...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shfarosja e jetës planetare: rasti i plastikës dhe hipokrizia kriminale e njerëzve

Të gjitha këto përpjekje, megjithëse tejet të nevojshme për kushtet kriminale që janë krijuar, nuk tregojnë as shkaqet e vërtetë të ndotjes së mjedisit me plastikë e as nxjerrin mësime nga përpjekjet e Suedisë: sepsa plastika është vetëm një nga ndotësit dhe përdorimi i saj u nxitë nga elitat dhe ndërmarrjet kapitaliste njëherësh, për të ulur koston dhe për të rritur estetikën e ekonomisë së marketingut — domethënë, për të rritur konsumin dhe fitimet!

Ylli Përmeti

31/03/2018 - 09:27

Ndotja me plastikë ka marrë përmasa të hatashme dhe është e kudondodhshme dhe në një nivel alarmant. Niveli i saj filloi të kuptohësh kur studiuesit filluan ta tregonin me video. Thënë ndryshe, mendja e elitave dhe popujve nuk e kuptonte se ku përfundonin mbetjet e tyre por nevojitësh video që ta shikonte syri dhe të bindësh mendja! Kështu, për shembull, Jennifer Lavers, një studiuese e Universitetit të Tasmanias, në një konferencë në Berlin filloi fjalën e saj duke cituar: “operativët nga kontraktori i mbeturinave të qytetit shkarkuan një qind thasë 60 litërsh prej plastikë rreth skenës. Duke folur pas gardhit të plehrave, ekologjistja i tha audiencës: “këto mbeturina janë të barabarta me dy ditë konsumi për 750 individë të auditorit. Më pas ajo tregoi fotografi tronditëse që kishte realizuar në ishujt e pabanueshëm të Hendersonit në jug të Paqësorit, një nga vendet më të largët të tokës. Brigje që mbuloheshin me rërë të paprekur në ‘90 tani mbulohen me pirgje plastike të nxjerra nga uji i vendeve rreth buzës së Paqësorit dhe përtej — një sasi e vlerësuar prej 37 milion copëza që peshojnë 18 tonë - kur llogaritet se çdo vit rreth 8 milion tonë shkarkohet në oqean.

Mësime nga lagjja “Arapaj-Durrës”, kultura revolucionare suedeze dhe përpjekjet modeste të BE-së për mbetjet me një teknologji të re

Por kjo është vetëm maja e ajzbergut: sepse ndërsa pjesët e mëdha të mbeturinave plastike duken mbi brigje dhe në oqeane, toksikologjistët tregojnë copëzat e vogla që nuk duken, të njohura përgjithësisht si mikroplastikë, përmasa e të cilave është në fraksionet e një milimetri. Shumë mikroplastika vijnë nga zbërthimi i plastikës por disa janë manifakturuar si “mikrobula” për të shtuar një karakter gërryes në prodhimet e shëndetit dhe bukurisë, duke përfshirë pastat e dhëmbëve dhe kremra shfletëzues. “Kokërrizat” janë një tjetër burim; këto janë kokërriza të vogla që përdoren për të krijuar prodhime plastike, të cilat gjejnë rrugën e tyre në det përmes derdhjeve dhe shpërdorimit. Peshqit dhe zogjtë hanë mikroplastikën, e cila duket si kafshatë e përsosur për t’u kafshuar të një ushqimi të vërtetë. Brenda zorrës ato veprojnë si helm, njëherësh përmes pranisë së tyre fizike dhe çlirimit të kimikateve toksike — duke përfshirë molekula të brendshme që përfshihen në manifakturën e plastikës dhe toksina të jashtme si DDT dhe PCB — që ato kanë absorbuar në det. Kur ne filluam, citon studiuesja, t’i mbikqyrnim këto shpend më shumë se një dekadë më parë, përqindja që përmbante plastikë ishte 70 për qind. Tani është 100 për qind!

Çdo shpend në ishullin e Lord Howe përmban plastikë. Analizat tregojnë se zogjtë foshnje ushqehen më shumë me plastikë nga prindërit e tyre dhe kanë krahë më të shkurtër dhe shëndet më të keqë. Në një zog tre-mujorshe u gjetën 225 copëza plastike në stomak që peshonin 10 për qind e trupit të saj. Kjo do të ishte e barabartë me 6-10 kg plastikë në trupin e njeriut. Rreth botës zogjtë e detit po rrënohen me shpejtësi më të madhe se çdo grup tjetër zogjsh. Numri i specieve detare — peshqit, gjitarët, shpendët dhe jokërbishtorët — që njihen se janë ndikuar negativisht nga mbetjet plastike është rritur nga rreth 260 kur vlerësimi i parë u ndërmor në vitin 1995 në 690 në vitin 2015 dhe tani në 1,450.

Studiues të tjerë të Universitetit Heriot-Watt në Edinburgh tregojnë se brigjet në Scapa Flow në Orkneys përmbajnë ndotje me mikroplastikë sa Clyde dhe Firthi i Forthit: rreth 1,000 copëza të vogla dhe fibra për çdo kilogram fundërrese. Toksikologjistët shqetësohen për kimikatet e tjerë të dëmshëm si merkuri në peshk. Mikroplastika është një problem tinëzar afat-gjatë. Si rezultat, studiuesit propozojnë pastrimin e oqeaneve (rreth 5 trilion copëza plastike) dhe ndalimin e shkarkimit të tyre. Por përparësia duhet të jetë parandalimi: duke ndërprerë shpejtë rrjedhën e tetë milion tonëve çdo vit — gjysma e të cilit buron nga lumenjtë. Kjo do të thotë ndryshimin e sjelljes së konsumatorëve dhe hartimin e prodhimit të plastikës — me dekurajimin e prodhimit të plastikës se padomosdoshme, veçanërisht për paketim, dhe riciklimin e saj. Në këtë drejtim, manifakturuesit duhet të hartojnë prodhime të riciklueshme, duke transformuar ekonominë tradicionale lineare (krijo, përdor, asgjëso) në një “ekonomi rrethore”: ku paketimi është i domosdoshëm, ai duhet të jetë i thjeshtë dhe i lehtë për t’u kuptuar me qëllim që impiantet e riciklimit me makineri automatike nuk përballen me materiale të ndryshme të përziera ose të lidhura bashkë. Ndërsa industria përballet me “mikrobula”, shqetësimi po rritet për një tjetër mikrondotës të kudondoshëm: fibrat plastike. Analizat tregojnë se ato gjenden në përrenj, lumenj, liqene dhe dete përgjatë gjithë planetit, gjithashtu dhe në ujin e pijshëm. Burimi i tyre kryesor është industria e veshjeve dhe tekstileve të bëra nga fibra sintetike, të cilat shkëputen nga makina larëse dhe nuk filtrohen nga impiantet e trajtimit të ujit.[1]

Duke parë këtë masakër të dukshme dhe të padukshme, dhe duke parë ndjeshmërinë e publikut pas publikimit të videove —sa mend kërkohen të kuptohet efekti i mikroplastikës ne ekosistem?!— BE-ja shkoi një hap më tej: duke hartuar një kuadër programor studimor me moton: “një oqean të lirë nga plastika”. Objektivi është të reduktohet sasia e plastikës që hynë në mjedisin e detit me 90 për qind, dhe mbledhjen e më shumë se gjysmës së plastikës në oqeane, dete dhe zona bregdetare. Kjo do të thotë ndalimin e 7.2 milion tonëve të plastikës që hynë në mjedisin detar dhe mbledhjen e 2 milion tonëve në vit duke konkluduar se një horizont ambicioz dhe i realizueshëm do të ishte për rreth 10 vjet. Sfida më e madhe teknologjike është pastrimi i plastikës nga oqeanet përmes rrjetave dhe traversave gjatësore që lëvizin përgjatë sipërfaqes së ujit të cilat do të mbledhin mbeturinat — pa dëmtuar jetën e oqeanit. Synimi i parë mund të jetë përdredhja, rryma rrotulluese ku mblidhet plastika. Nisma “Ocean Cleanup” nga një fondacion Hollandez që planifikon të fillojë një operacion pastrues këtë vit, vlerësoi në një studim se qendra e madhe oqeanike mes Amerikës veriore dhe Azisë përmban 1.8 trilion copëza plastiku që peshojnë 80,000 tonë dhe mbulojnë 1.6 milion km² të Paqësorit verior mes Kalifornisë dhe Hawaii-it. Meqënse rezultati tregon se sasia e mikroplastikës së kërcënueshme do të rritet më shumë se dhjetëfish nëse lihet të zbërthehet, koha për të filluar, argumentojnë nismëtarët, është tani. Rrjetat lundruese shkojnë tre metra thellë në det, të mbajtura me tuba tejet të fortë në formë U-je prej 1 km të gjatë dhe mbahen të palëvizura nga një parashutë e vogël ose spirancë deti. Kështu ndërsa rrymat e oqeanit rrjedhin ato mbledhin përgjet me plastikë, të cilat mund të mblidhen çdo dy muaj nga anijet për riciklim dhe djegie. Nëse prova e këtij viti shkon mirë, deri në vitin 2020-të mund të jenë krijuar deri 60 mbledhës duke pastruar rreth gjysmën e plastikës në atë pjesë brenda pesë vjetëve.

Ndalimi i plastikës, argumentojnë autorët, kërkon ndryshim të madh në sjelljen e konsumatorëve dhe hartim prodhimi — duke u nxitur nga një angazhim global nga qeveritë dhe biznesi për të ndaluar gradualisht plastikën e njëpërdorshme, veçanërisht për paketim, dhe lehtësimin e riciklimit të mbetjeve të tjera. Kjo ekonomi qarkore ka nevojë për prodhime plastike të cila të kenë një hartim të vetëm në të cilën përbërësit e ndryshëm ndahen lehtësisht dhe polimeri nga i cili ato krijohen dëftohet lehtë. Vetëm dy tipe polimeri riciklohen sot: PET dhe polimethileni, duke paraqitur vetëm 9 për qind dhe 37 për qind të prodhimit të plastikës. Studiuesit po zhvillojnë teknologji ricikluese për kimikate të tjera me kosto-efektive për lloj tjetër plastike siç është polisterina. Këto përpjekje rrisin shpresat se përqindja e riciklimit për plastikën do të jetë më e lartë se sot.[2] Por të gjitha këto përpjekje, megjithëse tejet të nevojshme për kushtet kriminale që janë krijuar, nuk tregojnë as shkaqet e vërtetë të ndotjes së mjedisit me plastikë e as nxjerrin mësime nga përpjekjet e Suedisë: sepsa plastika është vetëm një nga ndotësit dhe përdorimi i saj u nxitë nga elitat dhe ndërmarrjet kapitaliste njëherësh, për të ulur koston dhe për të rritur estetikën e ekonomisë së marketingut — domethënë, për të rritur konsumin dhe fitimet!                           



[1]The problem with plastic: can our oceans survive? FT, Jan 24, 2018.

[2]Tackling plastic pollution needs policy and new science, FT, 29 March 2018.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA