...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ambicjet e Turqisë në Kaukaz ushqejnë rivalitetin me Iranin

Duke mbështetur Azerbajxhanin në konfliktin me Armeninë për enklavën e diskutueshme të Nagorno-Karabakut, Turqia shihet se po zgjeron ndikimin e saj në Kaukaz - një lëvizje që po nxit rivalitetin irano-turk

Voa

17/01/2021 - 08:40

Arrestimet e fundit nga autoritetet turke të anëtarëve të një grupi spiunazhi iranian shikohen si shenjë e rivalitetit në rritje mes dy vendeve fqinje. Arrestimet vijnë ndërsa Turqia kërkon të zgjerojë influencën e saj në Kaukaz, një zonë e konsideruar nga Teherani si brenda zonës së tij të influencës.

Përpara kamerave televizive, policia turke muajin e kaluar parakaloi me anëtarët e një rrjeti spiunazhi të dyshuar iranian. Ata u arrestuan për rrëmbimin në nëntor të disidentit iranian, Habib Chaab, i cili tani po përballet me ekzekutimin në Iran.

Zoti Chaab, një udhëheqës separatist etnik arab, u josh të udhëtonte për në Turqi, nga shtëpia e tij në Suedi, për të takuar një grua për të cilën autoritetet thonë se punonte për inteligjencën iraniane. Imazhet e lëshuara nga autoritetet turke tregojnë gruan dhe kontaktin e saj iranian duke mbërritur në Turqi.

Zoti Chaab gjithashtu tregohet në filmime pak para rrëmbimit të tij së bashku me furgonin e përdorur për ta kaluar atë fshehurazi në kufirin me Iranin. Publikimi i arrestimeve shihet si dërgim mesazhi, thonë disa analistë.

"Jo vetëm një mesazh për Iranin, por edhe një mesazh për komunitetin perëndimor të sigurisë, se Turqia është ende pjesë e tij, dhe ishte një shenjë për vendet e NATO-s se Turqia është ende thelbësore dhe shumë e rëndësishme në lidhje me politikat e Lindjes së Mesme dhe gjithashtu në lidhje me situatën me Iranin”, thotë Zaur Gasimov, i Universitetit të Bonit.

Turqia është përballur me kritika nga aleatët e saj perëndimorë për ndihmën ndaj regjimit iranian.

Banka në pronësi të shtetit turk "Halkbank" përballet me akuza në Nju Jork për shkeljen e sanksioneve amerikane ndaj Iranit. Në konfliktin sirian, Turqia dhe Irani - së bashku me Rusinë - po bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.

Por, duke mbështetur Azerbajxhanin në konfliktin me Armeninë për enklavën e diskutueshme të Nagorno-Karabakut, Turqia shihet se po zgjeron ndikimin e saj në Kaukaz - një lëvizje që po nxit rivalitetin irano-turk.

“Iranianët gjithmonë kanë pasur frikë nga ndikimi turk në Kaukaz dhe Azinë Qendrore. Irani përpiqet të rrisë ndikimin në botën turke, por ka dështuar dhe do të dështojë në vazhdim. Kjo është arsyeja pse Irani ndihet i shtrënguar mes arabëve dhe turqve”, thotë Huseyin Bagci, drejtor i Institutit Turk për Politikën e Jashtme.

Pamjet e Presidentit turk Erdogan duke recituar një poezi nacionaliste në një festë që shënon fitoren e Azerbajxhanit në konflikt, bënë që Irani të reagojë me furi. Lideri suprem i Iranit Ali Khamenei gjithashtu akuzoi Turqinë për vallëzim me Izraelin. Kjo, pasi Ankaraja thuhet se kërkon të përmirësojë marrëdhëniet e saj të tensionuara me Izraelin.

Megjithatë historia e gjatë e rivalitetit rajonal të Turqisë dhe Iranit ka bërë që të dy vendet të gjejnë një mënyrë për të menaxhuar mosmarrëveshjet e tyre, sipas analistëve.

"Dinamika do të ishte më shumë një bashkëpunim sesa një rivalitet i pastër, dhe në njëfarë mënyre rivaliteti madje do të kontribuonte në thellimin e bashkëpunimit sepse të dy palët do të kërkonin fusha të reja në mënyrë që të shpëtonin bashkëpunimin", thotë zoti Gasimov.

Por me Turqinë që pritet të vazhdojë të rrisë ndikimin e saj në Azerbajxhan dhe më gjerë në Kaukaz, rivaliteti Turqi - Iran ka të ngjarë të vazhdojë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA