...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Zgjedhjet Francë-2022: “revolucioni” popullor i Lepenit dhe e ardhmja e shoqërisë franceze

Makroni humbi mbështetje përgjatë gjithë shtresave shoqërore, në zonat urbane, gjysmë-urbane dhe rurale ndërsa Lepeni fitoi në zonat e varfëra rurale dhe gjysmë-rurale

Ylli Përmeti

26/04/2022 - 15:47

Zgjedhjet e 24 prillit në Francë përgënjeshtruan anketat dhe zgjedhjet e raundit të parë, gjithashtu dhe pritshmërinë lidhur me sjelljen e mbështetësve të “mbretbërësit”, Melonshos: sepse Makroni fitoi me rreth 58% të votave ndërsa Lepeni humbi me mbi 41%. Më shumë se gjysma e votuesve në raundin e parë votoi kandidatët euroskeptikë: të majtën dhe të djathtën e skajshme, siç quhen nga demagogët neoliberalë.

Por lajmi kryesor në këto zgjedhje ishte përqindja e ulët e pjesëmarrësve: rreth 28% e votuesve nuk morën pjesë. Kjo është përqindja më lartë që nga viti 1969. Lajmi tjetër ishte se Makroni u rizgjodh pas 20 vitesh, sepse përpara tij presidentët nuk rezistonin më shumë se një mandat; një tjetër është se ai është presidenti i parë që rizgjidhet me sistemin zgjedhor të themeluar në vitin 1962 me kontroll të plotë të qeverisë. Më parë presidentët e rizgjedhur kanë qenë në “bashkëjetesë” me kryeministrat që vinin nga partitë rivale mbizotëruese në Asamblenë Kombëtare.

Por në shifra konkrete Makroni ka humbur ndërsa Lepeni ka fituar nëse e krahasojmë me zgjedhjet e vitit 2017: pesë vjet më parë Makroni mundi Lepenin me 66% përkundër 34% ndërsa në vitin 2002 Zhak Shiraku i qendrës së djathtë mundi babain e Lepenit, Jean-Marie Le Pen, me 82% përkundër 18% pasi drejtuesi i Frontit Kombëtar papritur arriti raundin e dytë. Këtë herë gara gjatë raundit të parë ishte aq e ngushtë saqë Lepeni e ngushtoi atë në kufirin e gabimit anketues.

Makroni humbi mbështetje përgjatë gjithë shtresave shoqërore, në zonat urbane, gjysmë-urbane dhe rurale ndërsa Lepeni fitoi në zonat e varfëra rurale dhe gjysmë-rurale; ajo fitoi dhe nga klasa e mesme jashtë qyteteve ku ajo fitoi thuajse gjysmat e votave. Porpaganda e saj për kostot e jetesës dha efekt në këto klasa shoqërore. Makroni mbetet popullor në zonat e pasura dhe qytete pavarësisht se mbështetja nuk është sa e vitit 2017 ndërsa Lepeni ka pak mbështetje në zonat e pasura urbane. Makroni fitoi me ndihmën e mbështetësve të Melonshos pavarësisht se ky i fundit nuk mbajti ndonjë qendrim pas raundit të parë: sepse ndërsa 45 për qind e tyre abstenuan në raundin e dytë 42 për qind mbështeti Makronin ndërsa 13 për qind mbështeti Lepenin.

Makroni fitoi vota dhe nga mbështetësit e kandidates së djathtë Valerie Pecresse dhe nga mbështetësit e kandidatit mjedisor Yannick Jadot ndërsa 78 për qind e atyre që mbështetën kandidatin e djathtë Eric Zemmour mbështetën Lepenin. Makronin e mbështetën kryesisht të moshuarit dhe rinia ndërsa Lepenin kryesisht mosha mesatare. Raundi i tretë ―për shumicën në parlament― zhvillohet në qershor.

Por do të ishte e dobishme të shqyrtonim kushtet politike dhe social-ekonomike në të cilët u zhvilluan këto zgjedhje: sepse do të kuptonim më mirë shoqërinë franceze. Këto zgjedhje u zhvilluan në kushte të cilët përshkruhen në një analizë të thelluar nga një autor që punon në Universitetin e Oksfordit si ndjekës dhe docent i politikave franceze: Sudhir Hazareesingh. Ai është autori i dy librave të cilët tregojnë realitetin politik dhe shoqëror të shoqërisë franceze.

Në analizën e tij ai kujton që në fillim se e djathta e moderuar ka filluar me Valery Giscard d`Estaing dhe kandidatin e partisë socialiste François Metterrand kur i pari mundi të dytin me thënien se “Vous n`avez pas...le monopole du coer” (Ju nuk keni monopolin e zemrës) në debat televiziv. Që nga ajo kohë, për thuajse pesë dekada pushteti ka ndryshuar rregullisht mes dy blloqeve përkatës: mes të majtës së moderuar dhe të djathtës së moderuar. Sot partitë kryesore të së djathtës dhe të majtës së moderuar, Republikanët dhe Socialistët, të cilët furnizuan Republikën e Pestë me shumicën e presidentëve të saj, janë të vdekura: kandidatët e tyre Valerie Pecresse dhe Anne Hidalgo nuk fituan as 5 për qind të pragut i cili garanton pagesën publike për shpenzimet e fushatës.

Rireshtime kritike që dolën në dritë në zgjedhjet e vitit 2007 ― shfaqja e një force të re politike rreth Makronit dhe çintegrimi i partive sunduese tradicionale të Republikës së Pestë ― janë përshpejtuar. Përçarjet socio-ekonomike të Francës janë ashpërsuar nën presidencën e Makronit: ndarja mes qyteteve të mëdhenj të begatuar [...] (veçanërisht Parisi) dhe qyteteve të vogla të munduara; ndarja mes Francës rurale dhe urbane; çarjet në përvojat dhe këndvështrimet e botës e të rinjëve dhe të vjetërve, borgjezia dhe klasat punëtore, dhe përgjithësisht eurofilët optimistë dhe globalistë dhe më shumë pesimistë, nacionalistët brenda-kërkues; dhe mbi të gjitha mospajtimi mes partive teknokratike të qeverisë dhe populistëve nga e majta dhe e djathta. Përçarjet politike janë normale në Francën moderne: në 1970 ishte e zakonshme ta quaje shtetin si “coupee en deux” (“të ndarë në gjysma”).

Por përçarjet e sotme shkojnë më thellë. Melonshoja dhe Lepeni morën 45 për qind të votave (krahasuar me 28 për qind të Makronit) dhe nëse përfshijmë kandidatët e tjerë disidentë (Gjelbërtarë, nacionalistë, dhe e majta radikale) pika anti-sistemike ngjitet në thuajse një të tretën e zgjedhësve (ajo ishte nën 50 përqind në 2017). Pasoja më e jashtëzakonshme e zgjedhjeve 2022 ishte shfaqja e tre blloqeve të dallueshëm, të grumbulluara rreth qendrës, socialistët demokratikë dhe e majta anti-kapitaliste dhe e djathta radikale. Deri tani atje është një shembull për një trajtë të tillë që shkon pas herët në epokën e luftës së ftohtë, kur një “Forcë e Tretë” qendrore, e përbërë nga parti të vogla konservative, liberale dhe socialiste, qeverisën Republikën e Katërt në ballë të kundërshtimit të pamëshirshëm nga Golistët dhe Komunistët. Nuk është një shembull i gjetur ngaqë regjimi ishte duke u munduar nga paqendrueshmëritë dhe u rrënua në vitin 1958, duke shtruar rrugën për Republikën e Pestë.

Lëvizja e Lepenit, Rassemblement National, është trashëgimtarja e nacionalizmit autoritar francez, i cili u shfaq në dekadat e vona të shekullit 19 nën Republikën e Tretë që lindi Boulangism (lëvizjen e parë evropiane populiste), fashizmin e ndërluftrave, regjimin kolaboracionist të Vichy-s, lëvizjen e viteve 1950 anti-taksë dhe anti-parlamentare Poujadist-e dhe revoltën e hershme Algerie Française të viteve 1960, e cila kërkoi të mbante sundimin kolonial francez në Algjeri. La France Insoumise (Franca e Panënshtruar) e Melonshos gjurmon pararendësin e saj tek tradita radikale republikane, socialist demokratike dhe ndërkombëtare të revolucioneve të viteve 1789 dhe 1848 dhe Komuna e Parisit, ndërsa liberalizmi borgjez i Makronit është një prapakthim tek Orleanizmi, forca mbizotëruese intelektuale e politikave franceze e mes deri në fund të shekullit 19. Siç ka treguar presidenca e Makronit, liberalizmi politik francez është dukshëm i ndryshëm nga varianti i tij anglo-amerikan: ai përqafon lehtë pushtetin e qendërzuar, është dyshues ndaj pluralizmit, dhe racionalizmi i tij filozofik mund të jetë tejet elitist.

Nuk do të ishte e çuditshme që lëvizja e “giles jaunes” u shfaq në 2018-19 për të sfiduar Makronin (ata e quajtën atë “president të pasanikëve”), veçanërisht ngaqë ajo u frymëzua nga tradita e gjatë franceze e protestës anti-shtet e cila është shpalosur me rregullsi thuajse ciklike që nga fundi e luftës së dytë botërore. Tensioni mes sundimit të ligjshëm dhe jopërshtatjes është ende në zemrën e kulturës politike franceze. Ajo paraqiti dy fytyrat e Charles de Gaulle, të cilat nuk iu bindën eprorëve në 1940 për të nisur Rezistencën Franceze kundër Gjermanëve dhe më vonë ndihmoi të komplotonte grushtin ushtarak që rrëzoi Republikën e Katërt parlamentare; por ai ishte gjithashtu një njeri që besonte në udhëheqjen e fortë të qendërzuar. Ai hartoi institucionet e Republikës së Pestë për të kufizuar pushtetin e partive politike, veprimtaria e të cilave mendonte ai shkonte kundër interesit kombëtar, dhe nënshtroi prirjen franceze, të trashëguar nga tradita revolucionare e republikanizmit radikal, të sfidonte dhe nënshtronte autoritetin e themeluar.

Regjimi presidencial i shumë-kritikuar ka treguar qendrueshmëri strukturore të konsiderueshme. Lëvizjet vijuese politike janë krijuar në shëmbëllesën e themeluesit të saj Gaullist. Kjo shëmbëllesë mbetet e gjallë në vitin 2020: tre fituesit kryesorë janë të gjithë udhëheqës qendërzues, synues-ndërtues që mbështesin kanditaturat e tyre, me largpamësi të gjerë programore dhe me pak përgjegjësi të brendshme demokratike. Hoka e vjetër franceze ende zbatohet: njerëzimi mund të ndahet në dy grupe, golistë të majtë dhe golistë të djathtë.

Sidoqoftë, anë të tjera të qendrueshme e traditës goliste (gaullist) kanë treguar tejet më pak pëlqim ― dukshmërisht përbuzja për shoqërinë e qytetëruar dhe masa prapësimi të rregullimit joliberal në ligj urdhërues dhe një ligj të ri sigurie që lejon dronët të filmojnë popullin; këto dhe masa të tjera të rënda janë kritikuar nga Amnesty International. Ndjenja franceze anti-establishment është mbushur gjithashtu me një çështje tjetër të kundërshtuar të qeverisjes goliste: depërtimi i elitave politike nga grandes ecoles teknokratike ― një proces rritës që u përshpejtua vonë në shekullin e 20 nën presidencat e udhëheqësit miteranist dhe golist Jacques Chirac. Anti-elitizmi francez mbush zemërimin e Parisit, një nga anët klasike të kulturës politike franceze, dhe ajo sqaron pjesërisht dështimet e trishtueshme të kandidaturave të Hidalgout (kryebashkiaku aktual i Parisit) dhe Pecresse (president i këshillit rajonal të Ile-de-France).

Makroni, një teknokrat i cili nuk garoi kurrë përpara 2017, mishëron këtë traditë ftohtësie pariziene pavarësisht vendimit të tij simbolik për të mbyllur Ecole Nationale d`Administration pas protestave të gilets jaunes. Rrënimi i të djathtës së moderuar dhe forcimi i të djathtës radikale mund t`i vishet thurjes politike të Makronit përgjatë pesë viteve të kaluar. I zgjedhur me premtimin e një politike të një lloji të ri atij mund t`i vishet mëkëmbja e autoritetit vendor dhe ndërkombëtar të presidencës franceze, duke nxitur rritjen ekonomike franceze dhe investimet e huaja, dhe duke ulur papunësinë.

Sidoqoftë, presidenti e braktisi shpejtë kalendarin e tij përparimtar, në mënyrë të dukshme mbi mjedisin, barazinë gjinore, qeverisjen demokratike dhe rilindjen e brendësisë së qytetit. Ai i ankoroi politikat e tij ekonomike mbi të djathtën, duke vendosur ish republikanin anëtar të besuar Bruno Le Maire në ministrinë kyçe të punëve ekonomike dhe financiare.

Makroni dhe Le Maire vazhduan të drejtonin ekonominë franceze drejt një rruge neoliberale, duke ulur taksat për punëdhënësit, duke reformuar kodin e punës për ta bërë më të thjeshtë pushimin e punëtorëve dhe duke ulur taksën e pasurisë.

Në Francën e Makronit fuqia blerëse e 5 për qind më të varfërve ka rënë, ndërsa të pasurit janë bërë më të pasur. Rezultatet e zgjedhjeve të raundit të parë vërtetuan statusin e Makronit si “president i të pasurve”: votues të kamur (ata që fitojnë më shumë se 3,500 euro në muaj) u grumbulluan te presidenti (39 për qind) ndërsa ata me të ardhura të ulëta (1,000 euro ose më pak) votuan në mënyrë të papërmbajtshme Melonshon (33 për qind) dhe Lepenin (32 për qind).

Gjykuar nga këto kushte dhe të tjera që nuk i kam cituar këtu, autori konkludon se “nëse Makroni rizgjidhet, ai do të sundojë mbi një vend më të përçarë dhe më të polarizuar se pesë vite më parë; kjo ndoshta do të riforconte me kryeneçësi mendësinë e bunkerit të Elysee-s dhe zgjonte valë të reja protestash (lidhur me planet e kundërshtuar të Makronit për të rritur moshën e pensionit)...një gjë është e sigurtë: cikli francez i ligjësimit dhe kundërshtimit do të vazhdojë ndërsa populli lufton me pasionin e pandarë të kulturës së tij politike: rend dhe barazi”.

Thuajse të njëjtin realitet tregon një analizë e FT këtë herë lidhur me thyerjet franceze: vendi i përçarë nga fraktura të thella territoriale mes vendeve ku njerëzit begatojnë, të udhëhequr nga qendrat urbane dhe zona tërheqëse turistike, dhe vendet ku nuk po begatojnë, duke përfshirë qytete të vegjël dhe zona rurale gjithashtu dhe zona nënurbane.

Lepeni ka vendosur në qendër të fushatës së saj votat e klasës punëtore duke e quajtur atë “Franca e harruar”. Duke u përqendruar mbi çështje jetike ajo ka bërë fushatë thuajse vetëm jashtë qyteteve të mëdhenjë me marshe dhe vizita të vogla në tregje të vegjël, duke karakterizuar Makronin se një elitist të pa përfshirë në realitetin e popullit dhe nuk kupton mundin e tij. Madje ajo përdori dhe qasjen marksiste lidhur me votuesit: sipas njerëzve pranë fushatës së saj ajo përdori strategjinë e rigjallërimit të votës klasore duke kundërshtuar “bllokun e elitës” që mbështesin Makronin me “bllokun e saj popullor. 

Lepeni është relativisht e re në moshë (53) dhe shumë njerëz të klasave të ulëta të shoqërisë e admirojnë atë―madje në sytë e tyre ajo është rrezëllitëse.  Dhe duke gjykuar nga politikat neoliberale të Makronit dhe dinamika e tyre―që pasurojnë më shumë të pasurit dhe varfërojnë më shumë varfërit duke përfshirë dhe varfërinë e ekosistemit për të cilin Makroni flet shumë por s`ka bërë thuajse asgjë―Lepeni ka mundësi ta shfrytëzojë pesëvjecarin e ardhshëm të Makronit si president dhe të vetes si udhëheqësja e opozitës dhe frontit popullor dhe të dalë me fitore zgjedhjet e ardhshme. Por do t`i duhet të punojë më shumë me Melonshon dhe mbështetësit e tij, sepse ata do të vazhdojnë të luajnë rol vendimtar në zgjedhjet e ardhshme. Në fakt, qendrimi i Melonshos në këto zgjedhje mund të quhet reaksionar për sa kohë që ai nxiti mbështetësit e tij të mos mbështetnin Lepenin në raundin e dytë ―kur kishin më shumë politika të përbashkëta se sa të kundërta― duke heshtur për Makronin. Klasa punëtore në Francë këtë fakt nuk duhet ta harrojë!  

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA