...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Nga ndryshimet sistemike të Jugosllavisë socialiste dhe federatës ballkanike në mashtrimet e Ramës

Karakteristikat, rrjedhimisht, nuk janë të njëjta dhe për të njëjtën arsye, nuk mund të quhet “jugosllavi”. Por mund të quhet një ‘federatë’ ose ‘parafederatë’ meqë i paraprin procesit të integrimit në Evropë, e cila, kujtoj, është në proces ‘federalizimi’ dhe s’ka marrë ende karakteristikat e një federate të tipit “USA”—me pushtet politik dhe ushtarak të pavarur nga ndonjë bllok tjetër ekonomik.

Ylli Përmeti

21/12/2019 - 15:09

Një ndër arsyet kryesore se pse Brukseli vonon integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE janë çështjet e pazgjidhura me karakter kombëtar mes vendeve përkatëse. Shqipëria dhe shqiptarët, kanë një çështje të pazgjidhur me Serbinë: çështjen e luftës dhe të Kosovës. Për luftën Serbia s`ka kërkuar ndjesë ndërsa Tirana vepron si struci - ndërkohë që qendrimet e krerëve të partive dhe lëvizjeve politike në Kosovë lidhur me këtë çështje janë të karakterit spontan dhe mungon njëzëshmëria dhe qendrimi shtetëror. Ndërsa kjo është një padrejtësi me karakter njerëzor dhe pedagogjik, Serbia nuk njeh të drejtën e shqiptarëve të Dardanisë për vetë-vendosje kur dihet se shqiptarët e fituan të drejtën e tyre për vetë-qeverisje me luftë. Si e tillë, Serbia shkakton dy padrejtësi njëherësh me qendrimin e saj në raport me shqiptarët ndërsa krijon kushtet për padrejtësi të tjera: sepse një popull që nuk kupton krimet që ka shkaktuar në raport me një popull tjetër -do t`i përsërisë ata- kur dihet se Serbia po armatoset! Këtë çështje madhore Rama nuk e konsideron fare me përparimin e “federatës ballkanike” duke i treguar Brukselit se mes shqiptarëve dhe serbëve s`ka asnjë problem!

‘Kërcënimi’ ruso-kinez dhe “federata ballkanike” e Brukselit, Ramës, Vuçiçit, Zaevit...

Por le ta mbajmë në mendje këtë çështje ndërsa kuptojmë disa të tjera. Kështu, në vijim do të shqyrtoj ndryshimet sistemike mes Jugosllavisë socialiste të shekullit të kaluar dhe federatës ballkanike që po krijohet nga Brukseli dhe disa qendrime kontradiktore të Ramës lidhur me këtë çështje, me qëllim që ta kuptojmë më mirë problemtikën. Më tej do të tregoj, edhe një herë,[1] në më shumë hollësi, dhe për herë të parë, avantazhet ekonomik të Serbisë në raport me Shqipërinë dhe vendet e rajonit. Pyetjes se nëse “projeki” i ri është një “Jugosllavi e re” mund t’i përgjigjemi me një ‘po’ dhe një ‘jo’ njëherësh: sepse Jugosllavia e dikurshme vërtet s’kishte kontrolle doganore mes shtetesh anëtare por ishte një sistem që mbështetësh në parime të ndryshme që nuk kanë asnjë lidhje me parimet që mbështetet sistemi aktual. Nëse, për shembull, në sistemin e Jugosllavisë qëllimi ishte të shpërndahësh pasuria mes shtetesh, përmes mekanizmave federativë dhe shtetëror, sistemi aktual nuk e ka këtë qëllim—përkundrazi, qëllimi i shteteve është të rrisin eksportet kryesisht përmes përmirësimit të infrastrukturës doganore (një objektiv që e këshillon dhe financon Banka Botërore).

Një tjetër parim në Jugosllavinë e dikurshme ishte zhvillimi i prodhimit me bazë ndërmarrjet shtetërore dhe kooperativat. Ky parim mbante popullatat të lidhura me vendin ku banonin sidomos kur ai mbështetësh me kontrollin demografik të popullatave. ‘Liria e lëvizjes’ së njerëzve mes shtetesh, për pasojë, nuk ishte e nevojshme. Shpërndarja e pasurisë, mënyrat e prodhimit dhe kontrollet demografike mundësonin zhvillimin e rajoneve paralel me qytetet. Ky objektiv realizohësh përmes tre parimeve bazë të sistemit: zhvillimit shkencor të prodhimit, solidaritetit mes njerëzve dhe emulacionit. Në konsesusin social-demokrat përdoren tre parime të tjerë: në vend të zhvillimit shkencor të prodhimit përdoret tregu i lirë; në vend të emulacionit dhe solidaritetit përdoret konkurrenca, individualizmi dhe konsumerizimi. Por duhet thënë se qoftë edhe sinteza socialiste kishte të metat e saj, sidomos lidhur me shpërndarjen e pasurisë: mekanizmi shtetëror nuk ishte i mjaftueshëm dhe për pasojë krijoheshin pabarazi mes shtetesh. Pa përmendur faktin tjetër se Jugosllavinë e dominonte Beogradi dhe serbët të cilët përqendronin pushtetin politik dhe ekonomik më shumë nga çdo anëtar tjetër.

Karakteristikat, rrjedhimisht, nuk janë të njëjta dhe për të njëjtën arsye, nuk mund të quhet “jugosllavi”. Por mund të quhet një ‘federatë’ ose ‘parafederatë’ meqë i paraprin procesit të integrimit në Evropë, e cila, kujtoj, është në proces ‘federalizimi’ dhe s’ka marrë ende karakteristikat e një federate të tipit “USA”—me pushtet politik dhe ushtarak të pavarur nga ndonjë bllok tjetër ekonomik. Emërtimi i Berlinit, rrjedhimisht, —“federata ballkanike”— është deri diku i drejtë ndërsa emërtimi i Ramës —“shengeni ballkanik”— është i padrejtë. Në fakt, Rama kërkon ta fshehë të vërtetën. Ja se ç`përçartje përdor ai për çështjen e emërtimit:  

“Është një projekt evropian. Nuk ka broçkull më të madhe për t’u evidentuar si kulmi i marrëzisë në evidentimin e këtij projekti se sa broçkulla e rikrijimit të Jugosllavisë”.

Për të bindur popullin për të mirat e “unionit” ballkanik Rama filloi propagandën një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes: se me heqjen e kufijëve do të rritet turizmi kinez:

“Portofoli i kësaj marrëdhënie nuk ka asnjë mundësi të tjetër përveçse të njohë rritje të vazhdueshme. Pas “WB Shengeni Ballkanit”, ne besojmë se do të kemi një boom turistësh kinez sepse në muajt në vijim do të dakordësojmë, që për turistët kinezë nuk do jetë e nevojshme të kenë më shumë sesa një pikë hyrëse. Në të gjithë zonën ku do funksionojë do të jetë e mundur që ata të lëvizin pa viza. Nëse sot Shkupi dhe Beogradi kanë numrin më të madh të turistëve kinezë, mundësia për të ardhur në Tiranë, përmes aeroportit, apo rrugës pa vizë do të rrisë shumë kapacitetin e ofertës sonë në raport me kërkesën në rritje. Ne besojmë që Kina është një potencial i pashfrytëzuar në aspektin kulturor dhe në aspektin e asaj që sjell bashkë me kulturën e larmishme sjell dije të thellë dhe të gjithanshme. Mes kulturave tona ka pasur një marrëdhënie dashurie, por sot ka një boshllëk që me vënien në funksion të disa elementëve do të mund të sjellë shumë më tepër”. Rama   

Apo se vetëm përmes nismës përkatëse mund të hiqen kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës se ndryshe “ndizen llampat e kuqe”—hamendësisht, në Serbi dhe Bruksel, siç edhe ndodhi kur deklaroi se do të hiqeshin kufijtë. Ja si e koncepton Rama këtë çështje pasi pyetet lidhur me ‘vërjetjen’ e Albinit se veprimi i Ramës ishte i nxituar:

“Sepse nga njëra anë, kufiri, nuk hiqet përveçse në këtë mënyrë, me marrëveshje me të tjerët. Si heq kufirin Albin Kurti, nëse Serbia nuk është pjesë e këtij procesi? Apo do hapi luftë? Dhe kush, SHBA, BE, apo Kuba, do japin pëlqimin, për heqjen e kufirit, pa marrëveshje me gjithë të tjerët? Do të ishte vetëm një marrëzi! Aq më tepër që ne kemi parë, jo duke e hequr, duke thënë se do hiqet...kemi ndezur gjithë llampat e kuqe dhe është ngritur alarmi gjithandej”.

Në të vërtetë, vërejtja e Kurtit është e padrejtë përsa kohë që kjo çështje ka vite që zhvillohet përmes mbledhjeve rajonale ku ka marrë pjesë dhe Prishtina dhe caktohen datat për mbledhjet përkatëse (mbledhja e radhës zhvillohet në dhjetor në Durrës) dhe për sa kohë që Kurti nuk ushtronte detyrën e kryeministrit. Si duket, ose Kurti nuk e ndjek procesin ose bën ‘sikur’...Sidoqoftë, problemi ynë është kryesisht Rama se sa Kurti: të dykanë treguar në mënyrë të përsëritur se më shumë demagogojnë se sa arsyetojnë drejtë. Argumenti i Ramës, ndërkohë, është problemtik për sa kohë që ai anashkalon çështjen madhore të ‘ndjesës’ zyrtare serbe për luftën (kjo lloj ‘ndjese’ nënkupton proces të gjatë diskursiv brenda Serbisë dhe është e domosdoshme), njohjen e Kosovës dhe shmangien e përsëritjes së luftës. Se si mund ta shtyjë Rama dhe çdo “ramë” tjetër Serbinë drejt procesit të reflektimit dhe realizimit të këtij objektivi, e kam shqyrtuar në vend tjetër.[2] Por problemi është se Rama nuk ka dije pedagogjike dhe diplomatike dhe nuk kupton rëndësinë e veprimeve dhe qendrimeve në raport me Serbinë. Kjo është arsyeja se pse kjo çështje është më shumë demagogji se sa drejtësi dhe pedagogji.     

Vijon me /Avantazhet serbe në tregun e rajonit/


[1]Në studimin “Politika e jashtme në globalizmin neoliberal, Serbia dhe Shqipëria…” i kam shqyrtuar avantazhet por këtu do të shtoj hollësitë meqë shumë errësirë ekziston në mendjen e establishmentit dhe popullit.

[2] Po aty.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA