...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Athina i përgjigjet Ankarasë me ‘format-3⁺1’: Greqi, Izrael, Qipro, SHBA

Marrëveshjet dhe kumti i përbashkët i bashkëpunimit midis Greqisë, Qipros dhe Izraelit

Kathimerini

23/12/2025 - 08:17

Një kumt për Turqinë në lidhje me qëndrueshmërinë e marrëdhënies trepalëshe midis Greqisë, Izraelit dhe Republikës së Qipros u dërgua dje nga Jerusalemi nga udhëheqësit e tre vendeve. Takimi u zhvillua disa ditë pas kërcënimeve të Ankarasë për të vendosur armë izraelite për të mbrojtur ishujt grekë, si dhe betejës së parë ajrore mbi Detin Egje në pothuajse tre vjet ndërsa dje pati shkelje nga F-16 turq në Egjeun Verior. Hakmarrja Erdogan-Netanyahu është një tjetër komponent i acarimit turk, i cili ishte i dukshëm edhe nga paralajmërimet e kryeministrit izraelit në lidhje me mbrojtjen e tre shteteve kundër çdo përpjekjeje për të rivendosur perandoritë në rajon.

Kump i përbashkët nga Greqia, Qiproja dhe Izraeli

Takimi i planifikuar trepalësh i Greqisë, Izraelit dhe Republikës së Qipros vërtetoi vullnetin e tre vendeve për të ruajtur bashkëpunimin politik në nivelin më të lartë të mundshëm, duke dërguar një kumt të qartë vendeve të tjera në rajon, veçanërisht Turqisë, e cila e quan këtë marrëveshje të veçantë si minim të interesave të saj në Mesdheun Lindor.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis dhe homologu i tij izraelit Benjamin Netanyahu, si dhe Presidenti i Republikës së Qipros Nikos Christodoulides, dërguan një kumt të qartë nga Jerusalemi për forcën e kësaj marrëdhënieje trepalëshe. Në të vërtetë, zoti Netanyahu iu drejtua drejtpërdrejt Turqisë, duke thënë se lidhja trepalëshe “nuk kërkon konflikt me askënd, por përkundrazi kërkon qendrueshmëri”. Zoti Netanyahu theksoi se “ne do të mbrojmë vendet dhe zonat tona detare”, të cilat - siç tha ai - bazohen në të drejtën ndërkombëtare, dhe shprehu shpresën se kjo do të “nuk do të vihet në provë”. Më parë, zoti Netanyahu kishte folur për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes midis tre vendeve sepse “kërcënimet janë të vërteta”, ndërsa bëri një tjetër lidhje të tërthortë për Turqinë, duke thënë se “ata që besojnë se mund ta rivendosin perandorinë e tyre, ne u themi atyre se kjo nuk do të ndodhë. Ne jemi të vendosur të mbrojmë veten”. Zoti Mitsotakis, nga ana e tij, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit trepalësh për sigurinë dhe qendrueshmërinë jo vetëm të tre vendeve, por edhe të Mesdheut Lindor më të gjerë. Ai shtoi se rajoni ka hyrë në një epokë të re gjeopolitike, me sfida dhe mundësi të shtuara.

Formati “3+1”

Për z. Mitsotakis dhe z. Christodoulides, takimi trepalësh në Jerusalem ishte gjithashtu një mundësi për t’u bashkërenduar me z. Netanyahu disa ditë para se ai të niset për në rezidencën e Presidentit të SHBA-së Donald Trump në Mar-a-Lago, ku ata janë planifikuar të takohen më 29 dhjetor për të biseduar një sërë çështjesh që shqetësojnë, ndër të tjera, Turqinë. Për më tepër, të tre udhëheqësit përmendën me theks formatin “3+1” (trepalëshi i Greqisë, Qipros, Izraelit dhe SHBA-së), i cili është një përpjekje për ta mbajtur Uashingtonin në lidhje vepruese me çështjet e Mesdheut Lindor, diçka që Ankaraja nuk e ka parë kurrë me sy të mirë. Kujtohet se z. Netanyahu është hapur kundër kthimit të Turqisë në programin e avionëve luftarakë të brezit të pestë F-35, dhe në të vërtetë, kjo çështje e posaçme po shihet nga Ankaraja si një shenjë bashkërendimi mes Greqisë dhe Izraelit kundër Ankarasë. Tregues i bezdisjes turke është e vërteta se [par]dje, gjithsej shtatë shkelje të hapësirës ajrore kombëtare u kryen në Egjeun Verilindor (midis Lesvos dhe Lemnos) nga një avion bashkëpunimi detar ATR-72 dhe një nga dy F-16-at turq të armatosur, të cilët u interceptuan nga Forcat Ajrore si zakonisht.

Këto shkelje pasuan përleshjen e parë virtuale në tre vjet në të njëjtën zonë të Egjeut të premten midis F-16-ave grekë dhe turq, dhe sigurisht retorikën nxitëse të Ministrit të Mbrojtjes Kombëtare Turke, Yasar Guler, i cili paralajmëron se Ankaraja do të kundërveprojë ndaj planeve greke për të vendosur armë izraelite (përfshirë artilerinë raketore) në ishujt e Egjeut.

Kujtohet se reagime të ngjashme të forta u regjistruan edhe kur sistemet e para anti-ajrore të prodhuara në Izrael u vendosën në territorin qipriot.

Pas takimit trepalësh është absolutisht e sigurt se reagimet turke do të dendësohen. Pavarësisht nëse Z. Mitsotakis dhe Christodoulides ishin më të kujdesshëm se Z. Netanyahu në formulimet e tyre, të tre përsëritën mbështetjen e tyre për Korridorin Indi, Lindje të Mesme, Evropë (IMEC), të cilin Turqia e sheh si një projekt armiqësor. Së fundmi, vihet re se zoti Mitsotakis më parë (në takimin me Mahmoud Abbas) kishte folur për idenë e pjesëmarrjes së Athinës në Forcën e Qendrueshmërisë. Sipas të dhënave kjo ka të bëjë me idenë e zhvillimit të kuadrove të Shërbimeve të Inxhinierisë dhe Shëndetësisë, pa një mision thjesht ushtarak.

Pjesëmarrja në fuqizimin e kushteve të sigurisë

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis i përcolli Presidentit Mahmoud Abbas mbështetjen politike të Greqisë për Autoritetin Palestinez dhe qëllimin e tij për të marrë pjesë në rindërtimin e Gazës. Vizita e parë e Z. Mitsotakis në Ramallah (vizita e fundit e një Kryeministri Grek në Ramallah ishte në vitin 2015 nga Alexis Tsipras) është gjithashtu e para e një udhëheqësi evropian që nga fillimi i fazës së parë të Planit të Paqes në Gaza tetorin e kaluar.

Kryeministri përsëriti angazhimin e Greqisë për zgjidhjen e çështjes palestineze me qëllim rifillimin e procesit politik, duke synuar krijimin e dy shteteve nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, ndërsa deklaroi se Greqia është e gatshme të ndihmojë në rindërtimin e Gazës dhe fuqizimin e kushteve të sigurisë, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes palestineze në zbatimin e planit të paqes. Ai vuri në dukje se Greqia ka ndihmuar vazhdimisht në ndihmën për banorët e Gazës, duke pasur si përparësi të përhershme mbrojtjen e civilëve, dhe ka siguruar trajtimin në spitalet greke të fëmijëve që u shpëtuan nga lufta.

“Për ne, mbrojtja e civilëve dhe respektimi i të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare janë parime themelore. “Vendi im vazhdimisht thekson rëndësinë e tyre në lidhjet e tij me të gjitha palët e përfshira”, tha - ndër të tjera - z. Mitsotakis dhe nënvizoi se “sfida e vërtetë është se si mund të ndihmojmë në zbatimin e fazave të ardhshme të këtij plani dhe në të njëjtën kohë në shfaqjen e një horizonti politik të besueshëm”. Kryeministri nënvizoi gjithashtu se Greqia është e gatshme të mbështesë “në çdo mënyrë të mundshme” Autoritetin Palestinez në përpjekjet e tij për reforma, në mënyrë që, siç tha ai, “të sigurohemi që edhe ju të forconi aftësitë tuaja vepruese për të zbatuar reformat e nevojshme për popullin tuaj”.

Tone të larta nga Ankaraja për mbrojtjen e ishujve

Turqia po vëzhgon nga afër përfundimet që do të dalin nga vizita e Kyriakos Mitsotakis në Izrael, pasi Ankaraja po shpreh në mënyrën më zyrtare bezdisjen e saj me bashkëpunimin midis Athinës - Nikozisë dhe Izraelit, si dhe instalimin e armëve izraelite në ishuj.

Ministri turk i Mbrojtjes, Yaşar Güler, deklaroi se “ortakëria i Greqisë, Izraelit dhe Administratës Greko-Qipriote të Qipros Jugore (Republika e Qipros) dhe nënshkrimi i marrëveshjeve nuk mund të përbëjnë një kërcënim për ne. Ne nënshkruajmë marrëveshje me shumë vende. Por ne nuk i lidhim këto marrëveshje kundër një vendi të veçantë”. Menjëherë pas kësaj, ai akuzoi Greqinë për sistemet e mbrojtjes ajrore që do të blihen nga Izraeli dhe do të instalohen në ishujt që janë në një regjim të çushtarakizuar. “Këto janë ishuj që nuk duhet të armatosen, bazuar në marrëveshje. Ne po ndërmarrim punën (veprimet) e nevojshme për këtë çështje”, tha ai. Z. Guler pretendoi se ishte në dijeni se Izraeli dhe Greqia po “ushtronin trysni” mbi Turqinë që të mos merrte avionë F-35. Megjithatë, ai tha se “gjendja e tanishme tregon se tensionet në Egje mund të zgjidhen përmes mirëkuptimit dhe dialogut të ndërsjellë”. Në Ankara, pavarësisht mohimeve të Athinës, janë ngritur dyshime të mëdha në lidhje me mundësinë e krijimit të një force ndërhyrjeje të shpejtë prej 2,500 trupash me pjesëmarrjen e forcave nga Greqia, Qiproja dhe Izraeli. Ndoshta kjo është arsyeja pse z. Guler deklaroi se “asnjë përpjekje për të përjashtuar vendin tonë ose për të shkelur të drejtat tona të ligjshme në Egje dhe Mesdheun Lindor nuk do të ketë mbrothësi, dhe në këtë drejtim, ne mbrojmë të drejtat dhe dobitë e “Republikës Turke të Qipros Veriore” me të njëjtën ndjeshmëri”. Ndërkohë, një zgjatje dyvjeçare iu dha pranisë së trupave turke në Libi. Propozimi i Erdoganit u miratua nga Parlamenti Turk.

Në kryeqytetin turk, ata kujtojnë se “bashkëpunimi detar me Libinë u vendos me “Memorandumin e Bashkëpunimit për Përcaktimin e Zonave të Juridiksionit Detar” të nënshkruar në vitin 2019 dhe është zgjeruar për të përfshirë fusha të tilla si siguria energjetike dhe lufta kundër migracionit të parregullt”. Në këtë klimë, Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, komandanti i Shërbimit të Inteligjencës Turke (MIT) Ibrahim Kalin dhe Ministri i Mbrojtjes Yasar Guler shkuan në Siri dhe u takuan me Presidentin e vendit Ahmed al-Sarrah, si dhe me anëtarë të qeverisë dhe ushtrisë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA