...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

BE-ja arrin marrëveshje për pakësimin e çlirimit të gazeve në atmosferë

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje të vështirë të premten e cila parashikon ulje të nivelit të çlirimit të gazeve që shkaktojnë efektin serë në atmosferë, me të paktën 55 për qind krahasuar me nivelet e vitit 1990, deri në fund të dekadës

Voa

12/12/2020 - 08:43

Marrëveshja shmangu një bllokim tejet të vështirë përpara një takimi mbi klimën të OKB-së që zhvillohet këtë fundjavë.

Pas diskutimesh gjatë natës, si pjesë e një takimi dy-ditor në Bruksel, 27 vendet anëtare miratuan propozimin e komisionit ekzekutiv të BE-së për të ashpërsuar objektivin e ndërmjetëm të bllokut pasi një grup vendesh hezituese, të mbështetura tek industria e qymyrit pranuan më në fund ta mbështesin objektivin e përmirësuar mbi klimën.

Pesë vjet pas marrëveshjes së Parisit, BE-ja dëshiron të ketë një rol udhëheqës në luftën kundër ngrohjes globale. Megjithatë, kryetarët e shteteve dhe qeverive të bllokut nuk ishin në gjendje të binin dakord mbi objektivin e ri, herën e fundit që u takuan, në tetor, kryesisht për shkak të shqetësimeve financiare nga vendet e lindjes, rreth mënyrës së financimit dhe trajtimit të tranzicionit në energjinë e gjelbër.

Por miratimi të enjten i marrëveshjes së shumëpritur për një buxhet masiv afatgjatë dhe mbi rimëkëmbjen nga koronavirusi, duket se krijoi një moment të ri mbi këto përpjekje. Një pjesë e mirë e fondeve të paketës rekord prej 1.82 trilionë eurosh do të shkojnë në programe të krijuara për të ndihmuar vendet anëtare, rajonet e sektorët e prekur veçanërisht nga tranzicioni në energji të gjelbër, të cilat kanë nevojë për një transformim të thellë ekonomik e social. Udhëheqësit e BE-së kanë rënë dakord që 30 për qind e paketës të përdoret për të mbështetur këtë tranzicion.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA