...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ringjallja e “lëvizjes së të paangazhuarve” nga Serbia dhe përdorimi i saj kundër Kosovës

Kosova po ia sheh “nderin” Titos edhe për së vdekuri përmes një lëvizje që u themelua mbi parime të drejta por që përdoret për padrejtësi!

Adil Fetahu

09/10/2021 - 09:07

Të hënën, më 11 e 12 tetor 2021, në Beograd mbahet Samiti i shteteve të ashquajtura të painkuadruara, gjoja për të shënuar jubileun e 60-vjetorit të themelimit të atij blloku shtetesh, të quajtur Lëvizja e të Paangazhuarëve, që u themelua në Konferencën e mbajtur në Beograd, më 1 – 6 shtator 1961. Lëvizja nuk kishte ndonjë udhëheqje formale, veçse protagonistët kryesorë të saj ishin Josip Broz Tito, kryetari i Jugosllavisë, Xhavaharllal Nehru, kryetari i Indisë dhe Gamal Abdel Naser, kryetari i Egjyptit, si liderë themelues. Është interesante se edhe pse Lëvizja nuk kishte udhëheqje formale, sekretar i përgjithshëm i saj ishte zgjedhur Dobrica Qosiq, i cili shëtiti e vizitoi shumë shtete të painkuadruara bashkë me Titon.

Shumë shpejtë Lëvizjes së të paangazhuarëve iu bashkuan edhe shtete të tjera, saqë arriti numrin prej 120 shtetesh anëtare, kryesisht nga Europa, Azia, Afrika dhe Amerika, të cilat ishin kundër kolonializmit, vrapimit në armatim dhe parapëlqyen forcimin e demokracisë. Kështu krijuan njëfarë baraspeshe dhe stabiliteti në marrëdhëniet ndërkombëtare, në kohën e polarizimit të blloqeve. Parimet e proklamuara në Samitin themelues ishin: Respektimi reciprok i sovranitetit dhe integritetit territorial, mossulmimi i njëri-tjetrit, barazia, dhe bashkëjetesa paqësore në marrëdhëniet reciproke e në marrëdhëniet e përgjithshme ndërkombëtare.

Konferencën themeluese e hapi Titua, me fjalët: “Konsideroj se do t’i bëjmë shërbim të madh botës, nëse i tregojmë qartë dhe vendosmërisht rrugën e cila shpie drejt qetësimit, lirisë, barazisë dhe bashkëpunimit paqësor dhe të barabartë mes popujve”.

Në Samitin themelues ishin delegacionet e 25 shteteve anëtare me të drejta të plota: Algjeria, Afganistani, Burma, Cejlloni, Etiopia, Gana, Guineja, India, Indonezia, Iraku, Jemeni, Jugosllavia, Kamboxha, Qipro, Kongo, Kuba, Libani, Mali, Maroku, Nepali, Arabia Saudike, Somalia, Sudani, Tunizia dhe Egjipti, dhe përfaqësuesit e tri shteteve me status të vëzhguesit: Bolivia, Brazili, Ekuadori. Ishte koha e luftës së ftohtë midis dy blloqeve të shteteve të radhitura në Paktin e Varshavës, nga njëra anë, dhe atë të NATO-s, nga ana tjetër. Shtetet të cilat nuk bënin pjesë në asnjërin nga ato dy blloqe, formuan bllokun e tyre. Por, me shtendosjen e raporteve midis dy blloqeve kryesore, dhe me vdekjen e liderëve themelues, Lëvizja e të painkuadruarëve u zbeh dhe humbi rolin për të cilin ishte themeluar.

Falë autoritetit të Titos në mesin e të painkuadruarëve, atë Lëvizje e ka shfrytëzuar maksimalisht Jugosllavia për interesa të veta, prej së cilës popujt e Jugollavisë kanë pasur dobi.

Serbia përpiqet të luajë rolin e trashëgimtarit të Jugosllavisë?

Pretendimet e Serbisë për t’u paraqitur në rolin e tashëgimtarit të ish-Jugosllavisë, janë konstante. Me Kushtetutën e Zhablakut (1992) themeloi “nakazën” e quajtur Republika Federale e Jugosllavisë, e përbërë nga Serbia dhe Mali Zi. Me kërkesën e paraqitur në Kombet e Bashkuara, si trashëgimtare e ish-RSFJ, Serbia kishte pretendime të trashëgojë edhe pasurinë e asaj Jugosllavie që kishte në vend dhe në botë. Mirëpo, statusin e trashëgimtarit të RSFJ-së, nuk ia kanë pranuar as KB, as shtetet e dala nga ish-Jugosllavia. Megjithatë, në këtë frymë, Serbia po luan edhe lojën e liderit të Lëvijes së të Painkaudruarëve, duke e shfrytëzuar si trashëgim autoritetin e Titos dhe të Jugosllavisë që kanë pasur në mesin e atyre vendeve.

Pas shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë, asnjë nga shtetet e formuara nga ajo Federatë nuk ka mund ta trashëgojë statusin e anëtarit të Lëvizjes së të paangazhuarëve. Por për qëllimet e saj, Serbia ka arritur ta mbajë statusin e vëzhguesit në atë Lëvizje, dhe në vitin 2011 organizoi Samitin e të Paangazhuarëve që u mbajt në Beograd me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Lëvizjes. Qëllimi kryesor i mbajtjes së atij Samiti, dhe i këtij që do të mbahet tash, ishte dhe është përpjekja për t’i bindur shtetet anëtare që të mos e njohin pavarësinë e Kosovës, ato të cilat nuk e kanë njohur deri tash, dhe ta tërheqin njohjen ato të cilat e kanë njohur. Ish-kryetari Serbisë, Boris Tadiç, i luti haptas pjesëmarrësit e Samitit (2011), që të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

Edhe pse njohjen ose mosnjohjen e pavarësisë së një shteti nuk e bëjnë organizatat, por shtetet anëtare individualisht, propaganda diplomatike që zhvillohet në raste të tubimeve të tilla, për njohje, mosnjohje, ose tërheqje të njohjes, mund të ketë efekt në qëndrimin e shteteve anëtare. E për gënjeshtra dhe propagandë të tillë, Serbia ka përvojë dhe aftësi, sidomos në krahasim me disa nga banana-republikat e Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine. Dhe Serbia do të mobilizojë dhe angazhojë tërë potencialin diplomatik e zyrtarë të tjerë (edhe ndonjë kategori tjetër të përshtatshme) që ta shfrytëzojë këtë rast e të bëjë çmos për t’i bindur kryetarët e shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse, që të mos e njohin, respektivisht ta tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Po a ka bërë diçka diplomacia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë që ta shfrytëzojë këtë tubim për të kërkuar njohjen nga vendet të cilat nuk e kanë njohur? Jo! Ne nuk kemi diplomaci, edhe pse kemi miq në mesin e disa prej atyre shteteve, që do të mund të kërkonin njohjen e Kosovës. Të paktën, sa për ta kundërshtuar propagandaën e Serbisë kundër njohjes.

Ministri aktual i punëve të jashtme të Serbisë, Nikolla Sellakoviç, lidhur me Samitin e Beogradit, ka thënë: “Ky tubim është shumë i rëndësishëm, si tubimi më i madh ndërkombëtar, në të cilin marrin pjesë delegacionet e 118 shteteve anëtare dhe 24 shteteve vëzhguese (lajmërimin e pjesëmarrjes e kanë bërë 80 delegacione të shteteve anëtare, v.j.), fakt që dëshmon autoritetin e Serbisë. Qëllimi strategjik i Serbisë është anëtarësimi në BE (gënjen Sellakoviçi, v.j.), por ne nuk i harrojmë edhe miqtë tradicionalë, e ata nuk janë vetëm Rusia dhe Kina, por edhe anëtaret e Lëvizjes së të Paangazhuarëve. Për shumë popuj, Beogradi është “dritare për një botë të lirë”. Serbia sot është shtet serioz, sovran, në të cilin vendimet nuk i marrin ambasadorët dhe emisarët e huaj. Ne kujdesimi jo vetëm për interesat tona, por edhe të vendeve të tjera”,- është lavdëruar Sellakoviçi në stilin e shefit të tij, Vuçiçit.

Ish-shefi i diplomacisë së Serbisë, Vlladisllav Jovanoviç në lidhje me këtë Samit, ka thënë se “120 vende anëtare dhe 24 vende vëzhguese (në mesin e të cilave janë edhe Kina dhe Rusia), janë sa 2/3 e Kombeve të Bashkuara. Kjo ka rëndësi të madhe për përkrahjen e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe ruajtjen e Kosovës në kuadër të Serbisë”.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka bërë të ditur se ministri i atij shteti, Sergej Lavrov, do të marr pjesë në Samit ditën e parë të punës, ku do të lexojë letrën-mesazhin e kryetarit Vladimir Putinit dërguar Samitit. Vuçiçi ka thënë se “Ka ardhur koha që Serbia përsëri të ndërtojë dhe të përmirësojë marrëdhëniet me vendet e paangazhuara”. Natyrisht, Vuçiçi do të jetë figurë qendrore e Samitit.

Vlen të përmendet se kryesuese aktuale e Lëvizjes së të Paangazhuarëve për këtë Samit është Azerbajxhani, që është edhe bashkëorganizues i Samitit. Dhe për shkak të Azerbajxhanit, që ka të acaruara marrëdhëniet me Qipron, për shkak të pjesës turke, Serbia si nikoqire e Samitit nuk e ka thirrur Qipron për të marrë pjesë.

*

Sido që të zhvillohen punimet e Samitit, Kosova po ia sheh “nderin” Titos edhe për së vdekuri përmes një lëvizje që u themelua mbi parime të drejta por që përdoret për padrejtësi!

     

*

Beogradi ishte nikoqir edhe i Samitit të dytë të vendeve të paangazhuara që u mbajt në vitin 1989. Dhe përveç anës serioze, kjo temë, e ka edhe anën qesharake dhe kureshtare. Në Samitin  e mbajtur në Beograd (1989)  ish-kryetari i Libisë, Gadafi, erdhi me 6 deve dhe dy kuaj (atllarë) arabë, dhe në vend se të vendosej në ndonjë aparament hoteli, banonte në shatorren e tij të larmë, të vendosur në oborrin e Rezidencës së Libisë, në Dedinje. Kur doli për të mbajtur fjalim, në veshjen e tij tradicionale, deri te mikrofoni e përcollën 11 pjesëtarë të sigurimit: 6 meshkuj dhe 5 femra!

Ndërkaq, princi i Brunejit, Mohamed Bolkijah, në Samitin e mbajtur në vitin 2011, përveç 25 anëtarëve të delegacionit shtetëror, i kishte marrë edhe katër (4) gratë e veta, dhe i kishte rezervuar dy kate të Hotelit “Hayat” në Beograd !

      *

E në qoftë se pjesëmarrësit e Samit të të Paangazhuarëve do të shpëtojnë pa u infektuar me virusin C-19, shumë do të infektohen me virusin e propagandës serbo-ruse!   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA