...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rama dhe Vuçiçi: kodoshët e “Ballkanit të Hapur”

Këta dy zgjatanët e Ballkanit janë afruar aq shumë mes tyre sa që kanë nisur t’i vardisen e bëjnë lajka sho-shoqit dhe ta lavdërojnë njëri-tjetrin, si liderë të paqes dhe afrimit midis dy popujve dhe dy shteteve më të mëdhenj në Ballkan.

Adil Fetahu

31/05/2022 - 13:33

Historia e miqësisë së Edi Ramës me Aleksandër Vuçiçin ka kaluar nëpër faza të ndryshme, me xixa, zënka, ngritje e rënie, varësisht nga situatat e krijuara dhe nga temat dhe rrëfenjat e bisedave të zhvilluara, qoftë në Beograd apo në Tiranë, në Shkup apo në Bruksel. Historia e tyre nuk është e gjatë, gjithësej nja tetë vjet, por është e bujshme. Ka filluar me xixa të ashpra në vitin 2014, kur në ndeshjen e futbollit midis Shqipërisë e Serbisë, kualifikuese për EURO 2016, që u zhvillua në Beograd, propaganda serbe shpalosi mbi stadium dronin me flamurin shqiptar e me parullën “Shqipëria e Madhe”.

Pas atij incidenti u zhvillua një luftë mediale në shtypin dhe në rrjetet sociale të Serbisë. Duke parë atë propagandë, Edi Rama në një postim të tij në twiter, shkroi:  “Kjo parullë është bërë ankth për Serbinë, dhe Serbia do të bëhet normale vetëm kur ta kuptojë se “Shqipëria e Madhe” nuk është projekt yni”. Postimit të Ramës, Vuçiçi iu përgjigj: “Rama ka absolutisht të drejtë, se “Shqipëria e Madhe” është bërë ankth për Serbinë, por ajo është bërë ankth edhe për Europën dhe për gjithë njerëzimin”!

Pasi Arbitrazhi i Sportit në Llozanë (Zvicër) mori vendim në favor të Shqipërisë, për shkak të incidentit dhe ndërprerjes së ndeshjes, Rama në postimin e tij në twiter shkroi: “Kjo është drejtësia europiane”. Ndërkaq, lidhur me atë vendim, Vuçiçi shkroi:”Ky është turpi i drejtësisë së Europës. Por mos u ankoni zotri Rama, se ne do të ju mundim në terren midis Tirane, pa dron dhe pa ndihmën e askujt”! Aludimi nuk është vetëm në futboll?!

Në nëntor të atij viti (2014) Rama ishte për vizitë në Beograd. Ishte kjo vizita e parë e një kryeministri të Shqipërisë në Beograd, pas më tepër se 60 vjetësh. Në konferencën për shtyp, në fund të vizitës, Rama haptas tha se “Pavarësia e Kosovës është realitet”. Vuçiçi, që asokohe ishte kryeministër i Serbisë, në reagimin e tij në atë konferencë tha: “Nuk kam pritur si ky provokim. Nuk kam pritur se do të flitet për Kosovë-Metohinë, sepse nuk e di se çfarë lidhje ka kjo, kur dihet se Kosovë-Metohia është pjesë e Serbisë”!

Në prill të 2015, në kontekst të propagandës mediale për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, në një bisedë në TV Klan (Kosovë), Rama tha se “bashkimi i shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë do të ndodhë në funksion të Bashkimit Europian, ose si reaksion kundër verbërisë europiane”.

Ndaj asaj deklarate të Ramës, Vuçiçi në një postim në twiter (7 prill), shkroi: “Po i premtoj kryeministrit Rama, se Kosova e Shqipëria kurrë nuk do të bashkohen në mënyrë klasike”.

Por ndërsa tensionet në raportet Rama – Vuçiç, sa vijnë e zbuten, rrëfenja e tyre ndryshon dhe raportet “relaksohen”, sa që në maj 2015, Vuçiçi vizitoi Tiranën. Ishte ajo vizita e parë e një lideri të Serbisë në Tiranë. Edhe Rama edhe Vuçiçi atë vizitë e vlerësuan me rëndësi dhe me interes për Ballkanin Perëndimor. “Ndonëse kemi një kundërshti të madhe sa një mal lidhur me Kosovën, kjo nuk e zvogëlon rëndësinë e dialogut midis Kosovës e Serbisë”, tha Rama. Ndërsa Vuçiçi deklaroi se “Kemi pasur biseda të sinqerta, edhe kur nuk jemi pajtuar”.

Në tetor të vitit 2016, Rama ishte në vizitë në Beograd dhe me atë rast ishte nxitur shitja e librit të tij “Kurbani”, i përkthyer në gjuhën serbe (“Zhërtvovanje”). Gjatë asaj vizite, Rama mori pjesë në Forumin e Beogradit për Siguri, që u mbajt në Nish. Në bisedat që pati me Vuçiçin, Rama drejtpërdrejt kishte kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës. Disa organizata ekstreme e parti të djathta, kishin kërkuar nga Vuçiçi që “ta përcjell Ramën”, për shkak të asaj kërkese, por Vuçiçi iu përgjigj: “Rama është mysafir i nderuar në Serbi dhe do të jetë i nderuar edhe këtu në Nish, sepse mendojmë se duhet t’i zhvillojmë marrëdhëniet ekonomike dhe politike me Shqipërinë”. Për t’i qetësuar shpirtërat e trazuar të ekstremistëve të tij, Vuçiçi tha se “Ramës i është dhënë përgjigje e denjë dhe adekuate ndaj kërkesës së tij për njohjen e Kosovës”.

Rama e Vuçiçi janë dy liderët bashkëkohor të cilët do të mbahen mend për disa cilësi: ata janë më të gjatët në Ballkan; më të gjatët me trup, edhe më së gjati në pushtet, se janë dy autokratë, të cilët kanë tërë pushtetin në shtetet e tyre, dhe se janë takuar më së shpeshti mes vete. Nuk dihet se cili i shërben tjetrit si mostër autokrati. Këta kanë përqendruar tërë pushtetin në duartë e tyre, ku lulëzon krimi i organizuar e korrupsioni, ndërsa mungon sundimi i ligjit dhe i drejtësisë.

Prej vitit 2014, ata janë takuar 17 herë, qoftë në vizita te njeri-tjetri, qoftë në kontekst të bashkëpunimit rajonal në projektin e tyre “Mini-Shengen” - “Ballkani i hapur”, apo në takime të tjera ndërkombëtare në Bruksel, Berlin apo gjetkë. Rama ka qenë tri herë në vizita në Beograd, ndërsa Vuçiçi dy herë në Tiranë. Në kuadrër të atyre vizitave dhe të takimeve të tjera, thonë se kanë firmosur 64 marrëveshje, kontrata e memorandume të dyanshme, trianshme apo të shumëanshme, për çështje ekonomike, për lëvizjën e lirë të njerëzve dhe qarkullimin e lirë të mallërave, të shërbimeve, të kapitalit, por edhe për fusha të tjera: administrative, arsimore, kulturore etj.

Këta dy zgjatanët e Ballkanit janë afruar aq shumë mes tyre sa që kanë nisur t’i vardisen e bëjnë lajka sho-shoqit dhe ta lavdërojnë njëri-tjetrin, si liderë të paqes dhe afrimit midis dy popujve (sic) dhe dy shteteve më të mëdhenj në Ballkan. Për përparimin e këtyre marrëdhënieve Vuçiçi ia atribuon meritat Ramës, por “as unë nuk kam bërë pengesa”, thotë ai. “Po shoh se kryeministrin Rama po e akuzojnë se (me “Ballkani i hapur”) po e ndihmon krijimin e Serbisë së Madhe, sikurse edhe mua po më akuzojnë se po e ndihmoj krijimin e Shqipërisë së Madhe”,- tha Vuçiçi me rastin e vizitës së Ramës në Beograd (nëntor 2021).

Edhe pse Shqipëria e Serbia nuk janë dy shtete që kufizohen midis tyre, deri më tash është arritur që qarkullimi i njerëzve midis tyre, por edhe me Maqedoninë, të bëhet vetëm me leje njoftimi. Në një nga marrëveshjet e arritura, është përcaktur se prej 1 janarit 2023 të hiqet edhe kontrolli doganor për mallrat që qarkullojnë midis tri shteteve. Se kush do të fitojë nga marrëveshjet e arritura, është lehtë të dihet, duke pasur parasysh asimetrinë e madhe midis Shqipërisë e Maqedonisë kundrejt Serbisë, edhe në aspektin e shteteve edhe të strukturës së ekonomisë.

Në ambicjet dhe përpjekjet e tyre për ta realizuar projektin “Ballkani i hapur”, kanë mbështetjen edhe nga Bashkimi Europian dhe nga Amerika, por jo edhe të liderëve të tjerë të rajonit. Ndërkaq, Rama e Vuçiçi, duke i dhënë rastin sho-shoqit për të shpehur mendimin e lirë “pro” dhe “kuntra” lidhur me Kosovën, e kanë ndihmuar njeri-tjetrin të fitojnë poema politike te qytetarët e vet dhe t’ia zgjasin jetën politike e shtetërore njeri-tjetrit.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA