...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Protestat në Serbi kundër qeverisjes “Vuçiç”: një fiasko me financues...Sorosin?!

Prej fillimit të protestave të qytetarëve-opozitës, kishte dilema se kush po i financon ato. Sipas teorisë së konspiracionit, dyshimi ishte se protestat e opozitës po financohen nga jashtë, me qëllim që ta rrëzojnë, në mënyrë demokratike, pushtetin e Vuçiçit.

Adil Fetahu

13/11/2019 - 14:56

Asgjë nuk ndodhë as në natyrë as në shoqëri, pa pasur një qëllim, një shkak,  një motiv apo një pretekst. Protestat qytetare në Serbi, siç po i quajnë me slloganin “1 me 5 milionë”,  filluan në qytetin e Krushevcit (Serbi), më 30 nëntor 2018, disa ditë pasi një grup banditësh të maskuar rrahën keq dhe përgjakën liderin e të majtës së Serbisë, Borko Stefanoviç, i cili kishte shkuar atje për të mbajtur një ligjëratë. Të nesërmen Stefanoviçi mbajti një konferencë me gazetarë, në të cilën, para kamerave shpalosi këmishën e tij të përgjakur nga rrahja e ditës paraprake ndërsa protesta e parë që u mbajt në atë qytet u shoqërua me slloganin: “Ndal këmishave të përgjakura”. Pas një jave (më 8 dhjetor) filluan protestat qytetare rrugëve qendrore të Beogradit, me të njëjtin sllogan: “Ndal këmishave të përgjakura”. Në fillim opozita vetëm i përkrahte e nuk i organizonte protestat - më vonë organizimin e tyre e mori përsipër koalicioni i disa partive dhe lëvizjeve opozitare, e ashtuquajtur “Savez za Srbiju” (Lidhja për Serbinë), e prirë nga Dragan Gjillasi, e në të cilën janë ish-kryetari i Serbisë Boris Tadiç, ish-ministri i jashtëm Vuk Jeremiç, ultranacionalisti Boshko Obradoviç etj. Të gjitha protestat janë mbajtur çdo të shtunë, përveç asaj që u mbajt më 16 janar 2019,  në një vjetorin e  vrasjes  Oliver Ivanoviçit, në Mitrovicë.

Protestat në Beograd fillonin me fjalimet që mbaheshin në vende të caktuara, e vazhdonin me shëtitjet nëpër rrugët qëndrore dhe para institucioneve: Presidencës, Kuvendit, Qeverisë, RTV-së, madje edhe para Pallatit të Kishës Ortodokse Serbe. Përveç Beogradit, protesta janë mbajtur edhe në shumicën e qyteteve të mëdha të Serbisë: në Novi Sad, Nish, Kragujevc, Krushevc, Valevë, Leksovc, etj. Kërkesat e protestuese fillimisht ishin: stop dhunës; zbulimi dhe gjykimi i frymëzuesve dhe ekzekutorëve të vrasjes së Oliver Ivanoviçit e të rrahjes së Stefanoviçit; liri mediave; gjyqësi e pavarur;  ndërrimi i udhëheqjes së RTS-it; shkarkimi i ministrit të policisë, të arsimit, të shëndetësisë; dorëheqja e Vuçiçit dhe e Qeverisë; Vuçiç ndale tradhëtinë ndaj Kosovës; zgjedhje të parakohëshme dhe formimi i qeverisë teknike; zgjidhja e problemit të Kosovës sipas kushtetutës dhe interesave të shtetit të Serbisë; kërkesa ekonomike e sociale; kritikë Kishës që po bashkëpunon me pushtetin, etj. Një protestë më e madhe u mbajt më 13 prill të këtij viti, ku u formuluan kërkesat dhe ia dërguan Vuçiçit dhe mjeteve të informimit.  Vuçiçi deklaroi në një emision televiziv se edhe sikur opozita të tubojë 5 milionë pjesëmarrës në protesta, nuk do t’ua plotësojë kërkesat as nuk do të bisedoj me opozitën, por vetëm me përfaqësuesit e qytetarëve. Pas kësaj deklarate, organizatorët e protestave i “pagëzuan” ato me slloganin: “1 me 5 milion”, duke aluduar deklaratën e Vuçiçit.

Një protestë paksa më serioze, përkah numri i pjesëmarrësve (opozita thotë se në të morën pjesë 35,000 veta, ndërsa pushteti thotë se nuk ishin as 8000 veta), u mbajt më 13 prill 2019, në Beograd, prej së cilës pushtetit iu dërguan kërkesa për formimin e komisionit të përbashkët nga përfaqësuesit e pushtetit dhe të opozitës, për të përcaktuar kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe një komisioni tjetër për zgjedhjen e bordit rregullues të mediave elektronike dhe zgjedhjen e bordeve të serviseve (RTV) publike të Beogradit, Novi Sadit etj. Kërkesat ishin ultimative, me një afat pushtetit për t’u përgjigjur brënda 6 ditëve, ndërsa Vuçiçit iu dha afat që deri në festën e Pashkëve të japë dorëheqje nga funksioni i kryetarit të shtetit. Pushteti nuk iu përgjigj as përmbushi asnjë kërkesë, nuk ndodhi asgjë pas kalimit të “ultimatumit”, ndërsa opozita e mjerë vazhdoi me uikend-protestat çdo të shtune me gjithnjë e më pak pjesëmarrës. Njerëzit tubohen, aq sa tubohen, mbajnë fjalime, brohorasin, shfryhen duke sharë, fishkëllyar, bërtitur, shëtisin rrugëve dhe kthehen në shtëpi deri uikendin tjetër.

Kundëmitingu i pushtetit

Si një përgjigje kundrejt protestave të opozitës, pushteti organizoi një fushatë propagandistike të titulluar “Ardhmëria e Serbisë”, në të cilën kryetari Vuçiç paralajmëroi se do t’i vizitojë të gjitha qendrat e 29 rretheve në Serbi, në të cilat do të flasë për të arriturat dhe planet e zhvillimit në të gjitha fushat. Ai nuk i vizitoi të gjitha qendrat, por organizoi një miting të madh në Beograd, që u mbajt më 19 prill 2019, në të cilin, sipas vlerësimit të pushtetit, morën pjesë 150.000 qytetarë nga mbarë Serbia, nga Bosnja, nga Maqedonia dhe nga Kosova. Për t’iu shmangur ndonjë konflikti midis protestuesve të opozitës dhe mitingasve të regjimit, mitingu u mbajt ditën e premte. Vëmendje të posaçme Vuçiçi i kushtoi ithtarëve të tij nga “Fronti lokal”, të cilët (27) gjoja erdhën në këmbë nga Kosova. Në miting folën, e çka s’folën, kryetarja e qeverisë, Bërnabiç, ministri i jashtëm, Daçiç, njëfarë “heroi” i Luftës së Koshares, koloneli në pension, Dragutin Dimçevski, lideri famëkeq i serbëve të Bosnjës, Dodik, foli edhe ministri i jashtëm i Hungarisë, dhe natyrisht – fjalën kryesore “shpresëdhënëse”për Serbinë dhe gjithë serbët kudo që janë, e mbajti vet  kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Mitingun e organizuar nga pushteti e kritikoi opozita, si keqpërdorim të mjeteve të buxhetit dhe të presionit, sepse gjoja ishin urdhëruar të gjithë të punësuarit shtetëror të administratës qendrore e lokale,  ata të ndërmarrjeve dhe institucioneve,  t’i lënë vendet e punës e të vijnë në miting, në mënyrë të organizuar me autobusë të ndërmarrjeve publike, etj, etj.

Kush i financon protestat?!

Çdo tubim dhe për çfardo qëllimi që tubohen njerëzit, shkakton shpenzime individuale dhe kolektive. Aq më tepër, nëse pjesëmarrësit e protestave a mitingjeve vijnë prej një distance të largët. Prej fillimit të protestave të qytetarëve-opozitës, kishte dilema se kush po i financon ato. Sipas teorisë së konspiracionit, dyshimi ishte se protestat e opozitës po financohen nga jashtë, me qëllim që ta rrëzojnë, në mënyrë demokratike, pushtetin e Vuçiçit.

Shërbimet ruse të informimit dhe vet presidenti Putin qysh në korrik të vitit 2017, e kishin bërë me dije Beogradin, se miliarderi amerikan Georg Soros,  ka ndarë 10 milionë euro për organizimin e protestave në rrugët e Beogradit, për ta rrëzuar pushtetin. Në atë informatë thuhej se në protesta do të përfshihen studentë të manipuluar nga profesorët e tyre, të cilët vite me radhë i paguan Sorosi përmes disa projekteve të dyshimta, me të cilat përpiqet të krijojë kriza, dhe se organizimi i protestave sinkronizohet dhe kontrollohet nga një shërbim sekret nga Londra. Termi “Sorosev placenik” (njeri i paguar nga Sorosi), me të cilin quheshin kundërshtarët e regjimit, është i njohur dhe përdorur shpesh qysh nga koha e  Millosheviçit. Por flitet edhe për financimin e protestave dhe trazirave edhe nga fondacioni Rokfeler, nga ambasadat e huaja, sidomos ajo e Amerikës, nga Vatikani, nga fondacionet e Natasha Kandiçit, Sonja Biserkos, nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, nga qeveria e Hashim Thaçit, etj.etj.

Gazeta e protale të ndryshme proqeveritare shpërndajnë informacione, me emra e mbiemra se kush dhe si po financohen protestat në Serbi. Kështu, portalet “Informer” dhe “Forum Krstarica”, gazeta “Novosti” etj., thonë se ambasadori i BE-së dhe ai i SHBA-ve, Majkëll Devenport dhe Kajl Skot, pas zgjedhjeve të fundit në Sërbi, brënda një muaji kanë koordinuar pagesën e 1.367.000 euro për financimin e logjistikës së protestave të dhunshme, për të krijuar kaos në Serbi, madje ndoshta edhe për ta vrarë Vuçiçin e padëgjueshëm, duke shfrytëzuar një aferë që u quajt “Savamalla”. Sipas “Informatorit”, kjo shumë ishte shuma e parë, nga shuma prej 5 milionë eurove të “buxhetit special” për protesta e kaos. Kryeredaktori i gazetës “Novosti” (Ratko Dmitroviç) thotë se kjo është dyftyrësi e Europës, e cila nga njëra anë, haptas, gjoja e përkrahë, ndërsa fshehtas e satanizon dhe financon rrëzimin e regjimit dhe për këto punë gjithmonë gjenden tradhëtarët në terren, ndër të cilët me emër e mbiemër përmendën njëfarë Jankoviçi e Shabiçi, të cilët gjoja se po bashkëpunojnë me ambasadorët Devenport dhe Skot për ta rrëzuar Vuçiçin. Thonë se një numër i madh i organizatave joqeveritare, i mediave dhe i politikanëve opozitarë janë në lidhje të drejtpërdrejtë dhe nën ndikimin e ambasadorëve të përmendur.

Edhe kryetari i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një emision televiziv (19.03.2019), deklaroi: “ E kemi ditur prej fillimit se kush janë tre vetët që po financojnë protestat”, por nuk i përmendi emrat e tyre.

Por zëdhënsja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, në konferencën për media (7 korrik 2019), deklaroi se “protestat kundër qeverisë në Serbi po i financon Perëndimi, gjë që është përzierje e pafytyrë në punët e brendshme. Kjo po vërehet nga pikëpamja e zyrtarëve të Ambasadës së SHBA-ve, ndërsa financimi po bëhet përmes shoqërisë civile. Sorosi po financon projekte të dyshimta”, ka thënë përfaqësuesja e MPJ të Rusisë.

Një i ashtuquajtur Institut për Studime Ballkanike dhe të Lindjes së Afërme (IFIMES), me seli në Lubjanë, ka thënë në një studim të vetin (10.IX.2019),  se protestat në Serbi filluan vetëm një javë pasi Kosova vendosi taksën për mallrat e Serbisë (më 21.XI.2018), dhe se “qeveria e Hashim Thaçit ka pasur kontakte me përfaqësuesit e opozitës serbe dhe po merr pjesë në financimin e protestave të tyre”.

Kështu, propaganda serbe iu bie këmbanave të konspiracionit, duke i fajësuar faktorët e jashtëm për problemet e brendshme.

Sidoqoftë, protestat njëvjeçare që u zhvilluan çdo të shtunë nuk nxorën ndonjë përfitim,  nuk nxorën në sipërfaqe ndonjë personalitet të ri të cilit do t’i besonte masa e qytetarëve, ndërsa ata të vjetrit: Tadiçi, Jeremiçi, Gjillasi nuk kanë ndonjë magnetizëm politik për qytetarët, prandaj vetëm vendnumëruan, pa ndonjë efekt. Zgjedhjet e reja që i ka paralajmëruar kryetari Vuçiçi për pranverën e ardhshme, me retorikën e vet dhe me mjetet e buxhetit, shpreson t’i fitojë e ta heshtë opozitën edhe për një mandat. Deri atëherë ka kohë edhe për opozitën, të ndryshojë diçka në veprimet e saj.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA