Thjesht tani po zgjeron fushëveprimin e saj ―në Indo-Paqësor― sepse, thotë Brukseli, “kërcënohet” siguria evropiane nga Kina njësoj siç thotë Uashingtoni! Nga këndvështrimi i tyre, argumenti është i drejtë sepse është e njëjta elitë që ka më shumë se tre dekada që ka krijuar blloqe ekonomike të integruar në “rendin” në fjalë përmes të cilit plaçkisin kombet.  

Gjithë rrëfenja perëndimore tani është përqendruar tek argumenti se Putini nuk realizoi qëllimet e tij ―asgjësimin e ushtrisë ukrainase për një kohë të shkurtër, por pa treguar ndonjë raport apo qendrim zyrtar të Putinit lidhur me “qëllimet e tij”― dhe se Ukraina do të dalë “fitimtare” nga lufta e saj me mbështetjen perëndimore ndërsa Rusia do të dështojë.

Kjo rrëfenjë nuk i shpëtoi komentatorit të “Financial Times”, i cili e mbështet atë duke përdorur disa argumente të disa “historianëve” por duke krahasuar të pakrahasueshmet. Për shembull, krahason dështimet amerikane në Vietnam, Afganistan dhe Irak, dhe tërheqjet poshtëruese të saj pas ndërhyrjeve më të vogla ushtarake në Somali dhe Liban, me dështimin e Bashkimit Sovjetik në Afganistan dhe “dështimin” e Rusisë në Ukrainë.

Qoftë edhe kur citon se “ndërsa një vend lufton për jetën e tij, Ukraina ka qenë e aftë të mbajë gjithë mashkujt e rritur në vend dhe luftojnë”, nuk përmend as faktin se në luftë Ukrainën e ka çuar Uashingtoni dhe BE-ja duke mbështetur partitë politike me ideologji naziste dhe luftën e tyre kundër komunistëve dhe rusëve ― të atyre që identifikohen si “rusë” dhe jo si krahinarë-ukrainas dhe sionistëve; por as përmend faktin tjetër se meshkujt kanë qendruar në vend për shkak të ligjit të luftës që ka miratuar dhe shpallur qeveria “Zelenski” kur filluan operacionet ruse. Qoftë edhe kur argumenton se:

“Rusia ende shtiret ndaj popullit të saj se ajo po merret me “operacionin e posaçëm ushtarak” që nuk ka nevojë për mobilizim tërësor. Sa më gjatë zgjatet lufta, aq më e vështirë është për një ushtri pushtuese [...]. Qoftë edhe nëse ti pushton kryeqytetin ― siç vepruan amerikanët në Irak dhe Afganistan― ti me gjasa do të përballesh me rebelim shterues, i cili do të mbështetet gëzueshëm nga fuqitë e jashtme. Një luftë e humbur ka efekte gërryese benda vendit. Mbi 15,000 trupa amerikane dhe kontraktorë vdiqën në luftrat e Afganistanit dhe Irakut dhe dyfishin e atij numri vdiqën për shkak të vetvrasjeve. Qindra mijëra u plagosën, me efekte valëzor përgjatë shoqërisë dhe politikës. Përjashtimet e pakta të ligjit se fuqitë e mëdha humbasin luftra të vogla duket se ndodh kur lufta dhe synimi është i kufizuar. Nëse konflikti është vërtet një “operacion i posaçëm ushtarak” (duke përdorur termin e pandershëm [...] të Putinit për pushtimin në Ukrainë), mbrothësia është e mundur. Në luftën e Golfit të vitit 1991, koalicioni i kryesuar nga SHBA-ja kufizoi synimet e tij duke nxjerr Sadam Huseinin e Irakut nga Kuvajti. Kur SHBA-ja u përpoq të shkonte më tej në luftën e dytë të Golfit të vitit 2003 ―duke rrëzuar Sadamin dhe duke pushtuar Irakun― plani u shkoklavit. Ndërhyrja e mbrothët e Nato-s në Kosovë në vitin 1999 u bazua në fuqinë ajrore, në mbështetje të kosovarëve”.

...Nuk ka të drejtë, sepse karakteri i ndërhyrjes ushtarake ruse lidhet me të drejtën ndërkombëtare të luftës, për të cilën duhet të ishte në dijeni komentatori në fjalë ndërsa rusët thonë se “sa më gjatë të shkojë operacioni i posaçëm aq më e lehtë do të jetë për Rusinë të kontrollojë Ukrainën më vonë”. Kjo qasje është e vërtetë nëse gjykojmë nga karakteri i ekonomisë dhe ushtrisë ruse krahasur me perëndimoren: ajo është thuajse e pavarur dhe sanksionet perëndimore nuk mund ta paralizojnë atë.

Ndryshe ndodh me ekonominë dhe ushtrinë perëndimore: ajo varet nga zinxhiri botëror i mallrave. Ky i fundit është në krizë të thellë: nga Kina deri në perëndim, zinxhiri i mallrave ka humbur “vijueshmërinë” e tij dhe tashmë kontraktorët amerikanë të prodhimit të armëve kërcënohen dhe me mungesë titani―një metal i domosdoshëm për industrinë ushtarake amerikane që importohësh nga Rusia. Për shkak të ndalimit të tij nga kjo e fundit, amerikanët po përpiqen të gjejnë burime të tjerë. Por deri tani s`kanë gjetur.

Në fund, ai përmend luftën e shqiptarëve kundër represionit ushtarak serb dhe përmend vetëm njërën anë të saj―ndërhyrjen ajrore të Nato-s― e cila, pa luftën guerrile të shqiptarëve në terren, as do të kishte filluar as do të kishte mbaruar aq shpejtë. Por duhet thënë se lufta jonë guerrile nuk përdori taktikat e luftës “guerrile” të ushtrisë ukrainase të trajinuar nga anglo-amerikanët―e cila, për t`u “mbrojtur” nga sulmet e ushtrisë ruse futet në qytete dhe fshatra të banuar me qytetarë të papërfshirë ushtarakisht në luftë dhe kur sulmet mbarojnë tregojnë sulmuesin dhe jo veten si shkaktar. Kjo taktikë nuk dënohet vetëm nga e drejta ndërkombëtare por dhe nga etika e një ushtrie: se veprimet e saj ushtarake nuk duhet të implikojnë jetën e qytetarëve të papërfshirë në luftë. Edhe për këtë çështje, elitat dhe mediat perëndimore tregojnë vetëm sulmuesin por jo shkeljet e ligjeve të luftës së “guerrilasve”!  

Gjykuar nga “debati” që po zhvillohet në Uashington dhe në kryeqytetet evropiane, duke përfshirë dhe Kievin, lidhur me qëllimin e Uashingtonit për ta nxjerrë Ukrainën “fitimtare” në tryezën e negociatave, “Financial Times” publikoi një përmbledhje ushtarake të disa ushtarakëve perëndimorë ku shqyrtohen “tezat” optimiste ―se nëse Ukraina ka mundësi të zbraps ushtrinë ruse nga rajonet e kontrolluar nga ajo― ku përfshihet dhe “teza” tejet optimiste e ministrit të mbrojtjes ukrainase pa ndonjë tezë “pesimiste”! Dhe pavarësisht këtij fakti, ajo dyshon “optimizmin” e propagandës perëndimore qoftë edhe nëse ushtria e Ukrainës pajiset me avionë dhe armë të tjera të rënda. 

Duhet thënë se analiza përkatëse nuk gjykon në bazë të synimit kryesor të Uashingtonit dhe elitës mbikombëtare në përgjithësi: nënshtrimin e Rusisë―sepse po të gjykonte në bazë të premisës në fjalë, do të përfundonte duke thënë se Uashingtonit dhe elitave evropiane u intereson të ngjallin shpresa fitoreje për të mbajtur gjallë kurajën e ushtrisë ukrainase dhe për të raskapitur për herë dhe më shumë aparatin ushtarak të Rusisë me shpresën se në proces do ta “damkosin” me akuzën e krimeve të luftës dhe ta përjashtojnë nga Këshilli i Sigurimit në OKB.

Por këto qëllime varen nga kundërveprimet e Putinit; ky i fundit po përdor sanksionet sipas përgjigjes “dhëmb për dhëmb”. Madje organizoi një mbledhje me krerët e vendeve të organizatës ndërkombëtare të sigurisë kolektive, CSTO, ish anëtarë të Bashkimit Sovjetik, ku bëjnë pjesë gjashtë anëtarë, Rusia, Armenia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgistani dhe Taxhikistani “për të vazhduar bashkëpunimin në fusha të ndryshme ushtarake dhe zhvillim mbrojtjeje dhe rritjen e veprimit të bashkërenduar në skakierën ndërkombëtare”. Qëllimi është sfidimi i G-7 dhe Nato-s me G-6 dhe të krijojnë një “pol” tjetër sigurie për kombet e euro-azisë. Siç citoi Putini: “Ne do të furnizojmë forcat tona ushtarake të organizatës me armë dhe pajisje moderne, do të mbështesim kontigjentet e trupave të tyre me ndërveprueshmëri, dhe do të bashkërendojmë me efektivitet më të madh veprimet e përbashkëta të agjencive tona ushtarake dhe agjencitë sekrete”.

Krahas këtyre veprimeve aleanca ushtarake në fjalë synon të zgjerojë ushtrimet ushtarake në vendet përkatëse dhe të shtojë sigurinë e armëve biologjike meqënse SHBA-ja zhvilloi disa prej tyre në Ukrainë. “Qëllimi i tyre kryesor”, tha Putini, “është të mbledhin të dhëna biologjike dhe të analizojnë përhapjen e viruseve dhe sëmundjeve të rrezikshme për qëllimet e tyre”. Nuk mungoi përmendja e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në Nato: sipas tij, “Rusia nuk ka asnjë problem me ato shtete, absolutisht asnjë problem! Në këtë kuptim, rrjedhimisht, nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Rusisë lidhur me zgjerimin e Nato-s në ato vende. Por zgjerimi i ushtrisë së infrastrukturës në ato territore do të shkaktojë një përgjigje nga ana jonë. Ne do të shohim se si do të jetë - bazuar në kërcënimet që krijohen për ne. Por duke folur përgjithësisht, probleme po krijohen nga asgjëja. Ndaj ne do të përgjigjemi ndaj tyre në një mënyrë të përputhshme”, tha Putini.       

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA