Franca dhe vende të tjerë evropiane braktisin SHBA-në për Izraelin ndërsa Bajdeni kërcënon me sanksione GJNP-në
Izraeli përballet gjithashtu me një rast të sjellë nga Afrika e Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku e akuzon Izraelin për gjenocid
SHJ
20/05/2024 - 17:04
Izraeli, përpjekje diplomatike për të frenuar pasojat e kërkesës për urdhër-arreste ndaj udhëheqjes së tij
Ministri i Jashtëm i Izraelit udhëtoi në Francë të martën në një përpjekje për të frenuar pasojat e vendimit të kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të kërkuar urdhër-arreste për udhëheqësit izraelitë dhe ata të Hamasit, një veprim i mbështetur nga disa vende evropiane, duke përfshirë aleatin kryesor Francën.
Franca, Belgjika dhe Sllovenia thanë të hënën se mbështesin vendimin e prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, i cili akuzoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant dhe tre udhëheqës të Hamasit, Yahya Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael.
Mbështetja e tyre për këtë vendim shfaq ndasitë në qëndrimin e Perëndimit ndaj Izraelit dhe thellon izolimin global të vendit për shkak të ofensivës në Rripin e Gazës.
Takimet e ministrit të jashtëm izraelit, Israel Katz me homologun e tij francez dhe zyrtarë të tjerë të lartë mund të japin sinjale mbi mënyrën se si vendet do t’i trajtojnë urdhër-arrestet, nëse ato lëshohen dhe nëse ato mund të përbëjnë kërcënim për udhëheqësit izraelitë.
Izraeli ka ende mbështetjen e aleatit të tij kryesor, Shteteve të Bashkuara, si dhe vendeve të tjera perëndimore që u shprehën kundër vendimit. Por nëse urdhër-arrestet lëshohen, ato mund të vështirësojnë udhëtimet ndërkombëtar për kryeministrin Netanyahun dhe ministrin e jashtëm Gallant. Izraeli nuk është anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Ndërkohë dhuna vazhdon në rajon, me një operacion të forcave izraelite në Bregun Perëndimor, në të cilin u vranë të paktën shtatë palestinezë, duke përfshirë një mjek, thanë zyrtarë palestinezë të shëndetësisë.
Në një deklaratë të hënën vonë natën në lidhje me kërkesat për urdhër-arreste të prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Franca tha se "e mbështet Gjykatën Ndërkombëtare Penale, pavarësinë e saj dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë në të gjitha situatat".
“Franca ka paralajmëruar për shumë muaj për nevojën e respektimit të rreptë të ligjeve ndërkombëtare humanitare, në veçanti kur bëhet fjalë për numrin e papranueshëm të viktimave civile në Rripin e Gazës dhe qasjen e pamjaftueshme tek ndihmat humanitare”, thuhet në deklaratë.
Franca ka një komunitet të madh hebre dhe ka lidhje të ngushta tregtare dhe diplomatike me Izraelin, udhëheqësit e të cilit e vizitojnë atë shpesh. Ministri i Jashtëm belg Hadja Lahbib tha të hënën në një postim në platformën X se "krimet e kryera në Gazë duhet të ndiqen penalisht në nivelin më të lartë, pavarësisht se kush janë autorët e tyre".
Netanyahu dhe udhëheqës të tjerë izraelitë e dënuan veprimin e prokurorit, duke e konsideruar atë të turpshëm dhe antisemitik. Presidenti amerikan Joe Biden gjithashtu e kritikoi prokurorin dhe mbështeti të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur nga militantët e Hamasit. Britania e quajti vendimin "të padobishëm", duke thënë se GJNP-ja nuk ka juridiksion në këtë rast, ndërsa aleati i Izraelit, Republika Çeke e quajti vendimin e prokurorit Khan "të tmerrshëm dhe plotësisht të papranueshëm".
Një panel i përbërë nga tre gjykatës do të vendosë për urdhër-arrestet dhe për vazhdimin ose jo të gjyqit për këtë çështje. Gjykatësit zakonisht marrin dy muaj kohë për vendime të tilla.
Izraeli është përballur me kritika në rritje edhe nga aleatët e tij më të afërt për luftën në Rripin e Gazës, që tashmë ka hyrë në muajin e tetë. Më shumë se 35 mijë palestinezë janë vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk bën dallim midis viktimave civile dhe luftëtarëve në raportet e saj. Lufta ka shkaktuar një krizë humanitare që ka detyruar zhvendosjen e pjesës më të madhe të popullsisë brenda Rripit të Gazës dhe ka bërë që një pjesë e saj të përballet me urinë. Prokurori Khan tha se Izraeli ka përdorur urinë si një "mjet lufte"..
Të martën, gjatë një sulmi izraelit në kampin e refugjatëve në Xhenin dhe në qytetin ngjitur me Xheninin, u vranë të paktën shtatë palestinezë, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë. Zona ka qenë prej kohësh një bastion i luftës së armatosur kundër Izraelit. Ushtria izraelite tha se forcat e saj goditën militantët gjatë operacionit, ndërsa grupi militant i Xhihadit Islamik Palestinez tha se luftëtarët e tij u përleshën me forcat izraelite.
Drejtori i Spitalit në Xhenin, Wissam Abu Baker tha se specialisti i kirurgjisë Ossayed Kamal Jabareen ishte në mesin e të vdekurve. Ai u vra ndërsa po shkonte në punë, tha zoti Abu Baker. Kampi i refugjatëve në Xhenin konsiderohet një vatër e militantizmit dhe ka qenë shpesh në shënjestër të sulmeve izraelite, shumë kohë përpara se të shpërthente lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës. Voa
Blinken shpreh gatishmërinë të punojë me Kongresin për sanksione të mundshme ndaj GJNK-së
Administrata e Presidentit Joe Biden është e gatshme të punojë me Kongresin për sanksione të mundshme kundër zyrtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale lidhur me kërkesën e prokurorit të saj për urdhër-arreste ndaj udhëheqësve izraelitë për luftën në Gazë, tha të martën Sekretari i Shtetit Antony Blinken.
Duke folur në një seancë të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, zoti Blinken e quajti masën "thellësisht të gabuar" dhe tha se ajo do të ndërlikonte perspektivat e arritjes së një marrëveshjeje për pengjet dhe një armëpushim në konfliktin e Izraelit me grupin militant palestinez Hamas.
Në një seancë të një komisioni tjetër të Senatit, senatori republikan Lindsey Graham i tha zotit Blinken se donte që Shtetet e Bashkuara të vendosnin sanksione ndaj gjykatës në përgjigje të masës së shpallur nga prokurori i GJNK-së Karim Khan.
"Unë dua të ndërmarrim veprime, jo vetëm fjalë," i tha Sen. Graham Sekretarit Blinken.
"A do t’i mbështesni përpjekjet dypartiake për të vendosur sanksione ndaj GJNK-së, jo vetëm për indinjatën lidhur me veprimin ndaj Izraelit, por edhe për të mbrojtur në të ardhmen interesat tona?" tha ai.
“Unë do të doja të bashkëpunonim në këtë drejtim”, u përgjigj zoti Blinken.
Si Presidenti demokrat Biden ashtu edhe kundërshtarët e tij politikë kanë kritikuar ashpër njoftimin e prokurorit Khan, duke argumentuar se gjykata nuk ka juridiksion mbi konfliktin e Gazës dhe duke ngritur shqetësime mbi procesin. Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare të gjykatës, por kanë mbështetur çështje penale të ngritura prej saj në të kaluarën, përfshirë vendimin e saj vitin e kaluar për të lëshuar një urdhër-arresti për presidentin rus Vladimir Putin lidhur me luftën në Ukrainë.
Anëtarët republikanë të Kongresit kanë paralajmëruar në të kaluarën se do të hartojnë një legjislacion për të vendosur sanksione ndaj GJNP-së, por projekt-ligjet duhet të miratohen nga Senati me shumicë demokrate dhe të nënshkruhen nga Presidentit Joe Biden, për të hyrë në fuqi.
Në vitin 2020, administrata e Presidentit të atëhershëm Donald Trump akuzoi GJNP-në për shkelje të sovranitetit kombëtar të SHBA-së, kur Gjykata autorizoi një hetim për krimet e luftës të kryera në Afganistan. Shtetet e Bashkuara vunë në shënjestër personelin e gjykatës, përfshirë prokurorin e atëhershëm Fatou Bensouda, me ngrirje të pasurive dhe ndalime udhëtimi. Presidenti Biden i hoqi ato sanksione në prill të vitit 2021, menjëherë pas marrjes së detyrës.
"Këto vendime pasqyrojnë vlerësimin tonë se masat e miratuara ishin të papërshtatshme dhe joefektive," u shpreh zoti Blinken në një deklaratë në atë kohë. Voa
GJNP lëshon urdhërndalime për krerët e Hamasit dhe Netanjahun
Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) tha të hënën se ka kërkuar lëshimin e fletarrestimeve për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe për liderët kryesorë të Hamasit – grupit radikal të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Karim Khan tha se beson se Netanyahu, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe tre liderë të Hamasit - Yehia Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh - janë përgjegjës për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael, së paku nga 7 tetori 2023.
Prokurori duhet të kërkojë lëshimin e fletarrestimeve nga një panel prej tre gjyqtarësh, të cilëve mund t’iu duhen deri në dy muaj kohë për t’i shqyrtuar provat dhe për të vendosur nëse mund të procedohet.
Izraeli nuk është anëtar i kësaj gjykate dhe, edhe nëse lëshohen fletarrestimet, Netanyahu dhe Gallant nuk përballen me rrezik të menjëhershëm për ndjekje penale.
Por njoftimi i Khanit e thellon izolimin e Izraelit, i cili po e vazhdon luftën në Gazë, ndërsa rreziku për t’u arrestuar mund ta bëjë shumë të vështirë për liderët izraelitë të udhëtojnë jashtë vendit.
Ndërkohë, Sinwar dhe Dief besohet se janë duke u fshehur në Gazë. Por, Haniyeh, lideri suprem i grupit radikal Hamas, është me bazë në Katar dhe shpesh udhëton nëpër rajon.
Benny Gantz, nga kabineti i luftës i Izraelit, e ka kritikuar ashpër njoftimin e Khanit, duke thënë se Izraeli lufton “me njërin prej kodeve më të rrepta” të moralit dhe ka një gjyqësor të fuqishëm që është në gjendje të kryejë hetime vetë.
“Shteti i Izraelit po kryen njërën prej luftërave më të drejta në historinë moderne... vendimi i prokurorit për të kërkuar fletarrestime është krim më vete i përmasave historike, që do të mbahet mend nga gjenerata të ndryshme”, tha ai.
Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.
Lufta izraelite i ka vrarë më shumë se 35.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve të Hamasit. Por lufta izraelite ka shkaktuar edhe krizë humanitare në Gazë, duke bërë që rreth 80 për qind e popullsisë të zhvendoset dhe qindra mijëra njerëz të vuajnë nga uria, sipas zyrtarëve të OKB-së.
Duke folur për veprimet e Izraelit, Khan tha në një komunikatë se “ndikimet e përdorimit të urisë si mjet lufte, së bashku me sulmet e tjera dhe ndëshkimin kolektiv kundër popullsisë civile në Gazë, janë akute, të dukshme dhe shumë mirë të ditura... Ato përfshijnë kequshqyerjen, çujësimin, vuajtjen e skajshme dhe numrin e madh të vdekjeve në mesin e popullsisë palestineze, përfshirë vdekjen e foshnjave, fëmijëve të tjerë dhe grave”.
Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e ndihmës e kanë akuzuar Izraelin vazhdimisht se po pengon e shpërndarjen e ndihmave gjatë luftës. Izraeli e mohon këtë, duke thënë se nuk ka kufizime ndaj futjes së ndihmave në Gazë dhe e akuzon OKB-në se po dështon t’i shpërndajë ato.
Në lidhje me veprimet e Hamasit më 7 tetor, Khan tha se i ka parë vetë “skenat shkatërruese të atyre sulmeve dhe ndikimin e thellë të krimeve të pandërgjegjshme.”
“Duke folur me të mbijetuarit, dëgjova se si dashuria brenda familjes, lidhjet më të ngushta mes një prindi dhe fëmije, ishin shtrembëruar për të shkaktuar dhimbje përmes mizorisë së kalkuluar dhe ligësisë ekstreme. Këto veprime kërkojnë përgjegjësi”, tha ai.
Pas një periudhe të shkurtër të mbështetjes ndërkombëtare për luftën tij, Izraeli është përballur me kritika për shkak të mënyrës se si e ka vazhduar luftën dhe për shkak të numrit të madh të të vrarëve.
Izraeli përballet gjithashtu me një rast të sjellë nga Afrika e Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku e akuzon Izraelin për gjenocid. Izraeli i ka mohuar akuzat.
Kërkesa e Khanit për fletarrestime në luftën Izrael-Gazë u bë 14 muaj pasi GJNP-ja lëshoi fletarrestim për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për krime lufte, të cilin e akuzon se është personalisht përgjegjës për rrëmbimin e fëmijëve nga Ukraina.
Ç'është Gjykata Ndërkombëtare Penale?
GJNP-ja është themeluar më 2002, si gjykatë e përhershme e nivelit më të lartë për ndjekjen penale të individëve përgjegjës për krimet më të rënda në botë – krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidin dhe krimin e agresionit.
Statuti i Romës, i cili ka paraparë krijimin e GJNP-së, është miratuar më 1998, dhe ka hyrë në fuqi kur ka arritur 60 ratifikime, më 1 korrik të vitit 2002. Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) e ka mbështetur GJNP-në, por gjykata është e pavarur.
Shtetet anëtare të GJNP-së, gjithsej 124, e kanë nënshkruar Statutin e Romës. Dhjetëra vende nuk e kanë nënshkruar dhe nuk e pranojnë juridiksionin e gjykatës për krime lufte, gjenocid dhe krime të tjera. Ndër to janë Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Kina.
Pa një forcë policore, GJNP-ja varet nga shtetet anëtare për arrestimin e të dyshuarve, gjë që është dëshmuar të jetë pengesë e madhe për ndjekje penale.
GJNP-ja përfshihet kur vendet nuk munden apo nuk shprehin vullnet t’i ndjekin penalisht krimet e kryera në territorin e tyre. REL
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 223 reads