...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si u shkatërrua struktura prodhuese e socializmit?

Vendi ynë, me Enverin, kur prodhimi i përgjithshëm bruto ishte gati 16 herë më i ulët se në vitin 2018, ishte vendi më i pasur në rajon ndërsa me Berishën, Nanon, Metën dhe Ramën, ku prodhimi i përgjithëshëm është rritur gradualisht dhe kulmoi me gati 16 herë më shumë se socializmi i Enverit, është vendi më i varfër në rajon!

Ylli Përmeti

24/12/2020 - 17:21

Përpara se të tregoj se si u shkatërrua struktura prodhuese e socializmit marksist dhe pse, me dobi do të ishte të kundrojmë mbi faktin se prodhimi i përgjithshëm bruto i socializmit ishte rreth 16 herë më vogël dhe mbulonte nevojat e një populli më të madh në numër dhe varfëria ishte dukuri kryesisht e kooperativave ndërsa në kapitalizmin neoliberal ku prodhimi i përgjithshëm bruto është gati 16 herë më madh, varfëria është shtrirë kudo, në fshat dhe qytet, dhe është shfaqur mjerimi në një shkallë të padëshmuar ndonjë herë në historinë e popullit tonë.      

Pas 25 vjetësh socializëm Shqipëria vërtet lulëzoi. Nuk është e rastit që gjatë viteve 1970-80 u quajt “dekada e artë” e socializmit—shtet e pasur— sepse shumica e popullit gëzonte mirëqënie (mbulonte nevojat dhe rriste kursimet). Por nëse konsiderojmë prodhimin e përgjithshëm bruto të dekadës përkatëse, ai nuk i kalonte 2 miliardë dollarë. Shifra prej 2, 097 miliardë dollarë u arrit në vitin 1986 duke kulmuar me 2,253 miliardë dollarë në vitin 1989. Si pasojë e trazirave sociale dhe braktisjes së vendit në vitin 1992 prodhimi ra në 652.2 milionë dollarë, gati sa dekada e parë e socializmit: 1945-55. Më pas, prodhimi u rrit me luhatje duke kulmuar në vitin 2018 me mbi 18 miliardë dollarë.

Kjo sasi është mbi 16 herë më shumë se kulmi i socializmit kur vendi konsiderohësh i pasur dhe mirëqënia mbulonte përqindjen më të madhe të popullit: mbi 3 milion njerëz. Dhe ndryshe nga koha e socializmit kur varfëria ekzistonte në disa kooperativa por jo mjerimi, në “demokracinë” përfaqësuese dhe tregun e marketingut në të cilin jetojmë kryesisht dy dakadat e fundit, është shtuar si varfëria ashtu dhe mjerimi, në shifra alarmante!

Për varfërinë e socializmit në disa kooperativa Ramizi, pasuesi i Enverit, tregonte si shkak “shpërndarjen e të ardhurave”. Sipas tij, “kooperativat ishin njësi prodhuese që kanë dhënë kontribut të njohur për zhvillimin e bujqësisë shqiptare. Padyshim, ato kanë patur dhe defekte, sidomos në shpërndarjen e të ardhurave” (“Shpresa dhe zhgënjime”). Kur orvatet të tregojë se çfarë mund të bëhësh me to ose të përmirësoheshin, ai thotë se “në fund të viteve ’80 ato kishin nevojë që të riorganizoheshin mbi baza të reja”. Por nuk përmend “bazat e reja” ose se çfarë nënkupton me to. Përmes kësaj qasje ai kundërshtonte argumentin e kundërshtarëve të kohës, partisë “demokratike”, të cilët, sipas tij, kërkonin prishjen e tyre dhe frymëzuan dhe grabitjen e tyre. Prishja në logjikën e grabitjes, sipas tij, nuk ishte dëshirë e fshatarsisë por e frymëzuar për synime politike. Domethënë:

“Kooperativat u prishën sepse ato përbënin njësi të organizuara jo vetëm ekonomike por dhe politike, ku ndikimi i Partisë Socialiste, siç u vërtetua dhe nga zgjedhjet, ishte i padiskutueshëm. Partia Demokratike e njihte këtë realitet, e kuptoi se organizimi kolektiv i jetës së fshatit i jepte dorë Partisë Socialiste. Prandaj ajo nxiti që kooperativat të prisheshin sa më parë, në mënyrë që t`i jepej mundësi përçarjes së fshatit, zhvillimit të punës individuale me fshatarët, joshjes së shtresës së pronarëve të mesëm e të pasur me tapitë e vjetra”.         

Ndërsa ai ka të drejtë lidhur me rolin reaksionar të partisë “demokratike” në prishjen e kooperativave, ku ai s`ka të drejtë është lidhur me argumentin se fshatarsia nuk kishte dëshirë të prisheshin ato: sepse nuk dëshmuam ndonjë rezistencë nga fshatarsia në mosprishjen e tyre. Mendësia që mbizotëroi në atë kohë në gjirin e fshatarsisë ishte se një “epokë e artë” po lindte. Ndërsa kjo lloj mendësie —lidhur me të ardhmen— luajti rol në mosmobilizimin e fshatarsisë në mbrojtjen e pronës së përbashkët, një tjetër ishte pikërisht varfëria ose të ardhurat që nuk mbulonin nevojta e fshatarëve. Ndryshimi i të ardhurave mes atyre që punonin në kooperativa dhe ferma bujqësore ishte gati tre fish. Kjo pabarazi në të ardhura shtynte shpesh fshatarët të braktisnin kooperativat dhe të shkonin në ferma.

Njëkohësisht, të ardhurat e pakta bënin që prodhimi i fshatarsisë të eksportohësh jo vetëm jashtë vendit por dhe brenda vendit: buka e grurit, për shembull, përdorësh kryesisht nga qytetet ndërsa në fshat mbizotëronte buka e misrit. Kështu gruri që prodhonin fshatarët mbulonte kryesisht nevojat e qyteteve dhe nëpunësve përkatës pikërisht sepse mungonin të ardhurat mes fshatarësh ose mungonte kërkesa. Një faktor tjetër që lujti rol vendimtar në mosmobilizimin e fshatarëve për mbrojtjen e pronës së përbashkët ishte mospërfshirja e tyre në vendimarrje: sepse kur njerëzit nuk përfshihen në vendimarrje por realizojnë vendimarrjen e të tjerëve ata e konsiderojnë pronën e përbashkët të “huaj” dhe jo pjesë të shpirtit të tyre.

Dihet se shkatërrimi i kooperativave pasoi me shkatërrimin e fermave dhe industrisë. Shkurt, ndërmarrjeve shtetërore. Në këtë mënyrë —duke shkatërruar pronën e përbashkët— zengjinët e rinj filluan t`i blinin ato thuajse falas, meqënse përmes shkatërrimit u zhvlerësuan, ndërsa paralelisht u zhvillua ideologjia kapitaliste. Fshatarsia braktisi fshatin ndërsa qytetarët e tjerë braktisën ndërmarrjet shtetërore dhe vendin. Humbjet ishin kolosale dhe dhimbjet të mëdha.

Kështu ndërsa Enveri organizoi prodhimin në baza shkencore dhe konkurronte në tregun ndërkombëtar me koston e ulët por dhe me cilësinë e lartë të tij —fakt për të cilin ishin në dijeni vendet fqinje, sidomos Greqia dhe Italia, dhe për të njëjtën arsye mbeshtetën shkatërrimin e strukturës ekonomike të socializmit tërthorazi dhe drejtpërdrejt— me braktisjen dhe shkatërrimin e tij zengjinët e rinj konkurrojnë me koston e ulët të punëtorëve ose rrogat mjerane të tyre. Domethënë, dhe përtej faktit që bujqësia dhe blegtoria u braktis dhe u shkatërrua, ekonomia e re u përqendrua në sektorin e ndërtimit dhe fasoneri dhe nuk zhvillohet në baza shkencore por zhvillohet në bazë të shfrytëzimit të punëtorëve ose rrogave të ulëta të tyre dhe është pasojë kryesisht e spontanitetit se sa e racionalizuar. Ky faktor —vendimtar— josh kapitalistët e huaj, kryesisht nga vendet fqinje, për të investuar, duke shfrytëzuar kryesisht krahuan e lirë të punës së punëtorëve tanë.

Në këtë mënyrë, klasa punëtore shtypet dhe shfrytëzohet barbarisht, sidomos në sektorët strategjikë të vendit: miniera dhe sektorin e energjitikës (naftë etj.). Shfrytëzimi barbar nuk mungon as në fasoneri. Paralelisht, klasa politike, ose partitë kryesore të vendit tonë, kanë braktisur angazhimin për punësim të plotë. Kjo lloj braktisje është bërë me qëllim që klasa punëtore të shtypet. Domethënë, në vend të kërcënojë klasa punëtorë klasën sunduese, siç ndodhi në vitet 60-70 në perëndim, të kërcënojë klasa sunduese punëtorët me papunësi. Në këtë mënyrë, ajo shijon fitimet dhe nuk kërcënohet. Nëse krahasojmë rrogat e elitës komuniste me të ardhurat e elitës kapitaliste, rrjedhimisht, ato janë të pakrahasueshme. Për shembull, rroga e një ministri në socializëm ishte gati pesëfish më e lartë se një kooperativisti (10 mijë lekë përkundër 2 mijë lekë në muaj) në kapitalizmin neoliberal të kohëve tona të ardhurat e tyre janë dhjetra fish më të larta.

Kjo është arsyeja se pse nuk përdor termin “rrogë” për ta por “të ardhura”: sepse qëllimi i tyre për t`u përfshirë në partitë politike është të vjedhin shtetin. Edhe nëse ka ndonjë që niset për qëllime fisnike, në proces korruptohet. Nuk kemi dëshmuar asnjë që t`i rezistojë korruptimit të përgjithshëm të shoqërisë. Kështu vendi ynë, me Enverin, kur prodhimi i përgjithshëm bruto ishte gati 16 herë më i ulët se në vitin 2018, ishte vendi më i pasur në rajon ndërsa me Berishën, Nanon, Metën dhe Ramën, ku prodhimi i përgjithëshëm është rritur gradualisht dhe kulmoi me gati 16 herë më shumë se socializmi i Enverit, është vendi më i varfër në rajon! Duhet thënë se fitimet që gjenerohen nga ndërmarrjet kapitaliste gjenerohen jo vetëm në “kurriz” të punëtorëve por dhe të ekosistemit: sepse shumica e tyre kanë kontribuar në shkatërrimin e tij (ndërmarrjet naftënxjerrëse etj.).                          

Pjesë nga

Shkaqet e shkatërrimit të ekonomisë sonë: bujqësisë, blegtorisë, arrorëve dhe shëndetit të njeriut*

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA