...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Zgjedhjet amerikane: patriotët kundër globalistëve dhe e ardhmja e botës

Në 24 shtator të vitit 2019, Trampi tha mes të tjerash në Kombet e Bashkuara se “e ardhmja nuk u takon globalistëve. E ardhmja u takon patriotëve”.

Ylli Përmeti

08/11/2020 - 10:22

Trampi na paralajmëroi që kur filloi fushatën elektorale në vitin 2016 se ai do të sfidonte globalizmin neoliberal kur thoshte se do të rishikonte hegjemoninë amerikane; do të çmontonte institucionet ndërkombëtare si OBT-ja e të tjerë, të cilët përbëjnë kuadrin institucional të globalizmit neoliberal; kur thoshte se do të kthente në atdhe gjithë trupat ushtarake amerikane dhe do të çangazhonte Amerikën nga NATO-ja; dhe kur thoshte se do të kthente korporatat amerikane në atdhe. Ai nuk e quan “globalizëm neoliberal” sepse nuk është studiues dhe si i tillë nuk ka kuptim të plotë të politikave social-demokrate të shekullit të kaluar krahasuar me politikat neoliberale. Por e ka kuptuar se ç`është globalizmi neoliberal për të cilin ai flet thuajse kudo. Qasjen e tij anti-globaliste e bëri të qartë edhe kur ishte në presidencë jo vetëm me politikat e tij por dhe me qendrimet e tij. Siç edhe pritësh, gjatë vitit të parë të presidencës ai e zbuti qendrimin e tij anti-globalist.

Por ai e themeloi në 26 janar të vitit 2018 në Forumin Ndërkombëtar të Davosit: në fjalimin e tij ai paraqiti parimet themelore se si do të drejtohësh bota me presidencën e tij. Marrëveshjet shumëpalëshe, që karakterizonin tre dekadat e fundit, do të ndërmerreshin vetëm nëse ato ishin në dobi të të gjitha palëve dhe jo vetëm në dobi të Amerikës apo vendeve të tjerë. Në të njëjtën fjalë Trampi denoncoi pushtetin e të fuqishmëve, drejtuesit e kombeve, titanën e biznesit, gjigandët e industrisë, duke u kujtuar atyre se “me pushtetin e tyre vjen një detyrë, një detyrë besnikërie ndaj popullit, punëtorëve, myshterinjëve, të cilët ju bënë juve ata që jeni”. Po aty ai ripohoi se Amerika mbështet “tregun e lirë” por jo “tregun e padrejtë” ndërsa paralelisht ftoi korporatat amerikane të ktheheshin në atdhe dhe ftoi joamerikanët të investonin në SHBA. 

Tregu i lirë, rrjedhimisht, siç ishte zhvilluar tre-katër dekadat e fundit do të merrte karakter tjetër: kryesisht dy-palësh se sa shumë-palësh si në të kaluarën. Përmes kësaj qasje Trampi vendoste sovranitetin e kombeve të parin jo marrëveshjet shumë-palëshe, të cilat kishin shkatërruar industrinë amerikane dhe jetën e punëtorëve. Që këtej lind dhe motua e tij “Amerika e Para”. Një ditë përpara fjalës së Trampit, në të njëjtin forum, Sorosi, bilioneri amerikan i mirënjohur, mbajti një konferencë ku tha mes të tjerash se Trampi kërcënon botën “liberale” dhe se administrata e tij “është e rrezikshme për botën”. Ai parashikoi se Trampi “do të zhdukësh në vitin 2020 ose më herët”! Kujtoj se Sorosi kishte “parashikuar” më herët se Trampi do të shkatërronte ekonominë amerikane gjatë vitit të parë në presidencë. Por gaboi! Njëlloj gaboi me parashikimin e tij në të njëjtin forum kur tha se Trampi do të shkatërronte tregun e aksioneve në vijimin e presidencës së tij. Por sërish ai gaboi! Ekonomia amerikane u rrit më shumë se kurdo herë tjetër në historinë e saj 70 vjeçare dhe tregu i aksioneve theu rekorde njëri pas tjetrit.

Sidoqoftë, pas një viti, në 24 shtator të vitit 2019, Trampi tha mes të tjerash në Kombet e Bashkuara se “e ardhmja nuk u takon globalistëve. E ardhmja u takon patriotëve”. Me këtë thënie Trampi tronditi globalistët si Sorosi dhe dërgoi një sinjal të ri kundrejt kombeve që shtypen nga dinamika e globalizmit neoliberal. Media ndërkombëtare, ndërkohë, u përqendrua në qendrimet e tij shpesh kundërthënëse, por të qëllimshme, parë nga perspektiva e Trampit, se ai nuk është i përshtatshëm për president! Kjo propagandë i dha efektet e saj tek të gjithë ata që ndjekin median ndërkombëtare e cila dominohet nga globalistët. Në këto kushte sociale filloi dhe fushata zgjedhore 2020: mes globalistëve, Trampit dhe popujve që indoktrinoheshin nga propaganda e globalistëve dhe që nuk kuptuan thelbin e politikave të Trampit.              

Por duhet thënë se qoftë Trampi qoftë Bajdeni, kanë përdorur më shumë emocionet e keq të popullit (kryesisht urrejtjen) se sa arsyetimin e drejtë dhe emocionet e mirë të tij: Trampi ka përsëritur më shumë se gjithçka tjetër argumentin se po të vijë në pushtet globalisti Bajden, ai do të imponojë socializmin dhe ky i fundit, sipas tij, do të shkatërrojë ekonominë dhe jetën e amerikanëve; Bajdeni ka përdorur gjatë gjithë kohës argumentin se Trampi është “racist”, “mizogjinist”, dhe i “papërshtatshëm” për presidencën amerikane duke përdorur disa nga qendrimet e tij. Por qoftë Trampi qoftë Bajdeni gabojnë: sepse Bajdeni nuk mund të zbatojë asnjë lloj “socializmi” kur dihet se është globalist — sepse globalizmi neoliberal nuk përputhet me asnjë lloj socializmi; ndërsa Bajdeni përdor qendrimet e Trampit por të shkëputura nga konteksti dhe u jep kuptim tjetër.

Sigurisht, nga pikëpamja politike, se si është kuptuar politika shekujt e fundit, si baltosje e tjetrit duke mos iu përmbajtur fakteve, ai gjykon se ka të drejtë. Akuzat e Bajdenit, rrjedhimisht, të cilat i përdorin dhe disa të “majtë” në anët tona, nuk mbështeten në fakte por në qendrime politike të shtrembëruar. Për shembull, kur e quan “racist” kur dihet se racizmi i njeriut nuk mund të matet dhe kur dihet se racist quhet një njeri që vret dikë në emër të racës. Historikisht racistë kanë qenë nazi-fashistët. Bindje dhe veprime të ngjashme nuk kemi dëshmuar te Trampi. Apo kur e quan “mizogjinist” kur dihet se mizogjinizmi nuk mund të matet por mund të shprehet me urrejtje ndaj grave dhe kur dihet se Trampi i dashuron më shumë gratë se akuzatorët e tij. Apo kur e akuzon si të “papërshtatshëm” kur dihet se “përshtatshmëria” e tij, e cila lidhet kryesisht me qendrimet dhe vendimet e tij politike, shtrembërohet qëllimshëm.

Sidoqoftë, populli filloi të votonte herët, kryesisht për të shmangur grumbullimet meqë epidemia ishte nëpër këmbë. Shumë vota u postuan me postë. Si rezultat, në ditën e parë pas zgjedhjeve harta amerikane u ngjyros blu në lindje dhe perëndimin e saj dhe e kuqe në qendër: rajonet blu dihet se banohen kryesisht nga pasanikët ndërsa rajoni qendror i saj banohet kryesisht nga klasa punëtore. Harta ngriu që ditën e parë me 214 kandatë të fituar nga Trampi ndërsa rivali i tij kishte 246 dhe më pas ky i fundit shtonte votat ndërsa për Trampin mbetën në vend numëro! Argumenti që u përdor ishte se votuesit e Trampit votuan fizikisht dhe u numëruan herët ndërsa të Bajdenit me postë dhe këto të fundit vonojnë të numërohen.

Si rezultat, Bajdeni theu pregun prej 270 kandidatë dhe “fitoi” dhe shtetet ku mbizotëronte Trampi ditët e para. Si pasojë, media shpalli fituesin ndërsa pasuan urimet nga vende të ndryshme. Por një ngjarje e padëshmuar ndonjë herë ndodhi kur Trampi po denonconte votimet: telelvizionet kryesorë ndërprenë denoncimin e presidentit sepse ai, sipas tyre, nuk thotë të vërtetën! Kjo është një shkelje flagrante e detyrës së televizioneve: sepse nuk janë televizionet dhe gazetarët që përcaktojnë të vërtetën por gjykatat! Detyra e gazetarëve është të përcjellin çdo denoncim. Sidoqoftë, ç`mund të prisnim nga televizionet që diktohen nga globalistët: të bënin detyrën? Jo! Ata janë atje të propagandojnë dhe shtrembërojnë faktet.

Çështjen e manipulimit të zgjedhjeve nuk e përmendi thuajse asnjë media gjatë ditëve të para. Vetëm FT shkroi një analizë ku shqyrtohësh mundësia e manipulimit të tyre.  Por dihet se nevojiten hetime për të treguar se nëse janë manipuluar zgjedhjet. Këtë bëri administrata e Trampit menjëherë pas shpalljes së fituesit: filloi të ngrinte padi për zonat ku dyshohet ndërsa nuk pranoi —me të drejtë— fitoren e rivalit. Ky i fundit, në vend të respektonte dyshimet e rivalit dhe të priste hetimet, shpalli veten president! Por është e qartë se një betejë e gjatë do të zhvillohet mes palëve...       

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA