Ekonomia amerikane tkurret si asnjë herë në shtatë dekadat e fundit
Ekonomia amerikane pati një rënie prej 9.5 për qind nga prilli në qershor, më e thella e regjistruar në shtatë dekadat e fundit
Voa
30/07/2020 - 20:05
Ekonomia amerikane, e goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit, pati një rënie prej 9.5 për qind nga prilli në qershor, më e thella e regjistruar në shtatë dekadat e fundit.
Rënia ekonomike e tremujorit të dytë e çoi rënien vjetore në 32.9 për qind.
Rënia tremujore e njoftuar nga Departamenti i Tregëtisë, e kombinuar me atë prej 4.8 për qind nga janari në mars, e futi ekonominë amerikane zyrtarisht në recession. Pandemia me një numër në rritje rastesh të reja, ka shkaktuar vdekjen e mbi 150 mijë amerikanëve dhe infektimin e mbi 4.4 milionë të tjerëve.
Pasojat ekonomike të virusit vazhdojnë në mënyrë të pandalshme, ndërsa Departamenti i Punës njofton se 1.4 milionë punonjës të tjerë bënë kërkesa për ndihmë sociale për papunësi javën e kaluar, me një ritëm që vazhdon i pandryshuar prej javësh.
Rreth 17 milionë punonjës amerikanë vazhdojnë të jenë të papunë dhe që nga marsi, 53.8 milionë vetë kanë marrë ndihmë sociale të paktën një herë.
Tani, miliona vetë që janë ende të papunë po përballen me një rrezik tjetër të mudshëm për mirëqenien e tyre financiare. Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi kanë ngecur në negociatat për të vendosur nëse do ta zgjasin afatin e një pagese 600 dollarëshe në javë që skadon të premten për të kompensuar ndihmën jo aq të madhe sociale nga shtetet.
Presidenti Donald Trump dhe Republikanët kanë sugjeruar uljen e ndihmës për papunësinë nga 600 dollarë në javë në 200 dollarë në javë, me programet shtetërore që përfundimisht do të zëvendësojnë ndihmën federale.
Por demokratët thonë se kjo është e papranueshme kur papunësia në vend është kaq e lartë. “Dua ta bëj të qartë se 600 dollarëshi duhet të jetë pjesë e marrëveshjes”, tha për gazetarët të mërkurën udhëheqësi i shumicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve Steny Hoyer.
Kreu i Bankës Qendrore, Jerome Powell tha të mërkurën se rritja e re e rasteve të konfirmuara me koronavirus paraqet kërcënime të mëtejshme ndaj ekonomisë.
Miliona punonjës janë kthyer në punë por mijëra punëdhënës kanë vazhduar pushimet nga puna apo kanë ndalur rihapjen ndërsa virusi përhapet me shpejtësi, veçanërisht në shtete të mëdha si Florida, Teksasi dhe Kalifornia.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 5 reads