...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Administrata amerikane kërcënon aleatët evropianë për Iranin

Administrata e Presidentit Trump ka kërcënuar aleatët evropianë se do të përballen me rritje të tarifave ndaj makinave nëse nuk i vendosin sanksione Iranit

Voa

19/01/2020 - 13:22

Perspektiva për një marrëveshje më të gjerë bërthamore mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara duket e zymtë, pasi zyrtarët në Teheran njoftuan këtë javë tërheqjen nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015. Presidenti Trump u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018. Tensionet mbeten të larta ndërkohë që sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit mund të shtohen mbi ato që tashmë janë vendosur nga Shtetet e Bashkuara. 

Presidenti i Iranit Hassan Rouhani tha të enjten se dialogu është i mundur me Shtetet e Bashkuara, por shtoi se Presidenti Trump nuk është një partner i besueshëm për të negociuar.

“Nëse do të kishte njerëz të besueshëm përpara nesh, kjo do të ishte e thjeshtë dhe e lehtë. Kur pala tjetër është e pabesueshme, gjërat bëhen të vështira", tha ai.

Të dy vendet u tërhoqën nga konflikti i drejtpërdrejtë ushtarak pasi Shtetet e Bashkuara vranë një gjeneral të lartë iranian, dhe Irani u kundërpërgjigj me sulme me raketa ndaj një baze amerikane në Irak, por që nuk shkaktoi viktima.

Sidoqoftë, tensionet mbeten të larta, pjesërisht për shkak se sanksionet amerikane po përkeqësojnë ekonominë e Iranit, apo shpërthimit të protestave publike pasi ushtria pranoi se kishte goditur pa dashje një aeroplan civil, duke vrarë të gjithë njerëzit në bord.

Vendimi i Iranit për të hequr dorë nga respektimi i kufizimeve mbi prodhimin e karburantit bërthamor mund të shtyjë edhe aleatët evropianë që të vendosin sanksione ndaj Teheranit.

"Ata do t’i bashkohen Shteteve të Bashkuara në fushatën e presionit maksimal e për marrëveshjen bërthamore dhe do ta vendosin qeverinë iraniane përballë së njëjtës zgjedhje që Presidenti Trump u ka dhënë atyre. Zgjedhja është kjo: veproni si një vend normal ose vuani pasojat ekonomike", thotë Richard Goldberg nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive.

Sipas njoftimeve administrata e Presidentit Trump ka kërcënuar aleatët evropianë se do të përballen me rritje të tarifave ndaj makinave nëse nuk i vendosin sanksione Iranit. Teherani ndërkohë mund të presë deri në fund të këtij viti për të parë nëse Presidentit Trump do të rizgjidhjet.

"Unë besoj se Teherani po shpreson për një ndryshim në Uashington, duke shpresuar se mund të merret vesh me një president të Partisë Demokratike, i cili do t’i kthehej përsëri marrëveshjes së vjetër bërthamore", thotë James Phillips nga Fondacioni Heritage.

Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të zgjerojnë kufizimet bërthamore ndaj Iranit që burojnë nga marrëveshja e vjetër. Uashingtoni gjithashtu dëshiron të kufizojë arsenalin iranian të raketave balistike dhe dëshiron që Teherani t’i jap fund mbështetjes për grupet kryengritëse në rajon.

Por ka shqetësime se vetëm presioni nuk do ta detyrojë Iranin të kthehet në tavolinën e bisedimeve. Disa analistë i thanë Kongresit këtë javë se stimujt duhet të jenë gjithashtu pjesë e një strategjie gjithëpërfshirëse diplomatike.

"Mendoj se ne duhet të flasim qartë për shkallën e lehtësimit të sanksioneve që Irani mund të marrë në këmbim të nënshkrimit të një marrëveshje bërthamore të këtij lloji. Dhe unë mendoj se ne do të gjenim mbështetje në mesin e aleatëve për një përpjekje të tillë", tha Richard Haass nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.

Strategjia e presionit maksimal e Presidentit Trump deri më tani ka dhënë pak rezultat në rastin e Koresë së Veriut. Analistët thonë se ajo ndihmoi që Kim Jong Un të vinte në tavolinën e bisedimeve për çarmatimin bërthamor, të cilat ngecën lidhur me çështjen e lehtësimit të sanksioneve.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA