...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Përçartjet e qeverisë “Rama” dhe kundërshtarëve lidhur me protestat

Pas protestave u shpalosën dy qendrime kryesore në publik: njëra e qeverisë “Rama”, se ato ishin pasojë e të miturve të manipuluar dhe abuzuar nga kundërshtarët e qeverisë, Berisha dhe Meta, me pará, akuzë për të cilën tha se do të paraqesë fakte, dhe një tjetër, “opozitar”, se ato ishin pasojë e zemëratës ose frustrimit të protestuesve! Në këtë të fundit përfshihet dhe OP-ja.

Ylli Përmeti

16/12/2020 - 14:03

Pas protestave u shpalosën dy qendrime kryesore në publik: njëra e qeverisë “Rama”, se ato ishin pasojë e të miturve të manipuluar dhe abuzuar nga kundërshtarët e qeverisë, Berisha dhe Meta, me pará, akuzë për të cilën tha se do të paraqesë fakte, dhe një tjetër, “opozitar”, se ato ishin pasojë e zemëratës ose frustrimit të protestuesve! Në këtë të fundit përfshihet dhe OP-ja. Por të dy qendrimet nuk janë të drejtë jo vetëm lidhur me realitetin por dhe lidhur me shkaqet e protestës. Nga dy qendrimet, i qeverisë është më i padrejti: sepse qoftë edhe nëse e pranojmë se ata janë “manipuluar” nga kundërshtarët e qeverisë me “pesëdhjeçet” e tyre, siç argumentuan disa përfaqësues të qeverisë, ky fakt tregon se ata janë nevojtarë dhe në nevojë —sidomos të rinjtë— që janë papunë dhe pavirtyte, dihet se do të “shiten”. Kështu në vend të shikojë veten si shkak —sepse është detyrë e qeverisë të edukojë të rinjtë dhe t`i bëjë ata virtuozë dhe të punësojë prindërit e tyre— i karakterizon ata si të “manipuluar” dhe të “abuzuar”. Disa të tjerë i karakterizojnë edhe më keq: rrugeçër, alabakë etj. 

Padija e establishmentit akademik dhe politik dhe nevoja e ri-edukimit të policisë

Por kujtoj edhe një herë se partitë kanë krijuar “forumet” rinore për të riprodhuar veten. Forumi i partisë “demokratike” thirri protesta një ditë pas vrasjes dhe me siguri që ka nxitur pjesëmarrjen edhe në mënyra të tjera ndërsa Meta i mbështeti ato pavarësisht se është president në një shqoqëri të pushtuar nga partitë politike, roli i tij është ekuilibrues. Kështuqë, shtysa e parë për protesta erdhi nga partitë kundërshtare. Argumenti i qeverisë, rrjedhimisht, është edhe i drejtë edhe i padrejtë: sepse ata vërtet u nxitën nga kundërshtarët e saj, përmes forumeve rionore, por jo sepse u manipuluan. Forumet janë krijuar që të zbatojnë urdhëra dhe si forumi rinor i qeverisë, kërkojnë pushtet. Për ta, rastet “flagrante” të kundërshtarit shërbejnë për realizimin e objektivit të tyre. Këtij mobilizimi partish në proces mund t`i jenë shtuar ata që qeveria quan të “manipuluar”. Por jo se ata janë të gjithë të manipuluar. Në fakt, si rinia e kundërshtarëve të qeverisë ashtu dhe rinia e qeverisë, janë të padrejtë: sepse protestojnë për drejtësi kur dihet se janë pjesë e partive të padrejta ose partive kriminale për të cilat është bërë punë e madhe vitet e fundit për t`i hetuar, gjykuar dhe dënuar me krijimin e Spak-ut.

Duke shpërnjohur këtë realitet, “opozitarët” e qeverisë, duke përfshirë dhe “Organizatën Politike, argumentohet se protestat ishin kryesisht rezultat i zemëratës së atyre që morën pjesë! Ky argument, në fakt, ka disa grimca të vërtetash: sepse mes forumeve rinore të partive ka nga ata që zemërohen me padrejtësi të këtij lloji—sepse është një vrasje barbare dhe prek edhe njeriun e “pandieshëm” për padrejtësi të tjera (kur vriten punëtorët etj.). Por ky kontigjent nuk u mobilizua si pasojë e zemëratës por kryesisht si pasojë e urdhërit të kryetarëve të partive. Kontigjenti tjetër, ai për të cilin flet qeveria —se është “manipuluar— është gjithashtu i ndieshëm kundrejt padrejtësive por pa shtysën e partive ai kurrë nuk do të vetorganizohet. Mund të ketë vetorganizime sponante dhe t`i bashkohen organizimeve jospontane të partive, meqë të rinjë janë dhe mosha e kërkon aventurën, sidomos kur janë pavirtyte, por ata kurrë nuk mund të trimërohen aq shumë sa të sulmojnë policinë të organizuar. Këto janë disa nga arsyet se pse shtova mënyrën se si mund ta rrëzonim qeverinë dhe gjithë klasën politike me bashkëpunimin e policisë.           

Në këto qendrime të padrejta shtohen dhe mësuesit dhe pedagogët e universiteteve. Lektorja e folozofisë së edukimit në Universitetin e Tiranës, Majlinda Keta, për shembull, kur kundron (nëse ka mësuar të kundrojë) për shkaqet e protesave citon se ato lidhen “më së shumti...si një protestë e fëmijëve ndaj mënyrës si po qeverisim mendjen tonë dhe si po na qeverisin ata që pretendojnë se na udhëheqin” [sepse] “ne kemi dështuar në dy filozofi qeverisëse brenda të njëjtit sektor, në atë të sigurisë dhe të policimit komunitar”. Më tej ajo sqaron se nuk është objekti i shkrimit “të analizojë këto dështime me përkatësi emërore por përsëri...koncepti “komunitar” është edhe në dështimin e tretë qeverisës, atë të shkollës komunitare. Ajo shkolla që ka për mision parandalimin e dhunës përmes cilësisë së edukimit dhe pjesëmarrjes aktive në edukim. Pra, është një dështim spektakolar i propagandës qeverisëse aktuale”.

Duke lënë mënjanë gabimet drejtëshkrimore dhe stilin e saj gjuhësor që nuk i shkon për shtat një lektori të filozofisë, lidhja e saj me “dy filozofitë qeverisëse —“të sigurisë dhe policimit komunitar”— si shkak i sjelljes së dhunshme të adoleshentëve në protesta, vetëm i drejtë nuk është nesë kemi parasysh “shtysat” e protestave të cilat i përmenda më herët. Autorja, si lektore filozofie, nuk ka kuptuar as faktorin vendimtar të sjelljes së dhunshme të të rinjëve: se qeveritë neoliberale kanë braktisur angazhimin për punësim të plotë, kryesisht për t`i shërbyer oligarkisë qeverisëse se sa popujve ndërsa krijojnë përshtypjen se kanë themeluar “demokracinë”.

Por le ta lëmë mënjanë këtë faktor meqë lektorja në fjalë s`e ka idenë nga filozofia politike, që si disiplinë përfshin dhe filozofinë e edukimit, dhe të përmendim faktorin për të cilin flet: mungesën e edukimit mes të rinjëve. Ajo ka të drejtë se edukimin e kanë shkatërruar partitë por cilin “edukim”, sepse dimë nga filozofia, se edukimit modern i mungon orientimi “virtuoz” i shoqërisë. Domethënë, padija e sistemit arsimor për të zhvilluar njerëz vituozë. Gjendja bëhet edhe më e dhimbshme kur elita jonë, në bashkëpunim me akademikët e zhytur në padije, nuk ‘lejon’ të integrohet një qasje virtuoze në edukim. Teza ime, për shembull, çensurohet! Autorja bëhet edhe më problematike kur na tregon si shkak të protestave mungesën e policimit komunitar duke nënkuptuar se ne duhet policojmë fëmijët nëpër komunitete që t`i disiplinojmë ata!

Këtë qasje, tejet problematike, gazeta “Dita” e vendosi kryeartikull!

Qoftë edhe qasja e Arlindit, se rrënjët e protestave lidhen me faktorë social-ekonomikë, domethënë, “momenti i shfryrjes së zemëratës së akumuluar ndër vite me keqtrajtime ekonomike, politike dhe sociale”, nuk është i drejtë jo vetëm sepse shpërnjeh “shtysat” që përmenda më herët, të cilat janë shkaktuar kryesisht nga partitë në pushtet, për të cilat populli i ndershëm pret dënim, por sepse nuk përmend as sistemin arsimor ku edukohen policët dhe fëmijët e tjerë, as natyrën e ligjit të policisë (ai nuk shoqërohet me filozofi ligjore dhe mundëson korruptimin e policisë nga qeveritë) as edhe siç pritet të na tregojë një pedagog i shkencave sociale, natyrën e arsimit në përgjithësi.

Por kritika e tij është e drejtë kur kundërshton argumentin e ministres së arsimit, Evis Kushi, e cila tha se adoleshentët nuk mund të protestojnë dhe se kanë nevojë për psikologë, por jo duke na treguar vetëm “dhunën sistematike” të policisë në njërën anë dhe zemëratën e të rinjëve në anën tjetër. Kjo është një qasje tejet e ngushtë dhe si e tillë riprodhon krizën si në polici ashtu dhe në shoqëri. Pështjellim të njëjtë tregoi kur nuk dënoi dhunën e nxitur nga partitë. Për ta përligjur atë kundërshtoi dhe Ramën pasi ky fundit nuk kishte hasur dhunë të ngjashme as në mendimet e filozofëve francezë të ekstremit të majtë, duke i citur atij disa mendimtarë modernë. Kështu në vend të tregonte se nga buron dhuna sistematike e policisë dhe qeverisë dhe kundërdhunën e organizuar nga partitë në pushtet, përligji kundërdhunën!

Por le ta shqyrtojmë pohimin e ministres së arsimit se “adoleshentët nuk lejohen të protestojnë”: sa i vërtetë është ky pohim? Së pari, nuk citohet në kushtetutë se atyre u ndalohet protesta. Së dyti, dhe gjykuar nga fakti se kur votojmë për herë të parë —në moshën 18 vjeç— dhe çfarë nënkupton kjo e drejtë —se njeriu pas kësaj moshe është qënie politike dhe e aftë të gjykojë drejtë njerëzit e tjerë, dhe përpara kësaj moshe prezumohet se nuk mund të gjykojë drejtë, por dhe nga fakti se adoleshentët janë më shumë spontanë se sa qenie racionale dhe mund të dëmtojnë dhe dëmtohen, adoleshentët nuk duhet të lejohen të protestojnë. Kështuqë nëse ka nga ata të rinj që janë korruptuar nga partitë në pushtet, me pará siç thuhet, duhet të dënohen partitë.                    

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA