...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shpërthimi i anti-semitizmit në SHBA dhe perëndim dhe shkaqet e tij

Këto janë padrejtësitë kryesore që shkaktojnë urrejtje te populli palestinez ndërsa elitat politike thjesht e mbajnë të ndezur “barutin” për të mbajtur të ndezur gjithashtu shpirtin për të luftuar për drejtësi dhe liri.

Ylli Përmeti

06/02/2024 - 16:37

Në dijeni të plotë të ndikimit që kishin thirrjet e Hamasit për sulme ndaj mbështetësve të luftës së Izraelit ndaj popullit palestinez, organet e rendit në SHBA shtuan masat e sigurisë për shkak të protestave masive në mbështetje të Palestinës dhe sulmeve të mundshme kundër komuniteteve hebraike që në 13 tetor, gati një javë pas sulmit të Hamasit. Masën amerikane e ndoqi dhe Franca, me kryeministrin e saj ta vendosë atë në nivelin më të lartë të alarmit.

Përpjekja për të mbrojtur komunitetin hebre nga sulmet e mundshme në vendet perëndimore përfshiu median dhe universitetin. BBC-ja, për shembull, ndaloi gazetarët të merrnin pjesë në protestat në mbështetje të Palestinës dhe më pas ndaloi dhe gazetarët me origjinë hebraike për të marrë pjesë në protestat anti-semite ndërsa universitetet u përballën me trysni, akuza dhe kërcënime të padëshmuar ndonjë herë dekadat e fundit. 

Zëri` Amerikës publikoi një raport sipas të cilit studentët në SHBA me në krye Harvardin akuzonin drejtuesit e tyre se mbanin anën e Izraelit ndërsa kërcënoheshin me papunësi për mbështetjen e tyre ndaj palestinezëve. Por çështja nuk ishte kaq e ngushtë, sa ç`e paraqiti Voa, sepse drejtuesit e universiteteve kërcënoheshin nga bilionerët, gjithashtu.

Sipas një raporti të Financial Times, “dhuruesit po tërhiqnin miliona dollarë nga fondet e planifikuar për të ndëshkuar universitetet amerikane lidhur me përgjigjet e tyre ndaj sulmit të Hamasit kundër Izraelit, në një përplasje mbi lirinë e të folurit, financimin e shkollës së lartë dhe përgjegjësitë publike të drejtuesve akademikë. Miliarderët duke përfshirë Apollo Global Management të Marc Rowan dhe themeluesin e Limited Brands Leslie Wexner kanë bërë thirrje për dënim më të fuqishëm të Hamasit dhe anti-semitizimit nga universitetet, dhe veprim më të ashpër kundër studentëve që protestojnë kundër Izraelit. Firma ligjore dhe investitore kanë kërcënuar me prapësimin e ofertave të punës që kishin bërë për studentët, ose të mos punësonin protestuesit kur ata të mbaronin studimet”.

“Trysnia”, sqaron më tej raporti, “ka lënë universitetet duke përfshirë Harvardin, Stanfordin dhe Universitetin e Pensilvanisë në vështirësi për të përmbajtur krizën në rritje, me disa të rishikojnë qendrimet e mëhershme për të qenë më të hapur. Të tjerë ― duke përfshirë dhe mbështetësit e lirisë së fjalës dhe Universitetin e North Carolina Wilmington ― kanë mbrojtur parimet e zhvilluar në raportin Kalven të vitit 1967 në Universitetin e Çikagos dhe që nga ajo kohë janë përdorur më gjerë, se universitetet duhet të angazhohen në liri akademike dhe këmbngulin në “asnjëanësi institucionale mbi çështjet politike dhe shoqërore”.

Ndërsa disa tërhoqën dhuratat për shkak të një festivali literature të zhvilluar në një kampus universitar, të tjerë tërhoqën mbështetjen duke përfshirë kapitalistin spekulant David Magerman dhe Jonathon Jacobson, dhe Jon Huntsman, ish-ambasadorin e SHBA-së në Kinë dhe ish-governatorin e Utah-ut, ndërsa presidenti i Blackstone, Jonathan Gray, vazhdon mbështetjen. Por disa bilionerë izraelitë, pjesë e bordeve universitare, si në rastin e Kennedy School, dhanë dorëheqjen për “shkak të mungesës së treguesit të qartë për mbështetjen nga drejtuesit e universitetit për popullin izraelit...të shoqëruar me pavullnetin e tyre të dukshëm për të njohur se çka është Hamasi, një organizatë terroriste”.

“Këto veprime”, citon më tej raporti, “kanë nxjerr në pah ndikimin e dhuruesve, të cilët vitin e kaluar kontribuan 60 miliardë dollarë në universitetet amerikane, dhe trysninë e zmadhuar nga media sociale mbi çështjet e ndjeshme”. Dëftues është pohimi i Liora Rez, drejtore ekzekutive e grupit “StopAntisemtism”: “Ne inkurajojmë çdo ish-student hebre dhe aleatët e tyre që nëse universitetet nuk ndalojnë protestat pro-palestineze, mbyllni bllokun e çeqeve tuaj”. 

Si rezultat, universitetet amerikane filluan përpjekjet për të ulur tensionet mes studentëve, punonjësve dhe fakulteteve, që nuk ishin parë, sipas FT, “që nga koha e luftës së Vjetnamit”. Në fjalët e gazetës: “polarizimi i madh në kampuse reflekton ndjesinë më të gjerë mbi luftën në SHBA. Sondazhet tregojnë se amerikanët shqetësohen më shumë rreth konfliktit se njerëzit në vendet e tjerë udhëheqës të industrializuar ndërsa të rinjtë mbështesin palestinezët dhe një mbështetje në rritje për armëpushim nga Izraeli”.

Ndërsa sulmet (urrejtëse) kundër studentëve që protestojnë për njërën apo për tjetrën palë nuk kanë munguar, Universiteti i Kolumbias iu bashkua Uni. Brandeis dhe shtetit të Floridas duke ndaluar protestat në mbështetje të Palestinës dhe universiteti i Nju Jorkut është paditur për dështimin e tij për të mbrojtur studentët hebraikë. “Përgjatë vendit, Këshilli mbi Marrëdhëniet Amerikano-Islamike lëshoi gati 1.300 ankesa rreth islamofobisë që kur sulmoi Hamasi...duke përfshirë disa të tjerë ndaj Harvardit, të përqendruar te “doxxing” ose në gjetjen e studentëve pro-palestinezë, duke ngritur padi ndaj shtetit të Floridas ndërsa janë regjistruar gati 1,000 incidente antisemitike në 157 kampuse, në shtetet verilindore, kryesisht në universitetet e Pensilvanisë, Harvardit dhe Kolumbias. Të tre këta kanë lidhjet të forta me dhurues me ndikim të madh, me studentë hebraikë dhe, veçanërisht në rastin e Kolumbias, një histori të thellë me bursa dhe veprimtari palestineze.

Për t`iu përgjigjur kësaj krize disa universitete (Kolumbi dhe Nju Jorkut) filluan të krijonin grupe pune për të ndërtuar lidhje më të ngushta mes studentëve për të trajtuar çështje të ndjeshme ndërsa të tjerë (Berkeley etj.) komitete për të njëjtën arsye. Një nismë tjetër synon brujtjen e durimit (tolerancës) jashtë klasës duke inkurajuar grupet e larmishme të jetojnë dhe mësojnë bashkë. Harvadri, madje, filloi të emëronte një numër më të madh “kujdestarësh” për mbështetjen e studentëve në vitin e tyre të parë. Një qasje tjetër synon zhvillimin e një “modeli” diskutimesh të qytetëruar qoftë edhe kur ka papajtueshmëri.  

Por këto nisma nuk mjaftuan për klasën politike amerikane, veçanërisht për republikanët, sepse në një komitet të Dhomës së Përfaqësuesve ata fshikulluan drejtuesit e universiteteve (Harvard, Penn, MIT) për rritjen e anti-semitizmit, duke fajësuar “ideologjinë e majtë” dhe duke kërkuar nga drejtuesit e tyre t`i përgjigjeshin pyetjes “nëse thirrja për gjenocid ndaj hebrenjve përbënte shkelje të rregullave të universiteteve”. Por drejtuesit fajësuan rritjen e përgjithshme anti-semite përgjatë SHBA-së dhe botës dhe armiqësia kundër hebraikëve ishte pjesë e saj ndërsa studentët hebraikë ishin ankuar se ndiheshin të shqetësuar dhe trembur në kampuse duke kumbuar kushtrimet spastruese rreth Izraelit.

Si pasojë, “dhuruesit”, raportoi sërish FT, “―shumë hebrenj, por jo të gjithë― po tërheqin kontributet financiare dhe po përkrahin publikisht për heqjen e disa drejtuesve. Profesorët e universiteteve, ndërkohë, janë torturuar mes përmbajtjes së urrejtjes ―me gjasë të rrezikshme― dhe retorikës ndërsa ruajnë lirinë e fjalës”. Në një raport tjetër, e njëjta gazetë tregon se “akademikët, duke u përpjekur të çapëlonin ndarjet mes lirisë së fjalës dhe sigurisë së kampuseve, mes studentëve të zemëruar dhe dhuruesve të tërbuar, dhe mes filozofive të ndryshme të drejtësisë shoqërore dhe raciale, kuptuan në fund se nuk mund t`i urëzonin”.   

Trysnia e hebrenjëve i dha ‘frytet’ me presidenten e uni. të Harvardit, Claudine Gay, të jepte dorëheqjen pas rreth një muaji. Por dëftues është qendrimi i saj lidhur me anti-semitizmin. Ajo tha se ai “është simtomë e padijes. Dhe kura e padijes është dija. Harvadi duhet të modelojë se çfarë ai do të thotë të ruajë shprehjen e lirë ndërsa lufton paragjykimin dhe ruan sigurinë e komitetit tonë”. Por pa përmendur ndonjë “dije” të veçantë! 

Ndërsa në krye të trysninë qendronin disa nga titanët e korporatave amerikane me në krye Bill Ackman, një ish-student i Harvardit dhe drejtues i firmës së fondit gardhonjës Pershing Square Capital Managment, dhe Marc Rowan, një ish-student i Penn-it dhe bashkëthemelues i Apollo Global Managment, një nga firmat më të mëdha botërore të aksioneve, duke përdorur një fushatë të fuqishme kundër drejtorëve të bordeve korporative dhe drejtuesve të universiteteve, “duke shkruajtur letra publike, lidhjet në Uashington, dhe marrëdhënie të gjata me shtypin dhe, kryesisht, kërcënime për të ndaluar dhurimet”.

Fushata e tyre krijoi përshtypjen në radhët e universiteteve se “ata janë njerëzit më të pasur, më të zgjuarit, dhe rrjedhimisht ata dinë më mirë” por tregoi gjithashtu dhe “pështjellimin moral të elitës universitare amerikane”. Dhe ndërsa kriza antisemitike përfshiu dhe gjykatat amerikane, sepse studentët hebraikë paditën universitetet për “dështimin e tyre për të ndaluar anti-semitizmin”, administrata “Bajden” nuk mbeti e paprekur; madje dhe zyrtarët e lartë të CIA-s, disa prej të cilën dolën hapur në mbështetje të palestinezëve pavarësisht se marrëveshja me shtetin nuk i lejonte të mbanin qendrim publik dhe drejtori i shërbimit, Bill Burns, ishte në Katar për takime me krerët e shërbimeve homologe të Izraelit për lirimin e më shumë pengjeve. Siç citon, për më shumë, e njëta gazetë:

“Mbështetja e fortë e Bajdenit ndaj Izraelit...ka ndarë punonjësit e Shtëpisë Bardhë, departamentin e shtetit dhe agjenci të tjera në një përpjekje për të kuptuar dhe për të shuar shqetësimet e tyre rreth qasjes së presidentit. Dhjetra diplomatë amerikanë paraqitën protesta zyrtare rreth qasjes së Bajdenit përmes kanalit të departamentit të shtetit të ashtuquajtur kundërshtues këtë muaj. Qindra punonjës të tjerë të qeverisë, duke përfshirë emërime politike, nënshkruan letra vetjake (private) dhe publike duke i bërë thirrje Bajdenit të kërkojë armëpushim dhe të lejojë më shumë ndihmën në Gaza...mbrothësia e kësaj përpjekje i ka dhënë Bajdenit një farë lehtësimi...por zyrtarët e SHBA-së e kanë bërë të qartë se ata presin se Izraeli do të rifillojë fushatin e tij...duke rritur mundësinë për pakënaqësi të mëtejshme nga ata”.          

Krahas kësaj dinamike, komuniteti hebraik, në Izrael, universitetet amerikane, dhe median perëndimore, po përdor rrëfenjën se fjalimet e atyre që mbështesin palestinezët në tubime ushqejnë urrejtjen ndaj tyre ndërsa për vetë palestinezët thonë se ata rriten me urrejtje dhe për pasojë ata janë armiqësorë ndaj tyre. Këtë fakt e tregojnë si shkaktar të luftës së tyre. Por ai është pjesërisht i drejtë, sepse megjithëse ata që mbajnë fjalime mund të ushqejnë urrejtjen dhe vërtet populli palestinez rritet me urrejtje ndaj popullit hebre (të cilën e ka ushqyer Hamasi me elitat rajonale të kontribojnë në këtë drejtim, me Teheranin në krye), por pjesën kryesore të saj e shkakton vetë Izraeli me politikat tij jo vetëm pushtuese të tokave palestineze por së fundmi (që nga viti 2018) qeveria “Netanjahu” shtoi në ligjin e tij bazë përcaktimin se shteti izraelit është “Komb-Shtet për Popullin Hebre”!

Pikërisht për këtë përcaktim në Izrael zhvillohet vitet e fundit një përplasje mes kundërshtarëve dhe mbështetësve: sipas të parëve ligji është “racist, i turpshëm dhe poshtërues”, dhe kërkojnë shfuqizimin e tij të menjëhershëm përmes peticioneve të dërguar në Gjykatën e Lartë të Izraelit, ndërsa sipas të dytëve, ai “është një mbrojtje e drejtë ligjore për të drejtën e popullit hebre për vetvendosje, e cila ishte, argumentojnë ata, përligjja për themelimin e shtetit të Izraelit”. Por ai shkakton një sërë implikimesh lidhur me barazinë. Dhe siç sqaron Çomski, i cili ka shkrojtur një libër për këtë çështje, ligji i ri e ndryshon pak realitetin shoqëror atje, sepse, sipas tij, Gjykata e Lartë ka përcaktuar karakterin e Izrealit që në vitin 1960 se ai është “shteti sovran i popullit hebre, gjithë popullit hebre, por jo i qytetarëve të tij, vetëm për hebrenjtë”. Sipas këtij përcaktimi u përcaktuan dhe ligjet e tokës. Sipas tyre ajo do të ishte në drejtimin e Fondit Kombëtar Hebraik, i cili do të punonte, në fjalët e Çomskit, për “racën hebreje, fenë dhe origjinën” e saj.

Ligji i ri, në fjalë të tjera, mbështet ligjin e vitit 1960 sipas të cilit më shumë se 90 për qind e tokës në Izrael i përket vetëm racës hebraike dhe nga përqindja tjetër, 2 për qind, siç sqaron Çomski, mbetet për popullin palestinez! Ligji zgjeron të drejtën e shtetit “hebre” të themelojë gjuhën e tij zyrtare dhe kulturën e tij (hebraike).

Në këtë mënyrë, ai themelon të drejtën e shtetit izraelit të kolonizojë tokat e popullit palestinez dhe t`i kthejë ata në popull pa tokë dhe mëditës (të diskriminuar) ndërsa përpiqet ta asimilojë atë me gjuhën dhe kulturën. Këto janë padrejtësitë kryesore që shkaktojnë urrejtje te populli palestinez ndërsa elitat politike thjesht e mbajnë të ndezur “barutin” për të mbajtur të ndezur gjithashtu shpirtin për të luftuar për drejtësi dhe liri. Për të njëjtat arsye, përpjekja e elitave perëndimore për të përmbajtur protestat e popujve do të dështojë, sepse kjo çështje ka dekada që mbulon faqet e shtypit, ekranet dhe zërin e radio-televizioneve.  

Ndërsa kriza në universitetet perëndimore është më e madhe se çka përshkruhet këtu, të cilën e kam përshkruar në vend tjetër, në Londër u zhvillua një nga protestat më të mëdha që kur filloi kundërsulmi i ushtrisë izraelite në Gazë, në mbështetje të Palestinës, me mbi 300 mijë pjesëmarrës, dhe qeveria konservatore dhe neoliberale e Sunakut u gjend e befasuar dhe kërkoi përgjegjësi nga policia për mos parashikimin e saj, po të njëjtën orë, në Paris u zhvillua një protestë kundër “antisemitizmit” e udhëhequr nga Lepeni, me më shumë se 180 mijë pjesëmarrës ndërsa e “majta” e Melonshosë akuzohet si antisemite, duke krijuar një gjendje të re politike atje, ndryshe nga e kaluara e të djathtës franceze. Siç citon një raport i BBC-së:

“Mbrritëm në gjendjen e re ku një parti themeluesi i së cilës quajti Holokaustin një “hollësi të historisë” të përqafojë hapur të drejtën e hebrenjëve francezë; dhe në anën tjetër të spektrit, një parti të ndërtuar mbi idetë e të drejtave të njeriut dhe barazizë qendron e akuzuar si anti-semite sepse nuk quan Hamasin [organizatë] “terroriste””.

Protestat në mbështetje të Palestinës filluan pak ditë pas kundërsulmit izraelit thuajse në gjithë botën perëndimore ndërsa Hungaria, Austria dhe Zvicra filluan ndalimin e tyre që në 7 tetor dhe Franca dhe Gjermania, ku komunitetet hebraike janë të mëdha, shtypën protestat dhe i ndaluan ato me qeverinë holandeze të përballet me vendimet e gjykatave në mbështetje të protestuesve pavarësisht se masa të tilla bien ndesh me një nga shtyllat kryesore të BE-së: të drejtat e njeriut. Pikërisht për këtë arsye qeveritë evropiane po ndihmohen nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut: në krijimin e një kuadri ligjor për kufizimin e disa të drejtave.     

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA