...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si ta kuptojmë vizitën e Vuçiçit në Kosovë: ishte për paqe apo...?

Çfarë është me rëndësi në këtë pjesë të fjalimit të Vuçiçit është se ai, si kryetar i Serbisë, për herë të parë pranoi se Serbia ka marrë pjesë drejtpërdrejt në luftërat e zhvilluara, “zyrtarisht e jo zyrtarisht”. Këtë deri më tash nuk e ka pranuar as nuk e ka thënë asnjë zyrtar i lartë i Serbisë

Adil Fetahu

15/09/2018 - 15:10

Pas fjalimit “historik” që mbjati kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, para një grumbulli serbësh në Mitrovicë, më 9 shtator 2018, pati shumë komente, vështrime e vlerësime, në Serbi (më së shumti), por edhe në Kosovë e jashtë saj. Vlerësimet ishin nga më të ndryshmet. Ithtarët e Vuçiçit e quajtën (dhe vazhdojnë ta quajnë) fjalim historik për përmirësimin e marrëdhënieve serbo-shqiptare dhe për mbrojtjen e Kosovës në kuadër të Serbisë e për qëndrimin e sigurt të serbëve në Kosovë. Opozita në Serbi e quajti fjalim bosh që nuk tha asgjë të re, përveçse përsëriti shashkat e thëna sa e sa herë deri më tash. Politikanët, analistët dhe mediat në Kosovë  e quajtën propagandë dhe lavdërim e rehabilitim të Millosheviçit. Përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar ishin të kënaqur me fjalët jo “luftënxitëse”që dëgjuan nga Vuçiçi përveç BE-së e cila dënoi vlerësimin e tij për Molosheviçin.

Sidoqoftë, shumica e atyre që bënë vlerësime as që e kanë lexuar tekstin e plotë  integral të fjalimit. Dhe kjo gjendje ma kujton një thënie nga forumet partiake të komunistëve gjysëm analfabetë jugosllavë kur shqyrtonin ndonjë raport apo informatë thoshin: “Materialin nuk e kam lexuar por kam vërjejte serioze në të”!

Fjalimin e plotë të Vuçiçit,  të botuar në  gazetën“Novosti” të Beogradit (dt.9 shtator), e lexova dy herë, prandaj i jap vetes të drejtë ta vlerësoj e komentoj me kompetencë, jo të shkëputur nga konteksti, por në tërësinë  e tekstit dhe kontekstit.

Pjesëmarrësit në “miting

Për dallim nga mitingu i Millosheviçit në Gazimestan (1989) ku morën pjesë mbi njëqindmijë serbë nga e gjithë Jugosllavia (mediat serbe asokohe thoshin se ishin një milion!) dhe krijohej përshtypja se të gjithë klerikët e Kishës Ortodokse Serbe ishin tubuar aty...mitingu i Vuçiçit në Mitrovicë (2018) mezi arriti të tubonte nja 2-3 mijë vetë dhe ata kryesisht punëtorë serbë, të cilët paguhen nga buxheti i Serbisë. Organizatorët paraprakisht kanë përpiluar listat me emrat dhe nënshkrimet e  atyre që do të marrin pjesë në miting, ndërsa nëse ka pasur ndonjë që nuk janë nënshkruar si pjesëmarrës u kërkua të jepnin deklaratë me shkrim për shkakun e mospjesëmarrjes (rasti i profesorit të biologjisë në një shkollë të Kamenicës/Dardanës). Sheshi “Shumadia” në Mitrovicë ishte i mbushur me flamuj shtetëror e partiakë të Serbisë. Por vëzhguesi i vëmendshëm mund të vërejë se as në vizitën e Gazivodës as në  mitingun e Mitrovicës  nuk u pa asnjë peshkop a klerik tjetër, me ikonografinë e tyre kishtare. Do të thotë se këtë herë Kisha e bojkotoi Vuçiçin dhe kjo është mjaft e rëndësishme.

Fjalimi patetik: plot lavdërime e premtime

Vuçiçi ka një stil të veçantë të fjalimeve me figura e kode, herë “të ëmbla” herë plot helm,  të cilat mund t’i zbërthejnë vetëm njohësit e stilit dhe të politikës së tij. Pasi i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në miting dhe për ruajtjen dhe mbrojtjen serbe të Kosovë-Metohisë, plotë patetizëm i pyeti serbët e Kosovës se nuk e di nëse e kanë pasur më vështirë në vitet: ’98, ’99, 2000, 2004, 2008 apo sot?! Përkundër këtyre vështirësive, unë nuk mund as nuk guxoj të hesht, e aq më pak. të gënjej. Prandaj, tha Vuçiçi, po filloj nga pjesa më e rëndë, nga gjithë ajo që kemi besuar, gjithë ajo që kemi ëndërruar, nga iluzioni i madh që kishim për vete dhe për të tjerët, iluzioni se jemi të mbifuqishëm, më të shumtë dhe thuajse të përbotshëm, ndërsa të tjerët  janë më të dobët, më budallenjë dhe më të paaftë se ne. Në këtë kontekst, Vuçiçi përmendi mitingun e Gazimestanit (1989), ku të gjithë, në kor, këndonin këngën: “Kush po t`thotë, kush po gënjen se Serbia është e vogël”. Në atë këngë përmedën tri luftëra, e pastaj patëm edhe disa (luftëra) të tjera. Jo për fajin tonë por jo as ekskluzivisht për fajin e të tjerëve. Zyrtarisht dhe jozyrtarisht, i kemi ndihmuar vëllezërit, Serbët vdisnin në Knin, në Sarajevë, në Prishtinë. Në ato vende tash ka pak serbë. Dhe kjo ka ndodhur jo se Kroatët, Myslimanët ose Shqiptarët ishin më të fortë apo më trima se ne por për shkak se nuk e kishim kuptuar pozicionin e Serbisë në botë (…).  Në këtë kontekst, Vuçiçi e përmendi Millosheviçin, për të cilin tha se “ishte lider i madh serb, qëllimet gjithësesi i kishte më të mirat, por rezultatet i kishim shumë të këqija. Jo se ai i dëshironte ato, por për shkak se dëshirat nuk ishin reale, ndërsa interesat dhe përpjekjet e popujve të tjerë i kemi neglizhuar dhe nënçmuar. Prandaj kemi paguar çmimin më të lartë dhe më të rëndë”, tha Vuçiçi.

Në këtë pjesë të fjalimit të Vuçiçit, edhe pse e quan lider të madh dhe thotë se ka pasur qëllimet më të mira, unë nuk shoh se Vuçiçi ka ndonjë simpati të madhe ndaj Millosheviçit por këtë e thotë për shkak të numrit të madh të serbëve të cilët i pëlqejnë këto fjalë dhe politikën e Millosheviçit. Çfarë është me rëndësi në këtë pjesë të fjalimit të Vuçiçit është se ai, si kryetar i Serbisë, për herë të parë pranoi se Serbia ka marrë pjesë drejtpërdrejt në luftërat e zhvilluara, “zyrtarisht e jo zyrtarisht”. Këtë deri më tash nuk e ka pranuar as nuk e ka thënë asnjë zyrtar i lartë i Serbisë. Ai nuk e sqaroi më tepër pjesëmarjen direkte të Serbisë në luftërat në Bosnje, në Kroaci dhe në Kosovë, me tërë personelin dhe arsenalin e ish-Armatës së Jugosllavisë, me njësitë paramilitare, policinë dhe bandat e tjera kriminale, as përmendi gjenocidin dhe pastrimin etnik. Por mos të harrojmë se Vuçiçi është biri politik i kriminelit Sheshel dhe ishte ministër në regjimin e Millosheviçit. Prandaj nuk pritet më tepër prej tij.

Kuptimi i realitetit

Për gjendjen aktuale në Kosovë, përveç atyre që tha, me keqardhje, se regjimi i Millosheviçit nuk e kishte kuptuar realitetin, për periudhën e pasluftës fajin ia vuri opozitës së sotme, e cila i vuri kufijt midis Kosovës e Serbisë dhe kërkoi dhe mori nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmimin e legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës, që ishte përgjigjja më e keqe për Serbinë.

Ne Serbët kur fitojmë, këtë e bëjmë ndonjëherë me krenari, duke i respektuar të fituarit, por kur humbim dhe dështojmë, ne dhe politika jonë, nuk dijmë ta pranojmë as të kuptojmë se çfarë ka ndryshuar. Luftoi Serbia në vitin 1999 kundër NATO-s, me nderë dhe guxim. Dhe humbi (…). Mbetëm pa territore të konsiderueshme; serbët lëshuan shumë vende të tyre, duke mos dashur të jetojnë nën pushtetin e shqiptarëve. Kur e humbë luftën paguhet çmimi i lartë. Ndërsa ne Serbët edhe sot shtiremi sikur asgjë nuk ka ndodhur. Shtiremi se nuk jemi të vetmit në marrëzitë tona dhe nën presionin e botës perëndimore, morëm pjesë në dëshmimin e fajit tonë për konfliktin në Kosovë. A e dërguam ne apo ndonjë tjetër në Tribunalin e Hagës ish-kryetarin e Serbisë, gjoja për shkak të politikës kriminale në Kosovë; a i dërguam ne edhe gjeneralët e ushtrisë dhe të policisë: Ojdaniçin, Vlladimir Llazareviçin, Nebojsha Pavkoviçin dhe Sreten Lukiçin. E keqja më e madhe është se ata që bënë këtë, sot na mbajnë  leksione patriotike. Shtiremi sikur asgjë nuk ka ndodhur në vitin 2008, që ç’është e vërteta edhe me fajin tonë ndodhi shpallja e pavarësisë së Kosovës, të cilën e kanë njohur afro njëqint vende. Mendoni se hiqen lehtë kufijtë e vendosur në pikat doganore në Jarinje dhe Bërnjakë?Nuk ka heqje të lehtë kufijsh. […] A kemi ndonjë projekt të zgjidhjes në Bruksel? Nuk kemi, as që jemi afër. Por duhet të përpiqemi t’i rregullojmë marrëdhëniet. (…) Ideja është që ta ruajmë popullin tonë, ta ruajmë paqen dhe të paktën të përpiqemi të krijojmë ura besimi me Shqiptarët. Dua dhe dëshiroj të besoj se pas luftërave dhe konflikteve shekullore, për nja pesëdhjetë vjet, mund të kemi shekuj marrëdhëniesh racionale, pse jo edhe miqësore me Shqiptarët. Ne duam të bëhemi pjesë të Europës, Shqiptarët duan liberalizimin e vizave. Edhe njëri edhe tjetri dëshirojmë jetë më të mirë për qytetarët tanë. Për të arritur jetë më të mirë nuk ka një rrugë të shkurtër, as për ne as për ata, përmes varrezave të të tjerëve. Duhet të jetojmë së bashku dhe njëri pranë tjetrit. Prandaj do të bisedojmë e negocojmë sa të mundemi. Dikush duhet të arrijë kompromis me Shqiptarët. Nuk do të ketë zgjidhje të lehtë as të thjeshtë, as për ata as për ne. Përrallat se  në rrethana të tjera botërore ne do t’ua kthejmë (hakmarrjen, a.f.), janë përralla për fëmijë, të treguara me përfundim tragjik. Nuk ka kufij mitik. Dua ata (kufij, a.f.), aty ku jetojnë njerëzit, me të gjitha të drejtat që iu takojnë. Dua ata (kufij, a.f.) për të cilët askush nuk do të poshtërohet, as edhe Serbia. Duam kompromis, jo diktat. Në fund, dhe para së gjithash, dua që ju të jetoni këtu dhe kjo të jetë e juaja. Nuk dua t`ju gënjej. Nuk është kjo rrugë e lehtë as e shpejtë. Prej shumëçka duhet të heqim dorë, shumë duhet të sakrifikojmë, shumë duhet të punojmë për të arritur qëllimin. Unë synoj të fitojmë. Të fitojë Serbia, për herë të parë, s’di pas sa vjetëve. Pa gjak, pa të vdekur, pa tmerre e varreza. Qëllimin e kam që ky vend (Serbia, a.f.) të bëhet i madh, jo me mendimin që të pushtojë Ballkanin, apo botën, veç me mendimin që të pushtojë ardhmërinë: Me punë, me dije, me fëmijë,ashtu fitohet e ardhmja. Beteja të tilla janë para nesh. Jo si ato që shtijnë (vrasin) ardhmërinë e pastaj me nderime e vorrosin. Mos e kërkoni këtë prej meje, as prej vetes suaj. Hiqeni këtë si pikëpamje, si variant, si zgjidhje. (…) Do të zhdukemi nëse e bëjmë përsëri. (…) Na ka mbytë shekulli i njëzet. Kemi humbur njerëz sa që as në shekullin e ardhshëm nuk do të mund t’i kompensojmë. Nuk kemi më njerëz për t’i çuar poshtë. (…) Kjo është ajo që desha t’u them. Ndoshta ishte pak, ndoshta nuk ju pëlqeu, por unë nuk mundem ndryshe. Nuk dua t`ia di për Serbinë e Madhe, e cila ecën me çizme e me pushkë në dorë. Dij atë që është me libër, me laps, me laptop. Me punë dhe me dije. (…) Se çfarë përgjegje do të jepni, është çështja juaj. Në Serbi, çdo njeri duhet të hapë sytë e të shohë atë që duhet të parë dhe të vendosë se nëse e ka të ardhmen të kaluar, apo të kaluarën të ardhme,- u tha Vuçiçi serbëve në Mitrovicë. Nga ndjekja e fjalimit mund të vërejmë fytyra jo shumë të zgërdhira dhe duartrokitje të pakta. Dikujt nuk i ka pëlqyer realizmi, dikush nuk ika kuptuar metaforat dhe kodet e Vuçiçit.

Përfundime

Për çudi, nuk i përmendi marrëveshjet e nënshkruara deri më tash në Bruksel, mes Kosovës e Serbisë, për të cilat nuk lë rast pa u ankuar se kinse Kosova nuk po i respekton, që në të vërtetë vet Serbia nuk ka respektur asnjë! Madje nuk e përmendi as “Zajednicën”. Por nuk harroi të thotë se “pavarësinë e Kosovës nuk do ta pranoj kurrë”!

Sidoqoftë, në fjalët e tij kishte edhe racizëm edhe kërcënime. Në një pjesë të diskutimit, Vuçiçi tha “Po, po, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është shqiptar, dhe unë duhet të flas me të”. Me këtë sikur deshi të thotë se shqiparët nuk janë njerëz të denjë për të biseduar me ta, por  jemi të detyruar të bisedojmë. Në kontekst të fjalimit tha: nuk po ju premtoj pushkë dhe municion, edhe pse është e kuptueshme se askujt nuk do t’i lejojmë të përdorë armë e municion kundër jush, ndërsa nga fundi i fjalimit, ua tregoi një mbishkrim në një mur aty (të Urës së Ibrit, a.f.), dhe iu premtoi: “Siç po shkruan në atë mur në Mitrovicë, prej këtu nuk ka prapa, ndërsa më të fortit kurrë nuk lëshojnë pozicionin”. Kjo nënkupton minimumin e kompromisit që kërkon  Vuçiçi, prej atij muri e tutje, nuk ka kthim prapa! Ai u premtoi serbëve të Kosovës edhe mbështetje të madhe financiare, ekonomike e sociale, me investime të reja.

Sidoqoftë, fjalimi  i Vuçiçit ka edhe  disa tone realiste, për një shkëputje nga mitet dhe iluzionet. Por siç ka thënë kardinali e politikani francez, Richelieu (shek.16), “më nxirr cilëndo fjali prej cilitdo libër, dhe autorin mund ta dërgoj në litar”. Edhe nga fjalimi i Vuçiçit mund të gjeshë fjali që e dërgojnë në litar, nga njëra palë apo nga tjetra, por edhe fjali tjera që mund ta propozosh për Çmimin Nobel për paqe! Këto të fundit, nuk di nëse i ka thënë me sinqeritet apo për opinionin e jashtëm.

Po ta kishte sinqerisht vullnetin  e mirë dhe synimin për paqe, ai duhej t’u thoshte serbëve të Kosovës, se kryeqyteti i tyre është Prishtina e jo Beogradi, shteti i tyre është Kosova e jo Serbia, dhe se duhet të respektojnë ligjet dhe intitucionet e shtetit ku jetojnë, të integrohen plotësisht, të realizojnë të drejtat që u janë garantuar me kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës, me standarde që s’i ka asnjë minoritet në botë, të bashkëjetojnë e bashkëpunojnë me shqiptarët. Ata nuk i rrezikon asgjë dhe askush në Kosovë, por e rrezikojnë vetvetën dhe i rrezikon politika e Beogradit, që i shërbejnë si kali Trojës, për të manipuluar për qëllimet e saj.  Po t’u jepte serbëve këto porosi paqëdashëse dhe si kryetar i Serbisë të kërkonte falje për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë, pozita dhe gjendja e serbëve në Kosovë do të ishte e lakmueshme për të gjithë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA