Papë Francis: vazhdim i obskurantizmit fetar
Papa do të mbahet mend jo thjesht për vazhdimin e obskurantizmit në radhët e kishës katolike, por dhe për thellimin e tij pavarësisht se shumë spikasin politikën e tij për të nxjerrë nga kriza kishën katolike
Ylli Përmeti
21/04/2025 - 19:45
Jetën e Papë Francis gazetarët e oligarkive dhe pushtetet politike e paraqesin si gati “revolucionare” që kur mori “frenat” e Vatikanit në vitin 2013. Ka edhe nga ata që e quajnë jetën e tij para-papiste si “revolucionare” dhe të gjithë bashkë na krijojnë një Papë “revolucionar”; madje vetë Papa, që ishte nga Argjentina dhe anëtar i parë i shoqërisë jezuite, dhe klerik për shumë vite në kontinentin e Amerikës Latine, ndryshoi emrin pasi u zgjodh, në “Francis” duke i dhënë atij kuptimin ‘e njeriut’ që përfaqësonte të ‘varfërit’.
Ishte pikërisht ‘qasja’ e tij por dhe përpjekja e tij më pas që bindi shumë njerëz se ai do të ndihmonte të varfërit. Përpjekja e tij për të ndihmuar të varfërit mori karakter botëror dy vjet më pas kur ai u zotua bashkë me agjencinë e OKB-së për zhvillim të qendrueshëm se do të zhdukte varfërinë, “në gjithë trajtat e saj dhe kudo” deri në vitin 2030!
Por “nga e thëna në të bërë, është në mes një det i tërë”, thotë populli ynë. Sipas një raporti të Bankës Botërore (2024) varfëria botërore është shtuar vitet e fundit pas disa goditjeve që mori ekonomia botërore: si fillim pandemia, më pas inflacioni dhe lufta në Ukrainë. Përpjekja e tij, në fjalë të tjera, bindi shumë njerëz, si Arlind Qori, se ai ishte “një nga njerëzit më frymëzues të kohës sonë, një atë i vërtetë i të varfërve, punëtorëve dhe të shtypurve”!
Krahas përpjekjes së tij për të luftuar varfërinë por pa ndryshuar dinamikën e tregut botëror, se ai pasuron më shumë të pasurit dhe varfëron më shumë të varfërit, në mendjen time mbetet përpjekja e tij për të kuptuar shkaqet e homoseksualizmit dhe pedofilisë (për t`i kuptuar ato Papa ftoi “shkencëtarë” të gabuar, psikologët, në Vatikan) por s`i kuptoi dot (po ta kishte përkthyer ndonjë prift i anëve tona studimin që kam kryer vite më parë mbi shqetësimin e tij edhe mund t`i kishte kuptuar). Kjo ishte arsyeja kryesore se pse ai dështoi për të luftuar apo ndaluar epideminë e fetarëve katolikë (priftërinjë e “shërbëtorë” të tjerë të zotit në radhët e kishës katolike) në homoseksualizëm dhe pedofili.
Një ngjarje tjetër që ka mbetuar në mendjen time ishte moskërkimi` ndjesës për kolonizimin dhe vrasjen e mbi 150,000 fëmijëve të fiseve autoktone gjatë shekullit 19 deri në vitet 1970 nga shteti kanadez me ndihmën e vyer të kishës katolike. Një tjetër, ishte qendrimi` tij “kritikë” ndaj pasanikëve, duke u kujtuar atyre se Krishti lindi në varfëri në një grazhdore—por ai, si përfaqësues` tij, nuk kritikoi ndonjë herë derdhjen e kishës katolike në ar pavarësisht se ai trashëgoi një kishë në krizë financiare! Kritikoi, në fjalë të tjera, botën materialiste dhe pasanikët kur kisha është e para që është zhytur në materializëm! Kritikoi, gjithashtu, lakminë. Këtë të fundit e fajësojnë dhe “marskistët” (tipa si Zizeku) si shkak të krizave ekonomike (lexo, për shembull, “To each according to his greed”: Slavoj Zizek: 2009! Por si Papa ashtu dhe “marksistët” e mjerimit, nuk tregojnë as se nga buron lakmia as dhe si mund të përmbahet!
Një qendrim tjetër politik ishte lidhur mbështetjen e një aplikacioni elektronik nga Vatikani i quajtur “Rrjeti Botëror i Lutjes me Papën”, në përpjekjen e tij për të tërhequr rininë në fenë përpaktëse, ku fetarët mund të luteshin dhe të krijonin ndjesinë se luteshin në prani të Papës, kryendërmjetësit të Zotit, ndërsa mbulonte shpërdorimet e drejtave të fëmijëve nga fetarët katolikë. Një ngjarje tjetër ishte përpjekja e Papës për të përshtatur teorinë e “Big Bangut” dhe të “evolucionit” me “krijuesin” pikërisht kur u zbuluan nga një dokumentar “sekretet më të thella dhe më të errëta” të Vatikanit: jo vetëm homoseksualiteti dhe pedofilia e priftërinjve por dhe krimi i organizuar financiar i Vatikanit me bankën e tij.
Një dokumentar i vitit të kaluar (shiko në fund) lidhur me “punët” e pista të Vatikanit tregon se kisha katolike ka kaluar shumë kriza financiare dy-tre shekujt e fundit por Francis e vendosi atë në “binarë” me politikën e tij të ndryshme nga pararendësit: duke spikatur përulësinë dhe shërbesën ndaj të varfërve dhe të skajuarve, duke shmangur luksin dhe duke ngritur çështjen e ndryshimit të doktrinës fetare, sidomos lidhur me qasjen mbi gjinitë. Në këtë mënyrë ai joshi fetarë dhe jo-fetarë rreth botës dhe rriti në radhët e kishës katolike numrin e fetarëve dhe si pasojë rriti –përmes dhurimeve të fetarëve– pasurinë e bankës së Vatikanit.
Vlen të përmendet ardhja e tij në vitin 2014, një vit pasi ishte ngjitur në pushtet kryekrimineli ynë i radhës, Rama, dhe u prit si të ishte vërtet një njeri i “shenjtë”, sikur prej shpirtit të tij, “hyjnor”, do të begatonte populli ynë, por njësoj si hoxhallarët e anëve tona, nuk tregoi të vërtetën e plotë për mizoritë e kryera në Siri dhe Irak nga organizata kriminale e ISIS-it, në emër të Zotit, me qëllim që të ndihmonte në parandalimin e anëtarësimit të fetarëve muslimanë me shtetësi shqiptare në atë organizatë, por thjesht e tregoi atë si “çnjerëzore”, meqënse ajo përdorte Zotin për mizoritë e saj.
Njësoj veproi me luftën e Ukrainës: ai përdori qasje ‘asnjanëse’ por herë pas here dënonte Kievin më shumë se Moskën. Kur shpërtheu grushti` shtetit në Kiev, në vitin 2014, për shembull, ai mbajti një qendrim që dënonte dhunën dhe “lutësh” për viktimat ndërsa bënte thirrje për ndalimin e dhunës dhe kërkonte marrëveshje dhe paqe. Por ai asnjë herë nuk tregoi shkaktarët e luftës!
Ai fitoi ëndjen e ndjekësve në jugun botëror dhe mori reagime negative nga mbështetësit në Perëndim me thirrjet e tij urgjente për paqe në Ukrainë, heshtjen e tij ndaj shtypjes së pakicave fetare nga Kina dhe dënimet e ashpra të pushtimit të Gazës nga Izraeli - duke reflektuar një botëkuptim të ndërlikuar të farkëtuar në Argjentinën e majtë Peroniste.
Françesku e rikrijoi në mënyrë dramatike ndarjen gjeografike të elitës klerike gjatë viteve, duke emëruar 110 nga 138 kardinalët që do të jenë të kualifikuar për të zgjedhur pasardhësin e tij, shumë prej të cilëve nga jashtë Evropës...Gjithsesi, pjesa më e madhe e dramës rreth papatit të tij ka qenë elitare: në vdekjen e tij, ai gëzonte vlerësime miratimi midis 1.4 miliardë besimtarëve të botës që do të ishin zili e shumicës së politikanëve.
Papa, në fjalë të tjera, do të mbahet mend jo thjesht për vazhdimin e obskurantizmit në radhët e kishës katolike, por dhe për thellimin e tij pavarësisht se shumë spikasin politikën e tij për të nxjerrë nga kriza kishën katolike.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 36 reads