...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Strategjia amerikane dhe mashtrimet e Berishës (në foltore) & Ramës për Sorosin

Konservatorizmi bie ndesh jo vetëm me natyrën e njeriut —përparimin—, me gjithçka që nënkupton ky koncept dhe veçanërisht me ndryshimin e mendësisë nga dogmatike në shkencore, por bie ndesh, gjithashtu, me natyrën e tregut, të cilin “konservatorët” në fjalë nuk e kundërshtojnë: konkurrencën, e cila çon në monopolizimin e burimeve ekonomike dhe antagonizëm në nivel botëror mes superfuqive siç ka çuar mes SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, dhe fuqive rajonale, siç ka çuar mes, për shembull, Turqisë dhe Greqisë dhe, antagonizmi me radhë, në luftë dhe katastrofë ekologjike aq sa kërcënohet gjithë jeta e planetit; individualizmin, i cili çon tek “njeriu” jonjeri që jeton vetëm për veten dhe jo dhe për shoqërinë dhe atdheun; dhe konsumerizmin, i cili çon në një shoqëri pa vlera dhe bulimike ose njerëz lakmitarë që s`ngopen kurrë me pasuri dhe pushtet!

Ylli Përmeti

14/11/2021 - 12:21

Në vijim do të tregoj “strategjinë” amerikane për shfuqizimin e Berishës dhe mbështetësve të tij, mashtrimet epike të këtij të fundit në “foltore” dhe mashtrimet e Ramës lidhur me Sorosin dhe globalizmin neoliberal. Për “strategjinë” amerikane lidhur me shfuqizimin e Berishës dhe mbështetësve të tij flet më shumë se kushdo tjetër Ngjela; por thotë shumë të pavërteta dhe shpesh gjysmë të vërteta ndërsa për mashtrimet e Berishës nëpër “foltore” dhe mashtrimet e Ramës nëpër media, nuk flet asnjëri! 

Në datën 19 maj të vitit 2021 ministri i jashtëm amerikan, Antony Blinken, deklaroi Sali Berishën “person të padëshirueshëm” (“ineligible”) në SHBA. Siç citon shpallja:

“Sot, shpall emërimin publik të Sali Berishës, një ish-president në Shqipëri, ish kryeministër në Shqipëri, dhe ish anëtar i parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndësishëm. Në detyrën e tij se kryeministër veçanërisht, Berisha u përfshi në veprime korruptive, si shpërdorim të fondeve publike dhe ndërhyrje në procese publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për fitimet e tij dhe pasurimin e aleatëve të tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në dëm të besueshmërisë publike të Shqipërisë në institucionet e qeverisë së tyre dhe zyrtarët publikë. Retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij, dhe aleatët e tij politikë në dëm të hetimeve të pavarura, përpjekjeve anti-korrupsion, dhe masave të përgjegjshmërisë.

Me këtë emërim unë rishpall nevojën për përgjegjshmëri dhe tejdukshmëri në intitucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare, dhe veprimeve të zyrtarëve publikë të Shqipërisë.

Ky emërim bëhet sipas Paragrafit 7031(c) të Departamentit të Shtetit, Veprimet e Huaja, dhe Aktit të Lidhur me Programet e Përvetësimit të Paligjshëm, 2021. Lidhur me Berishën unë emëroj publikisht [dhe] gruan e tij, Liri Berisha, birin e tij, Shkëlzen Berisha, dhe bijën e tij , Argita Berisha Malltezi. Këtyre individëve nuk u lejohet udhëtimi në SHBA. Ky emërim rivërteton zotimin e SHBA-së në mbështetjen e reformave politike kyç për institucionet demokratike të Shqipërisë. SHBA-ja vazhdon të qendrojë me popullin e Shqipërisë. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritetet si këta për të nxitur përgjegjshmëri për aktorët e korruptuar në këtë rajon dhe botërisht”. 

Paragrafi që përmend sekretari në shpallje, me titullin “Anti-kleptokraci dhe të drejtat e njeriut”, citon në pikën 1 se ministri i jashtëm shpall të padëshirueshëm zyrtarët e qeverive dhe anëtarët e familjes për të cilët ka të dhëna të besueshme se ata janë përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në korrupsion të rëndësishëm, duke përfshirë korrupsonin e lidhur me vjeljen e burimeve natyrore, ose ka shkelur të drejtat e njeriut dhe se jo “më vonë se 30 ditë pas shpalljes së këtij Akti, dhe çdo 90 ditë pas tij, ministri i jashtëm duhet të parashtrojë një raport, duke përfshirë dhe një aneks të klasifikuar nëse është e nevojshme, në komitetet e përshtatshme të Kongresit dhe Komitetet mbi Drejtësinë duke përshkruar të dhënat lidhur me korrupsionin ose shkeljen e të drejtave të njeriut për çdo individ të shpallur të padëshirueshëm”.

Gjykuar nga koha kur u shpall Berisha i padëshirueshëm dhe nga afati kohor që parashikon ligji amerikan, ministri Blinken duhet ta ketë parashtruar shpalljen e tij në komitetet në fjalë dhe është çështje ditësh të vendoset për “fatin” e dosjes së Berishës. Me shumë gjasa të dhënat e dosjes së Berishës dhe anëtarëve të tjerë të familjes së tij do të shpallen pak ditë përpara mbledhjes së kuvendit të partisë “demokratike” me qëllim që të minohet përpjekja e tij për të rimarrë drejtimin e partisë dhe të fuqizohet Basha. Dhe me shumë gjasa të njëjtat të dhëna duhet të kenë shkuar dhe në duart e drejtorit të Spak-ut, Krajës. Nëse është kështu, hetimet duhet të kenë filluar. Dhe në rast se veprojnë amerikanët siç citova, Berisha nuk do të zbrapset nga qëllimi i tij: ai do ta zhvillojë kuvendin ndërsa do të përgatitet për të apeluar akuzat që pret nga Spak-u dhe në nevojë ta paraqes atë si institucion të korruptuar. Variantin e dytë e ka përdorur gjatë “foltoreve” duke përdorur argumentin se ai është një institucion inefiçent duke e krahasuar me një përpjekje të tijën ‘anti-korrupsion’ kur qeveriste ndërsa nuk ka munguar akuza se si institucion është i kapur nga Rama.

Dhe gjykuar, në fund, nga fakti se Spak-u plotësohet me numrin e nevojshëm të punonjësve në fund të këtij viti, dhe nga natyra e hetimeve —ato kërkojnë kohë...rreth dy vjet, sidomos kur bëhet fjalë për korrupsion të kreut të qeverisë (megjithëse rasti nga rasti ndryshon, për dyshimet ndaj Trampit lidhur me “lidhjet e tij ruse”, për shembull, hetimet zgjatën rreth 18 muaj)— Berisha do të jetë i ‘lirë’ në përpjekjen e tij për të fituar drejtimin e partisë “demokratike”.

Duhet thënë se gënjeshtra më e madhe e Berishës, të cilën e përsërit thuajse në çdo “foltore”, është pretendimi se ai ka mësuar pas 30 vjetësh si politikan profesionist nga gabimet—domethënë, se është bërë më i mençur: sepse në fillimet e tij, argumenton Berisha, ai ishte trim por jo i mençur për të drejtuar shtetin ndërsa tani është edhe trim edhe i mençur! Por ky është një pretendim që nuk përputhet me parakushtet që kërkohen për të drejtuar shtetin: se dija duhet të tregohet teorikisht dhe të vërtetohet praktikisht. Kështuqë, gjykuar nga fakti se ai nuk e ka treguar dijen e tij teorikisht, as në fillimet e tij dhe as vitet e fundit, është e vetëkuptueshme se pretendimi i tij është një tjetër mashtrim i vetes dhe mbështetësve të tij.   

Ndërsa kjo është gënjeshtra më e madhe e tij lidhur me çka thotë në “foltoret” e organizuara nga vetë ai, një tjetër është e karakterit shtirës: kur thotë se pretendon të rifitojë sovranitetin e partisë të cilin e shkatërroi Basha duke e vendosur atë në “sqetullën” e amerikanëve sorosianë...ngatërron kuptimin e “sovranitetit” me “pavarësinë” e partisë—sepse sovraniteti ka një kuptim më të gjerë se pavarësia dhe lidhet kryesisht me pushtetin e shtetit sesa me pushtetin e një partie. Kështuqë ai nuk i përcakton këta koncepte përpara se t`i pretendojë.

Në fakt, ai propagandon paralelisht integrimin e vendit tonë në globalizmin neoliberal ku sovraniteti i shtetit është i kufizuar (orientimi kryesor i tij përcaktohet nga vendet hegjemoniste të rendin përkatës, kryesisht nga SHBA-ja në nivel botëror dhe Gjermania në nivel rajonal!) dhe pikërisht për këtë arsye ai i lë konceptet të paqartë ose iluzivë. Qëllimi është të mashtrohen —edhe një herë— të paditurit. Nga këndvështrimi pedagogjik, ky quhet krim: sepse asnjë mësues i popullit nuk duhet të mashtrojë popullin e tij por duhet ta ndriçojë atë.

Për më shumë, ai përdor argumentin e luftrave që ka zhvilluar populli ynë për të mbështetur pretendimin e sovranitetit. Por kur përmend ndonjë luftë, shkon në shekujt 18 dhe 19 dhe nuk përmend luftën më heroike të të gjithë shekujve të popullit tonë: LANÇ-in! Kuptohet pse: sepse nuk dëshiron të vlerësojë udhëheqësin e saj—Enver Hoxhën. Kështu bëhet dy herë mosmirënjohës: një herë kur nuk vlerëson drejt luftën e LANÇ-it dhe një herë kur nuk është mirënjohës ndaj familjes së Enver Hoxhës pas të cilës u “qep” si “rrodhja” në përçapjet e tij për t`u bërë “njeri” me pushtet: sepse kuptoi që herët se pushtetin nuk e fitonte dot me meritë por përmes marrëdhënieve pushtetore. Madje, atij i dridhen bebet e syve sa herë që përdor argumentin e luftrave të popullit tonë për sovranitet: sepse e di që gënjen veten dhe ata që e dëgjojnë dhe e mbështesin, shumë prej të cilëve kanë urrejtje për Enver Hoxhën në veçanti dhe për LANÇ-in në përgjithësi: sepse janë pinjollët e ballistëve! Mirëpo kjo është një gafë tejet e rëndë historike jo vetëm sepse bëhet i padrejtë me pararendësit e tij por ai nuk duhet të pretendojë të gjykojnë drejt “bëmat” e tij pasardhësit e tij.

Kështuqë, nga përpjekja e tij për të fituar pavarësinë e partisë nga amerikanët, mund të “fitojë” partia në fjalë disa “pikë” dhe përgjithësisht dhe populli meqë ky i fundit e ka humbur ndjeshmërinë e të qenit sovran dhe është qorruar nga “shkëlqimi” që i shesin partitë neoliberale të 30 viteve të fundit. Ndaj me Berishën nuk do ta fitojë kurrë sovranitetin; as, sigurisht, me Ramën: ky është një neoliberal nga më të pështirët që ka parë historia jonë. Ky i fundit është i tillë jo vetëm për shkak të padijes (ose idiotësisë) së tij por dhe për shkak të lidhjes së ngushtë që ka krijuar me një ndër “protagonistët” e globalizmit neoliberal: Xhorxh Sorosin—se ai është krijuar nga Sorosi kur shkoi në Francë, siç pohoi së fundmi në një emision çensure (“Open”, kuptoje ‘hapur’ për idiotët dhe agjentët e fuqive të huaja dhe oligarkisë vendore dhe të ‘mbyllur’ për kritikët seriozë), kur u përpoq të mbronte përpjekjet e Sorosit për të çliruar popujt nga respresioni shtetëror:

“Është një njeri, i cili është bërë gogol, me qëllim, nga forca konservatore dhe ultra-konservatore, për shkak të influencës që ai ka në kampin liberal-demokrat...unë e quaj veten mik [të Sorosit] dhe jam shumë krenar që e kam mik dhe e kam thënë që e kam mik edhe kur në Shtëpinë e Bardhë ishte një armik i tij, Donald Tramp, dhe unë jam mik dhe me Viktor Orbanin, unë jam mik dhe me Rexhep Erdoganin. Ata e dinë shumë mirë që Sorosi është miku im edhe kaq. Edhe çfarë kam përfituar unë nga fondacioni Sorosit? Në jetën politike asgjë, zero. [Por] në jetën e mëparëshme, si gjithë të tjerët, që merrnin mbështetje, jo për të shkuar në një udhëtim, jo për një bursë, jo për një gjë, kam pasë dhe unë përfitimin tim [...] por që është krejtësisht pa lidhje me këtë [politikën]. Unë i jam mirënjohës Xhorxh Sorosit...”.       

Më tej ai kundërshton pretendimin e Berishës lidhur me planin e Sorosit për të ndarë Kosovën duke sqaruar se “është djali i tij, i cili ka marrë drejtimin e fondacionit, bashkë me një grup njerëzish ndër të cilët është njëri prej atyre që kanë qenë në bombardimin e Serbisë, një prej mendjeve më brilante të politikës amerikane, Xhimo Brajan, [që] mbështet Ballkanin e Hapur; po, atë e mbeshtesin se e kanë bindje, që është rruga e duhur”.

Kështu ndërsa përgënjeshtroi pretendimin e Berishës sipas qasjes “jo vezë po koko”...tregoi se pas Ballkanit të Hapur nuk qendron Sorosi por djali i Sorosit dhe Xhimo Brajan, i cili pikërisht sepse mori pjesë në bombardimin e Serbisë dhe është një mendje “brilante”, sipas Ramës, duhet mbështetur! Madje, ai, jo shumë ndryshe nga Berisha, e paraqet Sorosin si një njeri të mençur —“si pak kush në këtë botë”— meqë është bërë i pasur dhe kur e dëgjon Rama lidhur me argumentet ekonomike...magjepset pas mençurisë së tij!

Tregoi, në fjalë të tjera, jo vetëm lidhjen e tij të hershme me Sorosin (kujtoj se Sorosi synon të “kurthojë” tipa si Rama, Basha, Veliaj e të tjerë që në rininë e tyre pikërisht për t`i shërbyer atij dhe jo popullit!) dhe mirënjohjen për “kujdesin” e tij ndaj Ramës por dhe mosmirënjohjen e tij ndaj socializmit marksist në të cilin u rrit si pak kush! Madje veten e tij radhit në “liberal-demokratët” e...Sorosit ndërsa Berishën dhe të njëjtët e tij në “konservatorë” dhe “ultra-konservatorë”. Berisha, në fakt, e ka sqaruar dhe theksuar në “foltoret” e tij se partia e tij përfaqëson ‘konservatorët’!

Por edhe në këtë rast e lidh konceptin vetëm me familjen dhe vlerat e saj dhe jo me vlerat e tregut të cilat dominojnë vlerat e familjes ndërsa shton dhe “lirinë e pronës”! As e lidh atë me “thelbin” e konservatorizmit: “se shoqëria duhet të ndryshojë sa më pak të jetë e mundur...pasi, sigurisht, të krijohen marrëdhëniet pushtetore mes konservatorësh dhe klasat shoqërore dhe konservatorët të shfrytëzojnë klasën e punëtore ndërsa këta të fundit të mos përparojnë sepse ndryshe kërcënojnë marrëdhëniet pushtetore të konservatorëve!

Ky është një besim politik që bazohet në frikën e konservatorëve të shekujve të kaluar se ndryshimet degjenerojnë familjen dhe njeriun! Mirëpo, ky besim bie ndesh jo vetëm me natyrën e njeriut —përparimin—, me gjithçka që nënkupton ky koncept dhe veçanërisht me ndryshimin e mendësisë nga dogmatike në shkencore, por bie ndesh, gjithashtu, me natyrën e tregut, të cilin “konservatorët” në fjalë nuk e kundërshtojnë: konkurrencën, e cila çon në monopolizimin e burimeve ekonomike dhe antagonizëm në nivel botëror mes superfuqive siç ka çuar mes SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, dhe fuqive rajonale, siç ka çuar mes, për shembull, Turqisë dhe Greqisë dhe, antagonizmi me radhë, në luftë dhe katastrofë ekologjike aq sa kërcënohet gjithë jeta e planetit; individualizmin, i cili çon tek “njeriu” jonjeri që jeton vetëm për veten dhe jo dhe për shoqërinë dhe atdheun; dhe konsumerizmin, i cili çon në një shoqëri pa vlera dhe bulimike ose njerëz lakmitarë që s`ngopen kurrë me pasuri dhe pushtet!               

Mbi këto mashtrime, të Ramës dhe Berishës, ky i fundit ka krijuar një rrëfenjë lidhur me Sorosin e cila bart disa “grimca” të vërteta por nuk është tërësisht e vërtetë. Ai thotë se ai u shpall “i padëshirueshëm” nga ministri i jashtëm amerikan, Blinken, sepse qeveria amerikane diktohet nga Sorosi me të cilin Berisha është në “luftë” sepse nuk pranoi ndryshimet e kufijëve sipas “planit të Sorosit”. Ndërsa kjo e fundit nuk është e vërtetë, Berisha nuk përmend mundësinë e pushtetit që kishte kur refuzonte “planin e Sorosit”: sepse si deputet por dhe me ndikim në “politikën” e opozitës së Bashës, ai nuk mund të pengonte planin “Soros” nëse ky i fundit dëshironte ta përparonte; as përmend faktin se kjo “histori” doli në pah nga emisari i qeverisë “Tramp”, Mathew Palmer, gjatë vitit 2019 kur ky i fundit bisedonte me qeveritë përkatëse edhe për mundësinë e ndryshimeve të kufijëve.

Gjithë ideja fillon me diplomatin britanik Timothy Less, i cili publikoi një ese në “Foreign Affairs” në vitin 2016 ku paraqet idenë e “korrigjimit të kufijëve”.  Ai argumenton, pasi tregon realitetin politik në rajon...disa nga qendrimet e partive politike lidhur me dëshirën për të jetuar me bashkëatdhetarët e tyre, dhe pasi tregon variantet që u paraqitën për Perëndimin pas shpërbërjes së Jugosllavisë, duke zgjedhur njohjen e republikave të vjetra brenda kufijëve aktualë, e cila u udhëhoq jo vetëm nga besimi se kjo zgjedhje do të nxiste drejtësi dhe siguri por dhe nga një bindje ideologjike se nacionalizmi ishte një burim paqendrueshmërie në Evropë, kështuqë shumëkombësia u pa si një parim organizativ frutdhënës dhe qoftë edhe i dëshirueshëm.

Por ngaqë u pa se shumëkombësia diskriminonte pakicat dhe shumë nga këto të fundit u ngritën kundër diskriminuesve me luftë duke kërkuar shkëputje, tensioni u rrit. Kështuqë perëndimi është bindur me dy dekadat e fundit që të dërgojë misione të drejtuara nga OKB-ja dhe trupa ushtarake të NATO-s. Si fillim Uashingtoni udhëhoqi por pasi ky i fundit uli praninë në rajon gjatë dekadës së fundit, përgjegjësia kaloi në Bruksel. Duke bërë kështu BE-ja zëvendësoi pushtetin e fortë amerikan me pushtetin e saj të butë. Hamendësimi i saj ishte se vetë veprimi për të përgatitur anëtarësinë në BE do të ndryshonte shtetet autoritare në një lloj shoqërie të begatë, demokratike dhe të sunduar nga ligji, ku pakicat e ndryshme do të kënaqeshin për të jetuar.

Për pak kohë gjatë fundit të dekadës së fundit kjo politikë u duk sikur veproi por pakicat e shqetësuara e bënë të qartë se kjo qasje e BE-së nuk mund të zgjidhte problemet e krijuara nga shumëkombësia/multietniciteti. Keqkuptimi i saj ishte se pakicat do t`i jepnin përparësi më të madhe reformës politike dhe ekonomike se sa grindjeve për territor dhe siguri, të cilët nuk do të kishin rëndësi pas integrimit në BE. Autori më tej shqyrton ndërlikime të tjerë duke e quajtur gjendjen në rajon mospërputhje politike dhe kufitare kombëtare dhe se qasja e shumëkombësisë prej dy dekadash ka dështuar.

Ndaj ai paraqet një qasje të re, me tre faza, për të cilën kërkon të angazhojë SHBA-në: gjatë fazës së parë Uashingtoni duhet të mbeshtesë fragmentimin e brendshëm të shteteve shumëkombëshe ku pakicat e dëshirojnë atë, për shembull, duke pranuar se shqiptarët ftohen për federalizimin e Maqedonisë dhe kërkesën e kroatëve për një entitet të tretë në Bosnje. Në fazën e dytë, afatmesmë, Uashingtoni duhet të lejojë këto territore të krijojnë lidhje të ngushta politike dhe ekonomike me fqinjët [atdheun] e tyre më të mëdhenj në numër, si për shembull duke lejuar shtetësi të dyfishtë dhe duke themeluar institucione bashkëndarës ndërsa formalisht mbeten pjesë e shteteve aktuale. Në fazën e fundit, këto territore mund të shkëputen nga shtetet ekzistuese dhe të bashkohen me vendin mëmë, ndoshta si fillim si vende autonome.

Një entitet kroat në Bosnje do të bashkohësh me Kroacinë; Republika Srpska dhe veriu i Kosovës me Serbinë; dhe Lugina e Preshevës, Maqedonia perëndimore dhe shumica e Kosovës, me Shqipërinë ndërsa Malizi që mund të humbasë enklavën e tij shqiptare, mund të qendrojë i pavarur ose të bashkohet me një Serbi më të zgjeruar. Duke ndjekur këtë plan, SHBA-ja nuk do të krijonte terren të ri por thjesht do të ringjallte vizionin Uillsionian të një Evrope të përbërë nga kombe të vetë-qeverisur—por për një pjesë të kontintetit ku ky vizion kurrë nuk është zbatuar.

Më tej autori sqaron vështirësitë por SHBA-ja, citon ai në fund, duhet të mbarojë punën e filluar shumë kohë më parë. Ndërsa autori nuk citon nevojën e kërkimit të faljes nga Serbia për genocidet që ka shkaktuar mbi pakicat e ish-Jugosllavisë duke kulmuar me shqiptarët, si parakusht për paqe, meqë falja do të tregonte pendim, dhe pendimi, me radhë, frenim nga një veprim i ngjashëm, as citon karakterin e pakicës serbe në Kosovë, se ajo është ardhëse dhe bashkëpunëtore e genocidit, as edhe planet serbe, të cilat i ka përmbledhur Adil Fetahu, as edhe në fund, efeket e politikave neoliberale mbi popujt dhe veçanërisht mbi popullin tonë, të cilat i kam treguar në vend tjetër...pas idesë së tij rendën figura politike me influencë, krerët e qeverive dhe emisari amerikan, duke përfshirë Toni Blerin, Aleksandër Soros (djali i Xhorxh Sorosit), Robert Cooper (diplomat britanik në pesnion dhe i njohur për librin e tij “Shpërthimi i kombeve: rend dhe kaos në shekullin e njëzetë e një”, një lloj manifesti për dominim botëror të Perëndimit), Federika Mogerini (ambasadore e BE-së për politikat e jashtme dhe politikën e sigurisë), Mathew Palmer (përfaqësues i DASH-it për Ballkanin Perëndimor).

Ideja u përqafua dhe nga tre krerë qeverish: Vuçiçi, Thaçi dhe Rama ndërsa presidenti i Malit të zi dhe Zaevi i Maqedonisë...veriore (...) ishin deri diku të rezervuar.  Opozita e Kosovës dhe Shqipërisë e kundërshtoi idenë por duke e lidhur vetëm me Sorosin!      

Në fakt, Xorxh Sorosi ka shkruajtur një artikull që në vitin 2000 për ndryshimin e kufijëve dhe e kundërshton atë. “Do të ishte ngasëse”, argumenton ai, “zgjidhja e problemit [në Ballkanin Perëndimor] duke hartuar kufijë të rinj ose duke themeluar entitete të reja por kjo zgjidhje tradicionale do të përkeqësonte problemin. Një qasje e re nevojitet”. Dhe ai propozon qasjen: se “BE-ja duhet të përdorë mundësinë e integrimit evropian për të nxitur integrimin rajonal”.  Në të njëjtin shkrim ai tregon se si të realizohet qasja e tij, e cila s`është gjë tjetër veç asaj qe kemi dëshmuar dekadën e fundit: procesi i Berlinit etj. Por është e qartë se “ndryshimin e kufijëve” që përdor Berisha si rrëfenjë, Sorosi e konsideron të rrezikshëm edhe nëse djali i tij ka sponsorizuar idenë e diplomatit britanik të cilën e mbështet dhe NATO-ja dhe Komisioni Evropian!

Për t`i dhënë karakter të besueshëm rrëfenjës së tij, Berisha argumenton se “unë isha tetë vjet deputet i thjeshtë” dhe përgjatë kësaj faze nuk pati asnjë akuzë për korrupsion, duke bërë lidhjen mes Sorosit —këtë herë për të shkatërruar partinë “demokratike”— dhe ngjarjeve që kanë ndodhur që kur u shpall ai “i padëshirueshëm” por duke mos përmendur faktin se gjatë kohës kur ishte “deputet i thjeshtë” Uashingtoni dhe Brukseli nuk kishin krijuar ndonjë institucion “të pavarur” drejtësie nga klasa jonë politike për të hetuar Berishën dhe të tjerë pas tij! Kështu në vend të bëjë lidhjen mes institucionit të ri, SPAK-ut dhe shpalljes së tij si të pa...ai bën lidhjen mes qendrimeve të tij dhe zhvillimeve të fundit në PD në dijeni të plotë se mbështetësit e tij nuk mund të bëjnë “lidhje” tjetër veç “lidhjes-Berisha”, meqë “analistët” e oligarkisë nuk i ndjekin mjaftueshëm zhvillimet në nivel botëror dhe rajonal dhe më shumë pështjellohen dhe pështjellojnë popullin se sa sqarojnë dhe tregojnë ndonjë të vërtetë me karakter sistemik.                             

Gjykuar nga pjesëmarrësit e “Foltoreve” të Berishës (kam ndjekur shumicën e tyre), do t’i ndaja ata në dy kategori kryesore:

• në njerëz që synojnë fitimin e pushtetit nga partia “demokratike”; kjo është kategoria kryesore që shpreson të fitojë pushtetin dhe “drejtojë” shtetin përmes të cilit të punësohen në administratën publike. Qendrimet e shumë prej tyre në foltore e provojnë këtë fakt; dhe

• njerëz që thjesht mbështesin partinë në fjalë sepse urrejnë “komunistët” e shekullit të kaluar por dhe “komunistët” aktualë në qeveri; këta jo vetëm që ngatërrojnë komunistët e shekullit të kaluar me neoliberalët e tipit “Rama” por nuk janë përpjekur kurrë të kuptojnë se çfarë synon komunizmi marksist dhe pse dhe rrugën përmes së cilës shkohet në të dhe pse jo, ta kritikojnë atë. Edhe këtë argument e provojnë qendrimet e tyre.

Të dyja këto kategori quhen “demokratë” meqë kështu quhet partia në fjalë por asnjëra s`e kupton drejt konceptin në fjalë. Kjo është arsyeja që ata shkojnë pas “kushtrimit” ose “berihait”, Berishës, dhe pranojnë pa shqyrtim propozimet e tij për ndryshimin e “kushtetutës” se partisë ndërsa vetë krerët e partisë në fjalë nuk kanë nxitur asnjë herë debat në gjirin e partisë se ç`kuptohet me ngjizjen “demokraci”, as edhe mbështetësit; këta të fundit mjaftohen me “diturinë” e krerëve!

Por duhet thënë se propozimet e Berishës për ndryshime “statutore” në parti e “demokratizojnë” më shumë atë dhe janë me “demokratike” se partia rivale në pushtet. Kjo e fundit e ka humbur prej vitesh demokracinë partiake dhe meritokracinë dhe as bëhet fjalë ta rifitojë me Ramën në krye të saj. Por propozimet e Berishës s`kanë asnjë lidhje me demokracinë e vërtetë dhe meritokracinë demokratike, të cilat i kam shqyrtuar në vend tjetër.

Nuk janë, rrjedhimisht, “turma idiote”, njerëzit e “Foltoreve”, siç i përshkruajnë shumë idiotë “analistë” (Çani etj.). Por disa kanë interesa pragmatiste (pushtet dhe një vend pune në administratën shtetërore) ndërsa të tjerë janë emocionalë (urrejnë “komunistët”, disa sepse janë pasardhës të Ballistëve të shekullit të kaluar dhe disa janë pasardhës e vuajtësve nga “lufta e klasave”). Rrëfimet e tyre në “foltore” e provojnë këtë argument. Ata janë “idiotë” lidhur me drejtimin e shtetit por jo lidhur me përfshirjen e tyre në partinë në fjalë (sepse synojnë pushtet dhe një vend pune, dhe si të tille janë pragmatistë dhe disa thjesht urrejnë “komunistët” pavarësisht se shumë nga ata shpërblehen nga partia me ndonjë vend pune apo rrogë). Në drejtimin e shtetit idiotë janë si Berisha ashtu dhe Rama: sepse nuk e kanë treguar në teori aftësinë e tyre për të ndrejtuar shtetin ndërsa e kanë treguar në praktikë se janë mos më keq pikërisht sepse nuk kanë studiuar filozofi politike, përmes së cilës do të aftësoheshin të shqyrtonin dhe tregonin se si drejtohet shteti.

Një kategori e tretë është ajo që beson se vendit i duhet “opozitë” e fortë se ndryshe shkojmë në diktaturë. Kështu ata mbështesin partinë në fjalë që të parandalojnë thememlimin e ndonjë diktature. Këta shtyhen në këtë lloj besimi kryesisht nga padija: sepse ne jetojmë një lloj diktature meqë delegojmë pushtetin si në parti si anëtarë ashtu në shoqëri si qytetarë. Në të dy këta raste ne zbatojmë urdhërat ose ligjet që propozojnë dhe miratojnë krerët dhe jo urdhërat ose ligjet që propozojmë dhe miratojmë vetë! Kështu në vend të kontribojnë në themelimin e demokracisë së vërtetë dhe meritokracisë në shoqëri, shkojnë pas idiotëve por dhe mashtruesve të krerëve të partive!        

Le t`i përgjigjemi, në fund, pretendimit të Berishës se “Foltoret” e tij janë një “revolucion demokratik”. Titulli i librit tim të parë është “Revolucion për...”, çka nënkupton se synon revolucionin. Ai s`e ka realizuar, sigurisht, qëllimin e tij, meqë është çensuruar nga klasa politike dhe “populli i ndershëm” nuk ka ndihmuar në përhapjen e tij. Arsyet kuptohen!

Por le t`i lëmë mënjanë arsyet se pse populli nuk ka ndihmuar në përhapjen e tij dhe të kuptojmë se nga buron “revolucioni” shoqëror: “varfëria”, citon diku Aritoteli, “është burim revolucioni dhe krimi”. Varfëria në Shqipëri është më e madhja në Evropë: mbi 32 për qind. Ajo ka shkaktuar krim të përmasave të pa dëshmuara më parë por jo revolucion. Këtë të fundit e pretendon se e ka realizuar Berisha: njeriu që erdhi në pushtet si kundër-revolucionar dhe tani na paraqitet si revolucionar—“si kundër-revolucionar” sepse në socializëm e mira e përgjithshme ishte e para, çka nënkuptonte se qytetari dhe shoqëria si e tërë punonte për të mirën e tjetrit, ose të shtetit ose të mirën e përgjithshme si fillim pastaj për të mirën e vetes, një synim që quhësh revolucionar, sepse i tillë është, ndërsa në kapitalizmin neoliberal të Berishës përmbyset ky parim me të mirën individuale të parën.

Ky parim nuk përmbyset as me “revolucionin” e Berishës, sepse ai nuk synon një rend tjetër ku të mbizotërojë e mira e përgjithshme përkundër të mirës individuale apo një balancë mes të dyjave. E megjithatë, ai pretendon se ka shkaktuar revolucion dhe idiotë si Gjekmarkaj e quajnë Berishën “revolucionar” madje dhe “punist”, duke nënkuptuar se vetë Gjekmarkaj është kundër-revolucionar!

“Revolucioni” e Berishës, në fjalë të tjera, nuk mbështetet tek të varfërit por kryesisht tek klasa e mesme e lartë që ka krijuar ai, partia e tij dhe partia “socialiste”, 30 vitet e fundit. Si i tillë, nuk mund të quhet “revolucion” por një përpjekje për të “demokratizuar” partinë “demokratike” dhe për ta paraqitur atë si “revolucionare” meqë me Bashën vërtet degjeneroi dhe shumë në radhët e saj kanë vënë të mirën e përgjithshme —të partisë— mbi të mirën individuale. Por shumica e tyre janë klasë e mesme dhe disa klasë e lartë —në terma politikë dhe ekonomikë— dhe edhe nëse veprojnë për të mirën e përgjithshme —të partisë— veprojnë duke i patur xhepat plotë dhe jo duke sakrifikuar. Pak janë mes tyre klasë e ulët që sakrifikon nga mirëqënia e vetes për të mirën e përgjithshme. Por sërish nuk janë në “32%” e shoqërisë. Ndaj nevojitet që kjo përqindje të ndriçohet lidhur me arsyet ose shkaqet se pse është e varfër dhe të përfaqësohet nga një forcë politike.    

*Kjo analizë është përditësuar në datën 27 dhjetor 2021

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA