...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Propaganda e pistë e klasës politike me “anti-komunizmin” dhe revanshi i ballistëve

Tre janë shkaqet kryesore për dënimet politike në socializëm: (1) lufta e klasave, siç ajo shprehet, me revansh klasor të njërës klasë mbi tjetrën; (2) hierarkia shtetërore, përmes së cilës, në njërën anë përqendrohet pushteti në tjetrën padrejtesitë bëhen të pashmangshme, veçanërisht kur hierarkia shoqërohet me luftën e klasave; dhe (3) zgjedhja e ndërgjegjshme e shumë të dënuarve politikë për të sfiduar ligjet në fuqi, veçanërisht ligjin e ‘agjitacion-propagandës’

Ylli Përmeti

21/09/2018 - 14:32

Klasa politike e dalë nga elita komuniste e shekullit të kaluar ka krijuar përmes propagandës së saj anti-komuniste bindjen se komunistët ishin të ‘padrejtë’ me ballistët gjatë socializmit marksist dhe kështu ka krijuar të drejtën e ballistëve ose fëmijëve të tyre për të kërkuar dëmshpërblim me poste publike, prona dhe pará. Kjo bindje vlon thuajse kudo në kohët tona. Masmedia ka luajtur rol vendimtar në këtë propagandë duke vendosur në qendër të vëmendjes pasardhësit e ballistëve dhe vuajtjet e tyre. Por nuk kam parë të pyesin ndonjë komunist për vuajtjet e ballistëve. As kam parë të shkaktojnë ndonjë debat ku të vendosen të dyja palët përballë dhe çdo njëra të pretendojë të vërtetat e veta: sepse ky është roli dhe detyra e gazetarisë: të kërkojë drejtësi. Pse veprojnë ashtu gazetarët e oligarkisë vetë-kuptohet: sepse oligarkia mediatike vazhdon të propagandojë anti-komunizmin, jo pa të drejtë nga pozicioni i saj pushtetor: sepse përmes kësaj propagande ata largojnë ndonjë ardhje të mundshme “komuniste” (në komunizëm nuk ka media private) dhe kështu ruan pushtetin e saj mediatik dhe social përmes të cilit majmen dhe paraqiten si njerëz të drejtë dhe humanistë! Përgjigjen se pse komunistët ishin të padrejtë me ballistët gjatë socializmit duhet ta kishin dhënë vetë, në të vërtetë, ballistët dhe komunistët. Por kaq vjet s`kemi parë asnjë shqyrtim dhe kuptim nga palët në mospajtim!

Sidoqoftë, nuk është e vështirë të kuptohet se pse komunistët ishin të ‘padrejtë’ me ballistët: jo, sigurisht, sepse komunistët ishin njerëz të liq, siç na i paraqesin. Por sepse ishin “njerëz” si gjithë njerëzit e tjerë që kishin jetuar mes padrejtësive. Së pari, dihet se ballistët ishin kryesisht pasanikë të krijuar si përgjatë periudhës otomane ashtu dhe përgjatë periudhës zogiste, të cilët angazhonin në çetat e tyre njerëz të çifligjeve të tyre. Së dyti, dihet se ku ka pasanikë dhe çifligarë, ka dhe shfrytëzim dhe shtypje. Njërëz të shfrytëzuar ishin pikërisht të ashtuquajturit bujqër―njerëz që punonin në tokat e çifligarëve dhe paguanin dhe haraç. Një lloj urrejtje, rrjedhimisht, ishte krijuar përgjatë kësaj faze. Por urrejtja u shtua kur kjo klasë çifligarësh filloi të bashkëpunonte me nazifashistët dhe të minonte përpjekjet e komunistëve për çlirim. Kuptohet pse: sepse ndjeu kërcënimin e pushtetit të saj nga komunistët dhe s`kishte rrugë tjetër veç të bashkëpunonte me nazifashistët. Çfarë kërkojnë pinjollët e ballistëve nga komunistët kur dihet se ballistët kërkonin të ruanin pozitat e tyre shfrytëzuese në shoqëri ndërsa bashkëpunonin me armikun për të shkatërruar betejën e të shfrytëzuarve: sepse duhet thënë se luftës guerrile komuniste iu bashkua kryesisht fshatarsia―klasa e shfrytëzuar nga çifligarët. Gjyshërit e mi, për shembull, ishin klasë fshatare dhe shfrytëzoheshin nga zogu. Po t`i pyesje për të dhe t`i provokoje se Zogu ishte i mirë...rrebeloheshin dhe tregonin plotë ngjarje të padrejta nga çifligari i Këlcyrës: Ali bej Këlcyra.

Për të njëjtën arsye u bashkuan me partizanët dhe jo me ballistët pavarësisht se niveli i tyre emancipues ―kuptimi se cilët zhvillonin luftë të drejtë―ishte i ulët. Për urrejtjen e fshatarisë, rrjedhimisht, ishin vetë shkaktarë ballistët dhe shkaktarët e urrejtjes dënohen në drejtësi: sepse urrejtja është dinamikë që çon shpesh në veprime hakmarrëse. Fshatarsia, rrjedhimisht, nuk kishte krijuar ndërgjegjje klasore, siç na mëson Marksi apo marksistët. Por urrejtje për shkak të padrejtësive. Ndërgjegjjen klasore e krijoi gradualisht klasa politike e kohës, pas mbarimit të luftës, meqënse autoriteti teorik i saj ishte Marksi dhe teoria e tij ishte adoptuar dhe zhvilluar së pari në Rusi dhe klasa punëtore mori karakter thëlbësor në regjim. Bashkë me klasën punëtore u zhvillua dhe ideologjia marksiste sipas së cilës pushteti politik i komunistëve ishte dhunë e organizuar kundër borgjezisë. Urrejtja dhe ideologjia klasore, rrjedhimisht, ishin vendimtare për sjelljen e ‘padrejtë’ të komunistëve gjatë socializmit. Krahas kësaj dinamike, atje ishte një tjetër: pushtetin e administronin elitat komuniste dhe gjykatat e kohës do të përputheshin me ideologjinë mbizotëruese: se klasa punëtore është e para dhe borgjezia duhet të luftohësh nga klasa punëtore. Vendimet e gjykatave, rrjedhimisht, ishin shpesh në dobi të klasës punëtore, sepse qeveria komuniste ishte e angazhuar për të krijuar dhe riprodhuar pushtetin e klasës punëtore―proletariatit ndërsa ky i fundit kërkonte mbrojtje nga ajo. Në këtë dinamikë, kontribuan edhe ballistët―ata që u larguan jashtë vendit dhe ata që qendruan: sepse të parët filluan të sabotonin ndërmarrjen e madhe socialiste ndërsa të dytët filluan ta sfidonin, domethënë, të propagandonin kapitalizmin perëndimor me doza zogiste kur kushtetuta nuk ta lejonte propagandën në fjalë. Paralelisht me këtë dinamikë, komunistët hoqën dorë nga përdorimi i arsyes―domethënë, të bindjes së popullatës me arsyetim. Në vend të saj përdorën pikërisht kushtetutën―se regjimi socialist nuk lejohet të sfidohet me fjalë apo veprime.           

Kështu, ndërsa përgjatë socializmit në Shqipëri u vranë 5,157 njerëz, 9,052 vdiqën në burgje, 17,900 u dënuan dhe 30,383 të tjerë u internuan për arsye politike.[1] Në total janë gjymtuar rreth 62,492 njerëz. Në krye të 20 e ca viteve “demokraci” përfaqësuese dhe treg marketingu, atje janë rreth 4.750 të burgosur; 148 të burgosur për 100 mijë banorë, më lartë se Irani (115), Jemeni (48), Afganistani (68), Pakistani (40), Egjipti (80), duke lënë pas vetëm Turqinë (me 168), Ukrainën (me 350), dhe Malin e Zi (me 227). Serbia, Bullgaria dhe Spanja qëndrojnë më lartë (154, 146, 150 respektivisht).[2] Pesë vjet më vonë numri i të burgosurve u rritë nga 4.750 në 5.447 duke përbërë 0.2 për qind të popullsisë kur kostua e një të burgosuri i kushton shtetit nga 369 euro në 1380 euro në muaj: vetëm një i paraburgosur ka një kosto ditore prej 14.63 euro ndërsa një i dënuar 12.3 euro dhe një i sëmurë 46.23 euro në ditë. Duhet thënë se pjesa më e madhe e këtyre kostove shkojnë në xhepat e drejtorëve të burgjeve dhe eprorëve të tyre. Por ndryshe nga ish-socializmi, ku dominonte pushteti politik dhe dënimet kishin kryesisht karakter politik, në “demokracinë” parlamentare dhe tregun e marketingut, dominon pushteti “ekonomik” dhe dënimet janë të karakterit ekonomik. Nëse krahasojmë numrin e të dënuarve politikë të socializmit me “demokracinë” parlamentare dhe kapitalizmin e 25 viteve të fundit në Shqipëri, ai është, pa dyshim, tejet i madh. Por nëse konsiderojmë të dënuarit ekonomikë, siç janë të papunët, endacakët dhe emigrantët që dergjen rrugëve të botës, krimin në familje dhe në rrugë (aksidente etj.), shkurorëzimet martesore dhe katastrofën ekologjike, sëmundjet e ndryshme dhe kancerin që po kërcënon gjithë popullin, mund të themi se dëmi është tejet i madh.[3] Në terma ekonomik, ekologjik dhe social, krimi është shumë më i madh vitet e fundit se sa në socializëm. Nga viti 1990-të deri në vitin 2017-të janë vrarë 6348 shqiptarë. Shumica për pronat.[4] Kjo shifër është shumë më e madhe se shifra e vrasjeve politike të socializmit 40 vjeçar. Kjo masakër është shkaktuar nga klasa politike shqiptare. Por njerëzit në Shqipëri, dhe veçanërisht masmedia, historianët dhe akademikët, jo vetëm që shpërnjohin faktet, nga një perspektivë krahasimtare, por ndërsa akuzojnë dhe kundër-akuzojnë për krime dhe diktatura, shpërnjohin shkaqet! Sepse tre janë shkaqet kryesore për dënimet politike në socializëm: (1) lufta e klasave, siç ajo shprehet, me revansh klasor të njërës klasë mbi tjetrën; (2) hierarkia shtetërore, përmes së cilës, në njërën anë përqendrohet pushteti në tjetrën padrejtesitë bëhen të pashmangshme, veçanërisht kur hierarkia shoqërohet me luftën e klasave; dhe (3) zgjedhja e ndërgjegjshme e shumë të dënuarve politikë për të sfiduar ligjet në fuqi, veçanërisht ligjin e ‘agjitacion-propagandës’.[5]

Shqipëria filloi rimëkëmbjen e saj me më pak se një milion shqiptarë dhe me vdekjen e Enver Hoxhës, kaloi tre milion e treqind mijë njerëz. Ndërsa klasa politike anti-everiste e ka çuar popullsinë rreth dy milion e tetëqind mijë (2011). Fakti që shqiptarët vazhdojnë të largohen, dhe bashkë me largimin e tyre, shumë vdesin rrugëve, në 25 vjet, Shqipëria ka humbur rreth 800 mijë shqiptarë. Kjo është një masakër e vërtetë dhe klasa politike, masmedia që ajo kontrollon dhe pamendarve që u ka mbetur ora në vitin ‘90, mashtron duke përsëritur njërin fakt për të mbuluar faktin tjetër: gjymtimin e popullit shqiptar rreth dhjetë herë më shumë se socializmi i Enverit. Të gjitha këto kur parashikimet e institucioneve ndërkombëtare (OKB etj.) tregojnë se popullsia shqiptare do të gjymtohet edhe më shumë deri në vitin 2100: 1,745,540 banorë - duke konsideruar vetëm tre faktorë: plakjen ose rritjen e jetëgjatësisë (hamendësisht të klasës së lartë), lindshmërinë e ulët dhe emigracionin. Nëse i shtojmë këtij parashikimi dhe faktorët që përmenda më lartë (aksidentet; vrasjet; katastrofat ekologjike etj.), numri do të rrudhet edhe më shumë: ndoshta do të shkojë në shifrën e pasluftës! 

Përfundime 

Çështja tashmë shtrohet se nëse shoqëritë kanë mundësi të zhvillojnë shoqëri pa burgje —jo vetëm për arsye ekonomike por veçanërisht për arsye etike— dhe pa policë. Përgjigjja që marrim është pozitive: por vetëm nëse u përmbahen disa parakushteve. Së pari, krijojnë një kuadër institucional ku barasndahet pushteti (politik, ekonomik, social dhe ekologjik).[6] Dhe së dyti, synohet zhvillimi i virtyteve etikë dhe intelektualë dhe arsimi demokratik.[7] Çështja tjetër që shtrohet është në raport me ballistët dhe të dënuarit politikë: ata jo vetëm që nuk na paraqitën ndonjë herë avantazhet që ka kapitalizmi keinsianist që u zhvillua në perëndim shekullin e kaluar përkundër socializmit marksist dhe as na paraqitën ndonjë herë avantazhet e globalizmit aktual―neoliberal― që janë parakushte për debat demokratik, por kërkojnë dëmshpërblim pa shqyrtuar se cili e meriton―domethënë, se cili është dënuar vërtet në të padrejtë nga gjykatat e kohës dhe shoqëria: sepse pak janë ata që janë dënuar në të padrejtë...           



[1]Shqipëria e vogël e 23 burgjeve dhe 48 kampeve të përqendrimit, Shekulli, 06. 05. 2013.

[2]Numri i të burgosurve rritet çdo vit në Shqipëri, ndër më të lartët në botë, Gazeta Idea, 01 Janar 2013.

[3]Shih, për më shumë, Kriza shumë-dimensionale.

[4]Në 27 vite pluralizëm janë ekzekutuar 6348 shqiptarë, shumica për pronat, Dita, 15 shkurt, 2017.

[5]Shih, Pse dështoi socializmi në Shqipëri?

[6]Drejt shoqërisë virtuoze.

[7]Shih, Nga keqedukim në arsim demokratik.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA