...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ish-oficer amerikan spiunonte për rusët

Nëna e zoti Debbins ka lindur në ish-Bashkimin Sovjetik dhe ai kishte treguar "interes rreth Rusisë të paktën pjesërisht për shkak të origjinës së nënës së tij

Voa

19/11/2020 - 07:38

Një ish-oficer i Forcave Speciale Amerikane u deklarua fajtor të mërkurën lidhur me akuzat se u kishte siguruar informacione sekrete ushtarake, agjentëve rusë të zbulimit.

Peter Rafael Dzibinski Debbins, 45 vjec, i cili u arrestua në muajin gusht, u deklarua fajtor për akuzën e shpërndarjes së informacionit të mbrojtjes tek një qeveri e huaj.

Ai do të dënohet në shkurt dhe përballet me burgim të përjetshëm thuhej në një deklaratë të Departamentit të Drejtësisë.

Sipas dokumenteve të gjykatës, zoti Debbins, i cili shërbente në forcat elitë të Beretave të Gjelbërta, kishte udhëtuar herë pas here në Rusi mes viteve 1996 dhe 2011 dhe u kishte dhënë agjentëve rusë të zbulimit informacione të ndjeshme të ushtrisë amerikane. Sipas prokurorëve amerikanë në 1997 atij i ishte vendosur emri i koduar "Ikar Lesnikov" dhe kishte nënshkruar një deklaratë që vërtetonte se ai donte t'i "shërbente Rusisë".

"Debbins pranoi sot se ai ka shkelur besimin më të lartë ndaj vendit duke u dhënë rusëve informacione të ndjeshme që lidhen me sigurinë kombëtare", tha në një deklaratë John C. Demers, Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm për Sigurinë Kombëtare. "Debbins shkeli betimin që kishte bërë, tradhëtoi vendin e tij dhe anëtarët e ekipit të Forcave Speciale me qëllimin për të dëmtuar Shtetet e Bashkuara dhe për të ndihmuar Rusinë", shtoi ai.

Sipas dokumenteve të gjykatës nëna e zoti Debbins ka lindur në ish-Bashkimin Sovjetik dhe ai kishte treguar "interes rreth Rusisë të paktën pjesërisht për shkak të origjinës së nënës së tij".

Udhëtimin e parë drejt Rusisë zoti Debbins e ka kryer në vitin 1994, kur ishte 19 vjeç, kohë gjatë së cilës u njoh me bashkëshorten e tij, vajzën e një oficeri rus, në qytetin e Chelyabinsk-ut.

Në vitin 1996, ndërsa ndiqte studimet në universitetin e Minesotës si anëtar i Korpusit të Trajnimit të Oficerëve Rezervë (ROTC), zoti Debbins vizitoi Chelyabinsk-un kohë gjatët së cilës dyshohet se ishte rekrutuar nga agjentët rusë të zbulimit, sipas dokumenteve të gjykatës. Qyteti i Chelyabinsk-ut ndodhet pranë një baze ushtarake ruse.

ROTC është program trajnimi për oficerët amerikanë që ndjekin kolegjin apo universitetin.

Zoti Debbins shërbeu në ushtrinë amerikane nga 1998 deri në 2005, fillimisht si oficer në njësinë kimike dhe më vonë si kapiten në Forcat Speciale. Prokurorët amerikanë thonë se ai iu bashkua Forcave Speciale nxitur nga rusët.

Në vitin 2008, tre vjet pas largimit nga detyra aktive, zoti Debbins u dha agjentëve rusë emrat e një numri ish-anëtarësh të ekipit të tij të Forcave Speciale. Sipas Departamentit të Drejtësisë Rusia e kishte kërkuar këtë informacionin për të "vlerësuar nëse mund t'u afrohej për t’u kërkuar të bashkëpunonin me shërbimet ruse të zbulimit".   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA