...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

2022, viti i pestë më i ngrohtë në histori - NASA

Megjithëse nuk arriti shifër rekord, viti 2022 ishte sidoqoftë ndër pesë ose gjashtë vitet më të nxehta në histori

Voa

19/01/2023 - 12:25

Agjencitë e qeverisë amerikane thonë se viti 2022 ishte viti i pestë ose i gjashtë më i nxehtë në histori. NASA tha se viti i kaluar ishte 1.1 gradë Celcius më i ngrohtë se mesi i shekullit të 19-të.

Ngrohja e Tokës vazhdoi vitin e kaluar. Megjithëse nuk arriti shifër rekord, viti 2022 ishte sidoqoftë ndër pesë ose gjashtë vitet më të nxehta në histori, njoftuan agjencitë e qeverisë amerikane.

Administrata Kombëtare për Oqeanet dhe Atmosferën (NOAA) konstatoi se temperatura mesatare globale gjatë vitit 2022 ishte 14.76 gradë Celcius, duke e radhitur kështu vitin e gjashtë më të nxehtë në histori. Kjo agjenci nuk përfshin rajonet polare në përllogaritjet e saj, por tha se nëse do të përllogariteshin, atëherë viti që kaloi do të ishte viti i pestë më i ngrohtë në histori.

NASA, e cila e ka përfshirë Arktikun prej kohësh në përllogaritjet e saj, konfirmoi se 2022 ishte pothuajse viti i pestë më i ngrohtë, së bashku me vitin 2015.

“Radhitet i pesti së bashku me vitin 2015. Vitet më të ngrohta ishin 2016 dhe 2020 që zënë së bashku vendin e parë dhe gjithashtu 2019 dhe 2017 ishin goxha të ngrohtë. Është gjithashtu ndër dhjetë vitet më të ngrohta që konfirmojnë tendencën e ngrohjes së temperaturave që nga vitet 1970 dhe që nga shekulli 19. Është viti i tetë me radhë që ngrohet me mbi 1 gradë Celcius krahasuar me fundin e shekullit 19. Kjo po na afron shumë pranë udhëzimit prej 1.5 gradësh Celcius që u vendos nga Marrëveshja e Parisit”, thotë Gavin Schmidt, nga Instituti “Goddard” për Studimet Hapësinore në NASA.

Kjo ngrohje ndodhi gjatë vitit 2022 megjithëse ndodhi edhe fenomeni La Nina, që ftoh pjesët ekuatoriale të Paqësorit dhe që ul në mënyrë domethënëse temperaturat mesatare globale. Ky është i kundërti i fenomenit El Nino, që ngroh Paqësorin dhe që zakonisht arrin kulmin e tij në muajin dhjetor.

Një grup i pavarur shkencëtarësh, “Berkeley Earth”, konstatoi se 2022 ishte viti i pestë më i nxehtë në histori dhe vuri në dukje se ishte më i nxehti në historinë e 28 vendeve të botës, ndër të cilat janë Kina, Britania, Spanja, Franca, Gjermania dhe Zelanda e Re.

Viti i kaluar ishte pak më i nxehtë se viti 2021, dhe shkencëtarët thonë se për tetë vjet temperaturat janë rritur me ritëm më të lartë, me mbi 1 gradë Celcius se gjatë periudhës paraindustriale, thonë agjencitë amerikane. NASA vazhdon të mbledhë të dhëna për temperaturën nga mbarë bota.

“Marrim të dhëna metereologjike nga vendet në mbarë botën. Marrim të dhënat e anijeve nga mbarë bota, nga rrjeti i paisjeve matëse Argo në oqeane. I bashkojmë të gjitha këto duke bërë korrigjimet e duhura, për shkak të ndërhyrjeve që nuk lidhen me klimën, dhe kështu marrim një pasqyrë të dhënash për të paktën që nga shekulli 19”, thotë zoti Schmidt, i cili mbikëqyr këtë proces në NASA.

Ai thotë se megjithëse fenomeni ftohës La Nina është në vitin e tretë të njëpasnjëshëm, viti i kaluar pati La Nina-n më të ngrohtë në histori.

“Pra, mendojmë se 2023 do të jetë më i ngrohtë se 2022, si për shkak se intensiteti i La Nina-s do të bjerë, por edhe sepse do të jetë një tjetër vit që do të ndjekë prirjen afatgjatë”, thotë ai.

Zoti Schmidt thotë se ka tregues për përshpejtim të ngrohjes, por të dhënat nuk janë ende të mjaftueshme për këtë. Sidoqoftë tendenca e përgjithshme për ngrohjen është plotësisht e konfirmuar.

Paraardhësi i tij, shkencëtari për klimën James Hansen, pati dëshmuar për rritje të ngrohjes në vitin 1988, që u rendit në atë kohë si viti më i ngrohtë. Tashmë, viti 1988 renditet në vendin e 28 të viteve më të ngrohta në histori.   

Raporti origjinal ketu

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA