...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Trazirat ogurzeza në Iran, ndryshimi i regjimit nga Trampi dhe implikimet afatgjata për Shqipërinë dhe Botën

Sulmet e Trampit duhet të shihen nga perspektiva e politikës së jashtme amerikane të cilën e kam analizuar në vend tjetër. Domethënë, nga vlerësimi se Irani dhe Koreja e Veriut kërcënojnë interesat amerikane në botë. Irani i “kërcënon” interesat amerikane në lidhje me përfshirjen e tij në Siri dhe Jemen për mbrojtjen e pavarësisë së popujve përkatës por dhe në lidhje me Izraelin kundrejt të cilit nuk kanë munguar kërcënimet me “shfarrosje’ e të tjera si këto.

Ylli Përmeti

04/01/2018 - 11:35

Në fund të vitit 2017-të dhe në fillim të vitit 2018-të filluan protestat në Iran dhe paralel me to, sulmet politike të Trampit dhe kundërgjigjet e Iranit. Sulmet e Trampit duhet të shihen nga perspektiva e politikës së jashtme amerikane të cilën e kam analizuar në vend tjetër.[1] Domethënë, nga vlerësimi se Irani dhe Koreja e Veriut kërcënojnë interesat amerikane në botë. Irani i “kërcënon” interesat amerikane në lidhje me përfshirjen e tij në Siri dhe Jemen për mbrojtjen e pavarësisë së popujve përkatës por dhe në lidhje me Izraelin kundrejt të cilit nuk kanë munguar kërcënimet me “shfarrosje’ e të tjera si këto. Për të njëjtë arsye, mirë do të ishte të kuptonim më mirë natyrën e regjimit të Iranit me qëllim që të kuptojmë shkaqet e vërtetë se pse në Iran zhvillohen trazira, sa mund të vazhdojnë ato dhe ku mund të çojnë. Presidenti i Iranit, Ruhani, si fillim tha se ato ishin nxitur nga armiqtë e Iranit pa treguar ‘ndonjë’ armik konkret dhe pak ditë më pas, pas një kundërproteste masive të mbështetësve të regjimit, akuzoi Amerikën për ndërhyrje “groteske”...me Rusinë të ushtojë shqetësimin duke nxitur SHBA-në për të mos ndërhyrë në “çështjet e brendshme” të Iranit...ndërsa Trampi iu përgjigj se Amerika do të mbështesë protestuesit iranianë dhe se protestuesit janë të gatshëm —pas vdekjes së të paktën e 21 protestuesve dhe arrestimin e qindra të tjerëve në ditët e para të protestave— të vdesin për ndryshimin e regjimit dhe kërkuan më shumë ndihmë nga Amerika - me gjithçka që nënkutpon kjo ‘lloj’ ndihme!

Nga sinteza politiko-juridike e Iranit në gjendjen social-ekonomike

Irani e ka realizuar deri në një farë shkalle sintezën politiko-ekonomike që ka paraqitur Aflaq-u dhe Nasser-i.[2] Kështu, që nga viti 1979-të sundimtarët e Iranit nuk shihen si teokratë të bindur por si një elitë post-revolucionare me të drejtë të ligjshme duke përdorur fenë si standartin kryesor.[3] Siç citon një analist në FT:

Institucionet e teokracisë, siç është Këshilli i Mbrojtjes ose Asambleja e Ekspertëve që zgjedhin udhëheqësin suprem, garantojnë hegjemoninë e tyre mbi institucionet republikane, siç janë maxhilët e zgjedhur. Në këtë kuptim ata janë si partia Komuniste Kineze: plutokratë, interesi i të cilëve nuk është socializmi por pushteti dhe kontrolli [...]. Dhe duke parë se çfarë ndodhi në Bashkimin Sovjetik pas Gorbaçovit që shtoi hapjen politike të glasnost-it për ristrukturimin ekonomik të perestroikës, ata parapëlqejnë modelin Kinez: hapjen e ekonomisë por jo politikën...Irani nuk po integrohet thjesht në ekonominë botërore. Si rezultat i influencës së tij ekspansive në vendet fqinje Arabe, veçanërisht pas ndërhyrjes së udhëhqur nga SHBA-ja në Irak në vitin 2003, që kapitulloi shumicën e shii-tëve në pushtet dhe luftën aktuale civile në Siri, ku mbështet një regjim minoritar kundër një shumice Sunni-te, ai ka farkëtuar një aks Shia — por me linja të gjata për t’i mbrojtur. [4]

Këshilli i Mbrojtjes miraton çdo kandidaturë për president dhe është institucioni më i lartë shtetëror në Iran. Kandidatët, në fjalë të tjera, paraqiten “nga lartë” dhe nuk propozohen “nga poshtë – populli”. Ata vetëm votohen nga populli. Si praktikë, rrjedhimisht, nuk ndryshon nga zgjedhjet “demokratike” perëndimore: sepse kandidatët propozohen “nga lartë” –partitë- dhe votohen “nga poshtë” – ose nga kuvendet, si në rastin e presidentit, ose nga populli, si në rastin e deputetëve. Por kur zgjidhet presidenti suprem ai ka gjithë pushtet në duart e tij: pushtetin politik, fetar, ushtarak dhe shoqëror dhe emëron anëtarët fetarë të Këshillit të Mbrojtjes dhe, ai mund të ‘përjetësojë’ pushtetin e tij. Presidenti i dytë është përgjegjës vetëm për çështjet e përditshme ekonomike dhe shoqërore të vendit dhe mbikqyret nga Udhëheqësi Suprem dhe trupa të pazgjedhura që kontrollohen nga Supremi. Zgjedhjet janë lehtësisht të manipulueshme dhe të gjithë kandidatët për president kanë manipuluar zgjedhjet. Nga gjendja e krijuar (zgjedhore; ekonomike etj.) klasa punëtore ka vuajtur më shumë nga politikat ekonomike që çuan në inflacion mbi 20% dhe papunësi masive e cila ka goditur më shumë rininë.[5] Nga zgjedhjet e fundit për parlamentin e Iranit, dolën më pak konservatorë. Reformistët dhe moderatorët që mbështesin Presidentin Rohani, shpresonin të paraqesnin progres në regjimin që tashmë është më shumë nacionalist, sesa Islamik.[6] Por vendim-marrësi përfundimtar në Iran është i ashtuquajturi “udhëheqësi suprem”, i cili mund të zëvendësohet pas vdekjes së tij nga këshilli i ekspertëve fetarë. Dhe pavarësisht karakterit fetar në nivel udhëheqjeje, Irani në nivel social (me veshjen e grave etj.) kujton më shumë shoqërinë socialiste të Shqipërisë të viteve të socializmit sesa një vend fetar të tipit arab ku populli është i lirë të kritikojë establishmentin politik.[7] Irani filloi të zhvillonte ekonominë e tij pasi realizoi një marrëveshje me Amerikën e Obamës dhe Brukselin në vitin 2015-të në këmbim të heqjes së disa sanksioneve, rritjes ekonomike dhe pezullimit të objektivave bërthamore. Praktikisht dy vjet më vonë gjendja ekonomike, siç analizon FT, nuk ndryshoi shumë:

Inflacioni ra, ekonomia filloi të rritësh pas shumë viteve amulli dhe nafta e Iranit shitet jashtë vendit. Por rrjedha e investimeve dhe vendeve të punës është penguar nga imponimi i sanskioneve jobërthamore të Uashingtonit dhe pasiguria rreth angazhimit të SHBA-së në marrëveshjen bërthamore. Bankat dhe investitorët e huaj frikësohen nga shtrirja e entiteteve të Trupave Mbrojtëse Revolucionare Islamike se mos ngatërrohen në ekonomi. Protestat janë pjesërisht përfaqësuese e luftës për pushtet që zhvillohet brenda regjimit. Në njërën anë janë ata që besojnë se mbijetesa e Republikës Islamike varet nga mbajtja e dorës së hekurt dhe që kanë frikë se ndryshimi ekonomik do të çojë në fund në ndryshim regjimi. Në anën tjetër janë ata që argumentojnë se hapja dhe reformimi i sistemit është kyç për ta ruajtur atë në afatgjatë. Përkrahësit e vijës së fortë duken pa mend me nxitjen e trazirave duke shfrytëzuar avantazhin e pakënaqësisë lidhur me rritjen e çmimeve, dhe standarteve të amullta të jetesës, në një përpjekje të diskretitojnë Ruhanin. Reformat që ai premtoi kërcënojnë teokratët, dhe diktuesve të tyre të mbrojtjes revolucionare, pushteti i të cilëve, privilegjet dhe shtrirja e interesave biznesore varet nga korrupsioni i një sistemi të mbyllur. Këta aktorë po luajnë me zjarrin...BE-ja nuk duhet të ndikohet nga natyra luftarake e SHBA-së. Duke shtrydhur edhe më shumë regjimin, siç dëshirojnë shumë në Uashington, nuk është zgjidhja. Do të ishte më e mënçur të qendroshë i angazhuar duke inkurajuar ndryshim rritës.[8]

Dimë, gjithashtu, se sanksionet amerikane me Sadamin, Gadafin e të tjerë çuan në luftë. Sanksionet janë imponuar mbi Iranin mbi 35 vjet. Uashingtoni i Obamës i shtoi sanksionet duke vendosur në listën e zezë të gjithë ata që bënin bizenes me të. Si pasojë, Irani u vendos mes zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit të armëve bërthamore për t’u përballuar me Izraelin si fuqi bërthamore në rajon. Por ai zgjodhi ekonominë. Siç citon një kolumnist në “The Guardian” kur kritikon sanksionet amerikane të cilat i mbështeti dhe qeveria britanike:

Përvoja e gjatë e sanksioneve tregon se ato tërheqin fuqitë sanksionuese në konfrontim. Imponimi i tyre është një prelud ose të shtojë armiqësinë ose të çojë në luftë. Ata zhysin në probleme regjimin viktimë, duke dërguar pushtet dhe pará në personelin sundues. Në Teheran, Tripoli dhe Bagdad në vitin 1990, sanksionet nuk rrëzuan asnjërin por bënë sundimtarët dhe gjeneralët të pasur. Ata nuk varfërojnë vetëm të varfërit por klasat tregëtare dhe profesionale, duke u mohuar kontaktin me botën e jashtme. Ata shpejtojnë emigracionin e klasës së mesme dhe kështu reduktojnë qëllimin për pluralizëm politik dhe opozitë...Burime nga qeveria [britanike] argumentuan se sanksionet do të ”përshpejtojnë rrënimin ekonomik të Iranit dhe do të thellojnë përçarjen brenda regjimit, me shpresën se zëra më të arsyeshme do të vlerësojnë çmimin e ndjekjes së krijimit të armëve bërthamore si tejet të lartë”.[9]      

Ndryshimi i regjimit të Iranit ka qenë në objektivin e politikës së jashtme amerikane që nga koha e luftës së ftohtë dhe vazhdoi kur ra socializmi marksist në Lindje: në mes të vitit 1990-të dhe vazhdoi me qarkullimin e “TIRANNT-it” (Theater Iran Near Term), një dokument i klasifikuar i Pentagonit, në vitin 2003, i cili parashikonte disa skenarë për ndryshimin e regjimit në Iran.[10] Trampi ndryshimin e regjimit në Iran e ka përgatitur përpara se të hartonte politikën e jashtme amerikane nëse gjykojmë nga analiza e New York Times:

Irani ka qenë një ndër objektivat më të vështirë për CIA-n. Agjencia ka qasje tejet të kufizuar në vend — asnjë ambasadë amerikane nuk është hapur për të ofruar mbulim diplomatik — dhe shërbimet inteligjente iraniane kanë shpenzuar thuajse katër dekada duke u përpjekur të kundërshtojnë espionazhin amerikan dhe opercionet e mbuluar...New York Times përmend z. D’Andrea sepse identiteti i tij është publikuar më parë në raporte lajmesh, dhe ai udhëheq një nismë të re të rëndësishme të administratës [së Trampit] kundër Iranit...z. Tramp ka emëruar në Këshillin Kombëtar të Sigurisë fajkoj të gatshëm për të kontrolluar Iranin dhe të nxisin ndryshim regjimi, puna themelore e të cilit do të përparohet sipas gjasave përmes veprimtarisë së mbulur të CIA-s.[11]    

Agjenti, në fjalë, indentikitin e të cilit nuk e njeh asnjëri, sepse s’është përfshirë në asnjë fotografi publike, është një islamist i konvertuar kryesisht sepse u martua me një grua muslimane dhe ka udhëhequr thuajse gjithë operacionet e mbuluar në Lindjen e Mesme vitet e fundit.[12]

Loja e Amerikës dhe Shqipërisë me muxhahedinët neoliberalë

Arsyeja kryesore se përse erdhi Kerri në Shqipëri në fillim të vitit 2016-të ishte strehimi i ‘muxhahedinëve’ iranianë në Shqipëri. Kjo çështje, përmasën e të cilës duket se s’e kanë kuptuar strumbullarët e establishmentit politik në vend, bart disa aspekte për t’u kritikuar. Së pari, strehimi i tyre na armiqëson me Iranin. Nëse lufta kundër regjimit të Iranit intesifikohet nga Trampi dhe muxhahedinët përdoren nga Uashingtoni kundër Iranit, nuk do të ishte e çuditshme që të dëshmojmë ndonjë ‘mësymje’ agjenturore të Iranit në Shqipëri dhe vrasjen e tyre në vendin tonë apo ndonjë raketë të lëshuar nga Irani në mes të Tiranës! Së dyti, ata do të përdoren nga Amerikanët në Iran, siç janë përdorur në të kaluarën, nëse ky i fundit nuk heq dorë nga përfshirja në luftën këmbësore në Siri dhe politika të tjera kombëtariste. Së treti, fakti që organizata e muxhahedinëve filloi veprimtajanë e saj politike si një lëvizje ‘çlirimtare’, e ndikuar nga nocionet shii-te të flijimit, teoritë klasike të luftës së klasave dhe determinizmit historik Marksist dhe konceptet neomarksiste të betejës klasore, luftës guerrile dhe heroizmit revolucionar,[13] dhe kërkon një shoqëri paklasa ndërsa bën thirrje vetëm për shkatërrimin e regjimit të Iranit, sepse sipas organizatës ai është një regjim autoritar, duke mos treguar vetë si organizatë se nuk është ndryshe nga regjimi i Iranit, dhe duke bashkëpunuar për realizimin e objektivit të saj me vendet Perëdimore, klasore!, armiqt e lëvizjeve çlirimtare, veçanërisht lëvizjeve marksiste, tregon se kjo lëvizje s’është aspak serioze, jo vetëm lidhur me marksizmin beteja e të cilit është ndërkombëtare, por edhe lidhur me bashkëpunëtorët saj! Ndërsa kjo është njëra anë e çështjes, tjetra, është se vendet Perëndimore, në njërën anë luftojnë lëvizjet “marksite”, në tjetrën, bashkëpunojnë me ta për të rrëzuar një regjim që refuzon të çlirojë dhe liberalizojë tregjet: sepse duhet thënë se muxhahedinët bartin edhe një kontradiktë tjetër në raport me marksizmin: ata mbështesin një ekonomi të lirë tregëtare! Kjo është arsyeja që ata mbështeten nga amerikanët: sepse ata plotësojnë një ndër kriteret kryesore të ideologjisë së rendit të ri botëror të globalizmit neoliberal: çlirimin dhe liberalizimin e tregjeve![14] Si e tillë, kjo organizatë është alternativa e mundshme e regjimit aktual të Iranit.

Qartësisht, populli i Iranit gjendet mes shkëmbit dhe greminës: në njërën ka një klasë politike e cila nuk është më ‘etike’ me “etikën” Islame dhe nuk  është më pak ‘demokratike’ se perëndimi pavarësisht se përpiqet të krijojë një ‘opozitë’, e cila është plotësisht e kontrolluar nga elita politike dhe fetare, dhe në anën tjetër, ka perëndimin i cili kërkon të imponojë rendin e ri botëror të globalizmit neoliberal —katër liritë dhe ideologjinë e tij dominante— dhe bashkë me të, të kontrollojë pushtetin politik të Iranit dhe influencën e tij në rajon, qoftë kundrejt Sauditëve qoftë kundrejt Izraelit. Nëse Trampi vazhdon dhe i mbështet protestuesit –hamendësisht me armë dhe financë- pa dyshim që gjendemi përballë një shkatërrimi tjetër afat-gjatë në Lindjen e Mesme përmasën e të cilit nuk mund ta përshkruajmë këtu: sepse Irani është një vend me popullsi të madhe që mund ose t’i rezistojë protestave duke i shtypur ato ose për shkak se është një vend i madh, të mos arrijë t’i shtypë dot. Por edhe nëse supozojmë se protestat shtypen - është e sigurtë se sa më shumë të shtypen protestat dhe sa më shumë të vriten - aq më shumë rritet urrejtja e popullit kundrejt establishmentit...         


[1]Strategjia (gjepolitika) e re e sigurisë kombëtare amerikane dhe vatrat e nxehta për luftë botërore: nga Rusia, Kina dhe Lindja e Mesme në Korenë e Veriut.

[2]Nga Siria në Shqipëri: saga e dy popujve të vegjël.

[3]A dangerous moment for Iran’s theocrats, David Gardner,FT, February 3, 2016.

[4]Po aty.

[5]Iran’s stolen election, Ahmad Salamatian, Le Monde Diplomatique, July 2009.

[6]Big hopes, smaller changes, Shervin Ahmadi and Philippe Descamps, Le Monde Diplomatique, May 2016.

[7]Youtube, Iran’s voters at crossroad, FT, May 17 2017.

[8]Tehran would be wise to listen to the protesters, 03 Jan 2017.

[9]Why is Britain ramping up sanctions against Iran? Simon Jenkins, 3 Jan 2012.

[10]US winks, Israel bites? Shifting Middle East Alliances. The war in Iran is “on hold”? Michel Chossudovsky, Global Research, January 04, 2018.

[11]C.I.A names the ‘dark prince’ to run Iran operations, Signaling a tougher stance, June 2, 2017.

[12]At CIA, a convert to Islam leads the terrorism hunt, National Security, March 24, 2012.

[13]The Iranian Mojahedin’s struggle for legitimacy, Lina Aarseth Bakke, University of Oslo, 2007, f, 16.

[14]Who are the People’s Mujahedin of Iran? World Socialist, 14 September 2000.

Video: 

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA