...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ylli Përmeti - Dikotomia ushtarake mes Rusisë-Turqisë dhe Amerikës-Greqisë dhe alternativat e Erdoganit

Lufta do të zhvillohet në dy fronte: një luftë ushtarake mes Turqisë dhe kurdëve në lindje të vendit dhe një luftë ekonomike mes Turqisë dhe perëndimit. Këto dy luftra do ta gjunjëzojnë Turqinë në afat-shkurtër.

Ylli Përmeti

13/03/2018 - 10:59

Një krizë e re është krijuar mes Turqisë, kurdëve, perëndimit dhe Greqisë. Ajo është pasojë e politikave të paqendrueshme të Erdoganit në raport me perëndimin. Kriza ka krijuar kushtet për militarizimin e rajonit dhe shumë shqetësohen se një luftë ushtarake mund të shkaktohet mes Turqisë dhe Greqisë. Por siç do të shqyrtoj këtu, lufta do të zhvillohet në dy fronte: një luftë ushtarake mes Turqisë dhe kurdëve në lindje të vendit dhe një luftë ekonomike mes Turqisë dhe perëndimit. Këto dy luftra do ta gjunjëzojnë Turqinë në afat-shkurtër. Kështu, vizita e ish-Kryeministrit grek Samaras në Uashington shtoi edhe një avantazh tjetër për Athinën zyrtare në rajon: bazën ushtarake në Kallamatë! Sipas marrëveshjes aeroplanë pa ekuipazh do të patrullojnë Egjeun — nga Libia deri në kufijtë verior të Sërbisë dhe nga Qipro deri përtej Siçilisë![1] Marrëveshja u konsiderua nga komentatorët si “dhuratë” e Uashingtonit kundrejt Greqisë. Në të vërtetë ish-Kryeministri grek vizitoi Uashingtonin për të kërkuar ndihmë për një marrëveshje tre-palëshe mes Turqisë, Qipros dhe Greqisë, lidhur me çështjet energjitike në rajon dhe gërmimet në Egje.[2] Por Uashingtoni i Obamës nuk pranoi. Arsyeja ishte se Greqia është e pasigurtë për investime amerikane dhe Uashingtoni do ta ndihmojë Greqinë vetëm në çështje “energjitike”! Si pasojë, Samarasi solli militarizimin e rajonit nga Uashingtoni, ndërsa ky i fundit, siguroi kontrollin e burimeve energjitike dhe të popujve në rajon — edhe nga ajri! Por ndërsa marrëveshja nuk ka bazë ligjore, sepse Greqia nuk ka të drejtë të patrullojë përtej kufijëve të saj, ajo u interpretrua nga elita politike dhe ushtarake greke si “strategjike”: sepse do t’i japë rëndësi të veçantë Greqisë në rajon!

Me lëkundjet gjeopolitike të Turqisë mes perëndimit dhe lindjes, Uashingtoni dhe Athina nënshkruan një marrëveshje të re ushtarake e cila kishte mbetur pezull që nga viti 2009-të: Greqia do të ripërtërijë fuqinë e saj ajrore me aeroplanë F-16 duke shpenzuar më shumë se 2.4 miliard dollarë në kohën kur shpenzimet e qeverisë janë reduktuar shumë dhe shtresat e ulëta të shoqërisë bartin barrën më të madhe. Cipra argumentoi se kostua nuk do të rëndojë qytetarët grekë. Ndërsa Trampi tha se marrëveshja do të gjenerojë mijëra vende pune. Nëse financa publike e Greqisë tregon shënja përmirësimi deri në vitin 2020-të, qeveria planifikon të blejë 15 deri 20 aeroplanë luftarak të padukshëm F-35, një ndër aeroplanët luftarak më të përparuar aktualisht.[3] Turqia në anën tjetër pritet të blejë 100 nga aeroplanët e rinj të krijuar nga kontraktorja amerikane Lockheed Martin mes tyre dhe F-35. Në vitin 2010-të përpjestimi i aeroplanëve luftarakë (i të gjithë tipave) mes Turqisë dhe Greqisë ishte 8:10 (239 vs 290). Aktualisht raporti ka ndryshuar në 6:10 (179 vs 290). Dhe nëse nuk realizohet ripërtëritja në fjalë gjendja do të bierë deri në vitin 2025 me 4:10 (84 vs 235). Ripërtëritja e aeroplanëve do të realizohet me specialistët e kontraktorit amerikan në një impiant të Industrisë Ajrore Greke (EAB) bashkë me ripërtëritje të tjera. Kujtoj se Amerika ka krijuar një bazë ushtarake në Sudë të Kretës, në vitin 1953, kur Greqia u bë anëtare e NATO-s, për të cilën pretendohet nga kritikët grekë se nuk paguan asnjë qindarkë. Përmes saj ajo do të angazhojë njësi ushtarake greke për të marrë pjesë në manovrat luftarake me karakter detar. Pohohet se njësia greke do të marrë pjesë në njësinë e nëndetëseve për t’u përballur me nëndetëset ruse që shfaqen —sipas pretendimeve NATO-amerikane— në mesdheun lindor.[4] Greqia është shqetësuar lidhur me politikat e Rusisë në raport e Turqinë: sepse Rusia po ndihmon Turqinë në nivel ushtarak dhe po krijon avantazhe në raport me ushtrinë greke.

Si rezultat, marrëdhëniet mes Greqisë dhe Rusisë janë në nadir (pikën më të ulët). Më konkretisht, marrëdhëniet filluan të përkeqësoheshin vitin e kaluar (2016) kur Putini vizitoi Greqinë me një jaht (Mjellma 1) të flotës detare ruse dhe ankoroi në brigjet e detit verior të Greqisë (Καρυές). Një përfaqësi oficerësh të lartë grekë të shoqëruar me rojet e tyre, kërkoi të ngjitësh në jahtin e Putinit. Hamendësisht për ta inspektuar. Por atje gjendeshin ushtarët e armatosur rusë të Putinit duke u treguar ushtarakëve grekë se në jaht nuk mund të ngjitet asnjëri veç Putinit dhe shoqëruesit e tij. Tensioni që u krijua mes ushtarakëve nuk u njoftua në shtyp. Një tension i njëjtë u krijua gjatë nëntorit të vitit 2017-të kur një rrjedhje nga pala ruse tregonte se në Moskë do të shkonte ministri grek i flotës detare, Kurubliu me të tjerë, ku do të merrnin pjesë në një mbledhje ministrash mes dy vendeve. Përpara se të niseshin nga Athina u mësua se në tryezën e mbledhjes do të uleshin dhe katër “deputetë” nga Krimea. Athina nuk pranoi të ulësh me “demputetët” përkatës sepse BE-ja nuk e njeh bashkimin e Krimesë me Rusinë. Me urdhërin e Goxhias pala greke u ndalua dhe mbledhja u la për më vonë. Por çështja kryesore që shqetëson Athinën është marrëdhënia ushtarake që është krijuar mes Rusisë dhe Turqisë. Rusia po trajinon pilotë turq në Siri kur dihet se Rusia ka forcën ajrore më të mirë në botë dhe për pasojë përvoja e tyre do të sfidojë forcën ajrore greke në Egje. Rusia trajinon dhe rreth 600 shkencëtarë turq në Moskë në teknologjinë bërthamore. Si rezultat Ankaraja ka filluar të krijojë gjeneratën e parë të saj të shkencëtarëve bërthamor. Greqia ka patur trysni nga Moska për linjën e gazit rus të cilën Putini e quajti “Turkish Stream” sepse rusët shqetësohen për investimin amerikan në Aleksandrupoli. Nëse Greqia s’mban një qendrim të qartë lidhur me linjën truke - Rusia do ta kthejë linjën drejt veriut: Bullgari.[5] Është e qartë se një lloj ‘armiqësie’ është krijuar mes Rusisë dhe Greqisë. Se ku mund të çojë kjo dinamikë është e qartë: në një kurs të ri armatimesh mes vendeve në rajon dhe tensioneve të përhershme.

Me ambivalencën e saj politike dhe gjeopolitike, duke qendruar anëtare e NATO-s dhe duke bashkëpunuar paralelisht me Rusinë, kryesisht në nivel ushtarak, Turqia ka marrë zemër dhe po lufton në të gjithë frontet: në njërën anë kërkon të zhvendosë popullatën kurde që banon në Siri (Afrin) dhe në anën tjetër kërkon të marrë pjesë në burimet energjitike që gjenden pranë Qipros - qeveria e të cilit ka nënshkruar kontrata me ndërmarrje naftënxjerrëse perëndimore (italiane, franceze, amerikane etj.). Sistemi i mbrojtjes ruse S-400, për të cilin Uashingtoni paralajmëroi Turqinë me sanksione ekonomike, do të instalohet deri në vitin 2020, sipas pohimit të një adjutanti presidencial për bashkëpunim ushtarak rus. Sipas tij, Turqia ka shprehur dëshirën të përshpejtohet zbatimi i kontratës - në kohën kur Rusia i ka testuar thuajse të gjitha armët e reja jo vetëm në prova ushtarake por në luftë të vërtetë: në Siri (Sukhoi Su-35, sistemet ajrore me rreze të shkurtër dhe komplekset antitanke). Adjutani përmend dhe faktin se Rusia nuk i reklamoi armët e saj në luftën e Sirisë sepse atje zhvillohet luftë dhe është një tragjedi dhe katastrofë.[6] Pak ditë pas tij, të njëjtin pohim e mbështeti dhe ministri i jashtëm rus, Lavrof. Nuk do të ishte e çuditshme që pas përparimit të kontratës të fillojnë sanksionet ekonomike nga Uashingtoni kundrejt Turqisë dhe kjo e fundit, për hakmarrje, të tërhiqet nga NATO-ja. As do të ishte e çuditshme që Greqia të blejë në të ardhmen nga Rusia të njëjtin sistem mbrojtjeje në emër të ‘balancës’ ushtarake me Turqinë. Aktualisht, Greqia ka 141,000 personel ushtarak aktiv – ushtri joprofesionale; 1341 tanke; 398 autoblinda; 13 fregata; 5 korveta; 43 skafe patrullimi; 19 mjete detare zbarkuese; 0 skafe mbështetës të tipeve të ndryshme; 11 nëndetëse; 0 aviacion detar; 270 avionë luftarakë.Ndërsa Turqia ka 355,000 personel aktiv - ushtri profesionale ; 2,492 tanke; 650 autoblinda; 18 fregata disa nga të cilat janë prodhim turk; 6 koverta; 54 skafe patrullimi; 54 mjete detare zbarkuese; 75 skafe mbështetës të tipeve të ndryshme; 13 nëndetëse; 13 mjete të aviacionit detar, 360 avionë luftarakë.[7] Duke parë këtë disbalancë Greqia planifikoi të blejë 4 luftanije franceze të tipit “Belharra” të gjeneratës së re. Qartësisht, Turqia ka dyfishin e fuqisë ushtarake krahasuar me Greqinë. Por Turqia ka një front ushtarak të hapur me kurdët. Ky front do të jetë i përhershëm. Dhe nevojat ushtarake njëlloj. Erdogani, i gjendur mes luftës perëndimore dhe kurdëve, nuk ngurroi t’i bënte thirrje popullit që të përgatitet për luftë të tretë botërore: sepse, sipas tij, Amerika po ngre 20 baza ushtarake në Sirinë veriore dhe ato mund të përballen me forcat ushtarake ruse dhe iranine. Në të vërtetë, forcat ushtarake amerikane mund të përballën së pari me forcat ushtarake turke: sepse Erdogani pengon krijimin e shtetit kurd të cilin e mbështet Uashingtoni.   

Një front i ri “luftarak” është krijuar mes Perëndimit dhe Turqisë në Qipro: nafta si subjekt

Një ndërmarrje naftënxjerrëse italiane dhe franceze njoftoi se ka gjetur naftë në jugperëndim të Qipros, ku sipas vlerësimeve ka rreth 230 miliard m² naftë (parcela 6), ndërsa në vend tjetër, ka rreth 20 miliard m² (parcela 12). Kjo parcelë do të shfrytëzohet nga Izraeli, Amerika dhe Hollanda dhe do të transportohet ose në Izrael ose në Qipro për t’u magazinuar. Për të mbuluar nevojat e tij Qiprua ka nevojë për rreth 1 miliard m² naftë në vit. Si pasojë, qeveria e Qipros i ofron palës turke të Qipros çmim të ulët të energjisë elektrike. Por thuajse gjithë kjo zonë kontrollohet nga flota ushtarake turke: “Navtex”, e cila nuk lejon përparimin e shfrytëzimit të burimeve, përveç burimit “12” ku është projektuar Izraeli etj. Në dijeni të plotë të burimeve Erdogani kërcënoi Qipron dhe Greqinë me disa deklarata —se Turqia mund të kontrollojë edhe Egjeun përveç frontit luftarak me Sirinë etj— por e zbuti retorikën e tij lidhur me përplasjen e qëllimshme që ndodhi mes një anije ushtarake greke që patrullonte në kufirin detar me Turqinë dhe një anije turke. Paralel me këto ngjarje BE-ja kritikoi qendrimet e Erdoganit. Sidoqoftë, është e qartë se Turqia është përfshirë në një luftë të gjatë me kurdët dhe gjithë energjitë e saj ushtarake do të përqendrohen atje. Është, gjithashtu, në interes të Uashingtonit ta mbajë Turqinë të angazhuar me kurdët se sa me grekët pavarësisht se Erdogani do të mundohet t’i hedhë barut herë pas here “zjarrit” me Greqinë. Pas kësaj faze Erdogani provokoi palët e përfshira se do të dërgojë anije kërkuese në AOZ-in e Qipros turke dhe vazhdoi me deklarata të ashpra kundrejt amerikanëve. Këta të fundit mbajtën qendrim të butë pavarësisht “radikalizimit” të Erdoganit: duke theksuar se Turqia është anëtare e NATO-s dhe ka dhënë një kontribut të madh në misionet e saj. Kriza kulmoi me paralajmërimin e Erdoganit për një luftë të tretë botërore: sepse, sipas tij, amerikanët po grejnë baza ushtarake në Siri, dhe do të bëhen shkak për shpërthimin e një lufte botërore mes Rusisë dhe Amerikës.

Sidoqoftë, amerikanët do ta shmangin përballjen me Rusinë dhe e vetmja luftë që mbetet për t’u zhvilluar, është mes Turqisë dhe perëndimit. Gjykuar nga qëllimi afatgjatë i Amerikës —të ruajë praninë e saj në Siri (dhe jo vetëm) dhe të krijojë një shtet kurd në rajon— sepse një shtet kurd është në objektivin e Izraelit gjithashtu, raportet e amerikanëve me Erdoganin do të përkeqësohen dhe ose do të shkaktohet një tjetër puç ushtarak për eliminimin e tij, një objektiv që bëhet i pamundur në kushtet aktuale meqë Erdogani ka kontroll të lartë të sistemit dhe ushtrisë —megjithëse përpjekjet e mbështetësve të Gylenit vazhdojnë: së fundmi u asgjësua një përpjekje në Greqi e cila mund të zhvillohet edhe në Shqipëri— ose do të përdoren e trazirat e brendshme përmes protestave dhe trazirat e jashtme përmes kurdëve. Gjykuar nga këndvështrimi i Erdoganit, i cili e di mjaft mirë se nëse lejon gylenistët të integrohen në sistem më shumë, do të eliminohet me ndihmën e perëndimorëve, ai do të ashpërsojë qendrimin e tij dhe do të përkeqësojë raportet me perëndimin duke flirtuar me luftën ekonomike, e cila, do ta gjunjëzojë shumë shpejt.            



[1]Αμερικανική βάση στην Καλαμάτα, Ελευθεροτυπία, 13 Αυγούστου 2013.

[2]Μνημόνιο εν ενεργεία, Ελευθεροτυπία, 11 Αυγούστου 2013.

[3]Greek PM defends decision to buy US-made fighter jets, FT, 28 October 2017.

[4]Τα «ψιλά γράμματα» στο deal των F-1, Kathimerini, 30 tetor 2017.

[5]Στο ναδίρ οι σχέσεις Αθήνας – Μόσχας, Kathimerini, 13.11.217.

[6]Rusia to begin implementing S-400 missile deal with Turkey in early 2020, Tass, March 12 2018.

[7]Οι ένοπλες δυνάμεις Ελλάδας και Τουρκίας σε αριθμούς, Skai, 27.02.2018.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA