...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Bajdeni kërkon zgjatjen e traktatit START me Rusinë

Traktati për kontrollin e armëve, i cili skadon më 5 shkurt, kufizon deri në 1550 numrin e mbushjeve bërthamore që mund të dislokojnë SHBA apo Rusia. Përveç këtij kufizimi, traktati i ri START kufizon edhe raketat e lëshuara nga toka dhe nëndetëset si dhe avionët luftarakë. Përmes një deklarate Pentagoni tha se amerikanët janë “shumë më të sigurtë” me zgjatjen e traktatit në formën aktuale.

Voa

22/01/2021 - 09:23

Presidenti Joe Biden do të kërkojë një zgjatje të Traktatit START me Rusinë, tha Shtëpia e Bardhë të enjten. Ky është një ndër vendimet e para madhore në politikën e jashtme nga administrata e re. Traktati skadon në shkurt.

“Presidenti është shprehur qartë prej kohësh se traktati është në interes të sigurisë kombëtare të SHBA. Zgjatja e tij është edhe më e logjikshme kur marrëdhëniet me Rusinë janë konfliktuale siç janë aktualisht,” tha Jen Psaki, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë në konferencën për shtyp.

Zonja Psaki shtoi se presidenti ka udhëzuar komunitetin e zbulimit të bëjë një analizë të plotë të ndërhyrjes kibernetike në rrjetin e kompanisë Solar Winds, ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2020 si dhe përdorimin e një arme kimike ndaj aktivistit opozitar rus Alexei Navalni si dhe njoftimet për shpërblime të ofruara nga Moska për atentate kundër trupave amerikane në Afganistan.

"Ndërkohë që vazhdojmë përpjekjet tona për të punuar me Rusinë për avancimin e interesacve amerikane, duhet të vazhdojmë paralelisht të mbajmë përgjegjëse Rusinë për veprimet e saj të papërgjegjshme dhe kundërvënëse,” tha zonja Psaki.

Traktati për kontrollin e armëve, i cili skadon më 5 shkurt, kufizon deri në 1550 numrin e mbushjeve bërthamore që mund të dislokojnë SHBA apo Rusia. Përveç këtij kufizimi, traktati i ri START kufizon edhe raketat e lëshuara nga toka dhe nëndetëset si dhe avionët luftarakë. Përmes një deklarate Pentagoni tha se amerikanët janë “shumë më të sigurtë” me zgjatjen e traktatit në formën aktuale.

"Ndërkohë që vazhdojmë të angazhohemi me Rusinë në mënyra që u shërbejnë interesave amerikane, Departamenti i Mbrojtjes mbetet realist për sfidat që paraqet Rusia dhe mbetet i angazhuar për të mbrojtur vendin kundër këtyre akteve të papërgjegjshme,” tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby.

Skadimi i traktatit do të kishte anuluar të gjitha kufizimet mbi numrin e mbushjeve bërthamore të SHBA dhe Rusisë si dhe mbi sistemet për lëshimin e tyre, gjë që mund të rezultonte në një garë të re armatimesh, thanë ekspertë të politikave mbrojtëse.

Më parë, një burim i informuar mbi këtë vendim tha për agjencinë e lajmeve Reuters se ligjvënësit amerikanë ishin informuar mbi vendimin e zotit Biden për të zgjatur traktatin START.

Kremlini tha të mërkurën se është i angazhuar për zgjatjen e traktatit dhe se mirëpret përpjekjet e administratës së Presidentit Biden për arritjen e një marrëveshjeje.   

Rusia përgjigjet pozitivisht

Një zëdhënës i Kremlinit tha se Rusia është e gatshme të nisë një dialog me administratën e re të Presidentit Biden, ku palët të shprehin ndryshimet në qëndrimet e tyre.

Sipas zëdhënësit, Presidenti Vladimir Putin do t'i përgjigjej në të njëjtën mënyrë gatishmërisë së Uashingtonit për të biseduar.

Marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit janë në nivelin më të ulët që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë. Palët kanë mosmarrëveshje për rolin e Rusisë në Ukrainë, ndërkohë që Uashingtoni e ka akuzuar Moskën për ndërhyrje në zgjedhje, akuza që ajo i mohon.

Presidenti Putin ishte një nga udhëheqësit e fundit botërorë që uroi Joe Biden-in për fitoren në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Një nga çështjet për t'u zgjidhur nga dy fuqitë bërthamore është traktati për kontrollin e armëve, i njohur si Traktati i Ri Start, i cili skadon më 5 shkurt.

Shtëpia e Bardhë tha javën e kaluar se Presidenti Biden do të përpiqet për një zgjatje pesë-vjeçare të marrëveshjes, ndërsa Kremlini ka kërkuar propozime konkrete nga Uashingtoni.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA