...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mashtrimi i madh i popujve me emigrimin: pse emigrojnë shqiptarët?

Pretendimi se rrogat e larta dhe rritja e punësimit mund të ndalojnë ikjet, nuk mjafton: sepse në kuadrin aktual institucional të globalizmit neoliberal vendet metropole gjithnjë do të kenë rroga më të larta krahasuar me rrogat tona. Për pasojë, ngasja për një rrogë më të mirë –diku tjetër- do të ekzistojë.

Ylli Përmeti

02/06/2018 - 14:45

Një debat që nuk shteron kurrë vazhdon në shoqërinë shqiptare dhe masmedian e oligarkisë për shkaqet se pse vazhdojnë të ikin shqiptarët. Si mund të shterojë debati, fundja, kur asnjë studim serioz nuk është kryer nga institucionet tona të shkencave sociale dhe qeveritare ndërkohë që nuk është e vështirë të kuptohen shkaqet e një dhimbje sociale kur njeriu mëson të kundrojë induktivisht dhe deduktivisht. Për shembull, induktivisht, nëse gjykojmë nga përvoja e emigratëve. Unë, për shembull, kam emigruar kur ra sistemi i socializmit marksist. Përpara se të binte, unë punoja gjatë verës, në pushimet verore, në fronte të ndryshme të kooperativës dhe kontribuoja në mirëqenien e familjes. Shpesh punoja me një të moshuar që më tregonte se në Greqi dhe përgjithësisht në botën kapitaliste ishte “lule”. Ai kishte tentuar dy herë të ikte dhe e kishin kapur në kufi duke kryer dhe burg disa vjet. Në atë kohë nuk kisha aftësi intelektuale të hetoja se sa i vërtetë ishte tregimi i tij kur më paraqiste një botë tjetër më të mirë se jona në fshat. Për pasojë, tregimin e tij e pranoja si të vërtetë përfundimtare kur në të vërtetë krijova një iluzion tjetër nga shumë iluzione që kisha krijuar.

Nga ana tjetër, në fshat jeta ishte e mërzitshme. Në shkollë mësuesit na dekurajonin: sepse na shikonin si sfidues se sa si kontribues. Domethënë, kishin frikë se mos u zinim vendin e punës kur të kualifikoheshim. Në jetën sociale përballeshim me një shoqëri të zhytur në padije dhe paragjykime. Kur hanim, për shembull, ndonjë kokërr qershi nga qershitë e kooperativës dhuna nuk mungonte nga rojet. Festat me karakter komunitar mungonin. Por nuk mungonin dasmat. Këto e kompensonin mungesën e festës. Sidoqoftë, unë kisha krijuar dy shtysa kryesore që më shtynin të ikja: njëra ishte miti dhe tjetra gjendja social-ekonomike në fshat dhe përgjithësisht në Shqipëri. Këto shtysa nuk mungonin as te të tjerët: besimi se një botë më e mirë përtej kufijëve ekzistonte. Por pas 28 vjetësh supozohet se shkaqet e përmendur do të ishin kuptuar dhe luftuar: të paktën ‘iluzioni’. Por nga kush mund të luftohet iluzioni në fjalë? Së pari, nga studiuesit dhe së dyti nga prindërit. Por studiuesit nuk studiojnë. Përgjithësisht flasin me ‘opinione’. Në fakt emigrantët shqiptarë thonë se ata jetojnë më mirë jashtë vendit, kryesisht duke treguar pushtetin ekonomik — të ardhurat më të larta se në atdhe dhe duke mos përmendur faktin tjetër se shumica shfrytëzohet. Sidoqoftë, fakti që shpërblehen më mirë, pranojnë dhe shfrytëzimin. As përmendin faktin tjetër se në jetën sociale të vendeve ku punojnë me të ardhura më të larta, nuk integrohen kurrë. Kështu ata megjithëse kanë të ardhura më të larta – kokën e mbajnë pas, në atdhe: sepse në jetën sociale vazhdojnë të ndjehen pjesë e saj.

Kështu, ndërsa korporatat gjermane tkurrin optimizmin e tejkalimit të krizës së eurozonës,[1] duke shkaktuar edhe një herë aneurizëm në venat e tregut ndërkombëtar të marketingut dhe të elitave që e kontrollojnë atë (politikanët profesionistë etj.), globi vazhdon të udhëhiqet nga dinamika e kapitalizmit me epshe të pashembullt në historinë njerëzore, duke transferuar pushtetet e “demokracive” parlamentare te ‘kamatárët’ e elitës mbikombëtare dhe institucionet përkatëse - të cilët, me radhë ushqejnë “receptorët” e tregut ndërkombëtar të marketingut dhe popujt me iluzione. Kjo dinamikë ka krijuar përveç bojkotimit të zgjedhjeve - edhe ikjet masive të njerëzve, nga një vend në tjetrin. Dy janë valët kryesore të këtyre ikjeve: me rënien e bllokut socialist në lindje u shkaktua vala e parë e emigratëve ekonomikë, të cilët ishin viktima:

 

  • sepse ‘besuan’ propagandën e elitës mbikombëtare,[2] e cila tre-katër dekadat e fundit, me institucionalizimin e rendit të ri botëror të globalizmit neoliberal, nxit emigracionin për të ushtruar presione mbi rrogat e punëtorëve në qendrat metropole. Domethënë, që puntorët vendas mos të kërkojnë rroga më të larta, i ‘kërcënojnë’ me ofertën (e punetorëve) që krijojnë në treg. Për shembull, në Britani, 83% e emigrantëve të Europës Lindore dhe 75% e vendeve të BE-së punësohen më lehtë, krahasuar me 74% të shtetasve britanikë dhe 62% të emigrantëve jo-europianë, sepse ata punojnë në sektorë të pakualifikuar, si përpunimi i ushqimit dhe operimin e makinerive, ku paguhen mestarisht 3 stërlina në orë më pak se shtetasit britanikë[3];
  • sepse vazhdojnë të ‘besojnë’ propagandën e politikanëve profesionistë se integrimi në BE do të zgjidhë krizën shumë dimensionale që ka përfshirë ish-vendet socialiste;
  • sepse popujt janë “zhveshur” nga instinktet politike, për pasojë, nuk janë të aftë të mishërojnë kërkesa kundër-mërgimtare në programet e partive në pushtet;
  • sepse shpërnjohin faktin se kudo që të shkojnë në Perëndim do të diskriminohen për origjinën e tyre: sepse në një botë ku ne me të drejtë neveritemi nga diskriminimi seksual dhe racial, diskriminimi kundër popujve për shkak të origjinës, pranohet gjerësisht.[4]

Kështu, çdo ikës shkon në një shoqëri tjetër; çdo shoqëri e kohëve tona është klasore; dhe çdo shoqëri klasore ka themeluar përfitimin në treg – objektiv që çon çdo njeri të shfrytëzojë tjetrin — dhe lirinë ndërmarrëse. Shfrytëzimi, rrjedhimisht, është institucionalizuar përmes konceptit të ‘përftimit’ dhe “demokracisë” përfaqësuese: sepse është kjo e fundit që e ka miratuar dhe institucionalizuar pavarësisht se shpesh përsëritet e kundërta nga elitat: se ne do të luftojmë  shfrytëzimin e njeriut nga njeriu! Kjo gjendje vazhdon edhe sot kur kriza aktuale ka pllakosur gjithandej, me Irlandezët[5] të emigrojnë masivisht, si pasojë e papunësisë, drejt Zelandës se Re, në të cilën kolonizatorët anglezë pasi shkatërruan autonominë e ekonomive lokale - që solli penetrimi në masë i tregut në të gjithë sektorët e veprimtarisë ekonomike, vendosën paralelisht gur-themelin e fuqisë blerëse. Mekanizmi automatik i tregut — d.m.th i lirisë së blerjes së pasurive botërore, meqë sistemi i tregut të marketingut funksionon si ankand, hyri në fuqi! Ndërsa kjo është njëra anë e problematikës, tjetra, është se qeveritë e vendeve jometropole të Jugut Europian, për shkak të vërshimit të emigrantëve të luftës, kryesisht nga Siria, imitojnë njëra-tjetrën duke mbyllur kufijt ndërsa ushtrojnë dhunë fizike mbi ta duke shpërnjohur faktin se nënshkruan të gjithë bashkë shkatërrimin e Sirisë pak vjet më parë dhe se emigrantët kërkojnë të shkojnë në vendet metropole dhe në Jugun Europian janë thjesht kalimtarë.

Në këtë pështjellim përfshihen edhe lëvizjet e ashtuquajtura të “majta”: në vend të tregojnë shkaqet e ikjes së emigrantëve dhe të organizojnë protesta, duke shtrënguar elitat kapitaliste të paguajnë të paktën ekonomikisht se me burg në kushtet aktuale është e vështirë - për zhvendosjen masive të popujve dhe dhimbjen e shkaktuar, ngatërrojnë çështjen e emigrantëve ekonomikë me emigrantët aktualë, të luftës! Por emigrantët ekonomikë nuk mund të krahasohen me emigrantët e luftës. Për disa arsye. Së pari, sepse ikja jonë ishte kryesisht rezultat i rënies së shtetit socialist. Ndërsa emigrantët e Sirisë dhe përgjithësisht të Lindjes së Mesme, janë rezultat e ndërhyrjes së huaj. Së dyti, ne ishim, në shumicën tonë, kryekëput të varfër dhe bandat e transportit përfituan pak. Ndërsa sirianët, në shumicën e tyre, janë të mirëmbathur dhe me kursime të mjaftueshme për të udhëtuar qoftë edhe ilegalisht, dhe mundësitë për të majmur bandat kriminale të kontrolluara nga elitat perëndimore edhe më shumë janë tejet të mëdha. Thirrjet për “humanizëm” nga e “majta” globaliste, pa përmendur shkaqet e emigrimit...çon ujë në mullirin e elitave aktuale, të cilat, ndërsa majmen edhe më shumë nga kaosi që kanë krijuar, në kriza humanitare bëjnë thirrje të ndihmohen nga popujt!         

Mund të konkludojmë se ndërsa pabarazia pushtetore në Perëndim detyron shtresat e ulëta të shoqërisë të emigrojnë nga një vend në tjetrin, me shpresën se në një vend tjetër do të jetojnë më mirë, për shkak të mungesës së dijes dhe përshtypjeve (përshtypjet janë në vetë-vete iluzione) që krijojnë, emigrantët e Lindjes së Mesme, të cilët emigrojnë si pasojë e luftës, ‘plotësojnë’ ikjet e popujve të perëndimit, me pasojë, të ulin presionin që mund të ushtrojë klasa e mesme mbi pasanikët e perëndimit dhe të rigjallërojnë plakjen e popullatës në Perëndim. Ndalimi i emigrimit të shqiptarëve, rrjedhimisht, kalon kuptimi i shkaqeve. Pretendimi se rrogat e larta dhe rritja e punësimit, mund të ndalojë emigrimin, nuk mjafton: sepse në kuadrin aktual institucional të globalizmit neoliberal vendet metropole gjithnjë do të kenë rroga më të larta krahasuar me rrogat tona. Për pasojë, ngasja për një rrogë më të mirë –diku tjetër- do të ekzistojë. Por nevojiten dhe kushte sociale më të mira me qëllim që ngasja të ulet dhe njerëzit të qendrojnë në atdhe. Kushtet sociale fillojnë nga kushtet e drejtësisë dhe mbarojnë në kushtet komunitare (festa etj.); në të parat ndërveprojnë qytetarët dhe institucionet e drejtësisë; në të dytët njerëzit ku zhvillohen vlerat. Ka mundësi elita aktule t’i realizojë këto objektiva? Jo: sepse jo vetëm se janë shkaktarët e krizës së ikjes së shqiptarëve por as i kanë kuptuar shkaqet.



[1]Crisis fails to dent German optimism, FT, 21, Dec, 2011.

[2]Shih, për më shumë, rreth formave të propagandës kapitaliste, Blloqet ekonomik dhe pavarërsia e kombeve.

[3]EU migrants more likely to be in work, The Independent, 25 March 2016.

[4]The real benefits of migration, FT, October 23, 2015.

[5]Irish emigration worse than 1980s, The Guardian, 20 Jan 2010.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA