...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Planet serbe për shkëmbime territoresh me Shqipërinë dhe rreziku nga Uashingtoni

Shkëmbimi i territoreve mes shteteve është çështje e madhe politike, shtetërore, kombëtare dhe ndërkombëtare. Ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë tash e sa kohë flitet e përflitet, sillet e pështillet në qarqet dhe korridoret e Serbisë dhe Kosovës, por edhe në ato ndërkombëtare, me variante të ndryshme, edhe pse ende nuk ka ndonjë variant të publikuar zyrtar nga asnjëra palë

Adil Fetahu

16/05/2020 - 20:30

Shkëmbimi i territoreve mes shteteve është çështje e madhe politike, shtetërore, kombëtare dhe ndërkombëtare. Ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë tash e sa kohë flitet e përflitet, sillet e pështillet në qarqet dhe korridoret e Serbisë dhe Kosovës, por edhe në ato ndërkombëtare, me variante të ndryshme, edhe pse ende nuk ka ndonjë variant të publikuar zyrtar nga asnjëra palë. Është temë e përshtatëshme për konspiracion dhe  propagandë mediale. Kohët e fundit, sidomos prej korrikut të vitit 2019, në mediat serbe është lëshuar si tullumbace në opinion një variant sa i pamundur aq qesharak i shkëmbimit të territorit mes Serbisë e Shqipërisë! Në këtë variant, Serbia e konsideron Kosovën si territor nën juridiksionin e saj, dhe shprehet e gatshme që një pjesë të Kosovës t’ia japë Shqipërisë, për një territor të shtetit shqiptar që do t’i jepej Serbisë si korridor për dalje në Detin Adriatik! Këtë variant propaganda e diplomacisë serbe e ka shtënë në vesh të disa qarqeve amerikane me shpresë se do të mund ta realizojë përmes presidentit Donald Tramp.

Drejtori i Institutit për Studimet Strategjike nga Washingtoni, dr Georgie Kopli, në programin e televizionit BN (9 shtator 2019), dhe në intervistën dhënë Portalit “Kosovo on-line” (26 janar 2020), ka thënë se dialogu për çështjen e Kosovës duhet të zhvillohet mes Beogradit e Tiranës, e jo mes Beogradit e Prishtinës, dhe ai dialog duhet të përfundojë me një marrëveshje për shkëmbim territoresh mes Serbisë e Shqipërisë. Sipas tij, Serbisë duhet t’i jepet Veriu i Kosovës me shumicë serbe dhe një koridor për dalje në det përmes Shqipërisë Veriperëndimore. Pjesa tjetër e Kosovës, me shumicë shqiptare, t’i bashkohet Shqipërisë. Ky do të ishte një kombinim me të cilin fitojnë edhe Serbia edhe shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ai ka shtuar se“Kosova nuk do të kthehet më në Serbi siç ishte dikur. Populli i Kosovës dhe UÇK-ja përherë e kanë dëshiruar bashkimin me Shqipërinë. Kjo është e mundur dhe mund të pranohet edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Serbia dëshiron dhe mund të bëhet urë e fortë mes Lindjes dhe Perëndimit”, ka thënë Kopli.

Në përgjigje të pyetjes se “nëse mund të arrihet marrëveshje mes Beogradit e Prishtinës”, zyrtari amerikan thotë: “Po, është e mundur në qoftë se marrëveshja arrihet me Tiranën. Nuk ka motiv Beogradi të arrijë marrëveshje me Prishtinën, për arsye morale që Serbia nuk e njeh Kosovën. Udhëheqja e Kosovës është në rënie politike dhe ekonomike. Nga ana tjetër, Prishtina dhe qeveria e Shqipërisë po vazhdojnë bisedimet për bashkim. Ky bashkim mund të arrihet vetëm nëse e pranon Beogradi dhe nëse Serbia dhe  Shqipëria pajtohen për shkëmbim territoresh. Sipas planit të propozuar nga profesori i Universitetit të Beogradit, Darko Trifunoviç, Serbia do të mund të pajtohej që një pjesë e Kosovës, përveç pjesës veriore në të cilën serbët janë shumicë, t’i jepet Shqipërisë, ndërsa Shqipëria t’i japë Serbisë territorin që ka nën juridiskion në pjesën veriore të saj, duke përfshirë edhe pjesën vriperëndimore të Kosovës. Ky plan do të bashkonte rajonin në të cilin dominojnë Shqiptarët, do t’i kthente Serbët e Kosovës në Serbi dhe njëkohësisht do t’i kthente rajonet serbe të cilat aktualisht janë nën dominimin shqiptar. Ky plan do ta krijonte “Shqipërinë e Madhe”, të cilën e dëshirojnë Shqiptarët, ndërsa Serbisë do t’i siguronte daljen në det”(sic)!

Në përgjigje të pyetjes se si do e shihnin fuqitë e mëdha një marrëveshje të tillë mes Beogradit, Tiranës dhe  Prishtinës, Kopli, thotë: “Nevojitet guxim i madh i krerëve të Beogradit, të Tiranës dhe të Prishtinës për të arritur një transformim të tillë. Kjo në të vërtetë është e vetmja mënyrë që e kaluara të lihet atje ku duhet të mbetet – në të kaluarën. Në këtë mënyrë mund të nxiten fillime të reja rajonale. Është e nevojshme të nxitet çdo proces i tillë i pajtimit dhe harmonizimit përmes kontakteve të cilat nuk janë formalisht të lidhura me qeveritë. Për shembull, mund të fillojnë bisedimet mes krerëve të kishave ortodokse serbe dhe shqiptare. Mund të bisedojnë trashëgimtari mbretëror Aleksandradri i Serbisë dhe Leka i Dytë i Shqipërisë. Një proces të tillë do të mund ta përkrahin edhe Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, sepse kjo është një qasje “win-win”, sipas së cilës fitojnë të dyja palët.

Sa ndikojnë zgjedhet e nëntorit të SHBA-ve në këto hapësira, ishte pyetja tjetër që iu bë ekspertit amerikan — dhe ai argumenton: - “Gjendja politike në SHBA është e tillë që me një probablitet të madh zgjedhjet e nëntorit 2020 do t’i fitojë Donald Tramp. Gjendja ekonomike e SHBA-ve është e mirë dhe vazhdon të përmirësohet, përkundër realitetit në Evropë dhe në Kinë ku po keqësohet. Rizgjedhja e presidentit Tramp do të kishte ndikim pozitiv në Ballkan”. Kopli shtoi se qysh në vitin 1919, pas Luftës së Parë Botërore, presidenti Truman i ka premtuar Serbisë daljen në bregdetin shqiptar!

Si duket, ky farë ekspertuci jo se nuk e njeh historinë as gjeografinë e Ballkanit, por nuk e njihka as historinë e presidentëve të vendit të tij, duke ngatërruar periudhat e mandatit të tyre. Sepse, në periudhën e Luftës së Parë Botërore deri në përfundimin e Konferencës së Paqes, president i SHBA-ve ka qenë Woodrow Wilson (prej 4 mars 1913 deri më 3 mars 1921), kurse Trumani e ka marrë mandatin e presidentit të SHBA-ve prej 1 prill 1945 deri më 20 janar 1953). Madje, Wilsoni ishte ai që e shpëtoi Shqipërinë pa e copëtuar ujqit e Konferencës së Paqes.

Reagimet në Serbi

Pas fjalëve shpresëdhënëse të ekspertucit amerikan për mundësinë e arritjes së një marrëveshje sipas së cilës Serbia do ta kthente një pjesë të Kosovës dhe do ta merrte një territor të Shqipërisë për dalje në det, këtë variant e pëlqejnë në Serbi. Vet ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se: “një ofertë të tillë do ta pranoja menjëherë dhe me shumë dëshirë do të lahesha në Shkodër (!)”. (Por unë i them Daçiçit të shkojë e të lahet në Parali të Greqisë, në plazhin e hotelit të Dragan Palmës nga Jagodina e Shumadisë së tij, se në Shkodër mund të lahet vetëm në gjakun e vet e jo në det!).

Profesori i Universitetit të Beogradit, Darkov Todoroviç, që njëkohësisht është edhe drejtor i Institutit për Siguri Kombëtare dhe Ndërkombëtare, e pëlqen këtë plan si të mundshëm dhe të arsyeshëm, bile pretendon se ky është plan i tij,  për të cilin duhet angazhuar të gjitha forcat lobuese dhe përmes miqëve tanë në Izrael këtë plan t’ia parqesim sa më shpejtë presidentit Donald Tramp, e ai si njeri pragmatik do të pajtohej dhe do ta bënte realitet, siç bëri Jerusalemin kryeqytet të Izraelit.

Analistë e komentatorë të ndryshëm në Serbi konsiderojnë se administrata e Trampit e ka ndryshuar dukshëm qëndrimin ndaj Kosovës dhe si rezultat i atij ndryshimi  menjëherë ka filluar tërheqja e njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga disa shtete.  Kryetari Tramp nuk e ka në qejf bustin e Klintonit në qendër të Prishtinës. Djali dhe dhëndërri i Trampit kanë kërkuar tërheqjen e forcave të ushtrisë amerikane nga Kosova. Kryetari Vuçiç ka bërë punë të madhe në përmirësimin e marrëdhënieve me Amerikën. Aleksandër Karagjorgjeviçi (trashëgimtari i fronit mbretror, v.j.) ka më se 30 vjet që njihet personalisht me Trampin. Serbia duhet t’i shfrytëzojë këto lidhje ndërsa lobi shqiptar nuk ka ndonjë ndikim mbi Trampin. Por është një lob i fortë në favor të Kosovës, me në krye senatorin Eliot Engel, i cili është kryetar i Komitetit për Politikë të Jashtme të SHBA-ve, veçse për të Trampi ka mendimin më të keq, thotë Trifunoviçi.   

Instituti i Sigurisë Kombëtare dhe Ndërkombëtare i Beogradit ka organizuar një konferencë ndërkombëtare në Kuvendin e Serbisë, më 11 shtator 2019, kushtuar marrëdhënieve serbo-amerikane. Në skajet e asaj konference është biseduar edhe për planin e shkembimit të territoreve mes Serbisë e Shqipërisë dhe hapjen e një korridori për daljen e Serbisë në Detin Adriatik. Përveç personaliteteve të tjera, në atë konferencë kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit më të lartë të Gardës Nacionale të Ohajos dhe kjo ka bërë jehonë në Uashington, duke marrë parasysh se presidenti Tramp i dëgjon shumë këshillat e ushtarakëve të armatës së tij. Gjenerali i asaj Garde, Stiv Stajers, është bashkëkryesuesi i kokusit serb. Por ende na pret punë e madhe për të përmirësuar marrëdhëniet me Uashingtonin ndërsa Trampi mund t’i bindë dhe të jetë garant për marrëveshjen e shkëmbimit të territoreve me shqiptarët, thotë Trifunoviçi.

Llogari pa hanxhiun

Ambiciet e Serbisë për dalje në bregdetin shqiptar kurrë nuk kanë pushuar. Jovan Civjiçi, në vitin 1912 e “justifikonte” planin e daljes së Serbisë në bregdetin shqiptar me arsye ekonomike. Tash, përveç arsyeve ekonomike, daljen në bregdetin shqiptar e justifikojnë me zgjidhje politike të problemit të Kosovës, pa e njohur pavarësinë e saj, por duke ia shkëputur një pjesë të territorit dhe jo vetëm Kosovës por gjithë Shqipërisë!

Megjithëse këto llogari po bëhen pa “hanxhiun”, është e çuditshme se si asnjë zyrtar politik, as diplomacia, madje as mediat shqiptare, të Kosovës e të Shqipërisë, nuk kanë reaguar fare! Krijohet përshtypja se as kanë dije për këtë plan djallëzor të Serbisë, të cilin e kanë në mendje dhe e kanë nisur në kanalet e tyre diplomatike e mediatike.   Sadoqë ky plan të duket një iluzion e kahmotshëm dhe i pamundshëm i Serbisë për dalje në det, politika shqiptare nuk duhet ta nënçmojë e neglizhojë sidomos kur qendrimet e presidentit Donald Tramp janë paparashikueshme.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA