...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

BE-ja presion Rusisë për arrestimin e Navalnit me ndalim të ndërtimit të "Nord Stream 2"

Ky zhvillim vjen si përgjigje ndaj arrestimit të kritikut të Kremlinit Aleksei Navalni

Voa

21/01/2021 - 18:37

Ligjvënësit e Bashkimit Evropian pritet të miratojnë të enjten një rezolutë, e cila u bën thirrje vendeve të bllokut të ndalin punimet për ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream 2, projekt që do të siguronte furnizimin me gaz natyror të Evropës nga Rusia. Ky zhvillim vjen si përgjigje ndaj arrestimit të kritikut të Kremlinit Aleksei Navalni.

Pas kthimit të tij në Rusi në fundjavë për herë të parë që pas helmimit me agjent nervor, zoti Navalni, kritiku më i madh i Presidentit rus Vladimir Putin, u arrestua dhe më pas u burgos lidhur me pretendime për shkelje të lirisë me kusht.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila vazhdon të mbështesë ndërtimin e gazsjellësit pavarësisht kritikave nga disa vende të BE-së, tha të enjten se pikëpamjet e saj mbi projektin nuk kanë ndryshuar, pavarësisht çështjes Navalni.

Parlamenti Evropian pritet ta miratojë rezolutën që i bën thirrje BE-së të rishikojë marrëdhëniet me Rusinë nën dritën e arrestimit të zotit Navalni.

Sipas një plani paraprak të rezolutës, e cila nuk është detyruese por ka peshë politike, kërkohet ndalimi i menjëhershëm i ndërtimit të gazsjellësit gjermano-rus Nord Stream 2.

"Parlamenti Evropian i bën thirrje BE-së dhe shteteve anëtare të rishikojnë në mënyrë kritike bashkëpunimin me Rusinë në platforma të ndryshme të politikës së jashtme dhe në projekte të tilla si Nord Stream 2, punimet për ndërtimin e së cilit duhet të ndalen menjëherë", thuhej në projekt-rezolutën e siguruar nga agjencia Reuters.

Nord Stream 2 pritet të dyfishojë kapacitetin e gazsjellësit ekzistues Nord Stream, në 110 miliardë metra kub në vit, ose më shumë se gjysma e eksportit të gazit rus në Evropë.

Projekti udhëhiqet nga Gazpromi rus me partnerë perëndimorë. Më shumë se 90 për qind e gazjellësit është ndërtuar dhe ai është parashikuar të nisë të operojë së shpejti gjatë këtij viti.

Projekti ka ndarë vendet e BE-së me disa që thonë se do të minojë shtetin tradicional që ka shërbyer si vend tranzit për gazin, Ukrainën, si dhe do të rrisë varësinë e bllokut tek burimet energjitike ruse.

BE-ja duhet të "hartojë një strategji të re për marrëdhëniet me Rusinë, përqendruar tek mbështetja ndaj shoqërisë civile, e cila mbron vlerat demokratike, sundimin e ligjit, liritë themelore dhe të drejtat e njeriut", thuhet në projekt-rezolutë.   

Pas pak ditësh BE-ja zbut qëndrimin

Bashkimi Evropian nuk do të vendosë sanksione të reja ndaj individëve rusë, nëse Kremlini liron udhëheqësin pro-demokraci Alexei Navalny, thanë të hënën ministrat e jashtëm të BE-së, e cila do të dërgojë kryediplomatin e bllokut në Moskë javën e ardhshme.

Pavarësisht thirrjeve nga vendet Baltike, Italia dhe Rumania për sanksione ndaj zyrtarëve rusë në përgjigje të ndalimit të Navalny, pas kthimit në Rusi nga Gjermania më 17 janar, Gjermania kërkoi që t'i jepej më shumë kohë Kremlinit.

"Ramë dakord sot të presim vendimin e gjykatës, që të shohim nëse Alexei Navalny do të lirohet pas 30 ditësh," u tha gazetarëve Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, pas një takimi me homologët e tij të BE-së. "Kjo çështje nuk është mbyllur”, tha ai.

Ndërkohë Presidenti amerikan Joe Biden do të mbajë të gjitha alternativat mbi tryezë ndërsa shqyrton përgjigjet ndaj ndalimit të zotit Navalny, tha të hënën sekretarja e shtypit Jen Psaki. Administrata e zotit Biden i ka bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të lirojë menjëherë Navalny, së bashku me protestuesit.

Zoti Navalny, kritiku më me peshë i Presidentit Putin, u arrestua dhe u burgos nën pretendimet për shkelje të lirimit me kusht pasi udhëtoi përsëri në Rusi për herë të parë që kur u helmua në gusht nga ai që Gjermania thotë se ishte një agjent nervor i gradës ushtarake.

Ai akuzon Putinin se kishte urdhëruar vrasjen e tij, gjë që Kremlini e mohon. Mbështetësit e tij mbajtën protesta mbarëkombëtare të shtunën, gjatë të cilave u arrestuan mbi 3,000 vetë dhe që solli intensifikimin e thirrjeve ndërkombëtare për lirimin e zotit Navalny.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se do të shkojë në Moskë javën e ardhshme që t’i kërkojë Kremlinit të lirojë demonstruesit dhe zotin Navalny. Krerët e BE-së mund të diskutojnë edhe për hapa të tjerë të mundshëm në një takim të nivelit të lartë të planifikuar për më 25-26 mars, tha ai.

Më parë, ministri i jashtëm i Lituanisë Gabrielius Landsbergis kishte thënë se BE-ja duhet të dërgonte një "mesazh shumë të qartë dhe vendimtar" në Moskë, duke kërkuar që blloku të binte dakord për sanksionet nën kornizën e saj të re të sanksioneve për të drejtat e njeriut, e cila lejon miratimin më shpejtësi të ngrirjes së aseteve dhe ndalimet e udhëtimit.

BE-ja zbaton saksione ekonomike ndaj sektorëve rusë të energjisë, financave dhe armëve që pas aneksimit të gadishullit të Krimesë në vitin 2014. Ajo ka vendosur sanksione ndaj gjashtë zyrtarëve rusë të afërt me Presidentin Putini si përgjigje ndaj helmimit të zotit Navalny, si dhe ndaj një njësie ekonomike përgjegjëse për shkatërrimin e rezervave të armëve kimike të epokës sovjetike.

Vendet balltike Letonia dhe Estonia mbështesin më shumë sanksione të BE-së ndaj individëve rusë dhe ministri i jashtëm i Italisë tha të dielën se Roma ishte e gatshme të mbështeste më shumë ndalime udhëtimi dhe ngrirje asetesh. Rumania mbështeti publikisht sanksionet të hënën.

Gjermania dhe Franca, fuqitë kryesore të BE-së, do të jenë thelbësore për të vendosur nëse blloku do të vazhdojë me masat ndëshkuese ndaj Rusisë, një eksportuese kryesore e naftës dhe gazit në bllok.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA