...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Faktet e dhimbshme për armët në Amerikë

Pas vrasjeve masive të kohëve të fundit, përfshirë atë në një shkollë të mesme në Parkland të Floridës në muajin shkurt, kandidatët demokratë për Kongres kanë bërë fushatë në mbarë vendin për kontrollin e armëve

Voa

03/10/2018 - 07:22

Në vazhdim ju sjellim gjashtë fakte kyçe rreth përhapjes së armëve dhe shtimit të vrasjeve në masë në Shtetet e Bashkuara.

Popullsia civile në Shtetet e Bashkuara zotëron 265 milionë armë

Ky numër prej kohësh ka qënë subjekt polemikash, me një pohim satistikor se ka më shumë armë se sa njerëz në Shtetet e Bashkuara. Por një studim i vitit 2017 nga studiuesit e Harvardit, bazuar në një sondazh kombëtar, vlerësoi se në vitin 2015 pati 265 milionë armë në zotërim nga popullsia civile ( në atë kohë popullsia e Amerikës ishte 321 milion), një rritje nga 195 milionë që ishte në mesin e viteve 1990-të.

FBI heton 17.2 milionë kërkesa në vit për individët që duan të blejnë armë

Ligji federal kërkon që shitësit e liçensuar të armëve të bëjnë një hetim paraprak për individët që duan të blejnë armë. Sistemi Kombëtar për Kontrollin e Historisë së Individëve i Byrosë Federale të Hetimeve (NICS) që kryen kërkime të menjëhershme në kompjuer, përdoret si barometër gjerësisht për të kontrolluar të dhënat për individët që duan të blejnë armë. Numri i kërkimeve në NICS ka qënë në rritje gjatë 16 viteve të fundit, ndërsa viti që lam pas shënoi një rënie.

Ligji federal dhe ligjet e shumë shteteve nuk kërkojnë hetime për shitjen e armëve mes individëve si dhe gjatë panaireve për armët. Kjo mungesë ligjore u mundëson shumë amerikanëve që të blejnë armë pa kaluar përmes sistemit të verifikimit. Nuk dihet saktësisht se sa njerëz përfitojnë nga kjo mungesë ligjore, ndërsa një sondazh i vitit 2017 gjeti se 22 për qind e atyre që blenë armë gjatë dy viteve pararendëse nuk kaluan përmes sistemit të verifikimit.

346 vrasje masive gjatë vitit 2017

Shifrat për vrasjet masive variojnë nga një burim tek tjetri. Arkiva për Dhunën me Armë e përcakton një vrasje masive si: plagosje ose vrasje të katër ose më shumë njerëzve në një incident. Kjo faqe interneti shënoi 346 raste gjatë vitit 2017. Por FBI përdor një kategori më të ngushtë: një vrasje masive, ose vrasjen e tre ose më shumë njerëzve në një incident. Byroja Federale e Hetimeve raportoi 20 incidente të tilla në vitet 2016 dhe 2017.

Mesatarisht 35,141 amerikanë vdesin në vit nga dhuna me armë

Shifrat, një mesatare pesëvjeçare e të dhënave për vdekjet nga armët e zjarrit nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve, përfshinë 12, 246 vrasje dhe 21,637 vetëvrasje. Arkivi i Dhunës me Armë vlerëson se vrasjet masive në vitet 2017 dhe 2018 lanë 698 të vrarë dhe 2,881 të plagosur.

55 ligje për armët janë miratuar pas vrasjeve në Parkland

Në pesë muajt pas vrasjeve në Parkland, 26 shtete, mes tyre 15 me guvernatorë republikanë, miratuan gjithsej 55 ligje për armët, sipas një analize nga Qendra Juridike Giffords për Parandalimin e Dhunës me Armë. Mes tyre, nëntë shtete miratuan masa për të mbajtur armët larg duarve të atyre që kanë kryer dhunë në familje ndërsa gjashtë shtete krijuan ose zgjeruan kontrollet për të dhënat e individëve që duan të blejnë armë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA