...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Muoni pështjellon fizikantët dhe modelin standart të fizikës

Për dekada, i ashtuquajturi "standard model" në fizikë ka qenë standardi bazë që përshkruan atë që shkencëtarët dinë për blloqet themelore nënatomike të gjithçkaje të njohur për njeriun. Gjatë viteve ata kanë identifikuar 17 grimca themelore dhe tre "forca".

Voa

13/05/2021 - 21:59

Laboratori “Fermilab” pranë Çikagos, i Departamentit amerikan të Energjisë, po heton forcat e padukshme që përbëjnë blloqet themelore të të gjithë materies dhe jetës. Projekti mund të ndryshojë konceptin e shkencëtarëve për fizikën e grimcave dhe vetë strukturën e universit.

Për dekada, i ashtuquajturi "standard model" në fizikë ka qenë standardi bazë që përshkruan atë që shkencëtarët dinë për blloqet themelore nënatomike të gjithçkaje të njohur për njeriun. Gjatë viteve ata kanë identifikuar 17 grimca themelore dhe tre "forca".

“Është forca elektromagnetike, të cilën të gjithë e njohim. Forca e dobët, e cila është e lidhur me prishjen bërthamore dhe pastaj forca e fortë, ajo që në thelb mban protonet dhe neutronet brenda bërthamës dhe na bën ata që jemi," thotë Renee Fatemi, profesore e fizikës në Universitetin e Kentakit.

Ajo është pjesë e një ekipi ndërkombëtar në laboratorin “Fermilab” në Çikago. Në bashkëpunim me Organizatën Evropiane për Kërkime Bërthamore (CERN) me bazë në Zvicër, ekipi po përpiqet të zbulojë sekretet nënatomike të universit.

"Kjo forcë ekziston gjithmonë, çështja është si ta shfrytëzojmë atë. Ne po përpiqemi të kuptojmë këtë forcë dhe grimcat e reja," thotë ajo.

Një eksperiment në laboratorin “Fermilab” synon të studiojë të panjohurën. Me interes të veçantë është muoni, një nga 17 grimcat e ngjashme me një elektron. Një nënprodukt i rrezeve kozmike, muonët vazhdimisht mbulojnë sipërfaqen e Tokës.

Në laboratorin “Fermilab” u përdor një rrugë magnetike rrethore, për të studiuar se si lëvizin muonët nëpër hapësirë. Të dhënat nga miliarda eksperimente po sfidojnë parimet themelore të modelit standard të njohur prej dekadash nga fizikanët.

"Kemi gjetur shenjat e diçkaje krejt të re, që mund të ndryshojë gjithçka që mendonim se dinim. Është diçka shumë emocionuese”, thotë Marcela Carena,

shefe e fizikës teorike në laboratorin “Fermilab”.

Ajo thotë se eksperimenti po zbulon fenomene që nuk mund të shpjegohen nga modeli që fizikantët ndërtuan në vitet 1970 dhe i plotësuan në vitin 2012.

Në mënyrë të veçantë, disa forca ose grimca të panjohura po ndërveprojnë me muonët në mënyra që nuk parashikohen nga modeli standard. Pra, çfarë është saktësisht kjo forcë?

Marcela Carena thotë se të dhënat e mbledhura në “Fermilab” mund të japin një përgjigje. Analiza sapo ka filluar, por lë të kuptohet mundësinë e një zbulimi të madh.

"Mund të ketë një ose më shumë grimca që kanë filluar t'i “flasin” muonit."

“E dija që ky rezultat mund të ishte një moment ndryshimi të madh për fizikanët e grimcave. Më në fund kemi një sinjal se ku të shkojmë më tej.”

Arritjet në botën e grimcave kanë çuar në një rritje të interesit për punën e profesore Fatemit.

“Sa i përket muonit dhe modelit standard, askush nuk fliste për këto më parë. Ndërsa tani njerëzit po flasin dhe kjo është jashtëzakonisht interesante."

Ndërsa eksperimenti me grimcën “Muon” vazhdon në laboratorin “Fermilab” Marcela Carena thotë se faza tjetër e kërkimit mund të japë më shumë të dhëna duke i përplasur grimcat me njëra-tjetrën.

Dhe të realizosh këtë, mund të duhet një teknologji më e përparuar sesa ajo në laboratorin “Fermilab” apo në laboratorin e Organizatës Evropiane për Kërkime Bërthamore.   

Për një analizë lexo,

What’s next for physics’ standard model? Muon results throw theories into confusion

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA