...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Greqia po shtyn Turqinë drejt luftës

Athina po e shton presionin mbi Ankaranë, me anijet greke që iu bashkuan forcave egjiptiane dhe emirate në manovra detare pranë Turqisë

Voa

07/12/2020 - 21:24

Turqia ka shprehur shqetësimin për aleancën e re mes Greqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duke paralajmëruar se kërcënon të ndryshojë balancën e fuqive në rajon. 

Avionët turq interceptuan një avion luftarak grek mbi ujërat e kontestuara të Detit Mesdhe, ku besohet të ketë rezerva të mëdha energjetike. Forcat ajrore të të dyja vendeve përdorin të njëjtët lloje avionësh, duke projektuar kështu imazhin e balancës së fuqisë. Por, rishtazi Greqia nënshkroi një marrëveshje mbrojtjeje me Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shkaktuar alarm në Ankara.

"Kur të bashkohen në Detin Mesdhe, në Detin Egje, ky do të jetë një ndryshim i balancës së pushtetit. Në cilin sektor? Në atë të fuqisë ajrore. Përse? Bashkimi i forcave të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Greqisë për të blerë së bashku avionët F-35 është kundër interesave të Turqisë", thotë Mesut Casin, i Universitetit Yeditepe, njëkohësisht edhe këshilltar i presidentit turk.

Emiratet e Bashkuara Arabe pritet të blejnë nga Shtetet e Bashkuara rreth 100 nga këta avionë që janë ndër më të avancuarit, ndërkohë që edhe Greqia kërkon të blejë të njëjtin lloj avioni. Por, Ankarasë i është ndaluar blerja e këtij avioni, për shkak se bleu një sistem raketash ruse, për të cilat Uashingtoni thotë se kompromentojnë teknologjinë e avionëve F-35 për të penguar diktimin e tyre nga radarët.

Athina po e shton presionin mbi Ankaranë, me anijet greke që iu bashkuan forcave egjiptiane dhe emirate në manovra detare pranë Turqisë. Analistët e shohin këtë si një shenjë e izolimit në rritje të Ankarasë në rajon.

"Ka një bllok vendesh me antipati në rritje për Turqinë. Dhe Turqia nuk mund të vazhdojë më kështu. Izraeli, Egjipti, sauditët, Emiratet e Bashkuara Arabe... janë shumë. Nuk është ajo që dëshironte Turqia të arrinte. Turqia synonte të bëhej një udhëheqëse rajonale. Tashmë Katari është i vetmi vend që mbështet Turqinë", thotë Huseyin Bagci, i cili jep mësim për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin Teknik të Lindjes së Mesme.

Në samitin e ardhshëm të Bashkimit Evropian, Athina do të lobojë për sanksione ndaj Ankarasë, për shkeljen e ujërave territoriale nga Turqia. Si një tregues i stadit të marrëdhënies mes Turqisë dhe BE-së, zyrat e Bashkimit Evropian në Stamboll janë shndërruar tani në restorant.

"Synojnë t'ia fillojnë me sanksione graduale, por nuk do të jetë në interesin e Bashkimit Evropian, apo të Turqisë. Dialogu është thelbësor dhe futja e sanksioneve nuk do të ndryshojë politikën kombëtare të Turqisë për Mesdheun lindor", thotë Mithat Rende, ambasador turk në pension.

Përpara samitit të BE-së, Ankaraja tërhoqi anijet e saj kërkimore për burime energjetike që po vepronin në ujërat e kontestuara të Mesdheut dhe po bën thirrje për dialog. Me kufizimet e reja për COVID-in dhe masat izoluese, Turqia është më e ekspozuar se kurrë ndaj sanksioneve të Bashkimit Evropian. 

Reagimi i Turqisë një ditë më pas 

Turqia i kërkoi Bashkimit Evropian të përdorë "logjikën e shëndoshë" për t'i dhënë fund mosmarrëveshjes rreth kërkimit të gazit natyror, e cila ka rigjallëruar polemika për çështje territoriale në Mesdheun lindor dhe i ka bërë udhëheqësit e BE-së të kërcënojnë me sanksione.

Duke folur në një konferencë shtypi me homologun e tij hungarez në Ankara, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu përsëriti se Ankaraja dëshiron të pranohet në BE si anëtare me të drejta të plota dhe shtoi se deklaratat e BE-së që akuzojnë Ankaranë për nxitjen e tensioneve janë të gabuara. Ai tha se Greqia, vend anëtar i BE-së, ka vazhduar hapat "provokuese" megjithë përpjekjet diplomatike të Turqisë.

Të hënën, ministrat e jashtëm të BE thanë se Turqia dështoi të ndihmonte në dhënien fund të mosmarrëveshjeve me vendet anëtare Greqinë dhe Qipron mbi burimet e mundshme të gazit, por ata ia lanë çdo vendim të mundshëm për sanksione takimit të nivelit të lartë të BE-së që do të mbahet të enjten.

"Ata duhet të jenë të drejtë dhe të ndershëm. Nëse ata mendojnë strategjikisht dhe me mendje të shëndoshë, jo vetëm në samit, por gjithmonë, dhe ne arrijmë një atmosferë pozitive, ne mund të përmirësojmë lidhjet tona," tha zoti Cavusoglu. "Ne mund t'i zgjidhim problemet tona vetëm me dialog dhe diplomaci,” tha ai.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA