...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pengimi i gjuhës shqipe nga otomanët dhe kontributi i vyer i Nikolla Naços me ngritjen e shkollës shqipe në Bukuresht

Shkolla e Vajzave, e shumë shkolla të tjera përgjatë trojeve shqiptare, disa prej të cilave i ndihmoi Naço me mjetet e tij. Aq shumë e shkriu pasurinë për shkollat shqipe sa që shpenzimet e vorrimit (1913) i paguan miqtë e tij.

Adil Fetahu

18/05/2018 - 16:15

Gjendja e arsimit (shqip) nën Perandorinë Osmane

Perandoria Osmane ishte një perandori transkontinentale, shumëkombëshe e shumëgjuhëshe dhe e shumë shteteve vasale. Bazohej në sistemin e “mileteve”. Milet quhej kombi, i përkufizuar sipas besimit. Sistemi ishte krijuar në bazë të feve (besimeve), e jo në baza etnike. Miletet jomyslimane kishin autonomi të bashkësive fetare. Prandaj edhe mësimi në shkolla u lejohej mbi baza fetare. Miletet  myslimane kishin shkollat në gjuhën turke, me alfabetin arab; grekët dhe ortodoksët e tjerë (bullgarë, serbë, rumunë) në gjuhën e tyre; katolikët e latinë tjerë, në gjuhën e tyre (italiane, austriake). Shqiptarët që u përkisnin tri besimeve, mund të ndiqnin shkollat në varësi të përkatësisë fetare, por nuk kishin të drejtë as mund të kishin shkolla në gjuhën shqipe. Kështu na paraqitet pardoksi, që, edhe pse nga të gjithë “miletet” e tjerë, shqiptarët ishin më të shumtët në pozitat më të larta në hierarkinë e Perandorisë (kanë pasur 28 kryeministra e 36 ministra, pashallarë e funksionarë të tjerë të lartë); por ata nuk kishin të drejtë për të pasur shkolla në gjuhën e tyre! Në këto kushte, për ta ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditën shqiptare, duhej të mësonin fshehurazi shkrim-lexim në gjuhën amtare, qoftë me alfbetin arab, grek, latin apo sllav, e më vonë me “alfabetin e Stambollit” ose alfabete të tjerë, derisa u krijua alfabeti në Kongresin e Manastirit (1908). Shqiptarët të cilët shkolloheshin në gjuhë e shkolla të huaja, fitonin dituri nga shkenca të ndryshme, por pa shkolla në gjuhën shqipe, ishte rrezik të asimiloheshin ata vet dhe të asimilohej kombi. Megjithatë, prej tyre dilnin kuadro të profileve të larta intelektuale, disa prej të cilëve ishin të përkushtuar për çështjen kombëtare, përpiqeshin në çdo mënyrë të zhvillonin mësimin në gjuhën shqipe, qoftë edhe nëpër shkolla të fshehta shqipe, qoftë individualisht, apo nëpër shkollat e hapura në gjuhët tjera, sidomos në shkollat italiane dhe austriake. Prandaj ishte nevojë e ngutshme të bëhej ç’ishte e mundur për të nisur e përhapur arsimin dhe kulturën në gjuhën shqipe, për ta shpëtuar kombin nga asimilimi dhe zhdukja. Kostandin Kristoforidhi shkruante (1888): “Ndë mos u shkroftë gjuha shqipe edhe sot mbë këtë ditë, nuk do të shkojnë shumë vjet dhe nuk do të ketë më Shqipëri ndë këtë faqe të dheut, dhe as nuk do të shënohet më emri i Shqipërisë ndë hartën e botës”.

Pas reformave të Tanzimatit (1839), Perandoria u lejonte kombësive të zhvillonin arsimin në gjuhën amtare, por kjo për shqiptarët nuk solli kurrëfarë dobije, për shkak se përkatësia etnike identifikohej me përkatësinë fetare: turke, greke, sllave, latine. Shqiptarët, varësisht se cilit besim i përkisnin, mund të arsimoheshin në gjuhën e asaj feje, qoftë në shkollat fetare, apo në ato laike, shtetërore. Ajo që paraqeste rrezik për asimimin e shqiptarëve ishte fakti se Perandoria u kishte lejuar shteteve tjera të hapnin shkollat e tyre në tokat shqiptare, dhe këtë mundësi më së tepërmi e shfrytëzoi kisha dhe shteti i Greqisë, duke hapur shkolla greke në gjithë Shqipërinë e Jugut e të Mesme. Ato shkolla në gjuhën greke mbikqyreshin nga peshkopët e kishës, edhe nëse ishin shkolla me programe laike (jokishtare). Kështu nga fundi i shekullit 19, përveç 1200 shkollave turke, në Shqipëri kishte më se 1000 shkolla greke dhe më se 300 shkolla serbe, bullgare, vllahe, dhe disa shkolla italiane dhe austriake. Shkollat e huaja u shërbenin politikave të tyre, dhe ishin kundër interesave kombëtare shqiptare. Kisha greke e mallkonte gjuhën shqipe dhe e nënçmonte duke propaganduar se kjo nuk mund të jetë gjuhë e shkencës dhe kulturës.

Përveç mësimit fshehurazi të gjuhës shqipe, shkolla e parë publike në gjuhën shqipe ishte Mësonjëtorja e Korçës, e hapur në vitin 1887, por edhe ajo u mbyll pas katër vjetëve, pasi u vra drejtori i saj, Pandeli Sotiri. Intelektualët dhe populli arsimdashës gjenin mënyra ilegale për të mësuar shkrim-lexim në gjuhën shqipe. Por nevoja e kërkonte ngritjen e një sistemi arsimor legal, shkolla laike me karakter e përmbajtje kombëtare, në të cilat do të mësonin djemë e vajza. Në veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’ështe e ç’do të bëhet”, Sami Frashëri shkruante: “S’mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, s’mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqipe, s’mund të ketë gjuhë shqipe pa shkolla në të cilat mësohet shqipja”. Po si të mësohet shqipja, pa pasur mësues?

Normalja Shqipe-Vëllehe e Bukureshtit  (1892 – 1899)

Duke parë nevojën aq të madhe për mësues, Shoqëria “Drita” e Bukureshtit, në vitin 1888 bënte thirrje për sigurimin e mjeteve për hapjen e një shkolle për përgatitjen e mësuesve shqiptarë për shkollat shqipe. Me përkrahjen që mori nga individë dhe nga shoqëritë e tjera, këtë nismë e realizoi kryetari i Shoqërisë “Drita”, Nikolla Naço, duke hapur në Bukuresht Shkollën Normale, në gjuhën shqipe dhe vëllehe, më 10 maj 1892. Shkolla ishte e Shoqërisë “Drita” dhe nën përkujdesjen e saj. Me Rregulloren e shkollës ishte përcaktuar fizionomia, qëllimet, lëndët mësimore, funksionimi, regjimi në shkollë e në konvikt, detyrat ndaj Atdheut dhe obligimet e Shoqërisë “Drita” ndaj mësuesve të ardhshëm. Plani mësimor përfshinte këto lëndë: gjuhë shqipe, osmane dhe rumune; histori; gjeografi; pedagogji (teori dhe praktikë); matematikë; dituri natyre; mësimi për fetë (islame, ortodokse e katolike); shteti dhe e drejta osmane; bukurshkrim; vizatim; muzikë (vokale dhe instrumentale); gjimnastikë; gjuhë e huaj (më e folura në botë). Për mbajtjen e mësimit ishin angazhuar kuadrot më të kualifikuar nga radhët e profesorëve të Shkollës Normale, të Shkollës së Lartë Ushtarake dhe të Universitetit të Bukureshtit. Shkolla kishte konviktin e vet për 15 nxënës të zgjedhur, të cilët përveç banimit dhe ushqimit, kishin edhe veshmbathjen të siguruar nga Shoqëria “Drita”. Shkollën e kanë mbajtur kryesisht anëtarët e Shoqërisë “Drita” dhe kontribues të tjerë, por me disa subvencione shkollën e ka ndihmuar edhe Ministria e Kulturës dhe Qeveria Rumune. Me Rregulloren e shkollës ishte përcaktuar orari, regjimi, rendi dhe disiplina e nxënësve në shkollë dhe në konvikt, për të cilat kujdesej hektori (pedagogu). Orari i mësimit paradite ishte prej 8–11, ndërsa pasdite prej 14-16, si dhe studimi në sallën e leximit gjatë kohës së lirë.

Shoqëria “Drita” dhe Shkolla Normale e saj, çmonin lart misionin kombëtar që do të kenë mësuesit e ardhshëm. Ata që do të kryenin këtë shkollë, do të dërgoheshin, me shpenzimet e Shoqërisë “Drita” atje ku e kërkon nevoja; do të kishin rrogë të mirë, sa që nuk do të kishin ndonjë nevojë tjetër, përveç të punojnë për qëllimin që u besonte Shoqëria. Në Rregulloren e shkollës (neni 22-23), ishte paraparë që “nëse këtyre shenjëtorëve (mësuesve) iu ndodhë ndonjë rrezik, atëherë Shoqëria “Drita” është e detyruar t’iu ndihmonte familejve të tyre, sa të rrojnë”. Nga ana tjetër, mësuesit e dalë prej kësaj shkolle ishin të detyruar të shkojnë atje ku i cakton udhëheqësia e “Dritës”, dhe ata që nuk do t’i përmbahen atij urdhëri e qëllimi “do të konsidrohen tradhtarë të kombit (si Juda) dhe si ata që shkelin betimin, do të humbasin çdo të drejtë dhe çdo ndihmë, ata dhe familjet e tyre, do të ndiqen e gjykohen me kanunet e vjetra të kombit shqiptar”.

Qëllimi i Shoqërisë “Drita” dhe i Shkollës Normale ishte përgatitja e mësuesve për hapjën e shkollave shqipe në atdhe, për ta shpëtuar kombin nga errësira e për të përhapur dritë e dituri, arsim e kulturë, për ta ruajtur kombin nga shkombëtarizimi që po i kanosej nga faktorë të ndryshëm që vepronin si: shkollat dhe kishat e xhamitë në gjuhë të huaj, feja, dhuna, varfëria, elemente këto që janë me ndikim vendimtar për asimilim.

Hapja e Normales së Bukureshtit në gjuhën shqipe e vëllehe u mirëprit dhe u përshëndet nga qarqet patriotike shqiptare brënda e jashtë atdheut. Më 14 shtator 1892, Filip Shiroka i shkruante nga Bejruti Nikolla Naços: “Unë jam gazmue tuj pa se z-jote, ashtu dhe e nerueshmja shoqnia “Drita” keni menue me i nritur (ndriçuar) qytetet tona, me i dhanë Shqipnisë at udhë e at rrugë qi me mrrit nji ditë me kenë e njohtun, e permenun dhe e nerueme sikur qytetet e tjera të Europës… Kjofshi bekue, pra, ju qi kini menue me i lartësue qytetet tona… Kjofshi bekue e Perëndia ju nimoftë në këtë punë…”F.Shiroka kishte dërguar njoftimin në Shkodër për hapjen e kësaj shkolle, dhe kishte kërkuar të dërgohen nxënës për t’i përgatitë për mësues, por kishte kërkuar që shkolla të ndihmohësh edhe materialisht. Për të vijuar Shkollën Normle Shqipe-Vëllehe të Bukureshtit, kishin dëshirë shumë të rinjë nga Shqipëria e viset tjera, por ata hasnin në pengesa nga pushteti otoman dhe nga kisha greke e sllave. Disa të rinjë ishin të gatshëm të lenin shkollat greke, turke a sllave, për të studjuar në Normalen e Bukureshtit. Për pengesa të rasteve konkrete i shkruanin Nikolla Naços nga Berati, Elbasani, Korça, Manastiri e nga qytete të tjerë (Babë Dudë Karabunara, Gjerasim Qiriazi, Jani Vreto, etj.).

Më vonë (1932), Lasgush Poradeci me admirimin që kishte për Normalen e Bukureshtit shkruante, se ajo shkollë përgatiti dhe dërgoi në shkollat shqipe 100 studentë, ndër të cilët kanë qenë edhe: Dervish Hima, Kristo Luarasi, Jashar Erebara, Thoma Abrami, Shahin Kolonja, Jani Mihal Lehova, Mihal Grameno, Dhimitër Ilo, Rafael Anastasi, Asdreni, Dhimitër Mole, Spiro Garo, Kosta Trebicka, etj., të cilët më vonë u shquan si iluministë, publicistë, letrarë e veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare. Mihal Grameno,  kur flet për Normalen e Bukureshtit, në vitin 1942 do të shkruante në gazetën “Tomorri” të Tiranës: “Midis nxënësve të shumtë dhe propagandistë që kanë dalë nga Nikolla Naço, jam edhe unë. Naçua zuri të më ngjallte ndjenjat kombëtare dhe të kuptoja detyrën. Që atëherë mbeta i pandarë, gjithë shërbimin tim të vogël ia detyroj Mësuesit tim Nikolla Naço, që është një nga patriotët e mëdhenj”.

Përkundër të gjitha vështirësive të kohës, pengesave që i bënin pushtuesit, madje edhe disa shqiptarë të njohur, si Jani Vreto e Visar Dodani, që i bënin Nikolla Naços, për arsye e motive të ndryshme, Normalja shqipe-vëllehe e Bukureshtit, si shkollë e mesme shqipe jashtë atdheut, për përgatitjen e mësuesve shqiptarë, ka zënë një vend të rëndësishëm në historinë e arsimit shqip në kohën e Rilindjes Kombëtare. Dhe e gjithë merita për këtë i takon atdhetarit të madh, Nikolla Naços, i cili shkriu jetën dhe tërë pasurinë marramendëse që e kishte krijuar në Egjypt e në Rumani, në të mirë të shkollave dhe arsimit shqip. Pak kush e di se ishte Nikolla Naço ai që me autoritetin dhe aftësitë e tij prej “negociatori”, në vitin 1886 mori fermanin e Sulltan Abdyl Hamitit, me të cilin u lejua hapja shkollave në gjuhën amtare, dhe në bazë të asaj leje një vit më vonë (1887) u hap Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë, më vonë (1891) Shkolla e Vajzave, e shumë shkolla të tjera përgjatë trojeve shqiptare, disa prej të cilave i ndihmoi Naço me mjetet e tij. Aq shumë e shkriu pasurinë për shkollat shqipe sa që shpenzimet e vorrimit (1913) i paguan miqtë e tij.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA