...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ekonomia gjermane dhe zgjedhjet parlamentare

Si paraqitet gjendja ekonomike në Gjermani në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe sa ndikon ajo tek vota?

DW

18/06/2017 - 14:27

Në shikim të parë, çdo gjë duket e mirë: ekonomia gjermane po tregon rritje të qëndrueshme (+1.9 përqind në vitin 2016), papunësia është nivelin më të ulët prej disa dekadash, të ardhurat nga tatimet janë shtuar më shumë se kurrë, dhe ministri i Financave nuk ka nevojë për borxhe të reja.

Edhe sipërmarrjet janë optimiste, sepse prodhimet e tyre - që nga makinat e makineritë e deri tek produktet farmaceutike - shiten jashtë vendit shumë mirë. Ekonomia po shkon aq mirë saqë disa kanë nisur tashmë të ëndërrojnë për shkurtime taksash kurse të tjerët kanë frikë nga mbinxehja ekonomike.

Infrastrukturë në shpërbërje

Në të njëjtën kohë ka një problem serioz: në Gjermani ka mjaft rrugë, ura dhe shkolla që po shkatërrohen. Kjo është një "dobësi qendrore në Gjermani", thuhet në raportin përfundimtar të një komisioni ekspertësh, i cili shqyrtoi gjendjen e infrastrukturës publike me porosi të Ministrisë Federale të Ekonomisë.

Deutschland Marode Strassen in Bonn (picture alliance/JOKER/K.-H. Hick)

Në autostradat dhe rrugët e Gjermanisë ka çdo ditë më shumë se 1.900 bllokime trafiku, ka llogaritur klubi i automobilëve ADAC. Kurse tek trenat nuk ka asnjë ditë pa vonesa dhe anulime. Një ndër çdo familje nuk gjend vend për fëmijët një çerdhe, pavarësisht se sipas ligjit ka të drejtë për këtë. Po ashtu 1,041 pishina publike janë mbyllur ose ose janë të kërcënuara seriozisht nga mbyllja.

Pak para për shkollimin?

Gjermania gjithashtu investon shumë më pak për arsimin sesa vendet e tjera të OECD-së, grupit prej 35 vendesh relativisht të pasura. Vendet e tjera të OECD-së shpenzojnë mesatarisht 5.2 për qind të prodhimit të tyre ekonomik për arsimin, Gjermani vetëm 4.3 për qind.

Edhe më të mëdha janë dallimet në infrastrukturën digjitale. Sidomos sa i përket internetit të shpejtë dhe lidhjeve me fibra optike Gjermania është shumë pas vendeve të tjera.

Zvogëlimi i shtresës së mesme

E shqetësuar është prej vitesh shtresa e mesme në Gjermani. Sipas ekspertëve vihet re një pabarazi në shpërndarjen e të ardhurave, sepse prej vitesh po shtohet numri i atyre që fitojnë mbi ose nën mesataren. Gjermania ka një ndër sektorët më të mëdha të pagave të ulëta brenda BE-së. 23  për qind e të punësuarve marrin rroga të ulëta.

Po ashtu edhe statistikat e papunësisë pasqyrojnë vetëm një pjesë të së vërtetës. Në maj 2017 në Gjermani u shënua niveli më i ulët i papunësisë që prej vitit 1991 - 2,5 milionë vetë.  Por në Gjermani ka njëkohësisht 6,2 milionë vetë që edhe pse punojnë marrin nga shteti kompensime, sepse nuk i përballojnë dot shpenzimet me të ardhurat.

China deutscher Maschinenbau (Imago/Xinhua)

Votat dhe ekonomia

Natyrisht qytetarët nuk kanë parasysh vetëm të dhënat e përgjithshme ekonomike, kur vendosin t'ia japin votën kësaj apo asaj partie. Po aq e rëndësishme është gjendja e tyre ekonomike personale.

Nga pikëpamja ekonomike në këtë vit zgjedhor shtrohen shumë pyetje: A duhet të investojë tani qeveria më shumë në infrastrukturë dhe arsim? Apo duhet të presë deri në recesionin tjetër? A duhen ulur taksat në mënyrë që qytetarët të kenë më shumë para në xhepin e tyre? Dhe si paraqitet çështja e "drejtësisë sociale" që SPD-ja e ka identifikuar si një çështje madhore të zgjedhjeve?

Të gjitha këto pyetje për shpërndarjen e të ardhurave, sidomos ato në lidhje me ngarkesat e tjera të arkave publike për shpenzimet për refugjatët dhe migrantët, për shpenzimet për transforminin në fushën e energjive të riciklueshme e deri tek bonot e euros dhe falja e mundshme e borxhit për Greqinë, përbëjnë sfondin në të cilin do të votojnë në shtator qytetarët gjermane.   

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA