...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shtrembërimi` karakterit të shtetit nga partitë e raja: Qori udhëheq dinamikën

Tre lëvizjet e reja politike, që zakonisht paraqiten si katër nga “gazetarët” e oligarkisë, Lëvizja Bashkë, me në krye Qorin; Lëvizja Thurje, me në krye Shabanin, e cila “polli” më pas “Shqipëria Bëhet”, me në krye Lapajn; dhe partia “Mundësia” me në krye Agron Shehajt, kanë disa anë të përbashkëta por kanë dhe ndryshime të rëndësishme

Ylli Përmeti

31/03/2025 - 09:21

Tre lëvizjet e reja politike, që zakonisht paraqiten si katër nga “gazetarët” e oligarkisë, Lëvizja Bashkë, me në krye Qorin; Lëvizja Thurje, me në krye Shabanin, e cila “polli” më pas “Shqipëria Bëhet”, me në krye Lapajn; dhe partia “Mundësia” me në krye Agron Shehajt, kanë disa anë të përbashkëta por kanë dhe ndryshime të rëndësishme. Një anë e përbashkët është se të treja tregojnë “oligarkinë” si pengesë të përparimit të Shqipërisë por kur orvaten të tregojnë karakterin e saj, ndryshojnë. Sipas Lëvizjes Bashkë “oligarki është vetëm pushteti ekonomik” ose pasanikët e mëdhenj të Shqipërisë, ndërsa sipas Shabanit, Llapajt dhe Shehajt, ajo përfshin dhe pushtetin politik por as edhe ata s`e përcaktojnë atë, pavarësisht se këtej unë kam vite që jam përqendruar tek qendrimet e padrejta të Qorit dhe klasës sonë politike në tërësi, lidhur me karakterin e oligarkisë dhe pavarësisht se lëvizja Thurje ka kryetar Shabanin, i cili ndryshe nga të tjerët ka fituar, siç thotë, titullin e “doktorit” në filozofi dhe politikë në Universitetin e Oksfordit.

Rreziku që paraqesin këto lëvizje politike për popullin lidhur me mos tregimin e karakterit të shtetit tonë është i madh: sepse ai do të vazhdojë të besojë, siç beson, se jeton në “demokraci”, kur dihet se kushtetuta jonë quhet “republikë parlamentare” dhe zgjedhjet për përfaqësues të rinj mbahen një herë në katër vjet, (ndaj e quajmë “demokraci” përfaqësuese) të cilët përzgjidhen nga partitë politike dhe jo nga populli dhe në vijim përqendrojnë pushtetin politik dhe ekonomik dhe krijojnë atë që quhet oligarki politike dhe ekonomike, e cila nuk i jep llogari popullit por pikërisht për shkak se kërkon të integrohet në BE ku globalizmi neoliberal ka marrë përmasa të tmerrshme, kërkon mbështetjen e fuqive të huaja që në fillimet e saj (filloi me Ramizin kur braktisi socializmin marksist dhe bashkë me të dhe shkallën e lartë të pavarësisë ekonomike që kishte fituar socializmi` kohës dhe krijoi katër partitë e para: Fatos Nano/PS; Sali Berisha/PD; Skënder Gjinushi dhe Sabri Godo kryetarë të dy partive të tjera dhe po vazhdon me sorosistët e rinj), dhe popullit tonë i ka mbetur “ora” në vitin 1990, kur kërkonte integrimin në BE, për pasojë, klasa jonë politike i jep llogari Brukselit ndërsa populli thjesht ftohet të votojë.

Shehajt i falet deri diku mos tregimi i karakterit të shtetit tonë meqënse një drejtues ndërmarrjeje kapitaliste është. Por Lapajt, i cili shpesh mburret me kualifikimin e tij si avokat, dhe Shabanit dhe Qorit, të cilët për nga kualifikimi qendrojnë më lartë se Lapaj dhe Shehaj, nuk u falet, sepse shkencat politike dhe shoqërore janë më gjithëpërfshirëse se shkenca juridike, dhe si të tillë ata duhet të ishin kritikë ndaj karakterit të shtetit tonë. Shabani, në fakt, nuk do ta kritikonte kurrë karakterin e shtetit tonë meqënse e ka vërtetuar në mënyrë të përsëritur se është “elitist”. Nuk janë të pakta rastet kur kërkon nga Berisha por dhe kur u ankohet “gazetarëve” të oligarkisë se klasa jonë politike nuk “lejon qarkullimin e elitave”. Ky pohim por dhe fakti se për t`u bërë “filozof” u bë falë bursës së Sorosit, tregon qartë se çfarë “filozofie” ka ai në mendje dhe për çfarë filozofie e kanë kualifikuar të ngjashmit e tij në Oksford.

Aristoteli dhe katër format e oligarkive: pse demagogët e partive politike e shtrembërojnë konceptin?

Ndryshe nga Shabani paraqitet Qori: ai flet për demokraci dhe oligarki por dhe për të vërtetën e plotë, por s`ka treguar as karakterin e demokracisë dhe as të oligarkisë në teori, se në praktikë është deri diku demokratik, nëse gjykojmë nga statusi, vendimet dhe veprimtaria e lëvizjes përkatëse. Por dihet se kur konceptet e demokracisë dhe oligarkisë shtrembërohen në teori dhe për më tepër pretendohet se i thuhet popullit e “vërteta e plotë” lidhur me karakterin e shtetit, shpresa se lëvizja në fjalë do të themelojë demokracinë e vërtetë dhe do të asgjësojë oligarkinë, nëse vjen në pushtet, shuhet. Dhe ndryshe nga tre të parët, Qori ka një qasje ideologjike deri diku të majtë: ai lufton për shtresat shoqërore që u shkelen të drejtat ndërsa tre të parët bëjnë sikur luftojnë zvetënimin (ose korrupsionin).

Ato “bëjnë sikur” luftojnë zvetënimin jo vetëm sepse nuk kuptojnë shkaqet e zvetënimit por dhe sepse e kanë treguar me veprime (Thurja ose Shabani-Lapaj përmes padive ndërsa Shehaj përmes sulmeve si deputet), se luftojnë vetëm zvetënimin e kundërshtarëve ose pushtetarëve të qeverive “Rama”. Thurjes i shtohet dhe një anë tjetër: se ajo e ka filluar veprimtarinë e saj politike duke pranuar parátë e oligarkive, të huaja (me në krye Sorosin) dhe vendore (me në krye katër familjet pronare të medias kryesore në vendin tonë: Top Media; Klan; Vizion; dhe G2 Media, të cilat subvencionohen nga qeveria në këmbim të mbështetjes: Freedom House: 2024). Familjet përkatëse mbikëqyrnin 86.94 për qind të ndjekshmërisë televizive në “pesë muajt e parë të vitit 2023”. Që nga ai vit gjendja mediatike nuk ka ndryshuar; përkundrazi: televizionet përkatëse vazhdojnë të mbështesin qeverinë duke censuruar të vërteta të vyera për popullin.

Madje, në vitin 2018 raportohej, sipas një studimi, se autoriteti i mediave autovizuale firmoste “monopole me lejet elektronike ose digjitale” ose me katër familjet e medias ndërkohë që katër botuesit kryesorë mbikëqyrnin bashkërisht 86.5 për qind të tregut të shtypit” por “tre familje” mbanin pesë lejet e transmetimit digjital, nga të cilat vetëm një familje kishte marrë tre leje. Në këtë mënyrë Autoriteti Rregullator i Medias nënshkroi “një monopol” tjetër sipas studimit. Megjithatë, ai vit me vitin 2025 ka pësuar disa ndryshime; disa media (si Report tv) kanë fituar më shumë ndjekshmëri, falë subvencioneve të qeverisë ndërsa të tjera kanë humbur.

Ligji i medias, në fjalë të tjetra, i cili kërkon “informim objektiv” ose “dijësim të drejtë” të popullit dhe të “paanshëm” por dhe deontologjia ose detyra gazetareske, ose zbatimi i parimit të “rëndësisë” mbi ngjarjet, shkelen me të dyja këmbët dhe krerët e rinj, si Arlind Qori, as që e kanë idenë nga realiteti mediatik por na tregojnë se televizionet diktohen vetëm nga “oligarkët ekonomikë” kur faktet tregojnë se janë Rama dhe Berisha ata që kanë kapur oligarkët ekonomikë, ku përfshihen dhe pronarët e medias, dhe jo e kundërta. Një rast “flagrant” që tregon kapjen e oligarkisë mediatike që në fillimet e saj është pohimi` Bushatit, jogazetarit që paraqitet si gazetar, madje, mbështetjen e tij e përdor Qori si “testament” vërtetësie, pikërisht në “studion” e LB, ku tregoi se si Rama nënshkroi lejen e Klanit të vitit 2001, kur u bë televizioni` parë kombëtar privat, dhe i kërkoi atij jo vetëm pará të thata por dhe mbështetje politike!

Sikur të mos mjaftonte ky fakt –thënë symësy me Arlindin dhe hamendësisht i dëgjuar nga anëtarët e tjerë të organizatës dhe mbështetësit e saj, një rast tjetër, nga më “spektakolarët” që kam hetuar unë së fundmi, është ABCnews. Kur mësova se e bleu Devolli nga Kosova dhe ia hoqi Berishës një megafon të rëndësishëm, me pronare përfundimtare Athinën, kërkova takim me të me qëllim që të bashkëpunonim, dhe pas disa përpjekjeve dhe takimeve të mija, mësova se televizioni përkatës ishte blerë nga dy oligarkë ekonomikë, Devolli dhe Kastrati, pasi, sigurisht, u kishte garantuar Rama treg (njërit kryesisht për birrën e tij) dhe tjetrit për naftën. Si pasojë, Kastrati tejkaloi Manen në pasuri vitin e kaluar.

Dhe ky është vetëm një rast nga jeta ose përpjekjet e mija për të punuar në media. Si ai, kam hetuar dhjetra të tjerë në të kaluarën. Kjo është arsyeja kryesore se pse hoqa dorë nga dëshira ime për të punuar për ABCnews: sepse e kuptova se nuk do të më pranonin pavarësisht se më pranoi si fillim Amarda Kapaj, si drejtoreshë fillestare e telelvizionit përkatës, kur më tha se kishte nevojë për gazetarë dhe se ishte e gatshme të më pranonte. Dyshimet e mija lindën po atë ditë kur mësova se në televizionin përkatës punonte Sokol Balla si drejtor lajmesh. Por me një ndryshim: lidhjet politike të Ballës me partinë “socialiste” janë më të forta ndërsa Kapaj i ka shërbyer dhe pushtetit të Berishës kur ABCnews ishte megafon për të, megjithëse në një farë mënyre, edhe Balla i ka shërbyer Berishës.

Çështja, rrjedhimisht, nuk është se media jonë është kapur nga “oligarkia ekonomike” siç pretendon Qori, por se ajo është kapur nga oligarkia politike, Rama-Berisha, që në fillimet e saj, si duke i mjel sa herë kanë nevojë për të mbijetuar politikisht ashtu dhe duke kërkuar drejtpërdrejt mbështetje politike. Sigurisht që pasanikët e mëdhenj, tipat si Kastrati dhe Mania, kanë ndikim në televizionet përkatëse meqënse shpenzojnë miliona në ta por ata e dinë se nuk kanë pushtetin politik që ka Rama apo Berisha ose mbështetjen e tyre politike, me rreth 700 mijë vota çdonjëri. Ndaj dhe fjalën e fundit në televizione e kanë oligarkët politikë ose Rama dhe Berisha dhe ndaj oligarkët ekonomikë përshtaten në epshet e tyre dhe përfitojnë.

Akuza e Qorit, në fjalë të tjera, të cilës i ka dhënë karakter programor, nuk është thjesht e padrejtë parë nga një këndvështrim pushtetor, por dhe çoroditëse, pavarësisht se ai ka të drejtë kur ankohet se nuk ftohet shpesh nga telelvizionet. Por në vend që të shënjestrojë shkaktarët e vërtetë të shthurjes së televizioneve, Ramën dhe Berishën, dhe deri më dje dhe Metën, megjithëse edhe ai mund të vazhdojë të ndikojë në Oranews nga burgu apo përmes sekserëve, shenjestron “pjellën” e tyre: oligarkinë ekonomike! Këtë fakt e tregoi dhe kur u përballë me Fevziun, më pak se gjysmë “gazetarin” e oligarkisë, kur i tregonte atij se Fevziu diktohet nga oligarkët ekonomikë, ndaj s`e ftonte! Nga ana tjetër, Fevziu u përbetua se në “27 vjet” nuk ishte diktuar nga asnjëri! Edhe mund të jetë ashtu siç thotë por ai duhet të besohet vetëm kur të hetohet nga organet tona të drejtësisë.

Qori, në fakt, nuk u tregua dhe aq i përgatitur lidhur me krerët e tjerë të partive të reja, sepse u pajtua me pretendimin e Fevzos se edhe ata ishin ftuar po aq sa ai, por të nesërmen kreu një hetim dhe paraqiti disa shifra: sipas tij, ai kishte “qenë vetëm 2 herë në Tvklan në 6 vite” ndërsa “të tjerët kanë qenë disa herë më shumë. Agron Shehaj 29 herë në emisionet “Opinion”, “ZONE E LIRE”, “E Diela Shqiptare” “Në kurthin e Piter Pan” dhe edicionin e lajmeve. Adriatik Lapaj 23 herë në emsionet “Opinion”, “Zonë e Lirë” dhe edicionin e lajmeve, përfshirë këtu edhe një debat me kryeministrin Edi Rama në vitin 2021. Endri Shabani 12 herë, në emisionet “Opinion” dhe “Rudina”, përfshirë këtu edhe emisioni e datës 16 janar 2020, në të cilin u shfaq edhe reportazhi për minierën e Albchrome të Samir Manes, si antipropagandë ndaj grevës së minatorëve të Bulqizës”.

Qori nuk u tregua dhe aq mbrojtës i të vërtetës edhe kur Fevzua tha se “unë nuk diktohem” nga asnjëri se cilin do të ftoj, kur mund t`i thoshte se në bazë të ligjit të medias dhe deontologjisë gazetareske ai duhet t`i shërbejë të vërtetës së plotë dhe nëse ai pretendonte se i kishte shërbyer, t`i përgjigjej ose me ndonjë hetim ose me raste konkrete, si rasti im, sepse s`janë njësoj çështjet që ngre unë me çështjet që gre Fevzua; as janë çështjet e mija të njëjta, për nga rëndësia, me çështjet që ngre Qori. Për shembull, vetëm javët e fundit unë kam ngritur, mes shumë çështjesh me karakter gjeopolitik dhe ekologjik, çështjen e ushqimit, e cila prek gjithë popullin; madje dhe oligarkinë tonë, sepse shumë anëtarë të saj, ku përfshihet Rama, janë idiotë sa u përket çështjeve të ushqimit.

Ndryshe nga unë, që merrem me studime, Fevziu merret me “opinione” (në fund të fundit i tillë është programi` tij) dhe nuk guxon që studimet e mija t`i vendosë temë në emisionin e tij, edhe pse ia kërkon ligji dhe detyra e tij, ndërsa Qori ngriti me të drejtë disa shkelje të të drejtave të punëtorëve, por ato janë të dorës së dytë për nga rëndësia krahasuar me shëndetin e popullit; sepse pa luftuar për shëndetin e popullit në tërësi apo të drejtën e tij për të jetuar, s`mund të luftosh për disa shkelje të drejtash në punë. Edhe nëse ato të drejta fitohen, po shëndeti i punëtorëve si do të fitohet kur ti s`lufton për të?

Një anë tjetër e përbashkët, mes partive të reja politike, është fakti se ato janë të gjitha “social-demokrate”. Por asnjëra nga ato nuk ka përmendur parimet themelore të social-demokracisë! Kujtoj se parti social-demokrate ka patur plotë në Shqipëri që kur u braktis socializmi marksist, me partitë e Milos dhe Gjinushit. Por edhe ato s`kanë treguar ndonjë herë parimit themelore të atij sistemi! “Mundësia” e Shehajt, për shembull, s`ka njoftuar ndonjë plan politik përveç mëtimit se është një “alternativë e re e qendrës së djathtë”, meqënse sipas saj, “politika është e ndarë”. Ndaj, sipas saj, nevojitet të përqendrohemi te “zhvillimi ekonomik, liria individuale dhe mbrojtja e vlerave tradicionale”. Ajo beson, gjithashtu, se “përmes inovacionit dhe bashkëpunimit” “mund të ndërtojmë një shoqëri të fortë dhe të qëndrueshme, ku secili ka mundësi”.

Partia pa program e Shehajt dhe gjysmë të vërtetat e tij   

...

*Pjesë nga një shqyrtesë më e gjerë, e cila do të botohet së shpejti

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA