...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Gjendje e jashtëzakonshme në Uashington: sulmohet Kongresi - katër të vdekur

Policia tha se katër vetë humbën jetën gjatë protestave të së mërkurës para dhe brenda ndërtesës së Kongresit amerikan dhe 52 vetë janë arrestuar

Voa

07/01/2021 - 09:29

Presidenti i zgjedhur Joe Biden mbajti një fjalim pasditen e së mërkurës dhe i bëri thirrje Presidentit Donald Trump të dalë në televizionin kombëtar dhe të mbrojë Kushtetutën, të bëjë thirrje që njerëzit të largohen nga Kapitoli.

Duke folur nga qyteti Uilmington i shtetit Delauer, zoti Biden tha se demokracia amerikane ishte nën një sulm të paparë. "Kjo nuk është protestë, është kryengritje," tha ai.

Ai e quajti ngjarjen e së mërkurës një moment të errët në historinë e vendit, një sulm ndaj Republikës dhe ndaj sundimit të ligjit.

Zoti Biden tha se skenat e kaosit në Kapitol nuk pasqyrojnë Amerikën e vërtetë, nuk pasqyrojnë “atë që ne jemi”. "Ajo që ne shikojmë është një numër i vogël ekstremistësh, të përkushtuar ndaj paligjshmërisë," tha ai.

Zoti Biden duhet të fliste të mërkurën për ekonominë, por ai e ndryshoi temën e fjalimit për shkak të zhvillimeve në kryeqytetin amerikan.

REAGON PRESIDENTI TRUMP

Ndërkohë, Presidenti Trump postoi një video në Twitter, ku u bëri thirrje protestuesve me fjalët: "Tani duhet të shkoni në shtëpi, duhet të kemi paqe. Na duhet të kemi ligj dhe rend".

Megjithatë, ai përsëriti në video pretendimin e tij të pabazuar se zgjedhjet u vodhën dhe se ato ishin të manipuluara.

"Nuk duhet të bëjmë lojën e tyre, na duhet paqe," tha ai në videon e regjistruar në Shtëpinë e Bardhë.

Kompania Twitter njoftoi në vazhdim se ka pezulluar për 12 orë llogarinë e Presidentit Donald Trump për "shkelje të rënda dhe të përsëritura" të rregullave të integritetit qytetar të kësaj platforme, si dhe kërcënoi me pezullimin e përhershëm të kësaj llogarie.

Në Uashington, policia ka filluar të heqë protestuesit nga shkallët e Kapitolit, ndërkohë që në ndihmë të tyre erdhën përforcime.

AKTIVIZOHET GARDA KOMBËTARE E UASHINGTONIT

Sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Chris Miller tha të mërkurën se e gjithë Garda Kombëtare e Uashingtonit ishte aktivizuar dhe se ai ishte gati të siguronte mbështetje shtesë nëse kërkohej nga autoritetet lokale.

"Kemi aktivizuar plotësisht Gardën Kombëtare të Uashingtonit për të ndihmuar në zbatimin e ligjit federal dhe tani që bëhen përpjekje për të zgjidhur paqësisht situatën," tha zoti Miller.

Kreu në detyrë i Pentagonit tha se ai dhe gjenerali kryesor i vendit kishin folur me Nënpresidentin Mike Pence dhe me udhëheqësit e Kongresit për gjendjen në Kapitol.

Katër të vdekur dhe 52 të arrestuar

Policia tha se katër vetë humbën jetën gjatë protestave të së mërkurës para dhe brenda ndërtesës së Kongresit amerikan, përfshirë një grua që u plagos brenda ndërtesës.

Shefi i policisë metropolitane Robert J. Contee, tha se 52 vetë janë arrestuar pasi mbështetësit e presidentit Donald Trump sulmuan Kongresin në një përpjekje për të penguar certifikimin e fitores së presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Në një konferencë me gazetarë, shefi Contee tha se 47 nga 52 arrestimet e deritashme kishin të bënin me shkelje të vendimit të kryebashkiakes Muriel Bowser për masën e shtetrrethimit. Disa të tjerë u arrestuan me akuza për armëmbajtje pa leje.

Zoti Contee refuzoi të identifikojë gruan që u qëllua dhe u vra nga një polic në Kapitol.

Tre të tjerë humbën jetën të mërkurën për shkak të “emergjencave mjekësore”, tha ai, duke shtuar se 14 pjesëtarë të policisë janë plagosur, dy nga të cilët janë duke u trajtuar në spitale.

Sulmi i së mërkurës mbi ndërtesën e Kapitolit, ishte më i dëmshmi që kur ushtria britanike e dogji atë në vitin 1814, thanë përfaqësues të Shoqatës Historike të Kapitolit.   

Kongresi rifillon punimet pas dhunës

Kongresi amerikan rifilloi seancën për konfirmimin së rezultateve të Kolegjit Elektoral për fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden, pas dhunës së pashembullt në Kapitol.

Pas disa fjalimeve të anëtarëve të tij, Senati amerikan hodhi poshtë me shumicë dërrmuese një lëvizje nga aleatët e Presidentit Donald Trump për të kundërshtuar certifikimin e rezulateve të zgjedhjeve presidenciale për shtetin e Arizonës që i dha fitoren demokratit Joe Biden.

Si demokratët edhe republikanët dënuan dhunën në Kongres por ndërsa demokratët fajësuar Presidentin Trump për nxitjen e saj, shumica e republikanëve nuk e përmendën atë.

“Ne dënojmë në mënyrën më të ashpër dhunën që ndodhi këtu. Pikëllohemi për humbjen e jetës në këto salla të shenjta, si dhe dëmtimet e pësuara nga ata që mbrojtën Kapitolin tonë sot”, tha nënpresidenti Mike Pence.

Ai tha se ata që sulmuan, nuk fituan.

“Dhuna nuk fiton kurrë. Liria fiton, dhe kjo është ende shtëpia e popullit. Ndërsa rimblidhemi në këtë dhomë, bota do të jetë përsëri dëshmitare e rezistencës dhe forcës së demokracisë sonë”, tha zoti Pence.

Kreu i Republikanëve në Senat Mitch McConnell tha se “ne do të kryejmë detyrën tonë sipas Kushtetutës për kombin tonë.”

Ai shtoi se kjo detyrë do të bëhej sot (të mërkurën).

“Këtë pasdite, Kongresi filloi procesin e nderimit të vullnetit të popullit Amerikan dhe numërimin e votave të Kolegjit Zgjedhor. Ne e kemi përmbushur këtë detyrë solemne çdo katër vjet për më shumë se dy shekuj”, tha ai.

Por ndërsa disa republikanë janë tërhequr nga kundërshtimet e tyre ndaj rezultateve në disa shtete, përfshirë Senatoren Kelly Loeffler që humbi në zgjedhjet e Xhorxhias, të tjetë si Josh Hawley, vazhduan të shprehin kundërshtime.

Kreu i demokratëve në Senat, Chuck Schumer e vuri përgjegjësinë mbi presidentin Trump.

"Kjo do të jetë një njollë në vendin tone, jo aq lehtë për t’u zhdukur. Trashëgimia e fundit, e tmerrshme, e pashlyeshme, e pashlyeshme e presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara”, tha ai.

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA