...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Bajdeni përpiqet të parandalojë luftën në Lindjen e Mesme

Misioni parësor për anijet dhe avionë luftarakë është të krijojnë një prani force që do të pengonte Hezbollahun, Iranin apo grupe të tjera, të përfitojnë nga situata

Voa

14/10/2023 - 13:04

Presidenti amerikan Joe Biden do të vizitojë Izraelin të mërkurën, ndërsa kriza humanitare në Gazë vazhdon të përshkallëzohet. 

Mbërritja e Presidentit Biden vjen ndërsa forcat izraelite janë vendosur pranë kufirit me Gazën. Deri më tani janë vrarë nga luftimet mbi 1400 izraelitë dhe 2800 palestinezë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e bëri të ditur udhëtimin e Presidentit Biden pas takimit maratonë prej shtatë orësh e gjysëm të hënën me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

"Ai po vjen në një moment jetik për Izraelin, për rajonin, dhe për botën. Dhe po vjen për të bërë këto gjëra: Së pari, presidenti do të ripohojë solidaritetin e Shteteve të Bashkuara me Izraelin dhe përkushtimin tonë të çeliktë ndaj sigurisë së tij. Së dyti, Presidenti Biden do të nënvizojë mesazhin tonë tepër të qartë për të gjithë faktorët, shtetërorë apo jo-shtetërorë, që përpiqen të përfitojnë nga kriza për ta sulmuar Izraelin. Mos e bëni këtë. Për këtë qëllim, ai ka dislokuar në rajon dy grupe luftarake detare me aeroplanmbajtëse dhe mjete të tjera ushtarake”, tha Sekretari Blinken.

Sekretari Blinken tha se presidenti amerikan do të dëgjojë drejtpërsëdrejti nga kryeministri izraelit se si do t’i kryejë Izraeli operacionet ushtarake në një mënyrë që të mbahet në minimum numri i viktimave në radhët e civilëve dhe që do të mundësojë mbërritjen e ndihmave humanitare tek civilët në Gaza, duke mos lënë hapësira për përfitim për Hamasin.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve se pas ndalesës së Presidentit Biden në Tel Aviv, ai do të shkojë në Jordani, ku do të takohet me Mbretin Abdullah dhe presidentët e Egjiptit dhe Autoritetit Palestinez.

BE, takim urgjent për Lindjen e Mesme mes ndasive politike

Krerët e shteteve të Bashkimit Evropian zhvillojnë sot një takim urgjent mbi konfliktin midis forcave izraelite dhe militantëve palestinezë në Gazë, pas sulmit të Hamasit që vrau të paktën 1,400 izraelitë. Henry Ridgwell, rreth 2,750 civilë palestinezë janë vrarë ndërsa numri në rritje i vdekjeve ka nxjerë në pah ndarjet brenda bllokut evropian.

Në Evropë po rriten shqetësimet se konflikti midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Gazë do të ndihet përtej Lindjes së Mesme. Bashkimi Evropian po mban një konferencë urgjente të krerëve të shteteve.

“Konflikti mund të përkeqësojë tensionet mes komuniteteve dhe ushqejë ekstremizmin. Ekziston gjithashtu një rrezik i madh i migrimit dhe lëvizjeve të një numri të madh njerëzish në vendet fqinje”, thotë Charles Michel, President i Këshillit të BE-së.

Kombet evropiane i dhanë Izraelit mbështetje të plotë në ditët e para pas sulmit të Hamasit. Kritikët megjithatë thonë se ka pasur mesazhe të përziera nga udhëheqësit e BE-së ndërsa shtohen sulmet izraelite në Gazë.

Ndërsa vizitonte lagjen Kfar Aza të premten në pjesën jugore të Izraelit, ku Hamasi vrau dhjetëra civilë, presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen ofroi mbështetje të qartë.

“Izraeli ka të drejtë të mbrohet. Në fakt, ai ka për detyrë të mbrojë popullin e vet”, thotë Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit të BE-së.

Më pas, kryetarja e nënkomisionit të sigurisë dhe mbrojtjes të Parlamentit Evropian, Nathalie Loiseau, u shpreh se von der Leyen “harroi mesazhin e rëndësishëm se Izraeli duhet të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar".

Ndërkaq, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, javën e kaluar tha se rrethimi i Gazës nga Izraeli “është kundër ligjit ndërkombëtar”.

Qëndrimet politike po bëhen më delikate dhe të llojllojshme, thotë analisti për Lindjen e Mesme, Andreas Krieg.

“Po shohim që disa nga politikëbërësit perëndimorë, që ndonëse thonë se qëndrojnë me Izraelin, po e bëjnë të qartë që duhet të sigurohemi që edhe jetët e civilëve palestinezë të mbrohen”, thotë zoti Krieg.

Kjo pikëpamje mbështetet edhe nga opinioni publik evropian, thotë analisti Andreas Bohm.

“Opinioni evropian solidarizohet me Izraelin, për shkak të natyrës së sulmit. Por, nëse shohim pamjet, të themi, të mijëra, apo dhjetëra mijëra njerëzve të vrarë në Gazë, qëndrimet mund të ndryshojnë”, thotë analisti Andreas Bohm nga Universiteti i St. Galenit në Zvicër.

Analisti Andreas Krieg megjithatë thotë se Izraeli nuk ka gjasa të ndryshojë mënyrën e të vepruarit.

“Unë mendoj se izraelitët do të jenë në gjendje ta përballojnë situatën, kritikat dhe gjithashtu ndikimin e politikanëve perëndimorë, sepse ata po thonë: ‘Kjo është lufta jonë. Shikoni mizoritë e kryera nga Hamasi dhe ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të zhdukur Hamasin”, thotë analisti Andreas Krieg.

Komisioni Evropian ka njoftuar një trefishim të ndihmës humanitare për Gazën, duke ndarë 79 milionë dollarë. Ndërsa Izraeli e mban të bllokuar territorin e kontrolluar nga militantët e Hamasit, nuk është e qartë se si dhe kur ndihma mund të arrijë tek banorët në nevojë.

Ndihma ushtarake amerikane ndaj Izraelit e ‘frikshme’

Disa orë pas fillimit të sulmit të tmerrshëm të Hamasit, Shtetet e Bashkuara filluan të dërgojnë anije luftarake dhe avionë në rajon për t'i ofruar Izraelit gjithçka që i nevojitej për t'u përgjigjur. Një grup i dytë avionësh luftarakë amerikanë niset të premten nga baza Norfolk në shtetin e Virxhinias. Një numër i madh avionësh janë nisur drejt bazave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme. Po kështu forca të operacioneve speciale po ndihmojnë aktualisht ushtrinë izraelite me planifikimin e operacioneve, si dhe me informacione zbulimi. Ngarkesa e parë me municioneve shtesë tashmë ka mbërritur e një sasi tjetër pritet të mbërrijë së shpejti.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin mbërrin në Izrael të premten për t'u takuar me udhëheqësit izraelitë si dhe për të diskutuar se çfarë tjetër mund të ofrojë Uashingtoni.

Për momentin, rritja e pranisë ushtarake reflekton shqetësimin e Shteteve të Bashkuara se luftimet e përgjakshme mes Hamasit dhe Izraelit, mund të përshkallëzohen në një konflikt rajonal, më të rrezikshëm. Pra misioni parësor për anijet dhe avionë luftarakë është të krijojnë një prani force që do të pengonte Hezbollahun, Iranin apo grupe të tjera, të përfitojnë nga situata. Por trupat amerikane janë të afta për më shumë se kaq.

Çfarë armësh dhe kapacitetesh ofron ushtria amerikane?

Armë dhe forca për operacione speciale

Shtetet e Bashkuara i kanë siguruar Izraelit një komandë të vogël për operacione speciale dhe municione shumë të nevojshme. Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin njoftoi se kjo trupë speciale po ndihmonte Izraelin për të siguruar informacione zbulimi dhe planifikim të operacioneve. Po kështu ata po ofrojnë këshilla për Forcat izraelite të Mbrojtjes lidhur me përpjekjet për rikuperimin e pengjeve. Megjithatë, këto forca nuk janë ngarkuar të kryejnë operacione për shpëtimin e pengjeve, gjë që do t'i përfshinte ata drejpërdrejt në luftime në terren. Kjo është diçka që administrata Biden nuk e ka miratuar dhe sipas zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë John Kirby, as izraelitët nuk e duan.

Shtetet e Bashkuara po mundësojnë që kompanitë e mbrojtjes amerikane të përshpejtojnë porositë në armë të bëra më parë nga ana e Izraelit. Në krye të tyre janë municionet për sistemin izraelit të mbrojtjes ajrore ‘Iron Dome’.

“Ne po dërgojmë ndihmë ushtarake shtesë, përfshirë municione dhe raketa interceptuese për sistemin “Iron Dome”, tha Presidenti Joe Biden të martën. "Po sigurohemi që Izraelit të mos i mbarojnë municionet kritike për të mbrojtur qytetet dhe popullin e tij".

Raketat e sistemit ‘Iron Dome’ godasin raketat që i afrohen qyteteve të Izraelit. Sipas kompanisë amerikane të prodhimit të armëve ‘Raytheon’, Izraeli ka 10 sisteme të tilla në vend. Duke filluar nga sulmi i shtatë tetorit, Hamasi ka gjuajtur më shumë se pesë mijë raketa drejt Izraelit, shumica e të cilave, sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, janë interceptuar nga sistemet.

‘Raytheon’ prodhon pjesën më të madhe të komponentëve të raketave për sistemet ‘Iron Dome’ në Shtetet e Bashkuara, dhe ushtria ka dy sisteme në stokun e saj.

Municionet për sistemet ‘Iron Dome’ që Shtetet e Bashkuara po i ofrojnë Izraelit, ka të ngjarë të jenë më shumë sesa sasia që ka porositur Izraeli dhe do të jenë pjesë e paketave të vazhdueshme të ndihmës ushtarake. Ato do të përfshijnë gjithashtu bomba me diametër të vogël dhe të ashtuquajturat bomba “inteligjente” ajër-tokë, të cilat jo thjesht hidhen, por mund të orientohen drejt një objektivi për t’u goditur.

Anije dhe aeroplanë të marinës

Një nga shembujt më të dukshëm të përgjigjes amerikane ishte njoftimi të dielën nga Pentagoni për nisjen e aeroplanmbajtëses ‘Gerald R. Ford’ drejt Izraelit. Ajo sapo kishte përfunduar një stërvitje me marinën italiane, kur anija me ekuipazhin e saj prej rreth 5000 personash, u urdhërua të lundronte me shpejtësi drejt pjesës lindore të Mesdheut.

Transportuesi ofron një mori opsionesh. Ai shërben si një qendër kryesore e operacioneve komanduese dhe kontrolluese dhe mund të ofrojë informacione zbulimi. Prej tij mund të lëshohen aeroplanët e vëzhgimit ‘E2-Hawkeye’, që njihen për radarët e tyre në formë disku me diametër 7 metra. Avionët sigurojnë informacione të hershme paralajmëruese për lëshimin e raketave, monitorojnë dhe menaxhojnë hapësirën ajrore, jo vetëm duke zbuluar avionët e armikut, por edhe për të orientuar lëvizjet e mjeteve amerikane.

Aeroplanmbajtësja ‘Gerald R. Ford’ mbart avionë luftarakë F-18 që shërbejnë për goditjen e objektiva. Transportuesi ushtarak ka gjithashtu aftësi të mëdha për kryerjen e punëve humanitare. Në bordin e tij ndodhet dhe një spital me një njësi të kujdesit intensiv dhe shërbim urgjence, në përbërje të të cilit janë dhe rreth 40 infermierë, mjekë e kirurgë. Në bordin e tij ndodhen helikopterë që mund të përdoren për të transportuar furnizime të nevojshme apo edhe të plagosur, për të marrë ndihmë mjeksore.

Të premten, aeroplanmbajtësja ‘USS Dwight D. Eisenhower” do të lërë portin në bazën ‘Norfolk’ të shtetit amerikan të Virxhinias dhe do të lundrojë drejt Mesdheut, duke dyfishuar potencialin e reagimit të marinës izraelite.

Kjo aeroplanmbajtëse ishte planifikuar që më parë të vendosej në Mesdhe si pjesë e një rrotacioni të rregullt ndërsa ‘Gerald R. Ford’ ndodhej pranë fundit të misionit të saj. Por administrata Biden mund të vendosë t'i mbajë të dyja aeroplanmbajtëset atje, tha të mërkurën zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Aeroplanë luftarakë të Forcave Ajrore

Pentagoni ka urdhëruar gjithashtu avionë luftarakë shtesë për të forcuar skuadriljet e avionëve A-10, F-15 dhe F-16 në bazat në të gjithë Lindjen e Mesme. Nëse do të jetë e nevojshme do të nisen edhe avionë të tjerë.

Sekretari i Forcave Ajrore Frank Kendall tha të martën gjatë një aktiviteti të organizuar nga Këshilli i Atlantik, se ushtria kishte urdhëruar edhe njësitë që po mbaronin misionin, të vazhdonin të qëndronin aty.

Forcat Ajrore amerikane kanë tashmë fuqi të konsiderueshme ajrore në rajon për të kryer operacione me dhe pa pilot, veçanërisht në Siri, ku javën e kaluar një avion F-16 i Forcave Ajrore u urdhërua të rrëzonte një dron turk, që përbënte kërcënim për forcat tokësore amerikane.

Zoti Kendall tha gjithashtu se avionët transportues C-17 të Forcave Ajrore kishin marrë personelin ushtarak amerikan që ndodhej në Izrael për një stërvitje ushtarake që nuk kishte filluar ende kur Hamasi nisi sulmet.

As Forcat Ajrore dhe as Komanda Qendrore amerikane nuk kanë bërë komente rreth asaj se çfarë misione shtesë ajrore mund të viheshin në dispozicion, si përgjigje ndaj konfliktit.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA