Gjermania kërkon 50 mijë punëtorë në vit nga Ballkani Perëndimor
Gjermania që tani ka 2 milionë vende pune të pazëna
DW
31/03/2023 - 05:51
Gjermania synon të lejojë në të ardhmen mbi 50 mijë punëtorë të pakualifikuar nga Ballkani Perëndimor që të vijnë për të punuar në Gjermani. Këtë e miratoi qeveria gjermane të mërkurën (29.03.2023) në kuader të projektligjit të ri të migrimit të fuqisë punëtore. Ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil, tha në konferencën e shtypit në Berlin se ky kontingjent do të dyfishohet nga 25.000 që është aktualisht në maksimumi 50 mijë vetë në vit. Por ministri shtoi se ka plane që kjo rregullore të zgjerohet edhe për vende të tjera.
Rregullorja e Ballkanit Perëndimor ekziston që nga viti 2015 dhe u mundëson shtetasve të gjashtë vendeve të BP (Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia) qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës, pavarësisht nga kualifikimi që kanë.
Parakusht për të marrë vizën e punës është një kontratë pune e rregullt në Gjermani. Nuk nevojiten as njohuri të veçanta të gjuhës gjermane. Rregullorja e Ballkanit Perëndimor është në fuqi deri në fund të vitit 2023, por në draftin e ri të ligjit të migracionit është parashikuar që ajo të bëhet pa afat. Sipas Burimeve të DW deri më 31 dhjetor 2022 në Regjistrin Qendror të të Huajve, (AZR), figuronin rreth 62.000 imigrantë me leje qëndrimi në bazë kësaj rregulloreje.
Njohja e diplomave mund të bëhet edhe në Gjermani
Por drafti i prezantuar nga Ministri gjerman i Punës dhe Çështjeve Sociale Hubertus Heil dhe ministrja e Brendshme Nancy Faser përmban edhe risi të tjera.
Sipas ministrit Heil të huajve nga vendet e treta do t'u ofrohen tri mënyra për të ardhur në Gjermani: nëpërmjet kualifikimit, përvojës së punës dhe sistemit të pikëve. E para ekzistonte edhe me parë, në ligjin e migracionit të fuqisë së kualifikuar, që kishte hyrë në fuqi para pandemisë. Por drafti i ri i koalicionit të qendrës së majtë ka bërë disa lehtësime:
Kështu për shembull, është ulur paga minimale vjetore që nevojitet për të marrë kartat blu: Për momentin ajo është 49.581 euro, duke përbërë kështu 1,25-fishin e pagës vjetore mesatare bruto në Gjermani. Për të rinj dhe me më pak përvojë madje nën 40 mijë euro.
Veç kësaj, kush ka mbaruar një shkollë të lartë ose një shollë profesionale prej së paku dyvjeçare, ka të drejtë të vijë për të kërkuar punë në Gjermani, edhe pa e bërë njohjen e kualifikimit qysh në vendlindje. Procedura e njohjes së kualifikimeve ka qenë një nga pengesat kryesore të deritanishme për ardhjen e fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani.
Përveç kësaj personave të kualifikuar do t'u lejohet të punojnë në çfarëdo profesioni, pavarësisht nga kualifikimi që kanë. Si kualifikim do të quhet jo vetëm kualifikimi arsimor, edhe përvoja e punës do të luajë rol në njohjen e kualifikimit.
Sistemi i pikëve ose karta e shanseve, më në fund realitet
Por risia kryesore e këtij ligji, ajo që i bën krenarë dy ministrat socialdemokratë që paraqiten draftin, është sistemi i pikëve, ose Karta e Shanseve (Chancenkarte).
Ngjashëm me sistemin kanadez të migrimit, Karta e Shanseve jep mundësi migrimi në Gjermani edhe në bazë të një sistemi pikësh bazuar në katër kritere: njohja e gjuhës, përvoja profesionale, mosha dhe lidhja me Gjermaninë.
Sipas draftit, mjaftojnë gjashtë pikë për të marrë një vizë njëvjeçare dhe për të kërkuar punë në Gjermani. Si mund të mblidhen ato?
Katër pikë për një kualifikim profesional.
Tri pikë për përvojën e punës
Tre pikë për njohuri të mira të gjermanishtes.
Dy pikë për njohuri të mjaftueshme të gjermanishtes
Dy pikë për moshën e re (nën 35-vjeçare) ose
Dy pikë për përvojë pune deri dy vjet.
Një pikë për lidhjet me Gjermaninë, pra, nëse ke qëndruar më parë në Gjermani për së paku gjashtë muaj. Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, tha se me këtë kemi krijuar një ligj të ri modern migracioni. Faeser kritikoi qeverinë e mëparshme, kryesisht krahun konservator të saj, që nuk e kishte lejuar ta realizonte këtë që më parë, por në vend të saj kishte jetuar me një siç e quajti ajo “gënjeshtrën e përhershme se Gjermania nuk qenka vend migrimi”.
Strategji për të luftuar mungesën e fuqisë punëtore
Projektligji i ri është pjesë e një strategjie të re të qeverisë për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore, e cila tani po shqyrtohet nga komisionet përkatëse në Bundestag. Ai parashikon përveç shfrytëzimit te potencialit të fuqisë punëtore brenda vendit, duke rritur ofertat e trajnimeve profesionale për të rinjtë që lënë shkollën, përmirësuar kushtet e punës për nënat me fëmijë, apo duke rritur shanset për punësimin e refugjatëve apo azilkërkuesve të refuzuar.
Në një studim i Dhomave të Tregtisë dhe të Industrisë që u paraqit në mes të janarit në Berlin, Gjermania që tani ka 2 milionë vende pune të pazëna. Nga kjo mungesë punëtorësh ekonomia më e madhe e Evropës ka 100 miliardë euro më pak të ardhura kombëtare në vit. Situata përkeqësohet nga viti në vit:
Sipas projektligjit të ri të migracionit, përllogaritet që në bazë të këtyre ndryshimeve në Gjermani të vijnë mesatarisht deri në 75.000 vetë si fuqi punëtore e kualifikuar në vit. Këtyre u shtohet edhe kontingjenti i Ballkanit Perëndimor, me 50 mijë punëtorë në vit.
Për shumë ekspertë kjo shifër nuk i plotëson aspak nevojat e Gjermanisë për fuqi punëtore. Ekspertët përllogarisin se Gjermanisë i duhen 400.000 imigrantë të kualifikuar në vit.
Por ministri i Punës tha se nuk duhet harruar se pjesa më e madhe e fuqisë punëtore të kualifikuar vijnë nga vendet e BE-së, që nuk kanë nevojë për vizë pune. Numri i përgjithshëm i imigrantëve neto në vitin 2019 para pandemisë, ka qenë 350 mijë vetë.
Nga njëra anë për shkak të hartës demografike të vendit: në 15 vjetët e ardhshëm një e treta e të punësuarve aktualë do të dalin në pension. Por edhe për shkak të ndryshimeve strukturore të shkaktuara nga digjitalizimi, si dhe ndryshimeve për shkak të pandemisë së koronës dhe luftës në Ukrainë.
Kërcërnimi i punëtorërve gjermanë
Sipas të dhënave të Institutit për Tregun e Punës dhe Studimet e Profesionit (IAB) aktualisht ka 1,98 milionë vende të lira pune në Gjermani. Për të vepruar kundër mungesës kronike të fuqisë punëtore, qeveria gjemane planifikon të liberalizojë ligjin përkatës për migracionin e punës. Një pjesë e paketës ligjore është e ashtuquajtura "Rregullorja e Ballkanit Perëndimor. Qeveria parashikon dy ndryshime themelore: Nga njëra anë kjo rregullore nuk do të jetë më e kufizuar në kohë - rregulloja e deritanishme zgjat deri në fund të vitit 2023 - nga ana tjetër kontigjenti i punëtorëve nga Ballkani do të dyfishohet në 50.000 punëtorë në vit.
Leja e punës - pa kualifikim
Kur në gjysmën e dytë të vitit 2015 në kulmin e krizës së refugjatëve erdhën më shumë se 1 milionë refugjatë nga Siria, Iraku e Afganistani përmes itinerarit të Ballkanit, atyre iu bashkangjitën edhe shumë njerëz nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Atëherë ata përbënin 30% të kërkesave për azil, megjithëse gati të gjitha kërkesat nuk njiheshin. Qeveria e Merkelit atëherë mbylli marrëveshje me vendet e Ballkanit për pranimin e refugjatëve të kthyer dhe në vitin 2016 u miratua Rregullorja e Ballkanit Perëndimor. Me të lejohej ardhja e një kontigjenti të atyre që kërkonin punë pa pengesat burokratike të paraqitjes së kualifikimit. Dy kritere duheshin plotësuar: Kërkesa për lejen e punës duhet të paraqitej tek përfaqësitë gjermane në këto vende dhe më parë nuk duhej të kishe bërë kërkesë për azil.
Një rregullore që duhej të kënaqte të githa palët. Në Gjermani do të kishte imigrim të rregulluar të fuqisë punëtore pa kualifikim ose me kualifkim të mesëm. Nga ana tjetër do të lehtësohej gjendja e vështirë e tregut të punës në këto vende, ku sidomos rinia vuan nga papunësia. Në Kosovë për shembull papunësia arrin 21%, ajo e të rinjve madje 55%. Kështu nuk të habit fakti që si pasojë e rregullores Agjencia Federale e Punës deri në fund të vitit 2020 ka dhënë 260.000 leje parimore për vizë dhe 98.000 leje për viza pune nga aplikuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Frika nga dumpingu i rrogave
Këto shifra priten të rriten edhe më tej. Planet e qeverisë gjermane për Rregulloren e Ballkanit Perëndimor përshëndeten nga punëdhënësit gjermanë. Janë pikërisht ata që ushtrojnë presion të rregullt ndaj qeverisë që të liberalizojë kushtet e imigrimit për punë në Gjermani. Shoqata e Sindikatave Gjermane, DGB është më kritike. Evelyn Räder, në bordin e kësaj shoqate thotë se DGB e përshëndet migracionin për punë, por thekson se kushtet e punës për punëmarrësit nga Ballkani duhen parë me shumë kujdes. "Njerëzit që vijnë janë në masë të madhe të varur nga punëdhënësi i tyre. Ata kanë një leje pune, por kjo është e lidhur me vendin e punës që kanë. Kjo krijon frikë, që nëse nuk ulin kokën, mund edhe të kthehen." Nga ana tjetër ata nuk flasin gjermansiht dhe nuk informohen për të drejtat e tyre. Të gjitha këto bëjnë që në praktikë ata të pranojnë kushte më të këqija pune, thekson Räder.
Jo "forca të kualifikuara" por punëtorë
Tre të katërtat e punëtorëve nga Ballkani punojnë në ndërtim, në gastronomi dhe në kujdesin shëndetësor për të moshuarit. 44% vetëm në ndërtim. Shumica e këtyre punëve janë punë me rroga relativisht të ulta. Megjithëse qeveria gjermane e shpjegon reformën në tregun e punës për të huajt me mungesën e fuqisë punëtore, Rregullorja e Ballkanit Perëndimor nuk i përgjigjet kësaj në atë masë, sepse për ta nuk kërkohet kualifikim për të marrë një leje pune.
Sipas vlerësimit të DGB-së nuk bëhet fjalë për të tërhequr forca të kualifikuara, por për të fituar fuqi punëtore për punë të thjeshta të papaguara mirë. "Ky është thjesht një program punësimi në favor të punëdhënësve, që në këtë mënyrë fitojnë fuqi punëtore, të cilën në rast nevoje mund ta nxjerrin në rrugë sërish", thotë Räder.
Punë e pasigurtë në kantiere ndërtimi
Kjo problematikë vërehet më shumë në degën e ndërtimit. Shoqata e Industrisë së Ndërtimit ka hequr dorë vitin e kaluar nga zgjatja e marrëveshjes për pagesën në bazë tarifash. Punëtorët mund të paguhen vetëm me një pagë minimale prej 12 eurosh në orë, që është shumë më pak se pagesa më parë. Dikur në këtë degë paguheshin 13 deri në 16 euro në orë.
Në këtë mënyrë punëdhënësit mund të ushtrojnë presion ndaj atyre që kërkojnë një rrogë më të lartë - sepse ka gjithmonë forca pune që kushtojnë më pak. Nga ana tjetër ata nuk kanë pse të kenë frikë nga gjyqet. Punëtorët nga Ballkani janë grup veçanërisht i rrezikuar , ata nuk i njohin të drejtat e tyre, dhe për shumë vetë nga Ballkani kushtet e punës janë të papranueshme krahasuar edhe me vendet nga vijnë. Kësaj i shtohet që kontrollet shtetërore janë shumë të pakta.
Mbrojtja e punëtorëve dhe autonomia
"Ne jemi të shqetësuar, se në këtë mënyrë ushtrohet presion për kushtet e punës të të gjithë të punësuarve në këtë degë- do të bëhet më e vështirë të arrihet marrëveshje tarifash dhe pa to krijohet një program dumpingu më drejtim uljen e rrogave", paralajmëron Evelyn Räder nga DGB.
Zgjidhja për Shoqatën e Sindikatave, DGB qëndron tek ndryshime të tjera të Rregullores së Ballkanit Perëndimor. Një nga ndryshimet kryesore do të ishte mundësia e ndryshimit të punëdhënësit, pa u detyruar të aplikosh sërish për vizë pune, si tek shumë punëtorë të huaj të tjerë.
Sipas rregullores aktuale aplikimi për vizë bëhet në përfaqësitë gjermane në vendin origjinë dhe jepet për një punë të caktuar. Ndryshimi është i mundur në këto përfaqësi, por kërkesa për lejen e vizës së punës duhet të bëhet sërish nga e para tek Agjencia Federale e Punës. Për shumë punëtorë nga Ballkani kjo është një procedurë shumë e komplikuar, shumë vetë as nuk e dinë se ekziston një mundësi e tillë. DGB kërkon punësimin mbi bazën e Rregullores së Ballkanit Perëndimor vetëm aty ku ka marrëveshje tarifash. Nga njëra anë do të mbroheshin kështu punonjësit, nga ana tjetër nuk do të minohej autonomia e taifave të sindikatave.-
Evely Räder ka një mesazh për punëtorët nga Ballkani që duan të punojnë në Gjermani: "Informohuni për të drejtat tuaja dhe kërkoni në rast nevoje ndihmë. Nuk duhet të përtypni gjithçka, që ju ofrohet." Në Gjermani punëtorët kanë të drejta, thekson Evelyn Räder.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 26 reads