...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Zogu dhe dhjetori i zi i vitit 1924 për Shqipërinë*

Titulli ka lidhje me një tërmet ideologjik, politik dhe shoqëror që shkatërroi regjimin demokratik të Shqipërisë në dhjetorin e vitit 1924.

Azis Gjergji (Dita)

06/12/2017 - 15:24

Titulli i këtij shkrimi nuk ka lidhje me ndonjë fatkeqësi natyrore, siç ndodhi 50 vjet më parë, kur 177 fshatra të shkatërruar nga tërmeti 6.6 ballë Rihter në Dibër e Librazhd u gjendën në ditët e ftohta të dhjetorit 1967 me 12 vetë të vrarë e 177 të plagosur; nuk ka lidhje as me përmbytjet e mëdha të këtij viti në zonat fushore dhe lumore të Shqipërisë, pasi dëmet dhe pasojat e tërmeteve dhe përmbytjeve janë të riparueshme brenda një kohe të shkurtër.

Titulli ka lidhje me një tërmet ideologjik, politik dhe shoqëror  që shkatërroi regjimin demokratik të Shqipërisë në dhjetorin e vitit 1924. Duke përkujtuar këtë ngjarje të rëndë politike, ish-Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, me rastin e 70 vjetorit te Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924, më 16 qershor 1994, deklaroi:

“Jemi mbledhur këtu sot, nga të katër anët e Shqipërisë, Kosova, viset e tjera shqiptare dhe nga diaspora, për të nderuar së bashku 70 vjetorin e Revolucionit të Qershorit, ngjarjes që hapi për Shqipërinë dhe kombin shqiptar epokën e ndritur të Demokracisë. Revolucioni u realizua nga një lëvizje popullore e drejtuar nga atdhetarë të flaktë jashtë çdo aleance të dyshimtë apo marrëveshje komprometuese që kishin nënshkruar dhe do të nënshkruanin me Beogradin sundimtarët e mëvonshëm shqiptarë, për të siguruar dhe ruajtur fronet e tyre. Revolucioni i Qershorit është dhe do të mbetet njëra nga ngjarjet më rrezatuese për shqiptarët në të gjithë kohërat… Ndaj dhe ngricat e mëdha të Dhjetorit të vitit 1924 “ngrinë” ëndrrën e madhe të Demokracisë shqiptare. Dhjetori i vitit 1924 ishte një dhjetor i zi për shqiptarët dhe për Shqipërinë. Rrëzimi i qeverisë së Nolit nga Ahmet Zogu me mbështetjen e Serbisë përbën njërën prej ngjarjeve më tragjike të historisë sonë kombëtare.” (Gazeta “RD”, 17 qershor 1994)

Përmbysja e regjimit demokratik të vendosur pas fitores së Revolucionit Demokratik në Shqipëri, më 10 Qershor 1924,  u krye  me forcën e armëve të mijëra mercenarëve serbë, malazez e shqiptarë, të urdhëruar për të sjellë në pushtet kreun e kundër-revolucionit të bejlerëve e agallarëve të Shqipërisë,  Ahmet bej Zogun. Në studimin e tij, “Shqipëria. Ngritja e një monarkie”, botuar në vitin 1929, në Londër, historiani Xhozef Suajër shkruan se “këta mercenarë qenë paguar mirë. Forcat nuk ishin më të mëdha nga ç’duhej për të thyer qëndresën e parashikuar, por ishin të mjaftueshme për të siguruar suksesin.” Për ironi të fatit, një muaj përpara se Ahmet Zogu të ndërmerrte sulmin e tij kundër regjimit demokratik në Shqipëri, Elez Isufi i kishte nisur kryeministrit Fan Noli këtë telegram: “Ju paralajmëroj se Zogu i ka ndezur zjarret gjatë gjithë kufirit dhe po përgatitet të futet në Shqipni. Ju ç’po bani atje nga Tirana? Ta dini se përveç meje, të gjithë bejlerët dhe agallarët e Dibrës japin shenja që tani se do ta përkrahin hyrjen e Zogut në Shqipni.” Në një dokument të legatës italiane në Durrës të datës 16 dhjetor 1924, ndër të tjera thuhej: “Në frontin Kosovë–Lumë, sulmi i parë u bë nga reparte të rregullta serbe, duke përdorur topa, mitraloza dhe bomba. Pasi thyen frontin shqiptar, serbët u tërhoqën, duke ua lënë vendin njerëzve të Zogut…” (Dokumente e materiale historike …, Tiranë, 1959, dok. nr. 201, 203)

Forcat popullore vullnetare të Elez Isufit e nipit të tij Isuf Xhelili nuk lëvizën nga llogoret, por qëndruan deri në fund përkrah ushtrisë e xhandarmërisë kombëtare. Isuf Xhelili është dëshmori i parë në mbrojtje të regjimit demokratik të Shqipërisë, ndërsa komandanti hero,  Elez Isufi, i mbiquajtur nga populli “gjenerali me shajak”, i plagosur rëndë, u detyrua të tërhiqej në Sllovë për të vdekur në shtëpinë e tij, në Lisivalle, më 30 dhjetor 1924. Dëshmitarët e luftës së 17 dhjetorit 1924 në Peshkopi pohojnë se urdhri i Ahmet Zogut kishte qenë i prerë: “Elez Isufi dhe Isuf Xhelili duheshin vrarë me çdo çmim e çdo mënyrë”. Elez Isufi ishte lidhur me organizatën politike e luftarake “Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” qysh në themelimin e tij dhe i qëndroi besnik deri në vdekje idealit të lirisë, pavarësisë dhe tërësisë tokësore të Shqipërisë. Jo rastësisht, në vulën e parë të “Komitetit MKK” ishin gdhendur fjalët: “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës e Dibrës”. Për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare dhe luftës kundër ushtrive pushtuese të mbretërisë së Serbisë, qeveria e Beogradit e kishte futur në listën e atyre personaliteteve shqiptare që duheshin asgjësuar fizikisht. (Elez Isufi, kreshniku i Dibrës, (Trajtesa e kujtime), Tiranë, 1996, f. 216, 258)

Ashtu siç ka shkruar historiani serb, Dushan T. Batakoviç, në studimin e tij, Ahmed Bey Zogou et la Serbie Une coopération inachevée (1914-1916), www.academia edu. faqe 169-190, Ahmet Zogu ishte rekrutuar nga kryeministri Nikolla Pashiç qysh në gusht të vitit 1914 dhe gjatë gjithë kohës kishte dhënë prova reale për të merituar kujdesin e mbretërisë jugosllave. Në korrik të vitit 1923, Zogu e kishte siguruar kryeministrin Pashiq se në administratën e tij qeveritare nuk kishte asnjë anëtar të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe se “elementët e tjerë turbullues” të arratisur nga Jugosllavia “nuk do të bënin dot fole në Shqipëri”. Në lidhje me pozicionin e tij projugosllav, gazeta “Novosti” e Beogradit, më 15 dhjetor 1923, në artikullin “Çfarë njeriu është kryeministri?”, kishte shkruar: “Ahmet Zogu përzuri Hasan bej Prishtinën, më të madhin armik të Jugosllavisë…, jep lajme të fshehta mbi lëvizjet e kundërshtarëve tanë… Nën qeverisjen e tij, shumë prej armiqve tanë shkuan liksht në Shqipëri”( P. Milo, Shqipëria dhe Jugosllavia…, f. 164)

Për shërbimet e kryera, Ahmet Zogu ishte shpërblyer nga qeveria e Mbretërisë së Jugosllavisë me fatura financiare, për të cilat  mbledhësi dhe sistemuesi tyre në Arkivin Historik Ushtarak të Beogradit, Tiço Popoviq, ka dëshmuar: “Vlen të shënohet se prej Kongresit të Lushnjës e sidomos pas vrasjes së Esatit, qeveria e Beogradit ka harxhuar 2.000.000 dinarë për karrierën e Ahmet Zogut, dhe atë vetëm deri në maj 1924” (E. Arifi-bakalli, , Qëndrimi i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene ndaj Revolucionit të Qershorit të Shqipërisë”, botuar në revistën Gjurmime Albanologjike”, nr. X, 1980, f. 177)

Megjithatë, ndihma më e madhe financiare e qeverisë jugosllave për kthimin ne pushtet të Ahmet Zogut u akordua pas nënshkrimit të traktatit famëkeq “Pashiç-Zog”, në muajin gusht 1924. Më 11 tetor 1924 legata shqiptare në Beograd njoftoi MPJ të Shqipërisë me këtë telegram: “Ahmet Zogu ka shumë mjete financiare të vëna në dispozicion nga burimi që kuptohet lehtë”. Se kush ishte “burimi” i parave” e ka rrëfyer njëri prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Ahmet Zogut në atë kohë, Çatin Saraçi: “Për herë të parë,” kujton ai, “mbasi u larguam nga Beogradi për në drejtim të Vjenës, Zogu më dha rreth 200 paund, të gjitha kartëmonedha në dinarë, nga 250.000 paund që ai kishte marrë të thata në dorë nga Pashiqi në Beograd.” (Ç. Saraçi, Zogu i shqiptarëve, f. 65)

Dëshmia e Saraçit mbështetet nga historianët Vladimir Dedijer, i cili thotë se Ahmet Zogu mori nga Nikolla Pashiç, 105 milionë dinarë, si dhe Zhivko Avramovski, i cili flet për 30 mijë napolona flori. Shprehimisht, Dedijeri nënvizon: “Kur në vitin 1924 në Shqipëri u rrëzua nga pushteti qeveria feudale e Ahmet Zogut, pushtetmbajtësit në Beograd e pritën këtë feudal, e armatosën dhe e hodhën me ndihmën e bjellogardistëve të Vrangelit në Shqipëri, duke shpenzuar për këtë aventurë 105 milion dinarë” (V. Dedijer, Marrëdhëniet jugosllavo–shqiptare, 1939–1948, Beograd, Borba, 1949; Zh. Avramovski, Kontribut studimit të historisë së Shqipërisë në periudhën midis dy luftërave botërore, revista “Gjurmime Albanologjike”, nr. 2, Prishtinë, 1968)

Shtylla vertebrore e traktatit të fshehtë prej 16 pikash “Pashiç-Zog” ishte shkrirja e shtetit shqiptar Brenda shtetit jugosllav me anën e “bashkimit personal” dhe qeveria jugosllave do ta trajtonte Ahmet Zogun për tërë jetën si kryetar shteti, duke i çelur menjëherë llogarinë vjetore. Është fakt historik se traktati nuk u realizua, por jo për faj të Ahmet Zogut, i cili i realizoi me korrektësinë më të madhe  detyrimet e tij në bazë të pikave X dhe XII, duke u damkosur si tradhtar i atdheut dhe popullit shqiptar:

Pika X: “Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës së Ambasadorëve në Paris që tërheq çdo pretendim të saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe lokalitetin e Vermoshit e Kelmendit, që mbeten në zotërimin e Jugosllavisë.” Për realizimin e kësaj pike, Ahmet Zogu, ushtroi forcën e pushtetit të trefishtë të tij: si Kryetar i Republikës, Kryeministër dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe, në kundërshtim flagrant me vendimet e organeve më të larta të Fuqive të Mëdha dhe të Drejtësisë Ndërkombëtare, më 17 korrik 1925, deputetët dhe senatorët e përzgjedhur me dorën e tij, vendosën për  ngritjen e një komisioni të përbashkët shqiptaro-jugosllav, i cili i kërkoi Këshillit të Lidhjes së Kombeve rishikimin e vendimit të Konferencës së Ambasadorëve të dhjetorit 1922.

Përfundimisht,  sipas Protokollit të caktimit të kufirit midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, Firence 26 korrik 1926, Manastiri i Shën Naumit, si dhe kullotat perëndimore të malit të Vermoshit kaluan në pronësi të Jugosllavisë. (Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare pas Luftës I Botërore, përgatitur nga Arben Puto, vëll. III, Tiranë, 2001, f. 361-383)

Pika XI1: “Qeveria shqiptare do të heqë dorë nga politika ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të vet. Ajo impenjohet, veç kësaj, që të mos pranojë në tokën e saj kosovarët dhe elementë të tjerë, që njihen ose dyshohen për ndjenjat e tyre si kundërshtarë të politikës jugosllave”.

Në zbatim të kësaj pike, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Ahmet Zogu, më 9 janar 1925, i dërgoi komandantit të Operacionit Ushtarak të Veriut, Ceno bej Kryeziut urdhrin e prerë: ““Currin, gjallë a vdekur, duhet ta zini dhe fuqinë e tij duhet ta shkatërroni krejt, duke marrë të gjitha masat që kështu të shuhet revolucioni i Kosovës e të mos përsëritet ma!”

Më 17 janar 1925, gazeta “Indipendenca shqiptare” botoi lajmin e marrë nga homologia angleze “Daily Herald”, ku shkruhej se qeveria e re e Ahmet Zogut “ka vendosur të zhdukë të vetquajturin “Komitet i Kosovës”, për të cilin thuhet se është në marrëveshje me Komitetin Maqedonas, kundra të cilit kundërvepron gjithë Serbia.”

Tre  muaj më pas, kolonel Ceno bej Kryeziu i dërgoi Kryetarit të Republikës, Kryeministrit dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Ahmet Zogu, lajmin e shumëpritur: “Mbas një lufte të përgjakshme që është bërë në bjeshkët e Dragobisë, i arratisuri Bajram Curri ka mbetur i vrarë dhe shoku i tij, i arratisuri Shefqet Draga është zënë i gjallë. Në këtë përpjekje kanë mbetur pesë xhandarë të vrarë e katër të plagosur.

Në vendin që jetonte Bajram Curri janë gjetur dhe shtatëdhjetë armë. Shokët e tij të arratisur janë shpërndarë tepër të dëshpëruar dhe po ndiqen prej fuqisë operative.”(Bajram Curri(Trajtesa e dokumente), Tiranë, 1975, dok. 56, 57, 58)

Të nesërmen, më 1 prill 1925, Ahmet Zogu do t’i dorëzonte kolonel Ceno bej Kryeziut postin e rëndësishëm të ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë.

Që “revolucioni i Kosovës të mos përsëritej ma”, Ceno bej Kryeziu do të varte në litar trimin e mençur të kuvendeve të Malësisë së Gjakovës, Hoxhë Zogun e Bytyçit dhe kryetrimat Gjelosh Rama e Tolkuç Rama të Nikaj-Mërturit; do të vriste Asllan Currin e Husli Thaçin dhe do të digjte e shkretonte të gjitha shtëpitë e bajraktarëve që i kishin qëndruar besnikë Bajram Currit dhe idealit të Revolucionit të Kosovës.

Si përfundim, me vrasjet e patriotëve Bajram Curri, Elez Isufi, Zija Dibra etj., praktikisht vatra e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në Shkodër u shua për të mos u ndezur më kurrë brenda kufijve të shtetit të cunguar të Shqipërisë. (Gazeta “Liria kombëtare”, Gjenevë (Zvicër), nr. 5, 26 gusht 1925)

Vendimet dhe aktet antikombëtare të Ahmet Zogut u kryen njëkohësisht me përqëndrimin e të gjitha pushteteve të regjimit demokratik në duart e tij, duke aktivizuar njësitë banditeske të armatosura në mënyrë ilegale të krahinave që i kishte nën influencën personale.

Dëshmitari i ngjarjeve, kolonel Faik Quku, i diplomuar në Akademinë Ushtarake të Saint-Cyrit të Francës, dëshmon: “Të gjithë qytetet e Shqipnisë u pushtuen prej forcave civile matjane e dibrane, të kryesueme prej kryetarëve të tyne e të lidhun direkt me Zogun, i cili kishte titullin:

Komandant i Përgjithshëm i Operacionit… Triumfi i Zogut, i quejtun Triumf i Legalitetit, në realitet ka qenë triumfi i të huejit kundër shqiptarit; i elementit antinacionalist kundër elementit nacionalist; i injorancës e reaksionit kundër intelektualizmës e përparimit; i diktaturës kundër demokracisë.” (F. Quku, Qëndresa shqiptare…, vëll. I, Tiranë, 2006,  f. 32)

Me shtypjen e regjimit demokratik në Shqipëri, me baza të hedhuara nga Kongresi Kombëtar i Lushnjës dhe të zhvilluar në katër vitet e jetes parlamentare (1920-1924), Ahmet Zogu nuk u përpoq “për stabilizimin e Shqipërisë”, siç shprehet ndonjë autor i huaj, por stabilizoi veten e vet si Kryetar i Republikës dhe si kryeministër, i cili kishte të drejtën supreme të iniciativës dhe të modifikimit të Kushtetutës dhe ishte i vetmi autoritet që mund të propozonte ligjet që kishin të bënin me buxhetin dhe mënyrën e shpërndarjes së tij.

Si Kryetar i Republikës, Ahmet Zogu kishte të drejtë të kontrollonte Senatin prej 18 anëtarësh, gjashtë prej të cilëve emëroheshin drejtpërdrejt prej tij, ndërkohë që Senati do të kontrollonte çdo procedurë të Asamblesë Kushtetuese.

Kryetari i Republikës kishte të drejtën e vetos së pakufizuar mbi ligjet e ndryshme që miratoheshin dhe ishte i autorizuar të shpërndante Asamblenë e të caktonte zgjedhje të reja në çdo kohë. Kryetari i Republikës  kontrollonte pushtetin gjyqësor, pasi i kishte dhënë vetes atributin e emërimit dhe të pushimit të gjykatësve etj. Kryetari i Republikës  kontrollonte pushtetin gjyqësor, pasi i kishte dhënë vetes atributin e emërimit dhe të pushimit të gjykatësve etj. (B. Fischer, Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, New York, 1984)

Kryetari i Republikës, Ahmet Zogu, njëkohësisht Kryetar i Këshillit të Ministrave kishte të drejtën e zgjidhte dhe kontrollonte kabinetin qeveritar, nëpunësit e lartë, por edhe nivelet e tjera që dëshironte; komandonte forcat e armatosura dhe gëzonte të drejtën e gradimit dhe të zhgradimit të oficerëve të çdo rangu.

Ish-senatori Eqrem bej Vlora dëshmon: “Përpunimi dhe miratimi i Kushtetutës nuk hasi asnjë vështirësi në Asamble: hëpërhë qeveria me kryeministër Ahmet Zogun nuk kishte opozitë. Të gjithë ishin të vetëdijshëm që, tani për tani, ky burrë ishte personi që vendoste në këtë vend… Shqipërisë iu desh të jetojë 15 vjet diktaturë zogiste.” (E. Vlora, Kujtime, f. 532, 540)

Gjatë 15 vjetëve të pushtetit diktatorial, Ahmet Zogu, si në postin e Kryetarit të Republikës dhe Kryetarit të Këshillit të Ministrave, ashtu edhe në fronin e Mbretit të Shqiptarëve, duke nënshkruar Paktin e Parë Italo-Shqiptar (27 nëntor 1926), Paktin e Dytë Italo-Shqiptar (22 nëntor 1927) dhe 17 Marrëveshjet Italo-Shqiptare (19 mars 1936) e dorëzoi plotësisht ekonominë, ushtrinë dhe administratën në duart e Italisë fashiste të Benito Musolinit. Gjatë gjithë kohës, siç shprehet Eqrem bej Vlora, Ahmet Zogu u kujdes “për të sigurusr sa më shpejt paratë”.

Në ditën e mbrame të sundimit të tij, më 7 Prill 1939, “kur u detyrua të ikte nga marshimi i i trupave të Musolinit,” përfundon Vlora, “ai ishte beu i vetëm që largohej nga vendi me bindjen disi ngushëlluese se po merrte me vete një thesar tingëllues prej 250.000 apo 300.000 stërlina ar…” (E. Vlora, Kujtime, f. 458)   

*Titulli origjinal ishte: Dhjetori i Zi për Shqipërinë. 

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA