“Mina me sahat” e pensioneve dhe përpjekja e Ramës dhe “opozitës” për të mashtruar prindërit tanë
Rama ka dështuar në rritjen e pensioneve sipas nevojave të pensionistëve. Por njësoj si Rama do të dështojnë dhe ata që zotohen për pensione më të larta kur nuk e fillojnë zotimin e tyre nga qendrueshmëria demografike dhe ekonomike dhe më pas të tregojnë se janë të pazvetënuar dhe të pazvetënueshëm.
Ylli Përmeti
03/11/2024 - 09:34
Çështja e pensionit ose rrogës që merr një njeri pasi plotëson vjetërsinë në punë ose si pasojë e ndonjë sëmundjeje, është kthyer me të drejtë në një çështje të rëndësishme politike pas mbledhjes së firmave nga Lëvizja Bashkë (LB) dhe dërgimin e tyre në kuvendin e oligarkisë gjatë vitit 2023 si kërkesë për dhënien e një rroge “dinjitoze” ose jo më pak se 180 mijë lekë të vjetra (sipas një studimi të Avokatit të Popullit të kryer disa vite më parë) dhe fillimit të protestave të shumë pensionistëve dhe kundërpërgjigjes së Ramës me “kundërshfaqje” publike, si fillim nëpër mbledhje me pensionistë të ndryshëm dhe më pas dhe në media―sigurisht, pa ndonjë kundërtezë nga gazetarët e oligarkisë (Fevziu etj.).
Fjala latine “pension” ose “pensio” në shqip mund të përkthehet si “rrogë” pavarësisht se mund të marrë dhe kuptimin e “kthimit” të mundit që derdh një punëtor në shtet gjatë viteve të punës. Por LB i mungon baza studimore, e cila të tregojë se si mund të realizohet kërkesa e pensionistëve. Kjo është një arsye, dhe më e rëndësishmja, që e bën përpjekjen e saj të dobët.
Një arsye tjetër lidhet me mashtrimin e madh që krijon përqendrimi i pushtetit politik në shtetin modern dhe mëtimin e elitave politike dhe ekonomike të një vendi se ato po zgjasin mesataren e jetëgjatësisë por pa thënë pjesën tjetër të vërtetës: se jetëgjatësia rritet vërtet por nga lartë-poshtë— sepse mesatarja e klasës punëtore dhe të varfërve nuk ka ndryshuar shumë (sipas Statista, mesatarja e fuqisë punëtore botërore ishte 38.9 vjeç në vitin 2019), ndërsa janë kryesisht të varfërit që mundësojnë parazitizmin e elitave por deri diku dhe klasës së mesme të lartë, përmes shfrytëzimit në ndërmarrjet kapitaliste.
Çështja e pensioneve ka marrë një përmasë botërore dhe krizat kanë filluar të shpërthejnë gjithandej. Sipas një parashikimi të OKB-së, numri i njerëzve në nivel botëror me moshë 60 vjeç do të dyfishohet më shumë se 2 miliard deri në mes të shekullit 21. Deri në vitin 2050, numri i atyre të moshës mbi 65 vjeç do të jetë më i madh se fëmijët e moshës pesë vjeç e lart për herë të parë në historinë njerëzore. Vendet e zhvilluar kanë filluar ta përmbysin raportin përkatës ndërsa vendet në zhvillim kanë lindshmëri të lartë.
Në vendet ku pensionet janë të larta, si SHBA-ja, të moshuarit shpenzojnë më shumë se moshat e tjera. Për të njëjtën arsye ndërmarrjet kapitaliste i shikojnë ata si subjekt fitimi, duke prodhuar automjete të përputhshme me moshat përkatëse. Por siç tregoj në librin tim “Revolutionising theory and practice on Health”, gjendja e fondeve të pensioneve s`është aspak e mirë dhe parashikoj të shpërthejë një krizë e madhe. Me klasat e globalizmit neoliberal dhe fuqinë blerëse të pabarabartë mes popujsh dhe shoqërish nuk do të ishte i çuditshëm lulëzimi i ndërhyrjeve kirurgjikale nga klasa e mesme e lartë dhe e lartë ndërkohë që mijëra punëtorë shtrydhen dhe të tjerë vdesin urie!
Parimi i përgjithshëm që ndiqet lidhur me pensionet është se ata duhet të jenë gjithnjë më pak se kursimet që “derdh” fuqia punëtore në shtet; nëse përmbyset raporti “pensionistë-punëtorë”, shteti e ka të vështirë ―në mos të pamundur― që t`u përgjigjet atyre. Në rastin e Evropës gjendja bëhet dhe më kritike: sepse BE-ja zbaton politika deflacioniste për periferitë dhe gjysmë-priferitë, si në rastin e Greqisë dhe vende të tjerë gjysmë-periferikë dhe i vendos pensionistët në kushte të vështira ekonomike ndërsa të rinjtë detyrohen të emigrojnë.
SHBA-ja udhëheq dinamikën e sapo përshkruar. Sipas “Census Bureau: 2014”, mosha mesatare e punëtorëve që punojnë në SHBA ishte mbi 37 vjeç, krahasuar me 29 vjet në vitin 1960. Falë rënies së shkallës së lindjes dhe plakjes së vazhdueshme të gjeneratës së flluskës së bebeve (baby-boomers) [që lindën përgjatë periudhës statiste, 1930-1970!], atje janë më shumë të moshuar sesa ka patur ndonjë herë në të kaluarën. Përqindja e moshave 62 e lartë në SHBA ishte 16.2% ose më pak se 12% në 1980. Po atë viti atje ishin 40 milion njerëz në SHBA të moshës 65 dhe lartë; dhe shifra parashikohet të jetë më shumë se dyfishi në vitin 2059: 89 milion!
Në Greqi, në mes të krizës ekonomike dhe pas përgjysmimit të pensioneve, nuk u ngrit vetëm mosha mesatare (72.5) por dhe orët në punë, pasi trojka kishte propozuar zvogëlimin e kontributit të shtetit për pensionet dhe vendosjen e tij në kontrollin e aktorëve privatë, ndërkohë që pensioni do të bazohet mbi pasurinë e patundshme dhe të tundshme dhe të dhënave familjare, duke ndjekur modelin e “kangurit” të Australisë, meqënse, një studim i Allianz tregon se Australia ka sistemin e pensioneve më të qëndrueshëm në botë, pavarësisht faktit se qeveria atje imponoi masa kursimtare të llojit perëndimor dhe privatizim masiv të pasurive publike, meqënse papunësia ishte në rritje dhe rrogat qëndruan horizontale, pavarësisht rritjes së inflacionit të konsumit, rrënimit të manifakturës dhe zhvlerësimit të devizës, por edhe të rrisë moshën e pensionit në 70 vjeç nga 67 që ishte!
Greqia, për më shumë, ka vendosur një “pension social” që në vitin 1996, i cili në vitin 2013 ishte 436 euro. Por si pasojë e krizës së thellë ekonomike —depresionit— drejt së cilës po shkojmë edhe ne, ajo ndryshoi skemën! “Pensionin social” (i cili nuk bazohet në punën e dikujt) e krijoi dhe Rama por ai rrezikon si gjithë pensionet e tjerë.
Pensioni si koncept është zhvilluar kryesisht përgjatë periudhës statiste ose përgjatë gjysmës së dytë të shekullit XX (sepse më parë ndihmoheshin me pension ose shpërblime njerëzit e paaftë për të punuar, kryesisht ushtarët që kishin marrë pjesë në luftë). Por në mënyrën se si zbatohet, pensioni është kundër shëndetit të njeriut, sepse pensionistët jo vetëm që vendosen në pritje të vdekjes, kur shkëputen nga veprimtaria tërësore e shoqërisë, por për shkak të përmbysjes së raportit, mes atyre që punojnë dhe atyre që dalin në pension, dhe buxheteve deficitare të qeverive por dhe zvetënimit të pushtetit politik, kthimi i mundit në trajtën e “pensionit” bëhet gjithnjë dhe më i pamundur.
Në rastin tonë, qeveria “Rama” i ka caktuar vetes rroga marramendëse, ka patur gjithnjë buxhet deficitar dhe ka shkallë të frikshme të zvetënimit në nivel politik: kështu sa më të larta të jenë rrogat për oligarkinë tonë por dhe vjedhjet dhe sa më i ulët të jetë buxheti (ose të ardhurat) i shtetit aq më shumë do të shtrydhen punëtorët dhe pensionet. Shqetësimi` pensionistëve, rrjedhimisht, nuk mund të zgjidhet duke rritur moshën mesatare të punëtorëve, siç bëjnë partitë reformatore të globalizmit neoliberal, në të cilat bën pjesë edhe PS-ja e Ramës.
Por le ta shqyrtojmë çështjen në bazë të shifrave që ka shprehur Rama. Shqipëria kishte, sipas tij, 570 mijë pensionistë dhe 700 mijë kontribues në vitin 2014. Të ardhurat nga kontributet e punëtorëve ishin 510 milionë dollarë, ndërsa shpenzimet për gjithë përfituesit, ishin 956 milionë dollarë, çka do të thotë se mes kontributeve dhe pensioneve kishte një hendek prej 430 milionë dollarë. Për ta plotësuar hendekun përkatës, qeveria “Rama” filloi të rriste numrin e kontribuesve ose të “formalizonte” atë pjesë të ekonomisë që vepronte në “të zezë”.
Sipas tij (Opinion) numri` kontribuesve ishte 510,747 ose 361,969,623 euro në vitin 2013 dhe ai e rriti në 810,314 ose 1,226,457,225 euro në vitin 2023. Por ngaqë janë “rritur shumë pagat reale” dhe “nuk janë rritur po qa shumë deklarimet”, ai synon t`i rrisë ato dhe të rrisë pensionet. Kjo përpjekje, sipas tij, është “një fazë e re”. Gjatë kësaj faze, ai do të rrisë “bonusin” e fund-vitit (që është 50 mijë lekë për çdo pensionist nga një që ishte në rastet e dy pensionistëve) ndërkohë që po bën “planin e rritjes graduale të pensioneve”.
Gjithë përpjekja e tij bazohet në rritjen ekonomike e cila sipas tij shkoi nga 9.6 milion euro në vitin 2013 në 24.9 milion euro në vitin 2024 ose mbi 2.5 herë ndërsa jemi “vendi me rritjen më të madhe në rajon”. Kështu, PPB-ja shkoi 10,383 euro për banor nga 3,324 që ishte në 2013 ndërsa ka ulur dhe huanë ose borxhin publik nga 70.4 për qind në vitin 2013 në 56.3 për qind në vitin 2024 ose -14 për qind.
Ndërsa shifrat e vitit 2014 me shifrat e vitit 2024 nuk përputhen shumë, kundrejt kësaj përpjekje partitë “opozitare” po zotohen për dyfishimin e pensioneve, ndaj të cilëve Rama thotë se janë “përralla”.
Sidoqoftë, çështja e pensioneve varet së pari nga qendrueshmëria demografike; dhe së dyti nga qendrueshmëria ekonomike dhe nga drejtësia dhe aftësia e një qeverie për të mbledhur taksat. Varet, gjithashtu, nga mungesa e zvetënimit të oligarkisë sonë lidhur me rrogat tejet të larta krahasur me pensionistët pavarësisht se në tërësinë e tyre janë të vogla krahasuar me shumën që nevojitet për pensionet. Kështu, megjithëse rritja e buxhetit është rritur me 68% dhjetë vitet e qeverisjes “Rama” dhe ajo përputhet deri diku me rritjen ekonomike, gjykuar nga faktorët kryesorë prej të cilëve varen pensionet ―qendrueshmëria demografike dhe ekonomike― e ardhmja është e zymtë, si në afat-mesmë ashtu dhe në afat-gjatë.
Lidhur me të ardhmen tonë demografike, sipas OKB-së, ne do të tkurremi deri në vitin 2100 në rreth 800 mijë banorë ndërsa unë parashikoj edhe më shumë meqënse OKB-ja nuk përfshin gjithë faktorët; ndërsa lidhur me të ardhment tonë ekonomike, pikërisht sepse ne do të tkurremi demografikisht dhe raporti “pensionistë-punëtorë” do të përmbyset, çështja e pensioneve është një “minë me sahat”. Për të ndaluar procesi` tkurrjes demografike, duhet një plan-projek që tregon bindshëm shkaqet e krizave në përgjithësi dhe jo thjesht krizën demografike. Lëvizja Bashkë s`ka as kohën e as mundësinë tashmë që të punojë mbi një plan-projekt të tillë dhe e vetmja rrugë që i mbetet është të shënjestrojë mundësitë që ka Rama për rritjen e pensioneve në afat-shkurtër por jo për të ndaluar “minën me sahat” në afat-gjatë.
Gjatë dhjetëvjeçarit 2012-2022, përqindja e punëtorëve u rri nga 64.93% në 71.37% (Statista) ose forca punëtore ishte 1.123.245 dhe u rrit në 1,192.505. Megjithatë, INSTAT paraqet shifra paksa të ndryshme. Sipas tij, në vitin 2023 fuqia punëtore vlerësohej të ishte 1.485.843 ndërsa ishin punësuar 1.327.042; të papunë ishin 158.801 ose gati sa gjithë qarku i Vlorës (prej 189.000).
Raporti përkatës, rrjedhimisht, mund të përmbyset në dhjetëvjeçarin e ardhshëm nëse ikjet do të jenë sa ç`kanë qenë gjatë viteve 2011-2023 (rreth 490 mijë vetë) dhe nëse Shqipëria përballet me një luftë me Serbinë siç parashikoj në dy-tre vitet e arshëm, dhe më në afatgjatë, nëse përqindja e lindshmërisë mbetet e ulët (1.32 lindje për grua: 2020/Eurostat ose 1.21 në vitin 2023 nga 1.71 që ishte në vitin 2012).
Pikërisht për këto arsye, Rama ka dështuar në rritjen e pensioneve sipas nevojave të pensionistëve. Por njësoj si Rama do të dështojnë dhe ata që zotohen për pensione më të larta kur nuk e fillojnë zotimin e tyre nga qendrueshmëria demografike dhe ekonomike dhe më pas të tregojnë se janë të pazvetënuar dhe të pazvetënueshëm.
Gjykuar nga “opozita” Berisha (ajo e ka treguar që është e zvetënuar dhe e zvetënueshme dhe nuk e fillon zotimin nga nevoja për qendrueshmëri demografike dhe ekonomike) ndërsa “opozita” e LB ka një epërsi ―që nuk është zvetënuar por pushteti zvetënon cilindo që në opozitë nuk tregon ndershmëri― dhe nuk e fillon, si “opozita” Berisha, nga nevoja për qendrueshmëri demografike dhe ekonomike dhe pastaj të zotohet për rritjen e pensioneve dhe pse jo, për krijimin e sektorëve të posaçëm ekonomikë për ato mosha, me qëllim që të ndihen pjesë e shoqërisë dhe të shijojnë jo vetëm pensionin por dhe një të ardhur plus nga puna e tyre.
LB-ja, për më shumë, po përsërit edhe një herë, dështimin e saj me përpjekjen e saj për të treguar karakterin e vërtetë të qeverisë “Rama” lidhur me rrënimin e sektorit të energjisë kur tregonte të njëjtët shkaqe që tregonte Berisha dhe Llapaqenët e tij të lëvizjes Shqurthje dhe kur nuk mbështeti kallëzimin tim penal në SPAK lidhur me nevojën e hetimit të klasës politike nga viti 2005 deri në çastin e dërgimit të kallëzimit në fjalë.
Padija dhe mashtrimet e klasës politike dhe akademike për krizën energjitike: drejt territ dhe katastrofës së mëtejshme ekologjike
***
Përmblethtas, Rama mashtron kur thotë se nuk mund t`ua rriste pensionet të moshuarve dhe njerëzve në nevojë (për pensionin social), sepse mund të shfrytëzonte disa burime ekonomike (p.sh. të ulte rrogat e stërmajme për oligarkinë; të rriste të ardhurat në buxhet duke luftuar shmangiet nga taksat apo qoftë edhe duke rritur një përqindje taksimin mbi oligarkinë ekonomike meqënse po pasurohet; dhe të mbështeste zhvillimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë pavarësisht se pësoi një goditje “spektakolare” nga ministrja e tij e bujqësisë me IPARD II) por mund të kursente dhe nga “zërat” e tjerë të buxhetit. Berisha mashtron jo vetëm sepse zotohet për dyfishime dhe trefishime të pensioneve pa ndonjë studim por dhe sepse ai e ka treguar se është i zvetënuar në karakter dhe zgjedh, njësoj si Rama, “shokë” të të njëjtit lloj për të drejtuar shtetin, ndërsa Qori, megjithëse është i përmbajtur në zotime, nuk e mbështet (jo për herë të parë) përpjekjen e organizatës politike që drejton në studime por mjaftohet me një kërkesë ndërsa thotë se do të paraqesë një “plan” apo “studim” në javët në vijim. Por qoftë edhe nëse është duke punuar mbi ndonjë studim lidhur me pensionet, ai ka vite që nuk tregon shkaqet e krizave me të cilat përballet Shqipëria dhe përgjithësisht bota...
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 62 reads