...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rritet tensioni mes Turqisë dhe Greqisë dhe SHBA/NATO-Rusisë: amerikanët ‘rrëfejnë’ mitin

Erdogani ka dhe një arsye tjetër të karakterit politik; ai e di se elitat perëndimore kanë kontribuar në grushtin e shtetit në Turqi për rrëzimin e tij. Ky qëllim nuk është “fshirë” nga “axhenda” e elitave perëndimore dhe veçanërisht nga “axhenda” e Uashingtonit përsa kohë që Erdogani afrohet me Rusinë dhe nuk pranon të diktohet nga perëndimorët; ndaj Erdoganit i duhet Rusia ndërsa qendron në Nato dhe minon vendimarrjen e saj në rast lufte mes Lituanisë dhe Rusisë. Kjo është arsyeja se pse Nato-ja nuk do të mund të përfshihet në luftë të drejtëpërdrejtë me Rusinë dhe vendet perëndimore nuk do të mund ta mbrojnë Lituaninë në veçanti dhe vendet baltike në përgjithësi; sepse një tjetër, janë avantazhet ushtarake të Rusisë, me më kryesorin: raketat hipersonike.

Ylli Përmeti

13/07/2022 - 09:27

Qëllimi i Erdoganit me bllokimin e anëtarësisë në NATO të Suedisë dhe Finlandës ishte të merrte dritën jeshile për avionët ushtarakë (F-16, nga këta 40 do të blihen dhe 80 do të modernizohen) që kërkonte nga Uashingtoni dhe të detyronte vendet përkatëse të dorëzonin 73 “terroristë” të lidhur me organizatën e Gylenit dhe partinë komuniste kurde.

Qëllimin e parë e realizoi në parim ―sepse Bajdeni pranoi kërkesën e Erdoganit― por kërkesa e tij varet nga miratimi i kongresit amerikan. Qëllimin e dytë nuk e realizoi as në parim as në marrëveshje: sepse teksti thotë se Stokholmi dhe Helsinki do ta “ngrejnë” për diskutim kërkesën e ekstradimit ndërsa zyrtarët e vendeve përkatëse kanë thënë se vendimet mbi ekstradimet merren nga gjykatat dhe jo nga politikanët. Në tekstin e marrëveshjes përfshihet zotimi i Suedisë dhe Finlandës për të mos mbështetur grupet kurde dhe gylenistët.

Sidoqoftë, Erdogani kërcënoi një ditë më pas vendet në fjalë se nëse ata nuk ekstradojnë “terroristët” parlamenti turk do të rivendoste veto. Madje pak ditë më pas ministri i tij i drejtësisë ribëri kërkesën e ekstradimit. Bajdeni e falenderoi Erdoganin duke treguar dhe qëllimin e tij: zgjerimin e Nato-s në kufijtë e Rusisë me qëllim që të vazhdojë tensionin (ose “agresionin” e Nato-s siç e quan Moska) ushtarak kundër saj.

Por përpara mbledhjes së Nato-s në Madrid mësuam dhe strategjinë e “mbrojtjes” së Nato-s në vendet baltike: se ajo do t`i mbronte ata pasi të sulmoheshin dhe pushtoheshin nga Rusia! Kjo “strategji” është me rëndësi tejet të madhe për t`u kuptuar, sepse e njëjta strategji përdoret dhe për anëtarët e tjerë të Nato-s si Shqipëria dhe sepse ajo i mbivendoset artikullit 5 të aleancës në fjalë! Por ajo ndryshoi me rritjen e pranisë ushtarake të Nato-s atje duke synuar ndalimin e ndonjë pushtimi të mundshëm nga Rusia dhe jo lejimin e pushtimit të një vendi dhe më pas zhvillimin e luftës për ta rimarrë atë. Por as kjo “strategji” nuk garanton sigurinë e anëtarëve; arsyet do t`i shqyrtoj në vijim.

Nga të tre vendet baltike, Lituania mund të bëhet shkak për konfrontim ushtarak me Rusinë. Kjo e fundit ndaloi trenat rusë që çonin mallra (qymyr, çelik etj.) në Kaliningrad, enklavën ruse, e cila ka një popullsi prej rreth 1 milionë banorësh. Rusia ka flotën e saj detare atje dhe dhjetra mijëra trupa ushtarake. Lituania është kërcënuar nga Rusia me “ndikim serioz negativ mbi popullin” lituanez dhe e ka quajtur bllokadë veprimin e saj. Kufizimet filluan në mars dhe ata pak trena që kalojnë inspektohen me imtësi qoftë edhe kur kthehen nga Kaliningradi. Kancelari gjerman, Sholci, bëri thirrje për “shpërshkallëzim” duke këshilluar Lituaninë se po e tepëronte me mbikqyrjen e trafikut mes dy pjesëve të Rusisë.

Madje BE-ja, në përpjekjen e saj për të ulur tensionet, pas shumë javësh bisedimesh, mobilizoi Komisionin Evropian për të hartuar udhëzime për Lituaninë lidhur me transportin e mallrave ruse drejt Kaliningradit por duke përjashtuar çelikun dhe betonin dhe mallrat ushtarake dhe teknologjike me përdorim të dyfishtë ndalohen tërësisht pavarësisht mënyrës së transportit. Por BE-ja varet gjeopolitikisht nga Uashingtoni; kështuqë çdo masë “qetësuese” në këtë fazë është e përkohshme.  

Por autoritetet lituaneze po shkojnë në drejtim të kundërt: ato po përshkallëzojnë dinamikën anti-ruse duke përdorur flamuj dhe rrugë ku shkruhen parrulla që ushqejnë urrejtjen ndaj Moskës ndërsa nuk mungojnë zërat që mbështesin bllokimin e plotë të trenave rusë.  Kësaj dinamike i është shtuar dhe dinamika anti-komuniste duke hequr çdo simbol (statuja etj.) që kujton Bashkimin Sovjetik dhe luftën e madhe patriotike të sovjetëve.  

Këtë dinamikë do ta shfrytëzojnë amerikanët ose kur Rusia të përfundojë operacionet ushtarake në Ukrainë ose mund ta shfrytëzojnë paralelisht me qëllim që t`i hapin asaj dhe një front tjetër luftarak dhe ta rraskapisin deri sa ta “gjunjëzojnë”. Megjithëse mes Ukrainës dhe Lituanisë qendron një ndryshim; kjo e fundit është anëtare e Nato-s dhe kjo e fundit do ta ketë të vështirë të veprojë ushtarakisht kundër Rusisë në rast se Lituania sulmohet.

Aktualisht po qarkullon ideja e furnizimit të Kaliningradit nga ajri ose nga deti i zi, deti mesdhe, ngushtica e Gjiblartarit, Oqeani Atlantik, ngushtica e Lamanshit…dhe deti baltik. Por kjo është një rrugë tejet e gjatë dhe e rëndon Rusinë si lidhur me koston e transportit ashtu dhe lidhur me kohën. Kjo është një arsye se pse Rusia mund të përshkallëzojë përplasjen me Lituaninë. Një arsye tjetër ―vendimtare― është karakteri i vendimarrjes në Nato: ajo është e njëzëshme. Turqia me varësinë e saj ndaj Rusisë (në nivel ekonomik dhe ushtarak) do ta ketë të vështirë për mos të thënë të pamundur të miratojë kundërpërgjigjen e Nato-s.

Këtë fakt besoj e ka biseduar Putini me Erdoganin; madje Putini si kundërgjigje ndaj vizitës së Bajdenit në Lindjen e Mesme, ku synon të krijojë një grup të mbrojtjes rajonale që përfshin Izraelin dhe Arabinë Saudite, por jo palestinezët, kundër Iranit, njoftoi se do të vizitonte Teheranin ku do të takojë edhe Erdoganin në kuadër të procesit paqësor të Astanasë, i cili synon t`i japë fund luftës në Siri. Kjo është një arsye se pse Rusia nuk u shqetësua me miratimin e anëtarësisë së Suedisë dhe Finlandës nga Turqia (Putini e qartësoi këtë çështje kur tha se Rusia s`ka asnjë problem me vendet skandinave kur ato shprehën dëshirën për t`u anëtarësuar në Nato por nuk përmendi faktin se kur ato të jenë anëtare të Nato-s dhe të kenë forca dhe pajisje ushtarake atje, do të shënjestrohen nga raketat ruse!).

Erdogani ka dhe një arsye tjetër të karakterit politik; ai e di se elitat perëndimore kanë kontribuar në grushtin e shtetit në Turqi për rrëzimin e tij. Ky qëllim nuk është “fshirë” nga “axhenda” e elitave perëndimore dhe veçanërisht nga “axhenda” e Uashingtonit përsa kohë që Erdogani afrohet me Rusinë dhe nuk pranon të diktohet nga perëndimorët; ndaj Erdoganit i duhet Rusia ndërsa qendron në Nato dhe minon vendimarrjen e saj në rast lufte mes Lituanisë dhe Rusisë.  Kjo është arsyeja se pse Nato-ja nuk do të mund të përfshihet në luftë të drejtëpërdrejtë me Rusinë dhe vendet perëndimore nuk do të mund ta mbrojnë Lituaninë në veçanti dhe vendet baltike në përgjithësi; sepse një tjetër, janë avantazhet ushtarake të Rusisë, me më kryesorin: raketat hipersonike.

Për avantazhet në fjalë janë në dijeni deri diku perëndimorët (“deri diku”, sepse nuk kam parë ndonjë studim nga institucionet perëndimore ku të shqyrtohen avantazhet dhe dizavantazhet ushtarake mes Nato-s dhe Rusisë përveç qendrimeve të gazetarëve; as kam parë ndonjë konferencë ku të shqyrtohen çështjet në fjalë); ndaj ata nuk do të guxojnë të përfshihen në luftë me Rusinë dhe do ta lënë atë të rraskapitet me Lituaninë me shpresën se në proces do t`ia “gjejnë anën” për ta asgjësuar.

Ndryshe nga ky korolar, vendet baltike (gjithashtu, dhe vendet e Ballkanit Perëndimor me përjashtim të Serbisë) besojnë se anëtarësia e tyre në Nato e përfrikëson Rusinë dhe e bën atë ngurruese për veprim ushtarak, sepse, thonë ata, do të përballet me gjithë aleancën ushtarake! Por ky besim është profan, sepse nuk konsideron faktin se përfshirja në luftë e gjithë aleancës së Nato-s kundër Rusisë kalon nga miratimi i gjithë anëtarëve; as konsideron faktin tjetër se perëndimi me në krye Uashingtonin synon gjunjëzimin e Rusisë në këtë fazë dhe asgjësimin e saj në një fazë tjetër, pasi të ketë eliminuar avantazhet ushtarake ruse.

Nuk është e rastit që Pentagoni po përpiqet të zhvillojë armë hipersonike prej vitit 2015. Por ai ka dështuar dhe dështoi dhe me provën e fundit të zhvilluar ditën e fundit të qershorit (2022). Siç citon Bloomberg: “një provë fluturuese e një rakete hipersonike në Hawaii përfundoi në dështim për shkak të një problemi që u shkaktua pas ndezjes…duke i dhënë një goditje të re një programi [të Pentagonit] që po vuan pengesa”. 

Pentagoni gjendet nën trysninë e zbarkimit të sistemeve hipersonike ndërsa rivalët, Rusia, Kina dhe Korea Veriore po përparojnë me sistemet e hartuar që u shmangen interceptimeve duke fluturuar më shumë se pesë herë shpejtësinë e zërit dhe duke rrëshqitur në një rrugë të manovrueshme për të lëshuar edhe bomba bërthamore. Ministri i mbrojtjes amerikane, Lloyd Austin, ka pranuar në një dëgjesë publike së fundmi se “duhet të jemi të kujdesshëm” kundrejt armëve përkatëse duke nënkuptuar aftësinë dhe avantazhet e tyre. 

Dëftues është fakti se komentatori i politikave të jashtme i Financial Times, Gideon Rachman, kur ngre pyetjen e përjashtimit të Turqisë nga Nato-ja, nuk kundron fare për varësinë e Turqisë nga Rusia dhe për faktin se Erdogani nuk u beson elitave perëndimore jo vetëm sepse mbështetën grushtin e shtetit por edhe sepse ato kanë vazhduar të mbështesin Greqinë në politikat e saj ushtarake në rajon.

Të paktën tregon faktin se si e shikojnë perëndimorët Turqinë; sipas tij, “Deti i Zi është një rrugë kyçe për në Mesdhe dhe botën e gjerë si për Rusinë ashtu dhe për Ukrainën”. Dhe ngaqë është i tillë dhe gruri ukrainas mund të bllokohet nga një Turqi jashtë Nato-s, meqë kontrollon Bosforin, Rusia do të ishte në portat e Mesdheut, dhe “balanca e sigurisë në Lindjen e Mesme do të ndërlikohësh seriozisht”. Ndaj “duke ditur rëndësinë e madhe për Nato-n për t`iu kundërvënë Rusisë, është jetike më shumë se kurrë të mbahet Turqia brenda saj”.  

Ndërsa rrëfen një të vërtetë të madhe jozyrtare, qëllimin e Nato-s ―t`i kundërvihet Rusisë―Rachman tregon dije tejet të pjesshme lidhur me lëvizjet e Putinit: sepse ky i fundit ka filluar të punojë që kur filloi operacionin ushtarak në Ukrainë, për krijimin e “rrugëve” të tjera ―në Azi, më konkretisht, përmes korridorit Veri-Jug, që kalon nga Azerbajxhani, Irani, Arabia Saudite dhe India― për eksportimin e mallrave ruse rreth botës pikërisht sepse e di se Turqia mund të “drejtohet” nga një tjetër “drejtues” pas zgjedhjeve të vitit tjetër.

Rusia, në fjalë të tjera, po braktis dhe Mesdheun dhe po ia lë atë kolonive të reja të Uashingtonit dhe BE-së. Madje Moska ka plane të ndërtojë një hekurudhë për këtë korridor. Planet kanë filluar që në vitin 2000; ato mbështeten në praktikën e luftës së madhe patriotike kur furnizimet kalonin nga Irani drejt Bashkimit Sovjetik.

Shqetësimin e votës së Turqisë në Nato e shprehën dhe dy amerikanë: ish-ambasadori Mark Wallance në OKB dhe kreu i Projektit Turk Demokratik dhe Madeleine Joelson drejtuese ekzekutive e të njëjtit projekt; madje duke kundërshtuar strategjinë e Rahmanit ― që anëtarët e Nato-s të ofrojnë ndihmë ekonomike ndaj Turqisë në shkëmbim të bashkëpunimit për anëtarësimin e dy vendeve nordike. Sipas tyre, problemi me strategjinë e Rahmanit është se ajo shpërblen sjelljen e Erdoganit, sepse e inkurajon atë të shtyjë për më shumë lëshime herën tjetër kur Nato-s do t`i duhet një votë e njëzëshme që t`i shmanget një krize. Për këtë arsye ata këshillojnë pezullimin e anëtarësisë së Turqisë qoftë edhe përkohësisht. 

Këtë këshillë e mbështet dhe Athina. Madje ajo po përdor zërat e amerikanëve në fjalë për përparimin e saj. Vetë projekti për Turqinë demokratike synon t`i kundërvihet “autoritarizmit” të Erdoganit dhe ka filluar veprimtari në vitin 2021. Erdogani është në dijeni të veprimtarisë së “projektit” në fjalë dhe nuk mungojnë shqetësimet. Nismëtari i projektit është simpatizant i Gylenit dhe e sheh atë si një figurë të ngjashme me Gandin apo Lutherkingun. Me siguri do ta përdorë atë në qëllimin e tij: rrëzimin e Erdoganit në zgjedhjet e vitit tjetër. 

Greqia priste të mos miratohësh kërkesa e Erdoganit nga Uashingtoni gjatë mbledhjes së Nato-s. Por kur pa se Bajdeni e miratoi, madje pati dhe një takim “kokëpërkokë” me Erdoganin në veprimtaritë dytësore të Nato-s (ky ishte një qëllim tjetër i “ujkut” të Ankarasë), ku folën më gjatë se çdo herë tjetër, u shqetësua por u ngushëllua me faktin se kërkesa e tij varet nga kongresi amerikan ku ajo po bën ç`është e mundur të minojë kërkesën e tij me qëllim që të ruajë avantazhin e saj që ka krijuar së fundmi në ajër në raport me Turqinë.

Çështja e përplasjes greke dhe turke nuk u shtrua për diskutim në Nato, kryesisht sepse aleanca kërkoi t`i tregonte Rusisë “unitet” dhe jo përçarje. Por menjëherë pas mbarimit të mbledhjes Erdogani sulmoi sërish Greqinë duke e akuzuar atë për shkelje të traktateve dhe hapësirës ajrore turke me 147 herë dhe e kërcënoi atë se “do të duhet të japë llogari”.

Athina nuk shqetësohet edhe nëse miratohet nga kongresi amerikan kërkesa turke; sepse ajo është duke modernizuar 83 avionë F-16 në Viper ndërsa është miratuar modernizimi i 38 të tjerëve në F-16 dhe së shpejti pajiset me avionë të tjerë F-35 nga SHBA-ja, numri i parë i të cilëve mund të arrijë në vitin 2028 kur modernizimi i avionëve turq nuk do të ketë mbaruar. Këtë argument e mbështeti dhe një analizë e revistës “Forbes” sipas së cilës qoftë edhe nëse Turqia modernizon avionët F16, Greqia do të ketë një avantazh në fuqinë e saj ajrore.

Megjithatë, retorika politike ―e cila në variantin e saj të shtrembëruar nga demagogët e partive dhe qeverive nuk është e sinqertë― mes palëve, përshkallëzoi edhe një herë kur Devlet Bahçeli, aleati i Erdoganit në qeveri, tregoi një hartë (të ujqërve gri) të Turqisë e cila ndan Egjeun përgjysmë―sipas hartës së “atdheut të blertë”― por duke përfshirë këtë herë dhe Kretën. Kundrejt hartës përkatëse reagoi pala greke me Miçotaqin i cili e quajti atë ose “provokim” ose “qëllim” dhe kërkoi nga Erdogani të mbante qendrim.

Nuk mungoi dhe kundërpërgjigjja e popullit grek duke i treguar Bahçelisë hartën e saj sipas së cilës kufijtë e Greqisë shtrihen deri në mes të Turqisë. Kërkesës së Miçotakit kundrejt Erdoganit iu përgjigj “krahu i djathtë” i Bahçelisë, Jialcini, i cili është zëvendëskryetar i partisë së Veprimtarisë Kombëtare dhe deputet i Konstadinopojës. Sipas tij, ishujt që përfshihen në hartë janë dhuruar nga vendet perëndimore; ndaj pronar i vërtetë i tyre është kombi turk. Pas këtij pretendimi qendron fakti se disa ishuj janë dhuruar nga Italia pasi kishin kaluar nga Perandoria Otomane në pronësinë italiane.   

Ndërsa nga takimi i treshes në Teheran mes Putinit, Erdoganit dhe Raisit mund të bisedohet edhe për nevojën e Turqisë për t`u pajisur me avionë luftarakë, rivalë të denjë të avionëve amerikanë, me të cilët po pajiset Greqia, dhe ta shtyjë Ankaranë më tej drejt Rusisë dhe larg perëndimit, amerikanët neoliberalë që citova në këtë shqyrtesë, rrëfyen një të vërtetë: faktin se Turqia mund t`i bëjë “gjëmën” aleancës së Nato-s në rast ‘krize’ por pa e sqaruar se për çfarë lloj “krize” bëhet fjalë! Por është e qartë se bëhet fjalë për “krizën” që pritet mes Nato-s dhe Rusisë dhe efektit të votës turke në aleancë. Kështu, nëse Erdogani ble avionë luftarakë rusë, me siguri Turqia do të pezullohet por nuk do të përjashtohet nga aleanca. Pezullimi do të shkaktojë efektin tjetër: përshkallëzimin e konfliktit me Greqinë dhe marrëdhënieve me BE-në... 

Përditësuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA