...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse shteti serb vrau popullin e vet dhe akuzoi shqiptarët në 1998: rasti “Panda”

Deri ku do të shkojë në hetimin e ngjarjes enigmatike “Panda” dhe a do të nxjerrë në shesh të vërtetën shteti – është pak e besueshme: sepse vrasjet e fshehta të cilat i kryen vet shteti – as hetohen e as zbulohen!

Adil Fetahu

04/07/2021 - 09:38

Masakra në kafenenë “Panda” në Pejë (1998)

Opinioni në Kosovë dhe ai në Serbi e mbajnë mend vrasjen e 6 dhe plagosjen e tre të rinjëve serbë e malazezë dhe njërit musliman-boshnjak në kafenenë “Panda” në Pejë, më 14 dhjetor 1998. Për vrasjen e tyre, propaganda, mediat, kisha dhe organet shtetërore të Serbisë i akuzuan “terroristët shqiptarë – UÇK-n” dhe zhvilluan një aksion të arrestimit dhe keqtrajtimit fizik e psiqik të civilve shqiptarë, gjoja se këta kishin organizuar dhe kryer vrasjen. Por njerëzit që e kanë njohur politikën e pushtetit kriminal serb, qysh në fillim kanë dyshuar dhe gati qindpërqind e kanë ditur se masakrën e kanë kryer shërbimet sekrete të shtetit të Serbisë, e jo UÇK-ja, e cila nuk vriste civilë dhe sidomos fëmijë. Dhe dyshimi doli i bazuar: masakrën e ka planifikuar, urdhëruar dhe  organizuar Shërbimi i Sigurimit të Shtetit, ndërsa e ka zbatuar  Njësia për Operacione Speciale. Komandant i asaj Njësie (JSO=jedinica za specijalne operacije/Njësia për Operacione Speciale) atë kohë ka qenë krimineli i njohur Millorad Ulemek-Legija, i cili tash është në burg, i gjykuar për vrasjen e kryeministrit të Serbisë Zorn Gjingjiq (12 mars 2003). Ndërkaq, kryeshef i Sigurimit të Shtetit ishte krimineli tjetër Radomir Markoviç. Këta të dy tash e akuzojnë njëri-tjetrin për vrasjen e kryer në kafenenë “Panda” në Pejë, dhe jo vetëm për atë.

Në kohën kur u krye vrasja në “Panda”, Njësia për Opercaione Speciale, e quajtur “Munja”, ka qenë e stacionuar në Pushimoren afër Manastirit të Deçanit, ndërsa pandëreprerë është vërtitur me atomjete “hamer”, pa tabela, nëpër rrugët e Pejës e të qyteteve të tjera. Për shkak të rrezikut të arrestimit, keqtrajtimit dhe zhdukjes, shqiptarët e Pejës ishin mbyllur dhe pas orës 16 nuk dilnin prej shtëpive të tyre. Ishte përhapur lajmi se po vepron “Cërna ruka” (dora e zezë) dhe se njerëzit po vriten ose po zhduken pa shenjë.

Si paralajmëronte Radiotelevizioni i Serbisë se do të ndodhë vrasja?

Shërbimi i Sigurimit të Shtetit i kishte nën kontroll të gjitha mediat dhe i shfrytëzonte ato në funksion të përhapjes së propagandës e të parapërgatitjes së opinionit për veprimet që do të ndërmerrte. Disa ditë para rastit të vrasjes në kafenenë “Panda”, RTS dy netë rresht, në ditarin qendror të mbrëmjes, që ishte emisioni më i shikuar, lexonte gjoja një komunikatë të UÇK-së, me të cilin paraaljmëronte sulme në lokalet në të cilat po mblidheshin të rinjtë serbo-malazezë. Por është interesant se në mbrëmjen kur ndodhi vrasja në “Panda”, po ai medium informativ lajmin e dha në ditarin e tretë, që emetohej pak para gjysmës së natës, dhe atë e dha në variantin e shkurtër dhe jo si kryelajm, por diku nga fundi i ditarit të tretë, vetëm para prognozës së motit! Redaktori kujdestar kishte refuzuar ta emetojë raportin e korrespondentit të vet nga Peja, veçse e kishte pritur rapotin zyrtar të gjykatësit hetues, respektivisht të sigurimit të shtetit, të cilin korrespodenti nuk kishte mundur ta merrte nga organet zyrtare.

Arrestimet dhe keqtrajtimet kundër shqiptarëve

Gjatë procesit të gjoja hetimeve dhe arrestimeve për rastin “Panda”, që ishte një proces i paramenduar për të shkallëzuar dhunën dhe keqtrajtimet kundër shqiptarëve, u arrestuan e keqtrajtuan fizikisht e psiqikisht më se 150 shqiptarë dhe u burgosën mbi 20 vetë, të cilët përjetuan dhunë të tmerrshme nga organet serbe sa që ndonjë u detyrua të deklarojë “se ka qenë vrasës në “Panda”. Kur sigurimi i shtetit informoi se e ka zbuluar dhe arrestuar grupin  i cili “e ka organizuar dhe kryer sulmin në Panda”, nënkryetari i qeverisë federale i ngarkuar për çështjën e Kosovës, Nikolla Shainoviç, me plot lavdatë  për efikasitetin e organeve të shtetit, doli me komunkatë se rasti “Panda” u zgjidh. Kundër 5 vetave: Gazmend Bajrami, Xhevdet Bajrami, Beqir Loxhaj, Vllaznim Përgjegjaj dhe Agron Kollçaku, Prokuroria e Qarkut të Pejës ngriti aktakuzë për terrorizëm dhe vrasjen  e 6 dhe plagosjen e 3 personave në  kafenenë “Panda”, në Pejë.  Më 11 qershor 1999, këta të akuzuar u transferuan nga burgu i Pejës, në Burgun e Leskovcit. Gjykata e Qarkut e Leskovcit i dënoi me nga një vit burgim, por as gjatë procesit gjyqësor as në aktgjykim nuk u ngarkuan as u përmendet vrasja në kafenenë “Panda”, veçse  u dënuan për vepër penale të “bashkimit me qëllim të veprimtarisë armiqësore dhe terrorizmit”. Pas  vuajtjes së dënimit, me ndërmjetësimn e Kryqit të Kuq Ndërkombtar u kthyen në Pejë më 15 dhjetor 1999, të dërmuar e me pasoja të përhershme nga keqtrajtimet fizike të përjetuara gjatë tërë një viti.

Dyshimet se vrasësit nuk ishin shqiptarë?

Pak kohë pas lajmit mbi arrestimin e grupit të shqiptarëve, njëri nga prindërit e viktimave, Lubomir Ristiq  ka thënë se një mik i tij nga SUP/SPB në Pejë, i ka treguar në besë, se ata shqiptarë  që janë arrestuar nuk kanë asnjë lidhje me rastin “Panda”.

Ish-kryeshefi i SPB të Pejës, Boro Vllahoviq, i ka thënë gazetës “Danas”  se sigurimi publik, policia e Pejës, ka punuar intensivisht në zbulimin e rastit, por kur Sigurimi i Shtetit e ka marrë rastin në kompetencë të vet, SPB i ka ndërprerë të gjitha aktivitetet operative për atë rast. Për të dyshuarin kryesor, Vllahoviç ka thënë se ai ishte njeri me të meta mendore.

Ish-kryetari i Gjykatës së Qarkut të Pejës, e cila pas lufte është transferuar në Leskovc, Rade Gojkoviç, në bisedën për gazetën “Danas”, ka shprehur habinë se si hetimet gjyqësore për rastin “Panda” nuk kanë filluar edhe 15 vjet pas masakrës. Ai ka thënë se askush nuk e ka kontaktuar as pyetur për atë rast. Përafërsisht kështu ka deklaruar edhe ish-gjykatësi hetues i Gjykatës së Qarkut të Pejës, Veselin Çagjenoviç, i cili ka kryer vëzhgimin në vendin e ngjarjes kur ka ndodhur rasti. Ndërsa, ish-prokurori i Prokurorisë së Qarkut të Pejës, Vojisllav Shoshkiq, që asokohe ishte ushtrues i detyrës, ka thënë se kurrë nuk ka pasur ndonjë kontakt me lëndën e masakrës së “Pandës”. As më vonë sa kam qenë në Prokurorinë për Krime të Luftës, ajo lëndë nuk ka ekzistuar, ka thënë Shoshkiqi.

Reagmet për rastin “Panda”

Kryetari  aktual i Serbisë Aleksandër Vuçiç, deri sa ishte nënkryetar i qeverisë dhe bashkërendues i Shërbimit të Sigurimit të Qeverisë së kryesuar nga Ivica Daçiç, në një konferencë për shtyp, po edhe në televizion, më 23 dhjetor 2013, pati deklaruar : ”Nuk ka prova se shqiptarët e kanë kryer krimin, siç kemi besuar deri më tash. Kur të merret vesh e vërteta për atë që ka ndodhur në “Panda”, të gjithëve do të na dhemb koka dhe opinioni do të tmerrohet. Në këtë rast ka gjëra të çuditshme dhe është vështirë tash të flasim për to. Kur të kemi më shumë detaje, ne do ta informojmë opinionin”. Kjo deklaratë e Vuçiçit, që ishte si pranim i tij, se krimin në “Panda” e kanë kryer organet e fshehta të shtetit, vërtet i kishte tmerruar sidomos prindërit e viktimave, por jo vetëm ata.  Dy vjet më vonë, Vuçiçi pati deklaruar: “Po hulumtojmë nëpër terr. Pothuajse jam i sigurt për atë se çfarë ka ndodhur në “Panda”, por akoma nuk kam prova. Veçse, nuk jam i sigurt se organet tona mund të krenohen me atë që kanë bërë atëherë”, ka thënë Vuçiçi! Ai pothuajse çdo vit, në përvjetorin e ndodhjes së atij rasti, ka përsëritur deklaratën e tij të parë, por gjithnjë duke e mbështjellë me premtimin “se rasti do të hetohet deri në fund dhe se të vërtetën nuk do e fshehim, kushdo që të kenë qenë vrasësit. Kemi informacione, ndërsa organet tona po hulumtojnë të gjitha informacionet. Po punojmë dhe të gjithë mund të jenë të bindur se të vëretën nuk do ta fshehim, qoftë edhe nëse është fjala për Shqiptarët, apo për Serbët”, ka  përsëritur Vuçiçi premtimet e tij (“Kurir”,1.XI.2018).

Në një konferencë për gazetarë me rastin e 21-vjetorit të krimit në “Panda” (14.12.2019), kryetarja e Qeverisë së Serbisë, Bërnabiq, deklaroi se “Nuk ka informacione të reja për rastin e vrasjes së 6 djemve të rinj në kafenenë “Panda”. Është vështirë të zgjidhet rasti, të cilin nuk e kanë zgjidhur demokratët 10-15 vjet para nesh. Por, pushteti i Serbisë është i vendosur ta zgjidhë çdo rast krimi kudo që ka ndodhur dhe pavarësisht se kush e ka kryer”, ka thënë Bërnabiçka. Ndërkaq, ministri i policisë, Nebojsha Stefanoviç,  në të njëjtën konferencë tha se “kompetentë për hetimin e atij rasti janë  EULEX-i, KFOR-i dhe UNMIK-u dhe jemi të interesuar ta dijmë se çfarë hetimesh kanë bërë ato”?!

Deputeti dhe kryetari i Grupit Parlamentar, Lugina e Bashkuar – SDA, Shaip Kamberi, në seancën e Kuvendit të Serbisë (më 16.03.2021), duke ua përkujtuar deklaratën e Vuçiçit, të vitit 2013, e ka pyetur ministrin e policisë (Aleksandër Vulin) dhe ministren e drejtësisë (Maja Popoviq): “A janë identifikuar kryerësit e krimit në kafenenë “Panda” në Pejë, që ka ndodhur më 1998, dhe a është ngritur aktakuzë kundër tyre”?  Në vend të përgjigjes për pyetjen e shtruar, ka marrë ofendime nga vet kryesuesi i Kuvendit (Ivca Daçiq) dhe prej të tjerëve.

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe (Pavle), për çdo përvjetor të asaj ngjarje, ka mbajtur “parastos” dhe i ka akuzuar shqiptarët për vrasjen që ka ndodhur në “Panda”, ndonëse për këtë nuk ka pasur asnjë provë nga organet kompetente!

Bozho Prelleviç, ish-kooministri i policisë në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se “qëndrimi ndaj krimit të kryer në “Panda” është njollë e zezë e organeve tona shtetërore”. Ndërkaq, lideri i opozitës serbe, Vuk Drashkoviç, për Radion Evropa e Lirë, në lidhje me rastin Panda ka qenë më i qartë dhe kategorik: “Nga burime të besueshme kam marrë vesh se ekzistojnë prova, se vrasjen në “Panda” e kanë kryer pjesëtarët e Njësisë Speciale të Legias. Asokohe (dhjetor 1998) Pejën nuk e kontrollonte kurrëfarë UÇK-je, por e kontrollonte ushtria, policia dhe parapolicia jonë; atje ishte edhe Njësia për Operacione Speciale. Të gjitha gjurmët shpien kah JSO-së, që ishte organizatë terroriste në kuadër të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit. Por, hetimet nuk po zhvillohen, sepse për vrasjet që kryen shteti, nuk zhvillohen hetime! Ekzistojnë prova, se armët nga të cilat është shtënë në “Panda”, janë në pronësi të formacioneve të Legias. Urdhërin e ka dhënë shefi i atëhershëm i Shërbimit të Sigurimit, Rade Markoviç, ndërsa e ka zbatuar Millorad Ulemek Legija dhe JSO”, është shprehur  i bindur Drashkoviçi.

Ka tregues se nga e njëjta armë është vrarë edhe mjeku internist nga Peja, dr.Nuredin Zejnullahu, pak ditë para rastit në “Panda”. Poashtu, flitet se me të njëjtën armë është vrarë në Jarinje, në kufirin Kosovë- Serbi, doganieri i EULEX-it, Andrius Sverisijus.

Drejtoresha e Qendrës për Studime Euroatlantike në Beograd, Jellena Milliq, ka thënë se “fare nuk është e befasuar nga indikacionet se ata djemë janë vrarë me urdhër të Shërbimit të Sigurimit ose nga banditët e çmendur të JSO-së. Në këtë ka mund të jetë përfshirë edhe kreu i shtetit, me qëllim që ushtria dhe policia të përfshihen në konflikt. Nuk do të çuditesha që kjo të ketë rrjedhur nga kreu i shetit Millosheviç-Markoviç”.

Kryetarja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kadniq, ka thënë: “menjëherë pas vrasjes në “Panda”, ne si orgnizatë kemi shkuar në Pejë për të hetuar rastin, por nuk kemi marrë kurrëfarë informacionesh nga policia. Atëherë Pejën e kontrollonte njësia policore “Munja”dhe JSO”, ka thënë Kandiq.

Ish-drejtori i VBA (Vojno-bezbednosne agencije/Agjensionit Ushtarak të Sigurimit), Momir Stojanoviç, ka thënë se ai rast ka qenë në kompetencë të SPB dhe të Qendrës së Sigurimit të Shtetit në Pejë, të cilat kanë bërë shikimin në vendin e ngjarjes dhe kanë zhvilluar hetimet.

Hetimet kanë filluar më 12 maj 2016 dhe asnjë informacion lidhur me rastin?!

Edhe pse kryetari i tashëm i Serbisë dhe zëvendëskryeministri i atëhershëm i Qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pati shkaktuar tronditje në opinion me deklaratat e tij për rastin “Panda”,  opinioni publik në Serbi, por edhe jashtë saj, as sot e kësaj dite nuk ka informacione se kush po i zhvillon hetimet dhe për rezultatet e hetimeve të deritashme.

Ish-kooministri i policisë në Qeverinë e Serbisë, Bozho Prelleviq, thotë se puna e hetimit është zhvilluar shkeleshko. Deri sa kam qenë udhëheqës i një sektori të Qendrës Koordinuese për Kosovë e Metohi, njerëzit e Sigurimit Shtetëror më kanë thënë se ka indikacione që atë krim nuk e kanë kryer shqiptarët. Hetimet e filluara në Pejë nuk janë kryer plotësisht, për shkak të luftimeve. Po përse pas luftës kanë kaluar aq shumë vite pa inicuar hetimet? Kjo është bërë ose për shkak të mungesës së provave, ose për shkak se ka prova, por nuk dëshirohet të veprohet në bazë të tyre, ka thënë Prelleviq.

“Prokuroria për Krimin e Organizuar në Beograd ka nisur hetimet në maj 2016, kundër më shumë personave të panjohur, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se më 14 dhjetor 1998, në Kafiterinë ”Panda” në Pejë, kanë kryer vepër penale të terrorizmit, ku janë vrarë 6 dhe janë plagosur 3 persona. Deri në tetor të vitit 2018, janë dëgjuar 34 dëshmitarë dhe janë siguruar prova të shumta materiale. Prokuroria do të dëgjojë edhe disa dëshmitarë dhe të mbledhë prova të tjera materiale”, kanë thënë në atë Prokurori.  Në pyetjen e gazetarëve, se a është përjashtuar përfundimisht mundësia që krimin ta kenë kryer shqiptarët, dhe çfarë provash kanë aktualisht, prokuroria nuk ka dashur të japë përgjigje (“Danas”, 10.X.2018).

Reagimet e prindërve të viktimave

Prindërit e viktimave të rastit “Panda”, kanë formuar një shoqatë të tyre, e cila është përpjekur të informohet nga organet e shtetit për vrasjen e fëmijve të tyre.  Ata sidomos janë tronditur pas deklaratave publike të Vuçiçit, që në një mënyrë ka lënë të kuptohet se fëmijët e tyre i kanë vrarë pjesëtarët e strukturave të shtetit të vet.

Ditën kritike, në lokalet e kafenesë “Panda”, përveç viktimave, ka pasur edhe persona të tjerë. Pronari i lokalit, Suad Shaboviç dhe prindi i njërit nga të vrarët, Llazar Obradoviç, kanë treguar se si dikush e ka hapur derën me shkelma, kanë bërtitur si bishat dhe kanë hapur batare të shtënash, pas të cilave dëgjohej piskama e viktimave të cilët kërkonin ndihmë, shihej gjak dhe teneqe fyshekësh. Pasi janë larguar vrasësit, përmes derës së hapur kemi parë se nga oborri i Gjimnazit “Sveti Sava” ka dalë një veturë “Zastava 128”, me të cilën janë larguar kriminelët.

Momente të tmerrit të përjetuara kanë treguar edhe të plagosurit

Pasi janë arrestuar, keqtrajtuar e burgosur shumë shqiptarë, gjoja të dyshimtë, prindi i njërit nga viktimat, Lubomir Ristiq, ka treguar se një mik i tij nga SPB  i paska thënë se “ata shqiptarë nuk kanë lidhje me “Pandën”, veçse janë do hajna të pulave”.

Se ishin të bindur që masakrën në “Panda” nuk e kanë kryer shqiptarët, merret me mend nga deklarata e Zoran Stanojeviçit, baba i  njërit nga viktimat, i cili u kishte thënë kolegëve shqiptarë me të cilët kishte punuar në SHKSH, se “janë të mirëseardhur në shtëpinë e tij për t’i shprehur ngushëllime, ngaqë e di se kush ia ka vrarë djalin”!

Prindërit e fëmijëve të vrarë, individualisht dhe përmes shoqatës së tyre kanë kërkuar në të gjithë institucionet e shtetit të dijnë se kush ua ka vrarë fëmijët dhe çfarë ka ndërmarrë shteti kundër kriminelëve, por gjithnjë kanë hasur një “mur të heshtjes”, askush nuk iu ka dhënë të dhëna. I zhgënjyer nga institucionet e shtetit, njëri nga prindët e të vrarëve (Llazar Obradoviç) thotë se po të donte shteti të zgjidhte rastin, do ta kishte zgjidhur, ose do të thoshte se kryesit e vrasjes nuk mund t’i kapë sepse janë Shqiptarë, ose të pranonte se krimin e kanë kryer shërbimet e shtetit dhe nuk është me interes të zbulohen! Nëna e njërit të të vrarëve (Millena Radeviq), ka thënë se nga një vend me ndikim i kanë thënë asaj se “më së miri është që këtij rasti t’i vihet pikë”! “Në fillim të vitit 1999, shkuam në Beograd, sepse na premtuan se do të na pranojë Sllobodan Millosheviçi ose Nikolla Shainoviçi, por  asnjëri nuk na pranoi. Pas lufte kemi kërkuar të na pranojë Millan Millutinoviçi ose Vllajko Stojilkoviçi, por as ata nuk na pranuan. Pas 5 tetorit 2000, na ka pranuar Vojisllav Koshtunica, i cili na ka premtuar se do ta angazhojë Agjencinë e Sigurimit Ushtarak, në krye me Rade Bullatoviçin, që ta hetojë rastin, por as prej atij premtimi nuk doli gjë, ndërsa nga një bisedë që patëm me Mille Novakoviçin, ai nuk e përjashtoi mundësinë që masakrën ta kenë kryer serbët, ka thënë Ristiqi, që është njëri nga prindët e të vrarëve. “Provokimin më të poshtër e kemi përjetuar në kohën e qeverisjes Tadiq-Daçiç. Daçiçi as ka dashur të na pranojë, kurse Tadiçi na ka drejtuar te këshilltari i tij për çështje të Kosovës, Branko Radujko. Kemi shkuar njëzet vetë te Radujko, dhe kur na pa aq shumë, së pari na pyeti: për kë do të votojmë! Na kishim shkuar për shkak të vrasjes së fëmijëve tanë, kurse ai na pyeti për vota”, ka thënë Zvonko Gvozdenoviç, babai i Vukotës së vrarë!

Avokati nga Bjelina që  ka hy më thellë në gjurmët e krimit në “Panda”

Askush nuk e beson se organet kompetente të shtetit të Serbisë nuk e dijnë saktë se kush ka urdhëruar, kush e ka organizuar dhe kush e ka kryer krimin e vrasjes në “Panda”, por ato nuk bëzajnë. Më  thellë gjurmëve të këtij krimi iu ka hyrë avokati nga Bjelina, Dushko Tomiq, i cili publikisht (“Novosti” 05.05.2015) e ka akuzuar ish-kryeshefin e Sigurimit të Shtetit, Radomir Markoviç, se ky qëndron pas vrasjes së të rinjëve në kafenenë “Panda” në Pejë. Avokati Tomiq, edhe vet dikur ka qenë zyrtar i lartë i Shërbimit të Kundërzbulimit në policinë federale të Jugosllavisë. Akuzën e tij Tomiqi e  mbështetë në një shënim që ka marrë më 11 qershor 2004 nga Cvijetin Milinkoviçi, i cili ka qenë udhëheqës i një sektori të Sigurimit të Shtetit në Kosovë. Milinkoviçi i ka treguar avokatit Tomiq, se vrasjen e djemëve në “Panda” e kanë kryer pjesëtarët e JSO-së, sipas urdhërit të shefit të atëhershëm të Sigurimit të Shtetit, Rade Markoviç, dhe kjo, e vrasje të tjera, janë  bërë “për interesa të larta”.

I apostrofuari Rade Markoviçi e ka paditur avokatin Tomiq për shpifje. “Para fillimit të séancës gjyqësore, plot dy orë kemi biseduar në katër sy me Markoviçin. Më ka treguar disa gjëra, nga të cilat “jam ngrirë”. Në kohën kur është kryer masakra në “Panda”, JSO nuk ka qenë në kompetencë të Markoviçit, pasi atë njësi e ka marrë në kompetencë të vet ekskluzive ministri i policisë Vllajko Stojilkoviç. Për këtë ekziston aktvendimi. Ka fakte të reja, të cilat m’i ka thënë Markoviçi, por ato nuk dua t’i zbuloj tash deri sa t’i verifikoj dhe të mos alarmohen njerëzit të cilët mund t’i fshehin provat. Ato do t’ua paraqes organeve kompetente dhe do të kërkoj të dëshmoj në gjykatë për to”, ka thënë avokati Tomiq. Deri ku do të shkojë në hetimin e ngjarjes enigmatike “Panda” dhe a do të nxjerrë në shesh të vërtetën shteti – është pak e besueshme: sepse vrasjet e fshehta të cilat i kryen vet shteti – as hetohen e as zbulohen!   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA