...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse shumica e popullit grekë beson se jugu i Shqipërisë është tokë greke?

Kur lexon doktrinën e kishës greke dhe kupton pushtetin fetar kupton pse populli grek është i paragjykuar lidhur me popullin shqiptar

Ylli Përmeti

11/02/2018 - 17:42

Do të ishte një përgjigje deri diku “objektive” nëse do të kishim ndonjë sondazh lidhur me këtë pyetje. Por mund ta kuptojmë këtë lloj ‘besimi’ nëse gjykojmë nga jeta e emigrantëve në Greqi dhe mobilizimi masiv i qytetarëve grekë lidhur me çështje kombëtare. Unë kam jetuar, punuar dhe studiuar rreth 14 vjet në Greqi. Kam punuar në një ndërmarrje private për 12 vjet me rradhë. Ndërmarrja në kulmin e saj arriti rreth 1500 puntorë. Isha i vetmi shqiptar në të dhe ‘sulmohesha’ shpesh nga puntorët: kryesisht sepse nuk u pëlqente ‘integrimi’ im në ndërmarrje. Unë u integrova shpejtë sepse përvetësoja shpejt çdo punë. Në krye të një viti bëja dhe instruktorin. Kryeinstruktori i ndërmarrjes ishte me orgjinë shqiptare, gjithashtu, por i asmiluar: nuk e kishte mësuar shqipen nga prindërit. Si pasojë, atë dhe mua na ‘shanin’ shpesh prapa krahëve.

Sidoqoftë, ne ishim të vetë-dijshëm për sharjet e puntorëve. Mua më sulmonin shpesh sepse unë kisha qendrime kryekëput të kundërta me ta, sidomos lidhur me çështje kombëtare. Aq sa në banjat e puntorëve shkruanin parrulla “Saranda është greke” e të tjera si këto. Unë i denoncoja shpesh këto sulme në mbledhjet e puntorëve. Në to, asnjëri nuk shfaqësh hapur. Por unë kërcënoja se nuk është e vështirë për mua të kuptoj se kush i shkruan ato parrula. Prandaj mos më provokoni. Zakonisht drejtori i përgjithshëm më mbështeste sepse kisha krijuar një raport shoqëror me pronarin. Pronari, nga ana tjetër, më vlerësonte për aftësitë e mija.

Sidoqoftë, mua më shqetësonte fakti se pse puntorët ishin aq shumë të keqedukuar në raport me Shqipërinë aq sa shpesh e konsideronin popullin shqiptar si popull sllav. Nuk mund t’i jepja përgjigje këtij shqetësimi në atë kohë: sepse më mungonte dija teorike. Por ishte kjo dinamikë që më shtyu të vendosja një objektiv emancipues: të mësoja gjuhën greke më mirë se vetë grekët. Mësimi ishte i natyrës autodidakte. Pas ligjësimit –me leje qendrimi- fillova të kërkoja të studioja në ndonjë universitet. Pas shumë mëdyshjeve zgjodha gazetarinë: sepse besoja se përmes saj mund të ndihmoja vendin tim, duke luftuar paragjykimet e popullit grek nga një audiencë e gjerë. Studimet shkuan mirë dhe pas tyre fillova të realizoja qëllimet e mija: të realizoja emisione radiofonike përmbjatja e të cilëve synonte të luftonte paragjykimet. Por dua të kutoj se u përballa me të njëjtët paragjykime në studimet e mija. Jo vetëm nga studentët por edhe pedagogët. Gjatë studimeve të mija nuk e rrëfeva origjinën time pikërisht për të kuptuar se ç’nivel paragjykimesh qarkullonte në auditorët universitarë: sepse njerëzit shpengohen (tregojnë besimet e tyre pa rezerva) kur dinë se përballen me njerëz të të njëjtit lloj. Në fund të studimeve rrëfeva origjinën time gjatë një darke që patëm me pedagogët. Rastisi të ulesha përballë babait të gazetarisë greke, Kristos Pasalaris.

Kështu ndërsa kolegët e tjerë kërcenin valle popullore greke, unë rrëfeja dhimbjen time. Pasalari, një pedagog shumë i dashur për mua, u befasua nga rrëfimi im dhe më pyeti, pasi më dëgjoi me vëmendje: pse nuk na the se nuk je grek? Pikërisht, i them, për të kuptuar nivelin e paragjykimeve mes pedagogësh. Ai e vlerësoi këtë objektiv dhe më premtoi se do të më ndihmonte të realizoja çdo objektiv që synonte luftën e paragjykimeve të shoqërisë greke. Kështu përvesha mëngët dhe hartova një platformë për realizimin e një emisioni televiziv dygjuhësor, greqisht dhe shqip. Kërkova një takim me drejtorin e një televizioni dhe gjatë bisedës me të (një arvanitas me origjinë, që nuk e dinte se ishte i tillë), më tha se shoqëria greke s’është gati të pranojë emisione të tillë! Kështu unë vendosa të largohem përfundimisht nga Greqia dhe shkova për studime pasuniversitare në Britani.

Kujtoj se ditën e fundit të studimeve erdhi kryepeshkopi grek për të na ‘bekuar’. Pedagogët dhe studentët kaluan me rradhë duke e përshëndetur dhe duke i puthur dorën përveç meje. Paragjykimi kryesor i pedagogëve lidhur me shqiptarët ishte origjina e tyre: ata ‘besonin’ se ne ishim me origjinë sllave. Një pedagog që na jepte diplomacinë dhe politikën e jashtme greke, me përvojë të gjatë kryeredaksionale në shtypin grek (Kethimerini etj.) ndryshoi ‘bindje’ vetëm kur u përballë me reagimin tim në një orë mësimi. Shkoi në shtëpi dhe filloi të studionte. Javën tjetër u kthye duke bërë apologjinë e tij: se ai ishte gabim kur ‘besonte’ se shqiptarët ishin me orgjinë sllave. Kështu ai mësoi se shqiptarët ishin me orgjinë ilire dhe na kërkoi ndjesë dhe veçanërisht mua. Në një orë mësimi, pedagogu në fjalë, rrëfeu dhe të parrëfyeshmen: se kishte “zbuluar” se kush i luan fijet e politikës në Athinë. Ai ishte “klubi i Athinës” (“Η Λέσχη της Αθήνας”). Ky ishte, sipas tij, një klub jozyrtar që qendronte pas pushtetit politik në Greqi dhe mblidhësh fshehtas. Anëtarët e klubit ishin kryesisht me pushtet ekonomik.

Sidoqoftë, pushteti fetar në Greqi është më i fuqishëm se pushteti ekonomik jo vetëm në terma ekonomikë por dhe social. Por pedagogët kishin krijuar një lum me paragjykime. Flasim për pedagog me emër në Greqi. Më i paragjykuari ishte stërnipi i Kolokotronit: ai jo vetëm nuk dinte origjinën e stërgjyshit të tij por ishte deri diku shovinist. Kundrejt meje ishte i kujdesshëm sepse mua më “kishte dalë emri” si “anthelinas”. Domethënë, si anti-grekë dhe shpesh sjelljen e time e lidhnin me orgjinën time për të cilën vetëm spekulonin. Kur rrëfeva se nga isha, drejtori i institutit më tha se nga sjellja dhe paraqitja jote kisha krijuar bindjen se ishe ose me orgjinë arvanitase ose grek i Rumanisë. Paralel më këtë betejë unë hulumtoja librat e kishës greke.

Kur lexon doktrinën e kishës greke dhe kupton pushtetin fetar kupton pse populli grek është i paragjykuar lidhur me popullin shqiptar. Kështu, për shembull, për jugun e Shqipërisë kisha greke ka brujtur idenë se ajo është tokë greke, sepse në antikitet ka qenë koloni greke dhe u çlirua nga italianët. Nëse e krahasojmë me dokrinën tjetër, të Maqedonisë (Thesalisë dhe jo të vendit ku banojnë bullgaro-serbët dhe shqiptarët), për të cilën kisha greke ka krijuar bindjen se ajo është greke sepse Filipi përdorte gjuhën greke dhe gërmimet arkeologjike tregojnë mbishkrime greke, në Shqipëri ajo përdor edhe çlirimin nga italianët. Ndryshe nga shekulli i kaluar kur Greqia shoviniste përdori dhunën ushtarake për të përvetësuar Thesalinë dhe Çamërinë, këtë shekull ajo po përdor pushtetin ekonomik dhe fetar për të përparuar doktrinën e kishës greke në Shqipëri. Shkurt, me kushtet sociale që janë krijuar në Greqi dhe në raport me ne, Greqia mund të realizojë objektivat e saj në afat-gjatë.                        

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA