...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Gjunjëzohet superfuqia ndërsa ndryshimi i klimës është vendimtar në natyrën e zjarreve

Kalifornia është goditur nga një numër ndërprerjesh të energjisë, ndërsa të mërkurën u rishfaq kërcënimi i zjarreve në pjesën veriore, ku janë regjistruar temperatura shumë të larta. Në jug të shtetit stuhi me shira të rrëmbyer kanë shtuar kërcënimin e përmbytjeve

Voa

19/08/2020 - 19:50

Mijëra vetë morën urdhër për evakuim si rezultat i 30 vatrave të zjarrit, shumë prej të cilave të shkaktuara nga shkreptima gjatë stuhive.

Zjarret kanë goditur zonat rurale dhe të pyllëzuara rreth San Franciskos, në luginën Sonoma të njohur për vreshtat dhe verën me famë botërore, si dhe në Salinas, pranë Sakramentos, deri në Liqenin Taho në kufi me Nevadën.

Guvernatori Gavin Newsom shpalli të martën gjendjen e jashtëzakonshme si rezulat i zjarreve, duke përgatitur terrenin për grante federale dhe dërgimin e ekipeve të zjarrfikësve nga jashtë shtetit të Kalifornisë.

Will Powers, zëdhënës i Kalifornisë për zjarret, tha “në të gjithë shtetin aktualisht jemi të stresuar për burime të pamjaftueshme njerëzore kundër zjarrit. Mjetet ajrore janë plotësisht të angazhuara në maksimum në të gjithë shtetin,” tha ai.

Në komunën Napa, e njohur për vreshtat me famë, 80-vjeçarja Gail Bickett u fut në kamion me tre qentë dhe u largua për t’u shpëtuar zjarreve që kishin prekur shtëpitë e lagjes, njofton e përditshmja Francisco Chronicle.

“Shumë e frikshme. Tronditëse,” thotë ajo.

Rreth 2000 banesa kanë marrë urdhra për evakuim në zonën e Napës. Të martën pasdite zjarri po i afrohej Majës Atlas që u dogj në 2017 nga një zjarr që la gjashtë të vdekur dhe shkatërroi 800 banesa. Robin Sisemore kishte dalë për të lagur bimësinë para shtëpisë së nënës dhe fqinjës. Të dyja janë shtëpi të reja, të ndërtuara pas zjarrit të 2017.

“Nuk mund ta përballojmë përsëri,” thotë vajza e saj, Bridget Enge.

Çifti Sisemore ende nuk është futur në shtëpinë e re. “Burri vuan nga stresi i krijuar nga hera e fundit. U trondit shumë kur pa tymin dhe kur filluam të marrim urdhra për evakuim,” thotë zonja Sisemore.

Beteja me zjarrin është vështirësuar nga temperaturat e larta. Rreth 2000 banesa ishin të martën në errësirë si rezultat i ndërprerjes së furnizimit me energji. Autoritetet paralajmërojnë për ndërprerje të ardhshme si rezultat i stresimit të sistemit nga përdorimi në masë i ajrit të kondicionuar në këto temperatura.

Guvernatori ka urdhëruar një proces hetimor mbi problemet e shfaqura në rrjet. Zjarri si dhe stuhitë në këtë periudhë uraganesh përbëjnë pengesë në betejën me koronavirusin, tha John Swartzberg, ekspert i sëmundjeve infektive dhe profesor në pension i Universitetit UC Berkeley, i cili ka shërbyer si konsulent për autoritetet në këtë situatë.

"Nëse je prekur nga COVID-19 dhe ekspozohesh ndaj tymit dhe grimcave ndotëse në ajër, si rezultat i zjarrit, sëmundja bëhet edhe më e rëndë,” thotë eksperti për gazetën East Bay Times.

Zjarret mund të keqësojnë përhapjen e koronavirusit, pasi gjendja ka bërë të nevojshme sjelljen e ekipeve të shumta të reagimit nga pika të ndryshme të shtetit.

"Ky është kombinimi perfekt i kushteve që duhen shmangur në një pandemi,” thotë zoti Swartzberg.   

Brigadat e zjarrfikësve me pajisje të pamjaftueshme

Disa dhjetëra zjarre të mëdha vazhduan të enjten në Kaliforni duke vënë në pikëpyetje aftësitë zjarrfikëse të atij shteti. Zjarret thuhet se janë shkaktuar nga një varg me rreth 11 mijë rrufe që goditën atë vend gjatë ditëve të fundit.

Zjarret kanë shkatërruar 175 struktura, përfshi shtëpi dhe po rrezikojnë 50 mijë të tjera, tha zoti Daniel Berlant me Departamentin e Pyjeve dhe Mbrojtes nga Zjarret në Kaliforni. Në tërësi, 33 banorë dhe zjarrfikës njoftohet se janë lënduar. Zjarret më të mëdha janë në pjesën veriore të Kalifornisë, ku flakët kanë përpirë rreth 1'250 kilometra katrorë tokë me shkurre, zona rurale dhe pyje të dendura përreth qytetit San Françisko.

Më shumë se 10 mijë zjarrfikës të Kalifornisë po luftojnë me zjarret. Zyrtarët e lartë të departamenteve të zjarrfikësave thonë se kanë mungesa në njerëz, pajisje dhe burime. Disa zjarrfikës po punonin me turne 72-orëshe në vend të turnit të zakonshëm 24-orësh. Kalifornia ka kërkuar 375 makineri zjarrfikëse dhe ekuipazhe nga shtetet e tjera.

“Kjo do të mundësonte që zjarrfikësit tanë që po luftojnë me flakët që nga fundjava të kenë një mundësi për të pushuar”, tha Berlant.

Në kontenë Marin në veri të San Françiskos, ku një zjarr i vogël po digjet pranë Oqeanit Paqësor, shefi i zjarrfikësve Jason Weber tha se po pret që ndihma nga shteti Montana të mbërrijë këtë fundjavë.

Në rajonet malore bregdetare në jug të San Françiskos, ku 26 mijë njerëz janë urdhëruar të evakuohen, zjarri u rrit brenda natës në një hapësirë prej 160 kilometrash katror. Zyrtarët thanë se zjarri mund të rritet ndjeshëm deri ditën tjetër.

Pas angazhimit të më shumë se 12,000 zjarrfikësish, vdekjes së gjashtë njerëzve dhe zhvendosje së më shumë se 174 mijë banorëve, governatori i Kalifornisë kërkoi ndihmë nga Australia dhe Kanadaja.

Digjen qindra mijëra hektarë ndërsa Trampi shpall gjendjen e katastrofës madhore

Disa nga zjarret më të fuqishëm që janë parë ndonjëherë në shtetin perëndimor amerikan të Kalifornisë vazhduan të përhapen me furi të shtunën, duke shkrumbuar rreth 1 milion hektarë tokë brenda një jave.

Të shtunën Presidenti Donald Trump shpalli gjendjen e katastrofës madhore, e cila hap mundësinë për të siguruar ndihmë nga qeveria federale.

Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom tha se fondet do të përdoren për këshillime në rast krizash, strehimin e shërbime të tjera sociale në qarqet ku njerëzit janë prekur nga zjarri. Dy vratra të mëdha që përfshinë zonën e gjirit të San Franciskos u bënë zjarret e dyta dhe të treta më të mëdha për nga madhësia, në historinë e viteve më të fundit të këtij shteti. Ndërsa moti i freskët e me lagështirë gjatë natës ndihmoi ekipet e zjarrfikësve që të përparojnë për të vendosun nën kontroll situatën, parashiket e motit për ditët në vazhdim siç thonë zyrtarët e shtetit, mund ta zhbëjnë përparimin e shënuar.

Shërbimi Kombëtar i Motit lëshoi një paralajmërim rreth rrezikut të lartë që paraqet zjarri për disa zona, si ajo e gjirit dhe përgjatë bregut qendror, duke filluar të dielën në mëngjes deri të hënën pasdite.

"Nuk e kemi kaluar ende situatën e rëndë, jemi ende në beteje", shkruante në një postim në Twitter shefi i Departamentit të Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri në Kaliforni, Thom Porter.

Në një javë, shteti i është përgjigjur më shumë se 585 vatrave të zjarrit, kryesisht të vogla e të shkaktuara nga disa mijëra goditje rrufeje. Shumica e dëmeve është shkaktuar nga tre vatra zjarri që kanë shkatërruan pyje dhe zona rurale në gjirin e San Franciskos. Si pasojë e zjarreve të fuqishëm në të gjithë shtetin kanë humbur jetën të paktën pesë persona dhe janë plagosur 43 të tjerë, përfshirë zjarrfikës. Rreth 700 shtëpi si dhe objekte të tjera. janë djegur Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e rreth 175 mijë njerëzve.

Të premten zoti Newsom kërkoi ndihmë nga Kanadaja dhe Australia ndërsa 14 mijë zjarrfikës nga Kalifornia dhe 10 shtete të tjera amerikane me ndihmën e Gardës Kombëtare dhe ushtrisë, vazhdojnë të luftojnë për të vendosur situatën nën kontroll.

Pak ditë më pas

Zjarret kanë shkatërruar afro 810 mijë hektarë në Kaliforni këtë vit, duke vendosur një rekord për këtë shtet, megjithëse ekipe të shumta zjarrfikësish vazhduan të luftonin me flakët në temperatura përvëluese të hënën që sforcuan rrjetin elektrik dhe rrezikuan të linin miliona vetë pa enregji elektrike.

Lynne Tolmachoff, zëdhënëse e Departamentit për Pyjet dhe Mbrojtjen nga Zjarri të Kalifornisë, tha se është tronditëse që ky rekord vendoset në fillim të sezonit të zjarreve.

"Është nervozuese sepse shtatori dhe tetori janë muajt më të rrezikshëm historikisht për zjarret”, tha ajo.

Shifra më e lartë ishte mbi 790 mijë hektarë në vitin 2018.

Zjarrfikësit po bënin përpjekjet maksimale për të kontrolluar flakët, para se erëra të thata dhe të nxehta të parashikuara për ditët e ardhshme ta shtojnë rrezikun. Urdhra evakuimi u dhanë për komunitete të tjera në zona malore, ndërsa zjarri më masiv përshkonte Pyllin Kombëtar Sierra.

Në zonën e Fresnos, zëvendës sherifët shkuan derë më derë për t’u siguruar që banorët po zbatonin urdhrat për t’u evakuuar. Zyrtarët shpresojnë që zjarri të mos afrohet në Parkun Kombëtar të Josemiteve.

Në Kaliforninë Jugore, ekipet po përpiqeshin të shuanin disa zjarre, përfshirë një që bllokoi rrugët malore në Pyllin Kombëtar, Angeles.

Temperaturat gjatë ditës në zonat e zjarreve iu afruan ose kaluan 40 grad. Temperatura në Los Angeles arriti 44 gradë Celsius të dielën dhe aty pranë në Luginën San Fernardo u shënua një temperaturë rekord prej 49.4 gradë.

Ndërsa qyteti i San Fransiskos shënoi një rekord të dielën me 37.7 gradë Celsius.

Operatorët e rrjeteve elektrike po u bëjnë thirrje banorëve të ruajnë energjinë, ndërsa temperaturat jashtëzakonisht të larta, po shkaktojnë përdorimin më të lartë të energjisë për vitin. Temperatura më të ulëta priten të martën. Voa

Dëme shkatërrimtare nga zjarri; shkencëtarët: ky është fillimi

Zjarret kanë djegur deri tani një sipërfaqe rekord prej 1 milion hektarësh në Kaliforni. Shteti i Uashingtonit po përballet me sipërfaqen e dytë më të madhe të djegur ndonjëherë. 500 mijë banorë kanë marrë paralajmërim ose urdhër për evakuim në Oregon, një shifër që përfaqëson 10% të popullatës së shtetit.

Këto nuk janë shkatërrime të papritura. Ekspertë të klimës kanë kohë që u bien këmbanave të alarmit, thotë eksperti i zjarreve në Universitetin e Kalifornisë, LeRoy Westerling.

"Kemi realizuar modele e simulime kompjuterike prej vitesh që tregojnë se po afrohen sezone me zjarre të përhapura, të pakrahasueshme me ato që janë regjistruar ndonjëherë. Po shohim realizimin në kohë reale, vit pas viti këtu në Kaliforni dhe shtetet përreth. Pra, nuk është aspak për t’u habitur,” thotë eksperti. Nga ana tjetër, shton ai, kur e përjeton realisht është krejt ndryshe nga modeli. “Kjo është reale dhe na ka tronditur me shkatërrimin që çdo vit bëhet më i rëndë“.

Temperaturat në rritje, thatësira të tejzgjatura

Përhapja e zjarreve kërkon bimësi të tharë dhe ndryshimet klimatike e ndihmojnë këtë proces, thotë zoti Westerling.

Rritja e temperaturave nënkupton se bimësia e gjallë thahet më shpejt. Kalifornia dhe Oregoni kanë regjistruar ngritje mesatare prej 1.1 gradësh Celcius krahasuar me fillimin e shekullit XX, ndërsa Uashingtoni është ngrohur 0.8 gradë Celcius, sipas Administratës Kombëtare të Oqeaneve dhe Atmosferës. Nuk kanë munguar as rritjet ekstreme të temperaturës sidomos kur llogaritet numri i netëve të nxehta.

Ngrohja klimatike ndikon tek sasia e rezervave ujore. Bora që shkrin nga malet ka rëndësi kritike për të ushqyer rajonin. Por me pakësimin e rreshjeve të borës dhe zëvendësimin e tyre nga shirat, uji nuk grumbullohet në rezervuare natyrore, por shkarkohet më shpejt. Kjo nënkupton më pak rezerva ujore gjatë stinës së nxehtë të verës.

Vitet e fundit janë regjistruar temperatura më të larta gjatë verës. Sipas një studimi të ri, pjesa jugperëndimore e SHBA ka regjistruar periudhën e dytë më të nxehtë në më shumë se 1000 vjet. Vetëm fundi i viteve 1500 ishte më i nxehtë. Ky është një rajon i thatë dhe në masë të madhe shkretinor, por studimi ka zbuluar se ndryshimet klimatike kanë transformuar thatësira të moderuara të rajonit në super-thatësira që po zgjasin për dekada.

Kjo ka goditur rëndë pyjet e zonës. Miliona pemë janë tharë; ato që mbijetojnë janë tani më të pambrojtura nga sulmet e insekteve, të cilët preferojnë temperatura të nxehta. Shumë prej insekteve që ngordhnin gjatë dimrit, tani mbijetojnë pasi janë rritur temperaturat edhe gjatë stinës së ftohtë. Si rezultat, afro 150 milionë rrënjë pemë u shkatërruan në mbi 4 milionë hektarë sipërfaqe vetëm në Kaliforni, sipas Shërbimit Amerikan të Pyjeve.

Faktori njerëzor

Njerëzit po e përkeqësojnë situatën në një numër mënyrash. Zjarri është një pjesë natyrore e ekosistemeve në perëndimin amerikan. Zjarret zakonisht digjeshin në dyshemenë e pyllit, duke pastruar bimësinë midis pemëve më të mëdha, rezistente ndaj zjarrit. Por për dekada, banorët dhe industritë në rajon kanë punuar për të kontrolluar zjarret sa më shumë që të jetë e mundur.

Si rezultat pyjet janë bërë më të dendura dhe gjithashtu më të rrezikuarra nga thatësira, sepse pemët po konkurrojnë për ujë, shpjegon zoti Westerling.

Kur shpërthen një zjarr, ai mund të përhapet më lehtë nga pema në pemë, më intensivisht dhe në mënyrë më shkatërruese sesa zjarret që digjen në pjesën e poshtme të pyllit, shton ai. Po ashtu, një numër në rritje njerëzish po jetojnë në zona të pambrojtura pranë shkretëtirës, duke rritur rrezikun e humbjes së jetës dhe pronës. Më shumë njerëz do të thotë më shumë zjarre, qofshin nga linjat e tensionit, zjarret gjatë piknikut, cigaret, fishekzjarret dhe, më rrallë, zjarrvëniet.

Vetëm Fillimi

Një sezon zjarri si ky është "duke u bërë më i zakonshëm, dhe parashikohet të vazhdojë në këtë drejtim" në dekadat e ardhshme ndërsa thellohen ndryshimet klimatike, thotë Erica Fleishman, drejtore e Institutit të Kërkimit të Ndryshimeve Klimatike në Universitetin Shtetëror të Oregonit.

Temperaturat pritet të vazhdojnë të rriten. Rreshjet totale vjetore mund të mos ndryshojnë shumë, por pritet të vijnë në më pak stuhi më të mëdha, tha ajo. Vera parashikohet të jetë më e thatë. "Ne tashmë kemi shumë pak rreshje në verë, por po presim edhe më pak", tha Drejtorja e Qendrës Klimatike Veriperëndimore në Departamentin e Bujqësisë Jessica Halofsky.

Përveç kësaj, pakësimi i rreshjeve të borës, tha ajo, "do sjellë më shumë zjarre në Paqësorin Veriperëndimor, që llogaritet ndoshta dy deri në tre herë më e madhe se sipërfaqja vjetore e djegur në të shkuarën".

E parashikuar dekada më parë

Me dhjetra të zhdukur në Oregon dhe të paktën 17 të vdekur në Kaliforni këtë vit, zyrtarët po vënë në dukje efektet e ndryshimit të klimës.

"Ky nuk është një akt i Zotit," tha Guvernatori i Uashingtonit, Jay Inslee të premten. "Kjo ka ndodhur sepse ne kemi ndryshuar klimën e shtetit të Uashingtonit në mënyra dramatike".

"Ne jemi në mes të një emergjence klimatike," tha Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom të premten. "Ne po përjetojmë atë që kaq shumë njerëz parashikuan dekada e dekada më parë. Por e gjithë kjo tani është realitet."

Ky realitet nuk është triumf për shkencëtarët që e parashikuan këtë fenomen.

"Nuk është gjithmonë e këndshme të kesh të drejtë," thotë zonja Fleishman e universitetit shtetëror të Oregonit. "Do të preferoja të isha gabim në këto raste. Është trishtuese".   

Bregu perëndimor përpihet nga zjarret e fuqishëm

Sipërfaqe të mëdha të bregut perëndimor në Shtetet e Bashkuara ndodhen nën flakë ose shkrumb e hi. Më shumë se 100 vatra zjarri që kanë dalë jashtë kontrollit po përhapen nga Kalifornia në shtetin e Uashingtonit e më gjerë, duke djegur sipërfaqe të tëra nëpër qytete e duke shkaktuar të paktën 24 viktima.

Më shumë se 500 mijë njerëz në Oregon, ose më shumë se 10 për qind e popullsisë së shtetit, janë larguar ndërsa zjarret në këtë shtet kanë shkatërruar me mijëra shtëpi e djegur me qindra mijëra hektarë tokë. Shumë prej të larguarve janë strehuar brenda makinave të tyre në parkingje të mëdha.

"Po përgatitemi për incidente të mëdha vdekjeprurërse bazuar në atë që dimë dhe numrin e strukturave që kanë djegur", tha Andrew Phelps, drejtor i Zyrës së Oregonit për Menaxhimin e Emergjencave. Në pjesën jugore të Oregonit u vu re një skenë apokaliptike me shtëpi banimit djeguara për kilometra me rallë, një skenë që pasqyrohej edhe në disa pjesë të Kalifornisë.

“Kjo është një emergjencë klimatike. Kjo është reale dhe po ndodh. Kjo është një situatë me zhvillimeve dramatike", tha Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom.

“Ajo që po përjetojmë këtu do të shkojë drejt komuniteteve në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse nuk ndërmarrim veprime të përbashkëta mbi ndryshimet klimatike". Në Kaliforni janë urdhëruar të largohen më shumë se 68 mijë njerëz. Tymi i dendur dhe mjegulla ka mbuluar pjesën më të madhe të rajonit, ndaj dhe zyrtarët kanë paralajmëruar banorët të qëndrojnë brenda.

Në rajonin më të populluar të Oregonit, u panë helikopterë tek hidhnin ujë e lëndë rezistente ndaj zjarrit në dy vatra që kërcënojnë të bashkohen.

Guvernatorja e Oregonit Kate Brown tha të premten se dhjetra njerëz rezultojnë të zhdukur në qarqet Xhakson dhe Marion. Në Kaliforni, zjarri më i madh në historinë e shtetit po djeg Pyllin Kombëtar Mendocino, rreth 190 kilometra në veriperëndim të Sakramentos.

"Ky nuk është një akt i Zotit", tha të premten Guvernatori i Uashingtonit, Jay Inslee. "Kjo ka ndodhur sepse kemi ndryshuar klimën e shtetit të Uashingtonit në mënyrë dramatike". Ai tha se toka e djegur në Uashington në pesë ditët e fundit e shndërroi atë në sezonin e dytë më të keq të krijuar nga zjarret në këtë shtet.

Përveç luftës për të vënë nën kontroll situatën, autoritetet po sfidohen tashmë nga dezinformatat në faqet e medias sociale se zjarret janë vënë nga grupe të ekstremit të djathtë dhe atij të majtë.

FBI-ja tha të premten se ka nisur hetimet mbi disa pretendime dhe se deri tani ato rezultojnë të pavërteta. Ndërkohë meteorologët thanë se zjarret e Kalifornisë janë përgjegjëse për shkëlqimin në ngjyrë portokalli në qiell që popullata në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar vuri re mëngjesin e së premtes.

Ndryshimi i klimës kontribon në gjendjen e zjarreve

Në tre shtetet perëndimore të SHBA rifillojnë sot kërkimet për viktima mes rrënojave të shkaktuara nga zjarret masive, që gjatë disa javëve kanë djegur miliona hektarë.

Zjarret e pakontrolluara në shtetet Oregon, Kaliforni dhe Uashington kanë shkatërruar mijëra shtëpi dhe gjashtë qytete të vogla këtë verë, duke djegur një sipërfaqe me madhësinë e Nju Xhersit dhe duke shkaktuar të paktën 26 vdekje që nga fillimi i gushtit.

Pas katër ditësh tepër të nxehta, fundjava solli një mot më të qetë e më të lagësht, me erëra që frynin nga Oqeani Paqësor, të cilat i ndihmuan ekipet të luftonin me flakët.

Shkatërrimi që kanë sjellë zjarret nuk është i papritur. Ekspertët e klimës kanë dhënë alarmin prej një kohe të gjatë, thotë eksperti i zjarreve LeRoy Westerling në Universitetin e Kalifornisë, Merced.

"Prej vitesh kemi bërë modelime dhe simulime që tregojnë se po vijnë sezone zjarresh me të vërtetë shkatërrimtare, përtej asaj që kemi provuar historikisht," tha ai.

Nxehet moti, rritet thatësira

Zjarret kanë nevojë për bimë të thata për t’u përhapur dhe ndryshimi i klimës po ndihmon në shtimin e tyre, thotë Westerling.

Rritja e temperaturave nënkupton që materialet bimore thahen më shpejt. Kalifornia dhe Oregoni tashmë kanë një rritje temperaturash mesatarisht 1,1 gradë Celsius që nga fillimi i shekullit të 20-të ndërsa shteti Uashington është rreth 0,8 gradë C më i ngrohtë, sipas Administratës Kombëtare për Oqeanet dhe Atmosferën. Temperaturat e larta ekstreme po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, veçanërisht numri i netëve të nxehta.

Ngrohja e klimës ndikon në furnizimin me ujë gjatë gjithë vitit. Shkrirja e borës në mal është një burim me rëndësi i ujit në pjesën më të madhe të rajonit. Por sasia e borës dhe e shiut është pakësuar. Kjo do të thotë se në muajt e verës ka më pak ujë.

Gjatë viteve të fundit, stina e verës ka qenë veçanërisht e thatë. Sipas një studimi, zonat jugperëndimore në Shtetet e Bashkuara po kalojnë periudhën e dytë më të thatë në më shumë se 1.000 vitet e fundit.

Kjo gjendje klimatike po i ndëshkon ashpër pyjet e Perëndimit amerikan. Thatësira jo vetëm që ka shkatërruar miliona pemë, por ka bërë që pjesa tjetër të jetë më e ekspozuar nga infektimi i brumbujve. Brumbujt jetojnë më mirë në një klimë të ngrohtë. Ata tani po i mbijetojnë dimrave më të butë. Rezultat i kësaj janë rreth 150 milion pemë të thara dhe lehtësisht të ndezshme në mbi gati 4 milion hektarë vetëm në Kaliforni, sipas Shërbimit Pyjor të SHBA.

Faktorët njerëzorë

Njerëzit po e përkeqësojnë situatën në disa aspekte.

Zjarri është pjesë natyrore e ekosistemeve në shtetet e Perëndimit amerikan. Zjarret zakonisht përhapen në dyshemenë e pyllit, duke pastruar bimësinë midis pemëve më të mëdha, rezistente ndaj flakëve. Por prej disa dekadash, banorët dhe industritë në rajon përpiqen t’i shuajnë zjarret sa më shpejt që të jetë e mundur.

Si pasojë, pyjet janë bërë më të dendur dhe rrjedhimisht më të prekshëm ndaj thatësirës, sepse pemët konkurrojnë për ujë, thotë zoti Westerling.

Kur zjarri shpërthen, ai mund të përhapet më lehtë nga pema në pemë, duke u bërë më shkatërrimtar sesa zjarret që digjen në dyshemenë e pyllit, thotë ai.

Plus, një numër në rritje njerëzish po jetojnë në zonat pranë shkretëtirës, duke rritur rrezikun e humbjes së jetëve dhe të pronës.

Më shumë njerëz do të thotë më shumë zjarre, që vijnë nga shkëndijat elektrike, zjarret nëpër kampingje, cigaret, fishekzjarret dhe, më rrallë, nga zjarrvënie të qëllimshme.

Më shumë zjarre në të ardhmen

Ky është vetëm fillimi. Një stinë zjarresh si kjo po bëhet gjithnjë e më e zakonshme dhe pritet të vazhdojë kështu në dekadat e ardhshme, ndërsa ndryshimi i klimës nuk ndalet, thotë Erica Fleishman, drejtore e Institutit Kërkimor për Ndryshimet Klimatike në Universitetin Shtetëror të Oregonit.

Temperaturat pritet të vazhdojnë të rriten. Reshjet e përgjthshme vjetore mund të mos ndryshojnë shumë, por pritet të përmblidhen në më pak stuhi të cilat do të jenë më të mëdha, thotë ajo.

Vera parashikohet të jetë më e thatë. "Ne tashmë kemi pasur shumë pak reshje (në verë), por pritet të ketë edhe më pak," thotë Jessica Halofsky, drejtoreshë në Departamentin amerikan të Bujqësisë.

Ajo thotë se po t’i shtosh kësaj edhe pakësimin e reshjeve të dëborës, atëherë arrin në përfundimin se në të ardhmen do të ketë më shumë zjarre në Paqësorin Veriperëndimor. Sipas saj, sipërfaqja vjetore e djegur në të ardhmen do të jetë ndoshta dy deri në tre herë më e madhe se sa në kaluarën.

Përfshirja e ushtrisë amerikane

Zjarret vazhdojnë në pjesën veriperëndimore të Shteteve të Bashkuara. Ato kanë shkaktuar deri tani vdekjen e të paktën 35 njerëzve. Shkencëtarët thonë se këto janë zjarre të pashembullta për nga madhësia dhe shtrirja e tyre. Zyrtarët thonë se janë duke përdorur të gjitha kapacitetet për të luftuar zjarret, që kanë djegur miliona hektarë tokë. Në këtë përpjekje është angazhuar edhe ushtria amerikane.

Marinsat amerikanë në Kampin Pendleton në Kaliforninë jugore po përgatiten për betejën kundër zjarreve vdekjeprurëse që po godasin rajonin veriperëndimor të vendit.

"Gjatë ditëve të fundit, marinsat kanë marrë të gjitha pajisjet e nevojshme për misionin. Trajnimi filloi sot, dhe ata do të vazhdojnë të stërviten gjatë ditëve të ardhshme, para se të dislokohen në terren për të filluar punën."

Togerja Melina Mesta thotë se marinsat kanë nderin të mbështesin operacionet e zjarrfikësve sot, ashtu siç kanë bërë edhe në të kaluarën. Oficeri Andrew Heisinger thotë se ai ka rreth 80 marinsa në njesinë e tij, të gjithë vullnetarë.

“Ky mision, është fare pranë nesh. Mbi 50 për qind e marinsave në njësinë tonë në Kampin Pendleton janë nga Kalifornia, kështu që shumë prej tyre janë prekur nga zjarri pasi ai ka përfshirë zonat ku ata kanë lindur dhe janë rritur".

Frank Guzman i Shërbimit Pyjor të Shteteve të Bashkuara mirëpret përvojën taktike të ushtarëve profesionistë.

“Ata janë mësuar të punojnë në njësi të vogla. Janë mësuar të përshtaten dhe të kapërcejnë sfidat. Unë mendoj se kjo është një nga vlerat e tyre thelbësore, që do të jetë e rëndësishme në luftën ndaj zjarreve që shpejt ndryshojnë drejtim dhe janë një forcë shumë e paparashikueshme natyrore."

Të paktën 35 persona kanë vdekur dhe miliona hektarë janë shkatërruar në zjarret e këtij sezoni në rajonin veriperëndimor të Shteteve të Bashkuara. Shkencëtarët thonë se këto janë zjarret më masive në gati dy dekada. Ekspertët e lidhin intensitetin dhe dendësinë e zjarreve me ndryshimin e klimës.

*Përditësuar 26 shtator 2020.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA