...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Britania shkel “vijat e kuqe” me dërgimin e tankeve në Ukrainë ndërsa Uashingtoni mobilizon elitat evropiane

Shtetet e Bashkuara po organizojnë një takim me vendet aleate në fund të javës ndërsa njoftimi i Britanisë për furnizimin e Kievit me tanke mund të nxisë edhe vendet e tjera që të bëjnë një veprim të tillë.

Ylli Përmeti

20/01/2023 - 07:44

Kievi thotë se aleatët perëndimorë duhet të përshpejtojnë dërgesën e armatimeve ndërsa agresioni rus ka shtuar trysninë ndaj trupave ukrainase. Raketat ruse kanë vrarë dhjetëra civilë gjatë ditëve të fundit. 

“Challenger 2” është tanku britanik që mbretëron në fushën e betejës. Londra po dërgon 14 të tillë në Ukrainë, pa llogaritur armë të tjera të rënda, artileri, mjete të blinduara, raketa dhe dronë. Sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace, foli përpara ligjvënësve britanikë.

“Paketa do të ndihmojë në përshpejtimin e dhënies fund të agresionit të Putinit dhe brutalitetit të tij dhe do të sigurojë që këtë vit edhe më tej, nëse është e nevojshme, Ukraina të ruajë vrullin e saj”.

Por ndihma varet gjithashtu nga kontributi i vendeve të tjera aleate. Ndaj Gjermanisë është shtuar trysnia për t'i dërguar Ukrainës tanket e saj 'Leopard 2', dhe për të miratuar kërkesat e vendeve e tjera që të dërgojnë në Ukranë tanket e tyre të blera në Gjermani.

Liana Fix, me Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë për Zërin e Amerikës se ka gjasa që Ukraina të furnizohet me armatimet e kërkuara.

“Ukraina ka nevojë për qindra tanke të lehta dhe luftarake për të ndërmarrë një ofensivë të suksesshme në pranverë. Duket se oferta britanike është një sinjal politik, se në të vërtetë ka rënë vija e kuqe për tanket”.

Polonia dhe Finlanda duan të dërgojnë në Ukrainë tanket Leopard të prodhimit gjerman. Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, lëshoi një paralajmërim të zymtë të martën.

“Disfata e Ukrainës mund të bëhet prelud i Luftës së Tretë Botërore. Nuk ka asnjë arsye për të bllokuar apo zvarritur mbështetjen për Kievin. Ndaj i bëj thirrje qeverisë gjermane që të marrë vendimet e duhura për t’i dërguar Ukrainës të gjitha llojet e armëve”.

Gjermania po i ofron Ukrainës autoblinda për transportin ushtarak, një bateri raketash kundërajrore Patriot, raketa tokë-ajër dhe armë të tjera.

Por ka qendrime të ndryshme brenda koalicionit qeverisës të Gjermanisë. Kancelari Olaf Scholz emëroi të martën një ministër të ri të mbrojtjes pas dorëheqjes së drejtueses pararendëse në fillim të javës, ndërkohë që nuk ka zëra për ndryshim të politikave.

“Duhet shumë kohë derisa të merren vendimet. Në çdo rast Gjermania nuk merr një rol udhëheqës, por vepron paralelisht me Shtetet e Bashkuara. Kjo pasqyron shqetësimet e Gjermanisë lidhur me përshkallëzimin e situatës me Rusinë”, thotë për Zërin e Amerikës Liana Fix me Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, do të presë të premten në bazën ajrore Ramstein aleatët e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, lidhur me koordinimin e ndihmës së mëtejshme ushtarake për Kievin.

“Perëndimi nuk është i kënaqur me një konflikt të ngrirë, me një armëpushim paraprak, dhe se aleanca perëndimore sheh nevojën që Ukraina të bëjë përparime të mëtejshme të mëdha”, thotë analistja Liana Fix.

Nga ana tjetër Rusia u shpreh kundër furnizimit të Ukrainës me tanke britanike, ndërsa tha se objektivat e sulmit, që e cilëson si “operacion ushtarak special”, do të arrihen .   

Ukraina thirrje aleatëve perëndimorë të dërgojnë tanke; SHBA njofton ndihmat më të fundit

Pak orë pasi Ukraina i bëri thirrje aleatëve perëndimorë që t’i ndihmojë forcat e saj të mposhtin Rusinë, Shtetet e Bashkuara njoftuan të enjten mbi 2.5 miliardë dollarë ndihma ushtarake – por jo tanke.

Paketa më e fundit e armatimeve amerikane përmban 59 autoblinda luftarake Bradley dhe 90 autoblinda Stryker. Këto shoqërohen nga tre lloje raketash, dhjetëra mijëra predha artilerie dhe mortajash, si dhe sisteme të reja HIMARS të mbrojtjes ajrore.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin takohet të premten me homologët e tij në Bazën Ajrore Ramstein, ku pritet të njoftohen më shumë ndihma nga vendet e tjera. Sidoqoftë, deri më tani Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara po ngurrojnë të ofrojnë tanket Leopard 2 dhe Abrams, që ka kërkuar Ukraina.

Sekretari Austin tha se në takimin në bazën Ramstein “do të ripërtërisim angazhimin tonë të përbashkët për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës në terma afatgjatë”, por nuk përmendi ndonjë paisje të re.

Asistenca e re amerikane e rrit ndihmën e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën në pothuajse 27 miliardë dollarë që kur filloi sulmi i Rusisë gati një vit më parë.

Në një deklaratë të përbashkët, Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba dhe Ministri i Mbrojtjes Oleksii Reznikov shprehën mirënjohjen për 50 vendet që kanë ndihmuar për forcimin e mbrojtjes së Ukrainës, por thanë se ushtria ruse ka një “avantazh sasior domethënës në trupa, armatime dhe paisje ushtarake”.

Zyrtarët ukrainas thanë se një ndër nevojat më urgjente për të zmbrapsur sulmin rus që filloi një vit më parë është që të pajiset Ukraina me mjete të blinduara moderne dhe që t’u ofrohen forcave ukrainase nëpërmjet tankeve perëndimore kapacitete më të mira për të manovruar dhe për të hapur zjarr.

Ministrat Kuleba dhe Oleksii mirëpritën vendimin e Britanisë për të dërguar tanket e saj Challenger 2 në Ukrainë, duke i bërë ndërkohë thirrje vendeve që disponojnë tanket gjermane Leopard 2 që t’i dërgojnë gjithashtu në Ukrainë.

“Garantojmë se do t’i përdorim këto armë me përgjegjshmëri dhe ekskluzivisht për të mbrojtur integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht”, thanë ministrat ukrainas.

Vetëm disa orë pas marrjes së detyrës, ministri i ri i Mbrojtjes i Gjermanisë Boris Pistorius, priti në Berlin sekretarin amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin. Zoti Pistorius tha se armatimet gjermane që i janë dhënë deri tani Kievit, kanë qenë të vlefshme dhe se Berlini do të vazhdojë edhe në të ardhmen, së bashku me partnerët e tij, të mbështesë Ukrainën në luftën e saj për liri, pavarësi territoriale dhe sovranitet.

Por ai nuk përmendi çështjen e tankeve ‘Leopard 2’ që Ukraina i ka kërkuar prej kohësh. Prej javës së kaluar kur Mbretëria e Bashkuar njoftoi se do të dërgojë tanke ‘Challenger 2’, Berlini është përballur me trysni në rritje, për të furnizuar Kievin me tanke luftarake ose të paktën t'u hapë rrugë vendeve të tjera, si Polonisë, që të ofrojnë tanke ‘Leopard’, prodhim gjerman, nga rezervat e tyre.

Më herët të enjten, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy shprehu zhgënjimin rreth mungesës së armatimeve të mjaftueshme, ndërsa janë shënuar 11 muaj nga sulmi rus ndaj vendit të tij.

Gjatë një fjalimi online në një takim të fondacionit ‘Victor Pinchuk’ që u mbajt në Davos të Zvricrës, presidenti Zelenskyy shfaqi disa doza kritike ndaj mbështetësve të mëdhenj si Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë hezituar t’i dërgojnë tanke Kievit. Takimi i fondacioni mbahet paralet me mbledhjen vjetore të Forumit Ekonomik Botëror të Davosit.

Zoti Zelenskyy u ankua për mungesën e armëve specifike dhe tha se lufta nuk mund të fitohet thjesht me motivim moral.

Për muaj të tërë, Ukraina ka kërkuar të furnizohet me mjete më të rënda ushtarake si tanket ‘Leopard’ dhe ‘Abrams’ prodhim amerikan, por udhëheqësit perëndimorë janë treguar të kujdesshëm.

Gjermania ka qenë veçanërisht në qendër të vëmendjes ditët e fundit. Kritikët, disa brenda koalicionit qeverisës të Gjermanisë, janë ankuar prej kohësh rreth atij që shihet si hezitimin i kancelarit Olaf Scholz për dërgimin e armatimeve.

Zoti Scholz ka qenë i kujdesshëm ndaj një trysnie të tillë. Ai ka thënë se Gjermania nuk do ta ndërmarrë e vetme këtë hap, duke u siguruar gjithashtu që NATO të mos bëhet palë në luftë me Rusinë.

Të mërkurën në Davos zoti Scholz shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë ndaj një pyetjeje në lidhje me tanket ‘Leopard’, duke thënë se Gjermania do të mbetet një nga furnizuesit kryesorë me armë të Ukrainës dhe se "Berlini nuk bën kurrë diçka vetëm, por së bashku me të tjerë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara".

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA