...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Programi i korruptuar i Vetëvendosjes dhe opozita e korruptuar e Tiranës

Arsyeja kryesore se pse partitë e braktisën objektivin e punësimit të plotë ishte sepse ato u korruptuan nga oligarkia ekonomike për të minuar pushtetin e klasës punëtore, sepse pushteti përkatës kërcënonte pushtetin e oligarkisë. Këtë politikë e quajmë neoliberale sepse filloi të merrte formë thuajse në të gjithë vendet e integruar në globalizmin neoliberal, dhe është një ndër politikat kryesore të rendit përkatës.

Ylli Përmeti

18/02/2021 - 16:11

Fitorja e “Vetëvendosjes” në zgjedhjet e shkurtit 2021, lidhet me disa arsye, por unë po citoj kryesoret dhe sipas rëndësisë: së pari, sepse Kosova po vuan papunësinë e lartë, varfërinë dhe korrupsionin; dhe së dyti, sepse mungonin krerët kryesorë të UÇK-së. Fitorja e saj, rrjedhimisht, nuk lidhet me meritën e saj por kryesisht me padijen e pararendësve të saj për të drejtuar shtetin dhe mungesën e disave prej tyre. Vetëvendosja pa dyshim ka një lloj merite në fitoren e zgjedhjeve: aksionet e saj kanë luajtur një rol. Por jo kryesorin: sepse rolin kryesor e luajti padija e pararendësve dhe mungesa e disave prej tyre në zgjedhjet përkatëse.

Mirëpo, në drejtimin e shtetit nuk mjaftojnë aksionet politike, të cilët në tërësinë e tyre kanë qenë të drejtë. Por nevojitet dije lidhur me shtetin. Nëse gjykojmë nga Vetëvendosja —programi i saj dhe qendrimet politike— ajo ka dije tejet të pjesshme.

Nga programi i saj unë po përmend këtu vetëm një aspekt, të cilin e konsideroj vendimtar: mos-angazhimin e saj për punësim të plotë. Ky synim ka qenë pjesë e partive të shekullit të kaluar, në të dy kampet kundërshtare: social-demokraci dhe socializmin marksist.

Arsyeja kryesore se pse partitë e braktisën këtë objektiv ishte sepse ato u korruptuan nga oligarkia ekonomike për të minuar pushtetin e klasës punëtore, sepse pushteti përkatës kërcënonte pushtetin e oligarkisë. Këtë politikë e quajmë neoliberale sepse filloi të merrte formë thuajse në të gjithë vendet e integruar në globalizmin neoliberal, dhe është një ndër politikat kryesore të rendit përkatës. Ndaj themi se partitë që nuk zotohen për punësim të plotë i shërbejnë oligarkisë ekonomike, të cilët, në vendin tonë, ndryshe nga vendet perëndimore, janë krijuar nga oligarkia politike, ndaj është e drejtë ta quajmë oligarki politiko-ekonomike dhe jo siç e quan klasa politike —përfshirë këtu dhe OP-në!— vetëm “oligarki ekonomike”: sepse do të ishte, siç edhe është, e padrejtë.

Kështu, Vetëvendosja nuk është e “majtë” që në program: sepse gjithçka tjetër që ajo përmend në program varet nga punësimi. Të hamendësoj se ajo nuk është në dijeni të këtij boshti ekonomiko-social do të ishte e padrejtë sepse ka në radhët e saj —në rolin e këshilltarëve— dhe pedagogë të shkencave sociale. Njëri është Hysamedin Feraj. Ky i fundit, nuk tregon se ka dije për realitetin në të cilin jetojmë. Për shembull, quajti Grenellin, ambasadorin amerikan nën presidencën “Tramp”, por-rus dhe se ai, lobi serbo-rus në SHBA dhe disa media kosovare po lobonin për “kthimin e pjesshëm ose të plotë të Kosovës nën Serbi”. Këtë besim e mbështeti dhe këshilltari personal i Kurtit: Elvis Hoxha!

Duke lënë mënjanë kuptimin e pjesshëm të tyre lidhur me rolin e Grenellit në bisedimet Kosovë-Serbi, i cili u përshtat në qasjen e përgjithshme të Trampit lidhur me Rusinë, se ai dëshironte marrëdhënie të mira me të, sepse nuk donte luftë, dhe se vendimet për bisedimet përkatëse nuk merreshin nga Grenelli por nga Pompeu, ministri i jashtëm amerikan në administratën “Tramp”, dhe se rezultati i bisedimeve ishte pasojë i qasjes së përgjithshme të Uashingtonit dhe Brukselit për të integruar rajonin në BE por dhe dëshirës së shumicës së popullit shqiptar (të paktën kushtu pretendojnë disa anketa sepse nuk është zhvilluar ndonjë referendum për këtë çështje mjaft të rëndësishme!), dhe rrjedhimisht për të krijuar një “federatë” tjetër ballkanike si fazë paraprake për t`u integruar në bllokun përkatës, dhe çdo “kthim” serb në Kosovë, mundësohet përmes federatës në fjalë dhe jo sepse lobonte Grenelli për kthimin e saj...këshilltarët e Kurtit nuk e përmendin askund çështjen e punësimit të plotë! Pse?! Ose sepse nuk janë në dijeni ose sepse e fshehin. Në të dy rastet, dhe sidomos nëse e fshehin, janë të padëshirueshëm.

Por edhe nëse ata nuk janë në dijeni të këtij boshti ekonomiko-social, unë kam vite që e përmend dhe kam ravijëzuar dhe një projekt —pas një studimi mjaft të thellë dhe disa vjeçar— të paradigmave dhe nënparadigmave sociale që nga antikiteti deri më sot. Në dijeninë time, janë plotë veprimtarë të VV që më lexojnë. Pse heshtin!? Pse s`ia kumtojnë kryetarit këtë mashtrim, sepse për mashtrim bëhet fjalë —si duke gjykuar nga historia të majtës tradicionale por dhe duke gjykuar nga logjika social-ekonomike— kur e quan veten të “majtë” dhe nuk zotohesh për punësim të plotë!

Në fakt, Kurti e vërtetoi edhe një herë se nuk ka dije kur “tradhëtoi” programin e tij “zhvillimor” që në ditën e parë të pas-votimeve. Ai nxiti, sipas “Associated Press”, BE-në që të zbatojë atë çfarë ai quan plan “mini-marshall” — duke nënkuptuar planin e SHBA-së për të rindërtuar Evropën pas luftës —për gjashtë vendet e Ballkanit. Kjo është gafë historike sepse në atë kohë Amerika kishte përqafuar principet keinsiane ose atë çka njihet ndryshe si “social-demokraci”, të cilët u përqafuan dhe nga vendet evropiane, si para luftës ashtu dhe pas luftës, dhe plani përkatës filloi të kontribonte pas vitit 1949, kur ekonomia evropiane ishte rimëkëmbur, dhe ai vinte në dy forma: edhe si ndihmë në grante edhe si borxhe. Dhe më kryesorja, vinte në kohën kur Amerika lulëzonte.

Tani, Amerika dhe veçanërisht BE-ja — janë krizë të thellë edhe ekonomike. Një tjetër aspekt, shumë i rëndësishëm, që lidhet me social-demokracinë e shekullit të kaluar, është se në atë kohë vërtet ndihmonte Amerika por pikërisht sepse vendet evropiane zbatonin principet keinsiane, nuk diktoheshin në politikat e brendshme nga Amerika. Tani kanë ndryshuar principet: janë braktisur principet kryesore keinsiane dhe zbatohen principet (ose politikat) neoliberale përmes të cilave diktohen politikat e brendshme, sidomos për vendet e vegjël me mungesë konkurrence dhe zhvillimi. Çka do të thotë se vërtet mund të ndihmohet ndonjë vend me ndonjë plan...të tipit “marshall”, siç kërkon Kurti, por ndihma vjen me shkëmbim, zakonisht me konçesione të majme. Çfarë do të japë në shkëmbim Kurti? Trepçën?! Apo ndonjë pasuri tjetër të lakmueshme nga BE-ja?!

Qartësisht, Kurti dhe Vetëvendosja nuk e ka të qartë se si ta zhvillojë vendin.

Duhet përmendur, gjithashtu, fakti se VV është shquar në aksione politike por nuk është shquar në studime ku tregohet realiteti në të cilin jetojmë. Për pasojë, thuajse gjithë anëtarët e saj jetojnë me iluzione. Në fakt, pak ditë përpara zgjedhjeve, Kurti tregoi, edhe një herë, prijësit e lëvizjes së tij: 77 akademikë që mbështesnin VV! Mes tyre dhe në krye të listës, Zizeku: “marksisti” që mashtron partitë politike “marksiste”. Kujtoj se njësoj veproi Siriza në Greqi. Madje Cipra organizoi dhe konferenca ku ligjërues ishte Zizeku ku këshillonte...partinë “marksiste” se si të ndryshonte BE-në për të ndryshur kursin e politikave kursimtare. Por pas një viti, Cipra —me një tjetër zizekist— Varufakin, dështoi dhe i kërkoi ndjesë popullit sepse ushqente iluzione—për të cilët kisha shkruajtur edhe unë në shtypin ndërkombëtar, bazuar në programin dhe qendrimet e saj politike, se do të dështonte, siç edhe dështoi.

Mirëpo, Kurti dhe këshilltarët e tij, këto të vërteta nuk i shohin dhe na i paraqesin si “akademikë” kur ata kanë dështuar si në teori ashtu dhe në praktikë: ‘në teori’ sepse nuk duan ta kuptojnë globalizmin neoliberal, sepse dalin nga qasja klasore e Marksit; dhe në ‘praktikë’ si në rastin e Sirizas apo Podemos në Spanjë (kryetari i saj është i korruptuar dhe s`ka asnjë kontribut teorik).

Këto të vërteta nuk u përmendën nga asnjëri në Shqipëri sepse të tillë janë: të ndarë në llogore partish ku vetëm dije nuk ka. Opozita e “Bashës” dhe e Kryemadhit”, pas të cilëve rendën plotë syleshë dhe oportunistë, në fakt, e shfrytëzoi dhe e paraqiti si “revolucion” social, duke theksuar faktin se populli shqiptar i Kosovës zgjodhi atdheun dhe jo Kurtin dhe duke nënkuptuar se edhe populli shqiptar i anëve tona duhet të veprojë njëlloj: të zgjedhë Bashën dhe bashkë me të atdheun, sepse Rama është tërësisht i korruptuar. S`ka diskutim, sigurisht, që Rama i tillë është: por kush e thotë?! Partia që murosi korrupsionin dhe politikat reaksionare në popull për gati dy dekada dhe shkatërroi thuajse gjithçka!

Kështu nëse Kurti dhe VV janë të korruptuar kryesisht lidhur me programin e tyre “zhvillimor” (disa nga anëtarët e saj që drejtojnë pushtete vendore janë përfolur për korrupsion ndërsa nuk kam dëshmuar veprime revolucionare nga ata, për shembull, të udhëheqin me drejtësi, veprime fisnike dhe vetëmohim), PD-ja dhe LSI-ja janë të korruptuar në program (këta gjithashtu nuk synojnë punësim të plotë!) dhe veçanërisht në praktikë.

Por gjykuar nga fakti se VV nuk ka themeluar zgjedhje demokratike dhe meritokratike në lëvizjen e saj, çka nënkupton se anëtarët mësojnë të shqyrtojnë dhe gjykojnë drejtë njëri-tjetrin dhe zhvillojnë virtytin e drejtësisë të domosdoshëm për drejtimin e institucioneve, por dhe nga fakti se cilën strukturë ekonomike gjen VV —kryesisht industrinë e ndërtimit dhe një bujqësi thuajse primitive— nuk është e vështirë të parashikohet e ardhmja e saj: korrupsion, mjerim dhe emigracion.

Kutoj se VV ka vendosur si përparësi luftën kundër korrupsionit njësoj si partitë e djathta—kjo “luftë” s`ka qenë kurrë luftë e të majtës tradicionale; kjo e fundit ka tjetër luftë në mendjen e saj: luftën e klasave—, por edhe në këtë rast, jo duke proceduar nga kuptimi i shkaqeve të korrupsionit por nga thjesht lufta përmes një prokurorie dhe gjyqësori të pavarur! Kjo është një qasje perëndimore e cila vërtet ka patur disa rezultate. Por jo mjaftueshëm. Ndaj dhe korrupsioni lulëzon thuajse kudo.

Përmblethtas, kur një parti apo lëvizje politike nuk zotohet për punësim të plotë (synim për të cilin duhet të tregojë se si do ta realizojë që të bindë popullin) ajo i shërben absolutisht oligarkisë ekonomike (në rastin konkret industrisë së ndërtimit dhe sektorëve të tjerë të ekonomisë); kur ajo i shpall luftë korrupsionit pa treguar shkaqet e tij, ajo do të riprodhojë korrupsionin; dhe kur ajo nuk themelon zgjedhje demokratike dhe meritokratike në radhët e saj ajo do të jetë më keq kur të drejtojë shtetin: sepse cilido që të drejtojë shtetin nuk do të kalojë nga gjykimi i anëtarëve të saj por nga gjykimi i kryesisë dhe veçanërisht nga gjykimi i kryetarit...      

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA