‘Mashtrimi’ diasporës dhe Miçotaqit nga Rama dhe “armët” gjeopolitike të Greqisë kundër Shqipërisë
Takimi poteremadh i Ramës në Athinë u zhvillua me marrëdhënie të ngrira diplomatike, me Miçotaqin të ndihet e “tradhtuar” nga Rama, dhe me klasën politike greke të shënjestrojë vetëm Ramën. Por cilat mund të jenë pasojat?
Ylli Përmeti
12/05/2024 - 15:07
Miçotaqi ndihet i ‘tradhtuar’
“Shqiptarët e Greqisë janë sot një histori krenarie, qytetarie dhe suksesi”, tha Rama tre ditë përpara se të shkonte në Athinë por nuk përmendi as qëllimin e tij të vërtetë as kundërefektin: mashtrimin edhe një herë të diasporës, sidomos në Greqi, përkeqësimin e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë dhe rigjallërimin e qarqeve nacionaliste greke.
Kjo ishte arsyeja kryesore se pse bëra thirrje (përmes Tiktokut) që shqiptarët ta braktisnin Ramën por edhe nëse shkonin në takim ta “sulmonin” atë me ndonjë domate të prishur. Thirrjen time e mirëpritën disa mijëra shqiptarë ndërsa të tjerë shkarkuan zemërimin e tyre pavarësisht se thirrjen e shoqërova me një të vërtetë të madhe (ose më të madhen e gjithë të vërtetave të tjera): me një nga pabarazitë kryesore mes pakicës shqiptare në Greqi dhe pakicës greke në Shqipëri―faktin se pakica greke gëzon të drejtën e organizimit politik dhe votimit (siç tregohet me partinë e Dules) në vendin tonë ndërsa “pakica” jonë në Greqi, ku unë kam parasysh si arvanitët ashtu dhe shqiptarët e mëvonshëm, të viteve `90, nuk e ka atë të drejtë.
Për të kompensuar këtë pabarazi, partitë politike atje (me PASOK-un në krye) përfshijnë kandidatë të “suksesshëm” siç i quan Rama në zgjedhjet parlamentare, por deri tani edhe ato përpjekje kanë dështuar, përtej faktit që të gjithë kandidatët shqiptarë që kanë qenë pjesë e partive politike greke, janë thjesht marjoneta ose “subjekte” që zbatojnë politikat (qofshin ato dhe kundër atdheut të tyre) e partive greke si në Greqi ashtu dhe Shqipëri.
Sidoqoftë, vajtja e Ramës në Athinë u quajt “shqetësuese” nga krerët e partive politike dhe analistët grekë, sepse, sipas tyre, ai është sjell padrejtësisht me Belerin (në të vërtetë, Rama nuk është sjell ashtu siç e paraqet klasa politike greke); madje disa e lidhën vajtjen e tij pikërisht me të meqënse ai mbyll një vit në burg ditën kur shkon në Athinë dhe ishte sipas tyre një përgjigje ndaj Miçotaqit për “shqetësimin” e tij me zgjedhjen e Belerit.
Domethënë, shqetësimit që shkaktoi Miçotaqi me kandidimin e Belerit në Shqipëri, Rama i përgjigjet me të “njëjtin” shqetësim në Greqi! Miçotaqi, në fakt, paralajmëroi se do t`ia vështirësonte takimin Ramës; dhe kështu ndodhi, nëse e marrim të mirëqenë rrëfimin e njërit prej “ligjëruesve” të Ramës në takim (Klosi), kur tha se ishin penguar në përpjekjen e tyre për të realizuar takimin.
Në përpjekjen e tyre për të kuptuar arsyet se pse Rama shkonte në Athinë, gazeta “Kathimerini” botoi një shkrim pikërisht ditën e takimit. Me titullin “Edi Rama: vizitor i paftuar me një angth të fshehtë”, shkrimi thoshte se ai “zgjodhi të zhvillojë fushatë në Athinë një vit para zgjedhjeve në Shqipëri por në kohë parazgjedhore në Greqi. Regjistrimi i popullatës së vjeshtës së kaluar në Shqipëri, i cili nuk është publikuar ende, ndoshta është arsyeja e parrëfyer për fushatën në diasporën shqiptare, e cila me të në pushtet është rritur ndjeshëm”.
Një shkrim i gazetës greke “Protothema” me titull “dinakëri shqiptare ramiste në Athinë” dhe me të njëjtin qendrim si klasa politike greke (se fajin e ka vetëm Rama për ngrirjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve me shkeljen e të drejtave të pakicës greke në Shqipëri, duke kulmuar me Belerin në Himarë), tregon se Rama kishte shumë javë që përpiqësh (duke dërguar Fugën) të gjente një hapësirë publike në Athinë dhe dështoi disa herë.
Ajo tregon, gjithashtu, qëllimin e Ramës me diasporën shqiptare: të kthejë shqiptarët në atdhe jo thjesht për të votuar por për të jetuar. Por kur përmend varfërinë (me të ¼ të jetojë poshtë kufirit të varfërisë ndërsa ⅓ jeton me mungesa të rëndësishme) dhe korrupsionin në nivel të lartë, qëllimi` Ramës bëhet i pamundur.
Por nuk munguan kritikat e shtypit grek ndaj shqetësimit të klasës politike greke. Gazeta “Ta Nea”, për shembull, mbrojti Ramën duke thënë se njësoj veprojnë krerët e partive politike greke në vende të tjerë, duke përfshirë dhe ardhjet e tyre në jug të Shqipërisë, me të fundit Kaselaqin (kreun e SIRIZA-s). Por ndërsa kjo qasje është deri diku e drejtë, ajo harron të përmend faktin se Rama me vajtjen e tij u jep më shumë të drejtë qarqeve nacionaliste greke ta kthejnë jugun e Shqipërisë një “bastion” të epsheve të tyre, më keq se ç`e kanë kthyer!
Vajtja e Ramës në Athinë ndodhi pas “shuplakës” së parë që “hëngri” përmes darkës që zhvilloi Miçotaqi në Athinë me krerët e Ballkanit Perëndimor gjatë gushtit të vitit 2023, ku Rama nuk u ftua, dhe “shuplakës” së dytë në nëntor të po të njëjtit vit kur Miçotaki ndaloi (apo bllokoi) bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, pikërisht për shkak të Belerit. Madje, kryeministri grek, për ta shtyrë Ramën drejt lirimit të Belerit e kandidoi këtë të fundit për “eurodeputet”.
Megjithatë, një ditë pas takimit të Ramës, gazeta “Kathimerini” publikoi një shkrim sipas të cilit Rama nuk kishte mbajtur “zotimin” që i kishte dhënë Miçotaqit kur u takuan në dhjetor të vitit 2023 në Bruksel. Sipas shkrimit Miçotaqi i kërkoi Ramës që mos ta “tepëronte” më shumë me Belerin me Ramën t`i zotohet se “do ta bënte”. Zotimi` tij, sipas të njëjtit shkrim, nuk u mbajt ose “nuk ishte i sinqertë”. Por për kryeministrin grek mosmbajtja e fjalës së dhënë nuk ishte fare e parëndësishme dhe e quajti “tallje” (nga ana e Ramës). “Kështu sqarohet përgjithësisht dhe se si u zhvillua marrëdhënia e tyre por dhe vendimi përfundimtar i kryeministrit [grek] t`i jepte një kandidaturë kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës”.
Kushtet e emigrantëve në Greqi përkeqësohen
Për votimin e emigrantëve Rama ka thënë se “ngërçi” kryesor qendron tek regjistrimi i tyre (kuptoje, “paaftësia e qeverisë së tij për t`i regjistruar”) pavarësisht se dëshira dhe vullneti nga ana e qeverisë së tij ka qenë pjesë e saj. Kështu me regjistrimin e popullatës të pabotuar dhe me të vërtetën e madhe se Shqipëria është zbrazuar si kurrë më parë me të, ai filloi fushatën e tij për të fituar sa më shumë vota nga diaspora jonë por jo duke u krijuar atyre mundësinë për të votuar nga vendet ku jetojnë por duke ardhur në Shqipëri.
Greqia vazhdon të ketë numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë pavarësisht se dy vitet e fundit numëri` tyre ka rënë në rreth 300 mijë (nga rreth 500 mijë që ishin në vitin 2011) dhe shumë prej tyre kanë shkuar drejt Evropës perëndimore ndërsa disa nga shqetësimet kryesore të shqiptarëve në Greqi si lejet e qendrimit, pensionet, dhe diskriminimi, mbeten pa u zgjidhur.
Lidhur me lejet e qendrimit Rama tha nga Athina se “kemi hapur dialogun” me qeverinë “Miçotaqi” ndërsa për pensionet tha se “kemi arritur të çelim negociatat”. Por për çështjen e diskriminimit nuk foli fare! Në vitin 2004, për shembull, Komisioni Evropian publikoi një raport ku tregohet se shqiptarët ishin vërtet komuniteti më i madh i Greqisë por ishin dhe më shpresëhumburit (pesimistët). Pas rreth dhjetë viteve gjendja e shqiptarëve në Greqi s`ka ndryshuar (shih grafikun).
Thirrjet për mbështetje të Ramës të papërputhshme me realitetin (gjeo)politik
Duke shpërnjohur kundërefektin që ka vajtja e Ramës në Athinë (rindezjen e qarqeve nacionaliste greke) dhe shqetësimet e emigrantëve në Greqi, disa mbështetën idenë se Rama duhet të mbështetësh në takimin e Athinës me qëllim që t`i tregonte Miçotaqit se ai ka mbështetje të madhe popullore në Greqi dhe për pasojë kryeministri grek të jetë më i kujdesshëm me pretendimet e tij në Himarë!
Por ajo shpërnjeh jo vetëm përfshirjen e qeverisë “Rama” në pronat e Himarës dhe “gjasën” se Miçotaqi vështirë se do të “trembësh” nga mbështetësit e Ramës (të cilët, nuk ishin të pakët në stadium) por kryesisht gjeostrategjinë greke ose kushtet e padobishme që janë krijuar me palën greke tridhjetë e ca vitet e fundit dhe faktin tjetër se ai bën një gafë të madhe diplomatike në raport me Miçotaqin dhe shtetin grek, në kuptimin se marrëdhëniet e tij me kryeministrin grek dhe rrjedhimisht mes dy vendeve, nuk kanë asnjë gjasë për t`u përmirësuar, përjashto mundësinë e lirimit të Belerit nga Rama apo tërheqjen e Miçotaqit.
Pikërisht për shkak të kushteve gjeostrategjike të padobishme për ne por të dobishme për Athinën, unë vura alarmin pas vitit të tretë të qeverisë “Rama” (2016), fakt të cilin e rrëfeu publikisht ish-ministri` jashtëm grek, Koxhiasi. “Kushteve gjeopolitike” u shtohen dhe kushtet politike (përfshirja e qeverisë “Rama” në pronat e Himarës) dhe kushtet shoqërore (nevoja e banorëve të Himarës për t`u mbrojtur nga grabitja e pronave) duke e bërë klimën mes dy vendeve tona “toksike”.
Pa ndryshuar “kushtet” në fjalë por dhe pa patur një qeveri të pazvetënuar (me pronat e Himarës etj.), në fjalë të tjera, ne s`kemi asnjë gjasë për të frenuar gjeostrategjinë greke dhe rrjedhimisht të përmirësojmë kushtet shoqërore të shqiptarëve në Greqi përveç krijimit të një “përshtypje të rreme” ose iluzioni që shkakton vajtja e kryeministrit shqiptar në Athinë, në radhët e emigrantëve shqiptarë në Greqi, sidomos kur dihet se atyre u shkelen të drejtat.
Rama, përmblethtas, shkaktoi një gafë të madhe diplomatike me Greqinë, në kuptimin se me vajtjen e tij në Athinë ai s`ka asnjë gjasë për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjin tonë ndërsa i hedh “zjarrit” të ndezur në qarqet nacionaliste greke “barut” për t`u përgjigjur me ardhjet e tyre në Shqipëri, ku do të organizojnë takime të ngjashme dhe do të përparojnë me qëllimet e tyre gjeostrategjike. Pikërisht për këto dy arsye, Rama shkakton me një veprim dy kundërveprime: “zhyt” marrëdhëniet diplomatike në nivel më të ulët dhe ndihmon qarqet nacionaliste greke të përparojnë me “bastionin” e tyre në jug të Shqipërisë.
Përmes përkeqësimit të marrëdhënieve diplomatike me Greqinë ai s`ka asnjë mundësi të përmirësojë kushtet shoqërore, ekonomike dhe politike të shqiptarëve në Greqi (edhe nëse do ta kishte si qëllim, sepse dihet se s`e ka si qëllim―qëllimi` vetëm i tij është të mashtrojë edhe një herë shqiptarët për ta votuar, sepse qoftë edhe lejet dhe pensionet, të cilat i përmendi në Athinë, nuk mund të realizohen me marrëdhënie diplomatike të ngrira) ndërsa u jep një shtysë të re qarqeve nacionaliste greke ta kthejnë jugun e Shqipërisë në një “bastion grek”, sidomos kur dihet se ishte Rama ai (që për herë të parë në historinë e shtetit tonë) shoqëroi Miçotaqin në Himarë dhe zgjeroi “perimetrin” e pakicës greke në Shqipëri, siç do të dëshironte gjeostrategjia e Athinës.
Rama, në fjalë të tjera, vërtet po i reziston trysnisë së Athinës me Belerin por është i njëjti “ramë” që shënoi në historinë tonë një “pakicë” tjetër greke në Himarë dhe është po i njëjti që po i jep qarqeve nacionaliste greke një shtysë të re për të përparuar me planet gjeostrategjike të Athinës, sidomos në kushte kur Rama deklaroi nga Athina dëshirën e tij për të qenë me Greqinë “aleatë strategjikë” ndërsa gjithë takimi ishte “qëndisur” edhe për të “lartësuar” qenien e të qenit shqiptar ―vetë takimi i quajt “Krenarë për Shqipërinë― edhe për të nxitur palën greke që të anashkalojë pretendimin e saj me Belerin dhe Himarën, por nuk përmendi asnjë fakt lidhur me realitetin në të cilin jetojnë shqiptarët në Greqi. Madje, edhe kur përmendi të drejtat e pakicës greke në Shqipëri, nuk përmendi të drejtën e saj politike dhe mungesën e po të njëjtës të drejtë për pakicën tonë në Greqi!
Për të qenë “krenarë” për kombin që u përkasin pakicat kombëtare kanë folur dhe përfaqësuesit grekë në vendin tonë në të kaluarën por jo në përmasën që foli Rama; madje, ky i fundit e ka kthyer në kushtrim apo moto të përpjekjes së tij për të mashtruar edhe një herë shqiptarët e diasporës. Fjala ‘mashtrim’ në titull mund të ishte shkrojtur pa thonjëza por unë e shkrojta me thonjëza sepse në të përfshihet dhe kryeministri grek, pretendimi i të cilit, se ai është mashtruar nga Rama, kërkon hetim të mëtejshëm―domethënë, duhet të pyetet dhe Rama. Deri tani kryeministri` Shqipërisë nuk i është përgjigjur “akuzës” së tij. Por lidhur me diasporën, sidomos me greken, Rama mashtron pavarësisht se e paraqet atë me ngjyra “patriotike”, sepse ai s`ka asnjë mundësi për ta ndihmuar atë lidhur me shqetësimet e saj me të cilët përballet prej vitesh.
Me kushtet gjeopolitike që ka krijuar Greqia, kushdo që të jetë kryeministër në Shqipëri, ai ose ajo nuk mund t`i ndihmojë emigrantët atje lidhur me shqetësimet e tyre, përveç ligjëratave zhurmuese. Nga ana tjetër, Miçotaqi, edhe sikur të dëshironte të tërhiqësh nga pretendimet e tij lidhur me Belerin dhe Himarën, atë nuk e “lejon” klasa politike greke, ku përfshihen gazetarët: sepse sipas tyre, Rama ka shkelur të drejtat pronësore të pakicës greke në Shqipëri dhe ka ndaluar një kryebashkiak që fitoi drejtimin e bashkisë me meritë.
Mashtrimi` Ramës kuptohet dhe me ligjin e luftës: ai foli për të, madje me tona kallëzuese (ose denoncuese) por nuk tha se gjatë bisedimeve me palën greke për të zgjidhur çështjet e mbetura, e kishte në krye të kërkesës së tij apo se do ta kishte në të ardhmen. Përmendja e një fakti historik në një “spektakël” parazgjedhor pa përmendur se ç`veprime ke ndërmarrë për më shumë se dhjetë vite në kryeministri dhe pa përmendur ndonjë zotim për të ardhmen, meqënse në të kaluarën nuk e kishte në kërkesat e tij, është mashtrim i dyfishtë, madje edhe trefishtë nëse i shtojmë dhe kohën kur ishte opozitë.
Por duhet thënë se “ligji` luftës”, është vetëm një “armë”, dhe më kryesorja, gjeopolitike që ka krijuar Greqia kundër Shqipërisë që në fillim të luftës së dytë botërore. “Arma” tjetër e saj, më pak e rëndësishme, është “vetoja” e saj për të ndaluar përparimin e qëllimit të Shqipërisë për t`u integruar në BE. “Arma” tjetër e saj është “pabarazia pushtetore”, si në nivel politik ashtu dhe nivel ekonomik: me pushtetin e saj politik Athina nuk vendos vetëm “veto” ndaj qëllimit tonë për t`u integruar në BE por përparon dhe gjeostrategjinë e saj në Shqipëri ndërsa me pushtetin e saj ekonomik ajo korrupton klasën politike (kujtoj fondin “sekret” të ministrisë së jashtme greke), përparon qëllimet e saj grabitqare dhe shfrytëzon dhe krahun e lirë të punës si në Greqi ashtu dhe në Shqipëri. Një tjetër dhe e fundit është pushteti fetar që e ushtron në Shqipëri përmes Janullatosit.
Kështuqë, përmendja e “ligjit të luftës” pa përmendur gjithë “armët” e tjera gjeopolitike që ka krijuar Greqia kundër Shqipërisë që nga koha e luftës së dytë botërore por më kryesorja pa përmendur gjeostrategjinë e saj, nuk është “patriotizëm” por mashtrim dhe nga mashtrimet më të neveritshme dhe kriminale që mund të dëgjojmë nga një kryeshtetas.
Ky analizë është përditësuar një ditë më pas. Fjala e plotë e Ramës mund të lexohet këtu ose këtu ose të ndiqet në video:
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 155 reads