...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Padija dhe hipokrizia e të “majtës” globaliste lidhur me punëtorët: nga Aristoteli te Marksi

Të ashtuquajturit të “majtë”, shpesh edhe “marksistë”, nuk kanë as dijen teorike për kushtet që janë krijuar dekadat e fundit as dijen empirike (përvojën) për të administruar shtetin modern (pushtetin politik) në kuadër të globalizmit neoliberal. Për të njëjtën arsye ata janë tejet sipërfaqësorë dhe shpesh shkaktojnë politika të dhimbshme për shtresat e ulëta të shoqërisë

Ylli Përmeti

02/10/2018 - 18:04

Kënaqësitë që burojnë nga mendimi dhe mësimi do të na bëjnë të mendojmë dhe mësojmë më shumë.

―Aristoteli

Duke shpërnjohur dinamikën e krijuar mes korporatave, bankave, partive dhe shoqërive por dhe faktin tjetër se ndërmarrjet operojnë në kuadër të globalizmit neoliberal, që nënkupton se çdo kërcënim i tyre nga partitë mund të rezultojë në kundër-kërcënim me largim ose me veprime të tjera...partia laburiste e Korbinit paralajmëroi se do të detyronte ndërmarrjet me më shumë se 250 punëtorë të vendosnin 10 për qind nga fitimet e aksioneve të tyre në një fond për punëtorët e tyre dhe më pas t`i jepnin punëtorëve më shumë se 500 stërlina në vit dhe tepëricat të shkojnë ―përmes qeverisë së Korbinit― në shërbime publike.[1] Ky premtim, jo vetëm nuk përmend angazhimin e konservatorëve dhe të unioneve të punëtorëve shekullin e kaluar―praninë e punëtorëve në bordin e çdo ndërmarrjeje--domethënë, përfshirjen e tyre në vendim-marrjen e ndërmarrjeve me një përfaqësi që e zgjedhin vetë puntorët, një përpjekje që përfshiu dhe ndërmarrjet kapitaliste greke të shekullit të kaluar―por e paraqet atë si “risi” kur dihet se këtë politikë e kanë përdorur elitat dekadat e fundit për të “përkëdhelur” punëtorët―domethënë, për të zbutur zemëratën e tyre nga padrejtësitë që shkaktonin pronarët e ndërmarrjeve. Premtimi vjen si reagim i një gjendjeje deflacioniste sipas së cilës të ardhurat kombëtare të punëtorëve në Britani kanë rënë përgjatë dekadave të fundit: nga 70 për qind në vitin 1970-të në 55 për qind aktualisht. Ata paguhen më pak qoftë edhe nëse i krahasojmë me agimin e revolucionit industrial të viti 1770-të.

Kështu, Korbini dhe naivët që e ndjekin, shpërnjeh kuadrin aktual institucional përmes të cilit këto premtime nuk mund të realizohen―përjashto mundësinë kur një koalicion i gjerë mes vendeve hegjemone krijohet dhe bashkë me to përdoret drejtësia sociale dhe ekologjike si argument kundrejt pronarëve të korporatave, bankave tregëtare dhe punëtorëve. Të gjitha këto kur në Britani punëtorët punojnë më gjatë, më fortë dhe më shpejtë në 25 vitet e fundit. Nuk do të ishte e çuditshme që përqindja e punëtorëve për vetëgjykim ―se si ata bëjnë punën e tyre― ka rënë nga 62 për qind në vitin 1992 në 44 për qind në vitin 2012 dhe 38 për qind në vitin 2017.[2] Punëtorët, në fjalë të tjera, kanë humbur kontrollin e punës së tyre dhe nuk shpërblehen me ndonjë kënaqësi gjatë punës së tyre.

Kujtoj aksiomën e vyer të Aristotelit në këtë kontekst: se “kënaqësia në ushtrimin e një arti shton përsosjen në punë”. Lidhja e ngushtë mes kënaqësisë në punë dhe përsosjes bëhet e qartë kur kuptojmë se punët virtuoze bëhen me kënaqësi: sepse burojnë nga virtyti. Qartësisht, kënaqësia është rezultat i punës virtuoze dhe puna virtuoze rezultat i njeriut vituoz. Kënaqësia në punë mund të buronte nga gjykimi i drejtë i punës së punëtorëve: por drejtuesit e ndëmarrjeve as e kuptojnë rëndësinë e gjykimit të punës së punëtorëve nga vetë punëtorët as e synojnë atë―ata mjaftohen me gjykimin e tyre. Kështu krijojnë kushte ndërvarësie dhe padrejtësie: sepse kur punëtorët varen nga gjykimi i drejtorëve për vlerësimin e punës së tyre dhe rritjen e rrogës - qoftë drejtori qoftë punëtori do të jenë të padrejtë dhe abuzimet nuk do të vonojnë sidomos kur virtyti i drejtësisë nuk është zhvilluar te palët ndërvepruese.   

Do të ishte e dobishme, rrjedhimisht, përmendja e faktit se të ashtuquajturit të “majtë”, shpesh edhe “marksistë”, nuk kanë as dijen teorike për kushtet që janë krijuar dekadat e fundit as dijen empirike (përvojën) për të administruar shtetin modern (pushtetin politik) në kuadër të globalizmit neoliberal. Për të njëjtën arsye ata janë tejet sipërfaqësorë dhe shpesh shkaktojnë politika të dhimbshme për shtresat e ulëta të shoqërisë. Rast ilustrimi është Ciprasi, Rama dhe “Yjet” e Italisë. Qoftë edhe Marksi, është i pjesshëm kur tregon shkaqet e tëhuajësimit të punëtorëve: ai e lidh atë me ‘mësimin’―domethënë, se diçka është tëhuajësuese kur ajo çfarë është (ose duhet të jetë) e mësuar dhe e lidhur duket e huaj dhe e palidhur. Sepse qenia jonë është esenca jonë si qenie njerëzore dhe rrjedhimisht ajo duhet të jetë diçka e ditur. Fakti që ne nuk jemi të aftë të veprojmë sipas qenies sonë, ne çlidhemi nga natyra jonë. Kështu nëse puna në shoqërinë kapitaliste pengon realizimin e qenies sonë, atëherë puna është tëhuajësuese.[3]

Por konkurrenca mes punëtorëve, sipas tij, është një shkak tjetër: sepse në shoqëri kapitaliste punëtorët duhet të konkurrojnë për punë dhe njëlloj si ndërmarrjet kapitaliste që konkurrojnë me njëra-tjetrën dhe ulin çmimet e mallrave, konkurrenca mes punëtorëve ulë rrogat e tyre. Punëtorët tëhujësohen nga prodhimet që prodhojnë në ndërmarrjet kapitaliste sepse ata nuk prodhojnë vetëm mallra por edhe blejnë nga ata duke pasuruar kapitalistët. Punëtorët, në fund, tëhuajësohen për shkak se në ndërmarrjet ku ata punojnë nuk marrin vendime as për prodhimin as se si do të prodhohet dhe në cilët kushte do të prodhohet.

Kjo qasje është ende e ngushtë sepse puna e punëtorëve është e natyrës së urtësisë praktike dhe zakonisht ata ose shesin dijen e tyre (atë çka kanë mësuar) ose trajinohen (“profesionalizohen”) nga ndërmarrjet kapitaliste. Gjithashtu, kjo qasje nuk tregon as shkakun e vërtetë të tëhuajësimit të punëtorëve: sepse ata tëhuajësohen thuajse eksluzivisht për shkak të padrejtësive në vendin e punës dhe jo sepse nuk kanë mësuar për punën që bëjnë. Kënaqësia në punë, për shembull, është e drejtë e çdo punëtori kur ajo buron nga virtyti dhe kur ndërmarrja administrohet me drejtësi―domethënë, kur puna vlerësohet drejtë―që nënkupton përdorimin e virtytit të drejtësisë.

Nuk do të ishte e çuditshme që Marksi të propozojë sintezën e tij ku punëtorët udhëhiqen nga partia komuniste dhe administrojnë mjetet e prodhimit dhe jo kapitalistët duke përdorur kryesisht shkencën dhe solidaritetin mes tyre. Por siç tregoi socializmi marksist, punëtorët sërish nuk merrnin vendime―të paktën për parimet themelore të ndërmarrjeve, sepse për aspekte të tjerë në procesin e prodhimit kishte një lloj përfshirje. Si pasojë, ata nuk zhvillonin as virtytin e artit përmes të cilit prodhonin as virtytin e drejtësisë përmes të cilit do të gjykonin drejtë tjetrin. Këtë të fundit nuk zhvillonin as kuadrot: sepse ata kualifikoheshin kryesisht për zhvillimin e prodhimit dhe jo për administrimin e drejtë të punëtorëve. Qoftë edhe nëse i kthehemi çështjes së konkurrencës mes ndërmarrjeve kapitaliste, nuk do të ishte më mirë ta shtronim çështjen në kuadër të pyetjes se çfarë nevojitet për uljen e çmimit të mallrave: konkurrencë apo dije dhe çfarë lloj dije? Në të vërtetë, edhe kur Marksi tregon konkurrencën mes punëtorëve si shkak i uljes së pagave, sërish ai s`tregon shkakun e vërtetë: sepse janë elitat kapitaliste që krijojnë kushtet mes punëtorëve që të ketë konkurrencë për pak vende pune.

Pa dije, rrjedhimisht, lidhur me mallrat dhe lidhur me njerëzit që përfshin prodhimi i mallrave, nuk mund të ulen çmimet. Konkurrenca thjesht shoqëron procesin dhe intensifikon garën mes punëtorëve dhe ndërmarrjeve kapitaliste―një dinamikë që çon në dinamika të tjera social-ekonomike dhe monopolizon tregon. Gjykuar nga fakti se Marksi është i ngushtë me qasjen e tij lidhur me punëtorët dhe kapitalizmin dhe nuk tregon shkaqet e vërtetë pse shfaqen dukuritë që ai përmend, pyetja që duhet të marrë përgjigje është se sa të ‘gjerë’ mund të jenë “marksistët” që përmendin “tëhuajësimin” e Marksit pa përmendur shkaqet?

Janis Varufakis, për shembull, “marksisti” i vetë-shpallur, në një bisedë me Korbinin, kreun e laburistëve në Britani, përmendi ‘tëhuajësimin’ pa përmendur shkaqet as edhe të... Marksit![4] Njëlloj vepron dhe “marksisti” tjetër, Zizeku, kur na tregon se Evropa kërcënohet nga neo-nacionalistët ose nga e “djathta e skajshme” siç e quan ai (Banoni etj.). Për të njëjtën arsye ai na këshillon se meqënse liberalizmi kërcënohet, ai ka nevojë për ndihmën vëllazërore të të “majtës” radikale![5] Domethënë, të të “majtës” që përfaqëson ai, Varufaki e shumë të tjerë pas tyre: të “majtën” globaliste!

Pjesë nga një studim mjaft i gjerë                 



[1]Labour`s just declared class war, The Guardian, 24 shtator, 2018.

[2]Exhausted UK staff work harder and faster ‘just to stand still’, FT, 01 Oct 2018.

[3]The Marx-Engels Reader, Books by Robert C. Tucker, Princeton University, 1978. Karl Marx`s conception of alienation, Dan Lowe.  

[4]Jeremy Corbyn with Yanis Varoufakis at the Edinbugh Book Festival, August 20, 2018, DiEM25, Youtube.

[5]Slavoj Zizek: Steve Bannon`s Brussels plans threaten Europe`s liberal legacy, RT, 26 Sep 2018.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA